30 gusht

[no_toc]

30 gusht

«Ruaje veten tënde dhe mësimin» (1 Tim. 4:16).

Një nga veçoritë e dukshme të fjalës së Perëndisë është që ajo kurrë nuk e veçon doktrinën nga detyra. Le të marrim, për shembull, Filipianeve 2:1-13. Është një nga pjesët klasike në Dhiatën e Re mbi doktrinën e Krishtit. Ne mësojmë atje për barazinë e Tij me Perëndinë Atë, për zbrazjen që i bëri Vetes, për mishërimin e Tij, për faktin që ishte një shërbëtor, për vdekjen e Tij si edhe për lartësimin që pasoi. Por e gjithë kjo është futur jo si një traktat doktrinor, por si një thirrje për filipianët dhe për ne për të patur mendjen e Krishtit. Nëse jetojmë për të tjerët siç bëri Ai, kjo do të eliminonte grindjet dhe mburrjet. Nëse do të zinim vendin e ulët siç bëri Ai, Perëndia do të na lartësojë në kohën e duhur. Kjo pjesë është shumë praktike.

Mendoj shpesh për këtë kur lexoj libra me përmbajtje teologjike sistematike. Në këto libra autorët kërkojnë të mbledhin në një vend gjithçka që Bibla mëson mbi doktrinat e besimit, qoftë për Perëndinë, për Krishtin, për Frymën e Shenjtë, për engjëjt, për njeriun, për mëkatin, për shpengimin etj. Megjithëse kjo ka vlerë të qartë, mund të jetë tepër e ftohtë nëse veçohet nga jetesa e perëndishme. Dikush mund të jetë i aftë nga ana intelektuale për sa i përket doktrinave kryesore dhe në të njëjtën kohë të jetë mjerisht i mangët për sa i përket karakterit të tij të krishterë. Nëse e studiojmë Biblën ashtu sikurse Perëndia na e ka dhënë, ne kurrë nuk do të kemi dy ndarje të papajtueshme midis doktrinës dhe detyrës. Që të dyja do të jenë gjithmonë të balancuara dhe të thurura bukur së bashku.

Ndoshta tema doktrinore që është veçuar më shumë nga përgjegjësia jonë personale është profecia. Shpesh ajo është paraqitur në një mënyrë të tillë sa për të shuar kureshtjen. Spekulime të bujshme rreth identitetit të Antikrishtit mund t’i tërheqin turmat, por ato nuk zhvillojnë shenjtëri. Profecia nuk ka patur kurrë qëllim për të gudulisur veshët, por për më tepër që të formojë karakterin e krishterë. Xhorxh Pitersi rendit 65 mënyra se si Ardhja e Dytë është llogaritur për të ndikuar doktrinën, detyrën dhe përgjegjësinë tonë; dhe nuk dyshoj aspak që ka më tepër se kaq.

Mësimi për ne është që kurrë nuk duhet ta veçojmë teologjinë nga perëndishmëria praktike. Në studimin vetjak dhe në mësimin e Fjalës te të tjerët, ne duhet të theksojmë porosinë që Pali i dha Timoteut: «Ruaje veten dhe mësimin…».