25 tetor

[no_toc]

25 tetor

«Është një mik që është më i lidhur se një vëlla» (Fjalet e Urta 18:24b).

Miqësia e Jezusit është një temë që shkakton një përgjigje të ngrohtë në zemrat e njerëzve të Tij kudo. Kur Ai ishte këtu në tokë, Ai u përqesh si «miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve» (Mt. 11:19), por të krishterët e kanë hequr përqeshjen dhe e kanë kthyer atë në një titull nderi.

Para se të shkonte në kryq, Zoti ynë i quajti dishepujt e Tij «miq». «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im» (Gjoni 15:14, 15).

Disa prej himneve më të dashura e përcjellin këtë temë; për shembull, «Ç’mik na është Jezus Krishti»; «Nuk ka asnjë mik si Jezusi i përulur»; dhe «Kam gjetur një mik, oh, çfarë miku».

Përse shkakton miqësia e Jezusit një përgjigje me një akord të tillë? Mendoj se arsyeja kryesore është që shumë njerëz janë të vetmuar. Ata mund të rrethohen nga njerëz të tjerë, por nuk rrethohen nga miq. Ky është shpesh rasti me njerëzit e moshuar të cilët i kanë lënë pas bashkëkohësit e tyre.

Vetmia është e egër. Ajo është e keqe për shëndetin fizik, mendor dhe emocional të personit. Ajo ia ha shpirtin për sa i përket gjendjes morale, ia acaron nervat dhe ia mërzit jetën. Shpesh vetmia i çon njerëzit në dëshpërim dhe kështu ata janë gati të komprometojnë me mëkatin ose të marrin vendime të çmendura. Për njerëz të tillë miqësia e Jezusit vjen me cilësitë shëruese të balsamit nga Galaadi.

Një arsye tjetër përse miqësia e Tij është kaq e vlerësuar është se ajo nuk dështon kurrë. Miqtë njerëzorë shpesh na lënë në baltë ose largohen nga jeta jonë, por ky Mik del i vërtetë dhe i palëkundur.

Miqtë tokësorë mund të na lënë në baltë e të largohen,
një ditë na qetësojnë, e tjetrën na trishtojnë;
por ky Mik kurrë nuk do të na mashtrojë. Oh, sa na do!

Jezusi është ai Mik që është më i lidhur se një vëlla. Ai është Miku që do në çdo kohë (Fjalet e Urta 17:17).

Fakti që Zoti Jezus nuk është i pranishëm trupërisht me ne nuk vendos ndonjë limit mbi realitetin e miqësisë së Jezusit. Ai na flet përmes Fjalës, dhe ne i flasim Atij me anë të lutjes. Është pikërisht në këtë mënyrë që Ai e bën Veten real në ne si Miku për të cilin kemi nevojë. Është në këtë mënyrë që Ai i përgjigjet kësaj lutjeje:

Zoti Jezus, bëje Veten një realitet të gjallë dhe të shndritshëm në mua;
më të pranishëm për shikimin depërtues të besimit se ç’mund të shihet ndonjë objekt tokësor;
më të dashur, më të ngushtë e afër se madje lidhja më e ngushtë tokësore.

[previous][next]