2 gusht

[no_toc]

2 gusht

«…i zuri frika, kur hynë në re» (Luka 9:34).

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ishin mbi mal me Jezusin. Duke ndierë që ky ishte një moment domethënës në histori dhe duke dëshiruar që ta ruanin disi lavdinë e saj, Pjetri propozoi që të ngriheshin tri çadra – një për secilin, për Jezusin, Moisiun dhe Elian. Kjo, sigurisht, do ta vendoste Zotin në të njëjtin nivel me dy shenjtorët e Dhiatës së Vjetër. Perëndia e prishi këtë plan duke i mbuluar me një re. Luka na tregon që ata «i zuri frika, kur hynë në renë».

Ata nuk duhet të kishin frikë. Kjo ishte një re e lavdisë, jo e gjykimit. Ky ishte një fenomen i përkohshëm, jo një fakt i vazhdueshëm i jetës. Perëndia ishte në renë, edhe pse nuk ishte i dukshëm.

Shpesh retë vijnë në jetën tonë dhe, sikurse apostujt, neve na zë frika kur hyjmë në një nga këto re. Kur Perëndia na thërret në një sferë të re shërbimi, për shembull, kemi shpesh frikën e së panjohurës. Ne imagjinojmë më të keqen në formën e rreziqeve, parehatisë dhe situatave të papëlqyeshme. Në fakt, ne po tregohemi të frikësuar veçse për një bekim. Me largimin e resë ne kuptojmë se vullneti i Perëndisë është i mirë dhe i pëlqyer dhe i përsosur.

Ne druajmë ndërsa hyjmë në renë e sëmundjes. Mendjet tona alarmohen me tërbim. Ne e interpretojmë çdo fjalë dhe lëvizje të fytyrës së doktorit si një ogur për vdekjen. Ne e përcaktojmë çdo simptomë me diagnozën e një sëmundjeje të skajshme. Por me kalimin e sëmundjes e gjejmë veten duke thënë me psalmistin: «Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar» (Psa. 119:71). Perëndia ishte në renë dhe ne nuk e dinim.

Ne druajmë kur hyjmë në renë e dhimbjes. Çfarë e mirë, pyesim ne, mund të vijë ndonjëherë nga këta lot, nga ky ankth dhe kjo humbje e madhe. E tërë bota tonë duke se po bëhet gërmadhë përreth nesh. Por ka mësime në këtë re. Ne mësojmë se si t’i ngushëllojmë të tjerët me ngushëllimin me të cilin Zoti na ngushëllon. Ne arrijmë të kuptojmë lotët e Birit të Perëndisë në një mënyrë të tillë që nuk mund t’i njohim ndryshe.

Ne nuk kemi pse të kemi frikë kur hyjmë në retë e jetës. Ato janë edukative. Ato janë të përkohshme. Ato nuk janë shkatërruese. Ato mund ta fshehin fytyrën e Zotit, por jo dashurinë dhe fuqinë e Tij. Kështu ne duhet t’i futim në zemër fjalët e Uilliam Kupërit (William Cowper):

Ju shenjtorë të frikësuar, bëni kurajë rishtas;
retë që ju aq shumë i druani
janë të mëdha në mëshirë dhe do të shpërthejnë
me bekime në kokën tuaj.