29 nëntor

[no_toc]

29 nëntor

«Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime» (Gjoni 5:30).

Dy herë në Gjoni 5 Zoti Jezus thotë se Ai nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes. Në vargun 19 Ai thotë: «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes…». Përsëri më pas në vargun 30 Ai thotë: «Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime…».

Kur i lexojmë për herë të parë këto vargje ne priremi të ndihemi të zhgënjyer. Ato duket se thonë se Jezusi ishte i kufizuar në fuqi, ashtu si ne. Por nëse Ai është Perëndi, siç pohoi se ishte, Ai duhet të jetë i plotfuqishëm. Atëherë si mund të thoshte Ai se nuk mund të bënte asgjë prej vetvetes? Vërtet, armiqtë e Ungjillit i kanë përdorur këto vargje për të treguar se Jezusi ishte vetëm një njeri me tërë kufizimet e njerëzimit.

Por vështro më nga afër! Zoti ynë nuk po fliste për fuqinë e Tij fizike. Ajo për të cilën po këmbëngulte ishte se Ai ishte aq i përkushtuar ndaj vullnetit të Atit të vet, sa Ai nuk mund të bënte asgjë me nismën e vet. Ai ishte aq i përsosur moralisht, sa nuk mund të vepronte në kokën e vet. Ai nuk dëshironte asgjë përveç vullnetit të Perëndisë.

Ti dhe unë nuk mund të themi se mund të s’mund të bëjmë asgjë prej vetvetes. Shumë shpesh ne veprojmë pavarësisht nga Zoti. Ne marrim vendime pa u konsultuar me Të. Ne i dorëzohemi tundimit me dijeni të plotë se po mëkatojmë. Ne zgjedhim vullnetin tonë mbi vullnetin e Tij. Zoti Jezus nuk mund të bënte asnjë nga këto gjëra.

Prandaj në vend që të sugjerojmë se Jezus Krishti ishte i dobët dhe i fundmë, këto vargje provojnë pikërisht të kundërtën – se Ai ishte në mënyrë hyjnore i përsosur. Kjo bëhet e qartë duke i lexuar këto vargje në tërësinë e tyre, në vend që të ndalojmë në pika të mesit. Ajo çfarë tha Jezusi në vargun 19 ishte: «Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri». Me fjalë të tjera, Biri nuk mund të veprojë në pavarësi nga Ati, por Ai mund të bëjë gjithçka që bën Ati. Ky është një pohim i barazisë me Perëndinë.

Përsëri më pas në vargun 30 Jezusi tha: «Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar». Kjo do të thotë se Ai i merrte vendimet vetëm mbi bazën e udhëzimeve që merrte nga Ati i vet dhe se nënshtrimi i Tij i plotë ndaj vullnetit të Atit siguronte se këto vendime ishin të drejta.

J. S. Baksteri (J. S. Baxter) tregon se kjo pjesë përmban shtatë pohime të dallueshme nga Krishti se është i barabartë me Perëndinë. I barabartë në veprime (v. 19); i barabartë në njohje (v.20); i barabartë në ringjallje (v. 21, 28, 29); i barabartë në gjykim (v. 22, 27); i barabartë në nder (v. 23); i barabartë në rigjenerim [në dhënien e jetës] (v. 24, 25); i barabartë në vetë-ekzistencë (v. 26). Shpëtimtari ynë nuk është një qenie e dobët, e brishtë me fuqi të kufizuar, por Perëndi i plotfuqishëm i shfaqur në mish.

[previous][next]