3 nëntor
«Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët”, dhe: “Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Zotit”» (2 Tim. 2:19).Edhe në ditët e apostujve ekzistonte një pështjellim i madh në botën fetare. Dy burra, për shembull, po mësonin doktrinën e çuditshme se ringjallja e besimtarëve kishte kaluar. Një ide e tillë është e marrë për ne. Por kjo ishte aq serioze, sa përmbysi besimin e disa njerëzve. Natyrisht, ngrihet pyetja: «A ishin këta dy burra të krishterë të vërtetë?»
Ne përballemi me të njëjtën pyetje edhe sot. Ja ku kemi një klerik të spikatur që mohon lindjen nga një virgjëreshë [të Jezusit]. Një profesor seminari mëson se Bibla përmban gabime. Një student kolegji pohon se është i shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, por që, njëkohësisht, beson se respektimi i shabatit është thelbësor për shpëtimin. Një tregtar flet për një përvojë të kthimit në besim, por qëndron njëkohësisht në një kishë që përnderon idhujt, duke mësuar shpëtimin përmes sakramenteve dhe pohon se udhëheqësi i saj është i pagabueshëm në çështjet e besimit dhe në vlerat morale. A janë këta njerëz të krishterë të vërtetë?
Nëse jemi të sinqertë, ka raste kur nuk mund ta dimë pa dyshim nëse krishterimi i dikujt është i vërtetë apo i shtirë. Përmes së vërtetës dhe të rremes, të bardhës dhe të zezës, gjendet një zonë gri. Ne nuk mund të jemi të sigurt në këtë zonë. Vetëm Perëndia e di.
Por ajo që është e sigurt në një botë pasigurie është themeli i Perëndisë. Çfarëdo që ndërton Ai është e fortë dhe e qëndrueshme. Në themelin e Tij është një vulë dhe kjo vulë ka dy mbishkrime. Njëri paraqet anën hyjnore, tjetri atë njerëzore. I pari është një pohim, i dyti një urdhërim.
Ana hyjnore është se Zoti i njeh ata që i përkasin Atij. Ai e njeh ata që i përkasin Atij, edhe nëse veprimet e tyre nuk janë gjithmonë siç duhet të jenë. Nga ana tjetër Ai kupton çdo shtirje dhe hipokrizi, i njeh të gjithë ata që kanë një shfaqje të jashtme, por jo një realitet të brendshëm. Ne mund të mos jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis deleve dhe cjepve, por Ai mund ta bëjë dhe e bën.
Ana njerëzore është se kushdo që përmend Emrin e Krishtit duhet t’i largohet paudhësisë. Kjo është mënyra se si dikush mund të provojë realitetin e rrëfimit të tij. Cilido që vazhdon në mëkat e humbet besueshmërinë për sa i përket pohimit të tij se është një i krishterë.
Ky është, pra, burimi ynë kur e shohim të vështirë të dallojmë midis grurit dhe egjrës. Zoti i njeh ata që i përkasin Atij. Të gjitha ata që pohojnë se janë të Tij mund t’ua tregojnë këtë të tjerëve duke u ndarë nga mëkati.