20 tetor
«Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: “Ah, sikur dikush të më jepte të pija nga pusi i Betlehemit që është pranë portës”» (1 i Kronikave 11:17).Betlehemi ishte vendlindja e Davidit. Ai i njihte të gjitha rrugët dhe rrugicat e tij, pazarin si dhe pusin e zonës. Por tani filistejtë kishin ngritur një garnizon në Betlehem dhe Davidi ishte fshehur në shpellën e Adulamit. Kur tri nga njerëzit e tij dëgjuan që Davidi kishte etje për një gllënjkë ujë nga pusi i Betlehemit, ata çanë nëpër formacionin e armikut dhe ia sollën ujin. Ai ishte aq shumë i prekur nga ky akt i guximshëm i dashurisë dhe i përkushtimit të tyre, sa nuk mund ta pinte ujin, por në vend të kësaj e derdhi atë si libacion përpara Zotit.
Ne mund ta mendojmë Davidin këtu si një pikturë të Zotit Jezus. Ashtu sikurse Betlehemi ishte vendi i Davidit, po kështu e tërë «toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban». Davidi duhej të kishte qenë mbi fron, por në vend të kësaj ai ishte në shpellë. Në mënyrë të ngjashme Zoti ynë duhet të kurorëzohet nga bota, por në vend të kësaj Ai është hedhur poshtë dhe është mohuar. Ne mund ta krahasojmë dëshirën e Davidit për ujë me etjen e Shpëtimtarit për shpirtrat e njerëzve në mbarë botën. Ai dëshiron të freskohet duke i parë krijesat e Tij të shpëtuara nga mëkati, nga vetja dhe nga bota. Tri njerëzit e guximshëm të Davidit përshkruajnë ata ushtarë të patrembur të Krishtit, të cilët i flakin tutje konsideratat e rehatisë, lehtësisë dhe sigurisë personale me qëllimin për të përmbushur dëshirën e Kryekomandanit të tyre. Ata e çojnë lajmin e mirë në mbarë botën, pastaj ia ofrojnë të kthyerit në besim Zotit si një sakrificë dashurie dhe përkushtimi. Reagimi emocional i Davidit sugjeron përgjigjen e Shpëtimtarit kur Ai sheh delet e Tij duke u grumbulluar rreth Tij nga çdo fis e komb. Ai sheh frytin e mundimit të shpirtit të Tij dhe kënaqet (Isa. 53:11).
Në rastin e Davidit, atij nuk i duhej që t’i urdhëronte, t’i merrte me të mirë ose t’i lajkatonte njerëzit e tij. Shenja më e vockël ishte gjithçka që u duhej; ata e pranuan atë si një urdhër nga komandanti i tyre.
Çfarë, atëherë, do të bëjmë ne kur e dimë se cila është dëshira e zemrës së Shpëtimtarit për ata të cilët Ai i bleu me gjakun e Tij të çmuar? Mos duhet që mbi ne të ushtrohet presion i madh për t’u bërë misionarë dhe thirrje altari? A nuk mjafton kur e dëgjojmë Atë të thotë: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkoj për ne?» Mos duhet të thuhet për ne që nuk jemi të gatshëm të bëjmë për Komandantin tonë atë çka njerëzit e Davidit ishin të gatshëm të bënin për atë? Apo do t’i themi Atij: «Dëshira jote më e vockël është urdhër për mua?»