20 gusht
«Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati?» (Heb. 12:7).Fjalët qortim, ndreq, korrigjon dhe ndreqje i hasim shtatë herë në 11 vargjet e para të Hebrenjve 12. Si rrjedhim është e lehtë për lexuesin e shkujdesur që të ketë përshtypje të gabuara. Ai mund ta përfytyrojë kollaj Perëndinë si një Atë të zemëruar, që është duke i fshikulluar gjithnjë fëmijët e Tij. Ky keqkuptim vjen kur nuk e konsiderojmë korrigjimin asgjë tjetër veçse ndëshkim.
Gjejmë mjaft ngushëllim kur mësojmë se korrigjimi në Dhiatën e Re ka një domethënie shumë herë më të gjerë se kaq. Ai do të thotë vërtet trajnim i fëmijës dhe përfshin të gjithë aktivitetin prindëror që përfshihet në rritjen e një fëmije. Kiteli (Kittel) e përkufizon atë si «edukimi dhe trajtimi i fëmijës që rritet drejt pjekurisë dhe që kërkon drejtim, mësim, udhëzim dhe njëfarë mase detyrimi në formën e disiplinës apo madje korrigjimit».
Të krishterët, që u shkrua libri i Hebrenjve, ishin duke pësuar përndjekje. Autori e përshkruan këtë përndjekje si pjesë të korrigjimit të Zotit. A do të thotë kjo që përndjekjen e dërgoi Perëndia? Sigurisht që jo! Ajo u frymëzua nga armiqtë e ungjillit. A po i ndëshkonte Perëndia të krishterët për shkak të mëkatit të tyre? Jo, ka mundësi që përndjekja erdhi si rezultat i dëshmisë besnike ndaj Tij. Atëherë në çfarë kuptimi mund të themi që ishte korrigjimi i Zotit? Në kuptimin që Perëndia e lejoi atë që të ndodhte dhe më pas e përdori si pjesë të programit të Tij edukativ në jetët e njerëzve të Tij. Me fjalë të tjera, Ai e përdori përndjekjen për t’i rafinuar, pjekur dhe përshtatur fëmijët e Tij sipas shëmbëlltyrës së Birit të Tij.
Kuptohet pa qenë nevoja të thuhet që ky lloj korrigjimi nuk është i këndshëm aty për aty. Dalta është e ashpër me mermerin. Kaldaja e ekspozon arin në nxehtësi të madhe. Por e tëra kjo ia vlen kur fytyra e njeriut shfaqet në mermer dhe kur ari rafinohet nga zgjyra.
Është në dëm të vetes kur e përçmojmë qortimin e Zotit ose kur e humbim zemrën nga kjo. I vetmi qëndrim i duhur është të kujtojmë se Perëndia po e përdor atë si një mjet trajnimi, më pas duhet të përpiqemi që të përfitojmë dobinë maksimale prej tij. Kjo është ajo do të përçojë autori kur thotë se «u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij» (Heb. 12:11b).