3 dhjetor

[no_toc]

3 dhjetor

«Ai […] shpall atë besim që ai shkatërronte» (Gal. 1:23).

Pasi Sauli nga Tarsi u konvertua, kishat e Judesë dëgjuan se ky krye-përndjekës i besimit të krishterë ishte bërë një predikues i zjarrtë dhe mbrojtës i besimit. Ishte një këmbim i shquar.

Në kohë më të vona, ka patur incidente madhështore ku njerëzit kanë bërë një ndërrim qëndrimi të njëjtë.

Lordi Litëlltoni (Lord Littleton) dhe Gilbert Uesti (Gilbert West) vendosën që së bashku të përmbytnin besimin e atyre që e mbronin Biblën. Litëlltoni do të përgënjeshtronte të dhënat e konvertimit të Saulit, ndërsa Uesti do të vërtetonte përfundimisht se ringjallja e Krishtit ishte një mit. «Që të dyve iu desh të pranonin se ishin të vjetruar për sa i përket të dhënave të Biblës, por vendosën: “Që të jemi të ndershëm e të sinqertë, të paktën ne duhet të studiojmë evidencën. Ata u këshilluan shpesh gjatë kësaj pune për temat në fjalë. Në një nga këto konferenca Litëlltoni e hapi zemrën para mikut të tij dhe rrëfeu se po fillonte të ndiente se kishte diçka në këtë”. Tjetri u përgjigj se edhe ai ishte tronditur paksa nga rezultatet e këtij studimi. Më në fund, kur librat përfunduan, të dy autorët u takuan dhe kuptuan që secili prej tyre, në vend që të shkruante kundër, kishin krijuar libra në favor të temave që kishin synuar t’i tallnin. Ata pranuan se pasi e hetuan të gjithë evidencën si ekspertë ligjorë, ata nuk mund të bënin sinqerisht asgjë tjetër, veçse të pranonin si të vërtetë çka pohonin të dhënat e Biblës për të dyja temat» (Frederick P. Wood). Libri i Lordit Litëllton ishte «Konvertimi i Shën Palit». Libri i Uestit u titullua «Ringjallja e Jezus Krishtit». I pafeu Robert C. Ingersoll e sfidoi agnostikun Lju Uollis (Lew Wallace), që të shkruante një libër ku të tregonte mashtrimin e të dhënave për Jezus Krishtin. Uollis kaloi vite të tëra duke e studiuar këtë temë, shumë edhe për dhimbjen e gruas së tij metodiste. Më pas ai filloi të shkruajë. Kur kishte mbaruar pothuaj katër kapituj, ai kuptoi se të dhënat për Jezus Krishtin ishin të vërteta. Ai ra në gjunjë me pendim dhe i besoi Krishtit si Zoti dhe Shpëtimtar. Më pas ai shkroi librin «Ben Hur», ku e paraqiste Krishtin si Birin hyjnor të Perëndisë.

Frenk Morisoni (Frank Morison) donte të shkruante një histori rreth Krishtit, por duke qenë se nuk besonte në të mbinatyrshmen, vendosi ta kufizonte veten për shtatë ditët para kryqëzimit. Megjithëkëtë, ndërsa i hetoi të dhënat biblike, ai e zgjeroi temën deri te ringjallja. Duke qenë tani i bindur se Krishti ishte ngjallur vërtet, ai e pranoi Atë si Shpëtimtarin e tij dhe shkroi librin «Kush e lëvizi gurin». Kapitulli i parë titullohet, «Libri që u refuzua të shkruhej».

Bibla është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe. Ajo është prova më e mirë për veten. Ata që e sulmojnë dhe tallin atë duhet të përballin mundësinë që një ditë ta besojnë dhe të bëhen kampionët më të devotshëm të saj.

[previous][next]