29 shtator

[no_toc]

29 shtator

«Shpëtimi i përket Zotit» (Jona 2:9).

Ne të gjithë dimë për «fituesin e zellshëm të shpirtrave» i cili shkon sa andej-këtej, duke bindur ndonjë që beson lehtë, pastaj i drejton përmes një formule shpëtimi dhe duke i mërzitur derisa më në fund ata bëjnë një rrëfim besimi vetëm për ta hequr atë qafe. Ai e shton në listën e tij edhe një tjetër të kthyer në besim dhe pastaj vështron përqark që të gjejë të tjerë për t’i shtuar në listë. A është ky ungjillëzimi?

Na duhet të pranojmë që nuk është. Kjo është një formë e ngacmimit fetar. Si çdo shërbesë tjetër e kryer me energjinë e mishit, kjo më tepër prish punë sesa bën mirë.

Xhon Stoti kishte të drejtë kur shkroi: «Është Krishti Ai që i ka çelësat. Ai i hap dyert. Atëherë le të mos hymë me forcë e pa teklif në dyer që janë ende të mbyllura. Ne duhet të presim që Ai të hapë dyert për ne. Kauzës së Krishtit po i bëhet në mënyrë të vazhdueshme dëm për shkak të dëshmive të vrazhda e zhurmëmadhe. Është me të vërtetë e drejtë që të kërkojmë për të fituar për Krishtin miqtë dhe të afërmit tanë në shtëpi e në punë. Por ndonjëherë ne nxitojmë dhe e lëmë Perëndinë mbrapa. Ji i duruar! Lutu palodhur e ki një dashuri të madhe dhe prit me durim për mundësi për të dëshmuar».

Ne mund të mos biem dakord me një pjesë të madhe të doktrinës së Ditrich Bonhoferit, por mund t’i pranojmë përzemërsisht fjalët e tij të mëposhtme: «Fjala e shpëtimit ka kufizimet e saj. Ai nuk ka as forcë as të drejtë për t’ua detyruar të njerëzve të tjerë…. Çdo përpjekje për t’i detyruar njerëzit me forcë për të pranuar Ungjillin, për të vrapuar pas tyre dhe për t’i bërë prozelitë, për të përdorur vetë burimet tona në qëllimin e shpëtimit të njerëzve të tjerë, është si e kotë ashtu dhe e rrezikshme. …Ne s’do të ndeshim gjë tjetër veçse furinë e verbër të zemrave të ngurtësuara dhe të errësuara dhe që ne do të jemi të padobishëm dhe të dëmshëm. Biznesi i shkujdesur që i bëjmë Ungjillit me fjalë të hirit që s’kushton, thjesht e mërzit botën derisa ta urrejë atë, kështu që në fund ajo kthehet kundër atyre që përpiqen të detyrojnë tek ajo atë që ajo nuk do».

Kthimi i vërtetë në besim është një vepër e Frymës së Shenjtë. Ai nuk «është nga vullneti i njeriut» në kuptimin që njeriu nuk mund ta shkaktojë atë nëpërmjet përpjekjeve të veta, sado dashamirës qoftë. Ata njerëz që shtyhen për të bërë një rrëfim të Krishtit pa miratimin e plotë të vullnetit të tyre do të zhgënjehen, bëhen të pakënaqur dhe shpesh bëhen armiq të kryqit të Krishtit.

Është vërtet një nga përvojat më të mëdha të jetës kur Fryma e Shenjtë na përdor në shpëtimin e një personi tjetër. Por është e çuditshme dhe groteske kur këtë ne përpiqemi ta bëjmë në forcën tonë.

[previous][next]