3 shtator
«Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, teproi për shumë të tjerë» (Rom. 5:15).
Në Romakëve 5:12-21 Pali ballafaqon dy krerët federalë të racës njerëzore, Adamin dhe Krishtin. Adami ishte kreu i krijimit të parë; Krishti është kreu i krijimit të ri. I pari ishte natyror; i dyti është frymëror. Në tre raste Pali përdor fjalët «shumë më tepër» për të theksuar se bekimet që rrjedhin nga vepra e Krishtit janë më me bollëk se humbjet për shkak të mëkatit të Adamit. Ai është duke thënë që «në Krishtin bijtë e Adamit mburren për më tepër bekime, sesa ka humbur ati i tyre». Besimtarët janë shumë më tepër më mirë në Krishtin, sesa do të mund të kishin qenë ndonjëherë qoftë dhe në një Adam para se të binte në mëkat.
Le të supozojmë për momentin sikur Adami të mos kishte mëkatuar, që në vend që të hanin nga fruti i ndaluar, ai dhe gruaja e tij vendosën që t’i bindeshin Perëndisë. Cili do të kishte qenë rezultati në jetët e tyre? Për aq sa ne dimë ata do të kishin vazhduar të jetonin për një kohë të pacaktuar në Kopshtin e Edenit. Shpërblimi i tyre do të kishte qenë jetë e gjatë mbi tokë. Dhe kjo do të kishte qenë e vërtetë edhe për pasardhësit e tyre.
Për aq kohë që edhe ata do të vazhdonin pa mëkatuar, ata do të kishin jetuar për një kohë të pacaktuar në Eden. Ata nuk do të kishin vdekur.
Por në atë gjendje të pafajshme ata nuk do kenë asnjë shpresë për të shkuar ndonjëherë në qiell. Nuk do ketë asnjë premtim të të qenit të banuar dhe të vulosur nga Fryma e Shenjtë. Ata nuk do të bëhen kurrë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. Ata nuk do të kenë kurrë shpresën e të qenit të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Perëndisë. Dhe gjithmonë do të ekzistojë mundësia e tmerrshme që ata mund të mëkatojnë dhe të humbin bekimet tokësore që gëzonin në Eden.
Mendo, në kontrast me këtë, për pozitën jashtëzakonisht më të lartë që Krishti ka fituar për ne përmes veprës së Tij shlyese. Ne jemi bekuar me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin. Ne jemi pranuar në të Dashurin, jemi të plotë në Krishtin, të shpenguar, të pajtuar, të falur, të shfajësuar, të shenjtëruar, të përlëvduar, jemi bërë anëtarë të trupit të Krishtit. Në ne banon Fryma, i cili edhe na ka vulosur; Fryma e Shenjtë është kapari i trashëgimisë sonë. Ne jemi përjetësisht të sigurt në Krishtin. Ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe bij të Perëndisë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin. Ne jemi aq afër Perëndisë dhe aq të dashur për Perëndinë, sa edhe është vetë Biri i Tij i dashur. Dhe ka akoma, shumë më tepër. Por kjo mjafton për të treguar që besimtarët janë shumë më tepër më mirë në Zotin Jezu Krisht, sesa ata do të mund të kishin qenë ndonjëherë në një Adam të pafajshëm.