30 nëntor
«Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit […] Sepse secili do të mbajë barrën e vet» (Gal. 6:2, 5).Një lexim i shkujdesur i këtyre dy vargjeve mund ta bind lehtë dikë se ato paraqesin një kontradiktë verbuese. I pari thotë se ne duhet të mbajmë barrët e njëri-tjetrit, i dyti se ne duhet të mbajmë barrën tonë.
Fjala e përkthyer «barrë» në vargun 2 do të thotë çdo gjë që e rëndon dikë frymërisht, fizikisht dhe emocionalisht. Në kontekstin e saj të drejtpërdrejtë ajo i referohet peshës së rëndë të fajit dhe dëshpërimit që vjen në jetën e atij që ka rënë në një faj (v. 1). Ne e ndihmojmë një vëlla të tillë kur ia hedhim krahun me dashuri dhe e fitojmë duke e kthyer në një jetë përbashkësie me Perëndinë dhe me popullin e Perëndisë. Por barrët përfshijnë edhe dhimbje, probleme, sprova dhe mërzitje të jetës që na ndodhin të gjithëve. Ne i mbajmë barrë e njëri-tjetrit kur ngushëllojmë, kur inkurajojmë, kur ndajmë të mirat tona materiale dhe japim këshilla ndërtuese. Kjo do të thotë ta përfshijmë veten në problemet e të tjerëve, edhe nëse na kushton shumë personalisht. Kur e bëjmë këtë, ne përmbushim ligjin e Krishtit, që është ta duam njëri-tjetrin. Ne e demonstrojmë dashurinë në mënyrë praktike duke shpenzuar dhe duke u shpenzuar për të tjerët.
Në vargun 5 është përdorur një fjalë tjetër për «barrë». Këtu do të thotë çdo gjë që duhet bërë, pa asnjë tregues nëse ngarkesa është e rëndë apo e lehtë. Ajo çfarë po thotë Pali këtu është se kujtdo i duhet të mbajë ngarkesën e vet të përgjegjësisë në gjyqin e Krishtit. Në atë kohë nuk do të jetë një çështje se si krahasohemi me të tjerët. Ne do të gjykohemi mbi bazën e të dhënave tona dhe shpërblimet do të jepen sipas tyre.
Lidhja midis dy vargjeve duket se është kjo. Personi që e restauron atë që ka rënë në një faj mund të bjerë në kurthin e konsiderimit të vetes si më lart. Duke mbajtur barrët e vëllait të rënë, ai mund ta mendojë disi veten në një nivel frymëror më të lartë. Ai e sheh veten favorshëm në krahasim me shenjtorin në mëkat. Pali i kujton atij se kur të qëndrojë para Zotit, atij i duhet të japë llogari për veten, për veprën e vet dhe për karakterin e vet dhe jo për tjetrin. Atij i duhet të mbajë ngarkesën e vet të përgjegjësisë.
Kështu të dy vargjet nuk e luftojnë njëri-tjetrin. Për më tepër ato jetojnë në harmoninë më të ngushtë.