23 nëntor
«…veprimi i të pabesëve është i dëmshëm» (Fjalet e Urta 13:15b).Nëse do të duheshin prova se veprimi i të pabesëve është i dëmshëm, do të na duhej thjesht të zgjedhim rastësisht një gazetë të përditshme dhe do të gjenim shumë ilustrime. E bëra këtë thjesht si një eksperiment dhe ja rezultatet:
Një kriminel lufte nazist që i ishte arratisur zbulimit dhe kapjes në Amerikën e Jugut për 35 vjet kishte kryer vetëvrasje. Frika e gjykimit dhe ekzekutimit të mundshëm ia bënë të padurueshme jetën më tej.
Një burrë i moshuar 74 vjeç u rrëmbye me armë nga tri burra që kërkuan një shpërblesë prej 90.000 dollarë nga i biri. I biri konsiderohet si një shpërndarës droge, që aktualisht është në arrati nga policia dhe agjentët federalë kundër drogës.
Një anëtar i Shtëpisë së Përfaqësuesve në SHBA u dëbua nga detyra pasi pranoi një ryshfet në këmbim të një premtimi për t’i dhënë një favor politik. Duket se përjashtimi i tij nga Kongresi do të jetë i përhershëm.
Rebelët afganë vazhdojnë të përballen me trupat pushtuese ruse. Artikulli i gazetës nuk përmend faktin se qeveria e Afganistanit kishte shkatërruar më parë ndërtesën e vetme të një kishe të krishterë në vend. A mund të jetë pushtimi rus shpagim hyjnor?
Një kapiten policie raportoi në mënyrë të rreme se i kishin vjedhur makinën. Ai shpresonte të merrte sigurim për atë. A konsiderohej një oficer i shquar dhe kishte mundësi t’i kërkohej të bëhej shef policie një ditë. Tani ai është shkarkuar nga detyra dhe pret një hetim kriminal.
Ndonjëherë ne, ashtu si psalmisti, tundohemi t’i kemi zili të pabesët. Duket sikur bota është goca e tyre e detit dhe gjithçka shkon mirë për ta. Por ne harrojmë se ata korrin një korrje të pashmangshme faji, turpi dhe frike demaskimi. Shpesh ata bëhen viktima të shantazhit dhe zhvatjes. Ata kanë frikë për jetën e tyre dhe jetën e anëtarëve të familjes së tyre. Atyre u duhet të mbajnë sisteme mbroje të ndërlikuara dhe të shtrenjta. Ata përballen me mendimin e arrestimit, gjyqeve dhe gjobave të shtrenjta ose të burgimit. Jeta bëhet një ankth në vend që të jetë ëndrra për të cilën shpresonin.
Një burrë që e kishte mësuar mirë këtë mësim i tha Sem Xhounsit (Sam Jones), predikuesit, me bindje të thellë: «Unë njoh vetëm një varg nga Bibla dhe e di se ai është i vërtetë: “Veprimi i të pabesëve është i dëmshëm”». Ai kishte provuar se pasojat e bashkëngjitura të mëkatit janë të pashmangshme dhe tejet të pakëndshme.