21 shtator
«Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Zoti, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij» (2 Tim. 4:8).
«… edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij». Për shumë vite kam menduar që kjo frazë i referohej atyre besimtarëve që kishin ndjenja të ëmbla e sentimentale për ardhjen e Zotit. Ata do të shpërblehen me një kurorë drejtësie për shkak të gjendjes së zemrave plot zjarr kur ata mendonin për Rrëmbimin.
Por sigurisht që kjo frazë nënkupton më shumë se kaq. Të presësh me dashuri të shfaqurit e Tij do të thotë të jetosh në dritën e ardhjes së Tij, të veprosh sikur Ai të vinte sot.
Pra, të presësh me dashuri të shfaqurit e Tij do të thotë të jetosh në pastërti morale. Sepse, ashtu sikurse na kujton Gjoni, «kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai» (1 Gjonit 3:3).
Kjo do të thotë të veçohesh nga gjërat e kësaj jete. Ne duhet të kemi në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë (Kolosianeve 3:2).
Kjo do të thotë t’i shërbesh popullit të Perëndisë, t’u japësh atyre «ushqim në kohën e duhur» (Mt. 24:45). Zoti premton një bekim të veçantë për ata që janë duke bërë këtë kur Ai të vijë.
Me pak fjalë, kjo do të thotë që ne nuk duhet të bëjmë asnjë gjë për të cilën nuk do të donim që Zoti të na gjente duke e bërë kur Ai të shfaqet. Ne nuk duhet të shkojmë në asnjë vend që do të na turpëronte në ardhjen e Tij. Ne nuk duhet të themi asnjë fjalë fyese në praninë e Tij.
Po ta dije se Krishti do të kthehej brenda javës, si do t’i kaloje ditët gjatë kësaj kohe? A do të thotë kjo që duhet ta lësh punën, të shkosh në majë të malit dhe ta kalosh gjithë ditën duke lexuar Biblën dhe duke u lutur? A do të thotë kjo që «do të punosh me kohë të plotë për Zotin», duke predikuar e mësuar ditë e natë?
Nëse me të vërtetë jemi duke ecur sot me Zotin dhe duke jetuar në qendër të vullnetit të Tij, kjo do të thotë të vazhdojmë si zakonisht. Por nëse jemi duke jetuar për veten, atëherë do të duhet të bëjmë disa ndryshime revolucionare.
Nuk mjafton që të kemi mendime të dashura për kthimin e Shpëtimtarit. Kurora e drejtësisë është ruajtur për ata që e presin të shfaqurit e tij aq shumë, sa e lejojnë këtë të vërtetë të formojë jetët e tyre. Nuk është e mjaftueshme të kapemi fort pas së vërtetës së ardhjes së Tij; e vërteta duhet të na mbajë ne.