30 shtator
«Ky (Andrea) gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin […] dhe e çoi te Jezusi» (Gjoni 1:41, 42).
Metoda normale e ungjillëzimit personal është që të krishterët të dëshmojnë për Krishtin brenda kontekstit të jetës së tyre të përditshme. Kjo nuk do të thotë që Perëndia nuk e përdor kurrë orvatjen «gjeldet i ftohtë», d.m.th., të shkosh te një njeri krejtësisht të huaj dhe t’i paraqesësh Ungjillin. Perëndia e bën këtë! Por është shumë më bindëse kur një besimtar i dëshmon atyre që e njohin dhe të cilët mund të shohin që Krishti ka ndryshuar jetën e tij. Kjo është çfarë bëri Andrea.
Valter Henrishsen tregon për një të ri i cili ishte tepër i frikësuar për të dëshmuar në konvikt. Henrishsen e pyeti: «Xhoi, sa studentë nga konvikti i njeh personalisht? Me këtë dua të them që kur të shohin, ata të njohin me emër». Pasi kishte ndenjur atje për disa muaj, ai njihte vetëm dy ose tre djem.
«I thashë: “Xhoi, në katër javët e ardhshme dua që ti të njohësh sa më shumë studentë nga konvikti që të mundesh. Qëllimi le të jetë pesëdhjetë studentë. Ti nuk ke pse t’u dëshmosh atyre. Madje ti nuk ke as pse t’iu thuash që je i krishterë. Gjithçka që duhet të bësh është që të njihesh me ta. Shko në dhomat e tyre dhe bisedo me ta. Luaj pingpong me ta. Shko nëpër aktivitete sportive me ta. Hani bashkë. Bëj çfarë të duash, vetëm ki si qëllim të njihesh me pesëdhjetë djem kështu që një muaj duke filluar që sot, kur unë të kthehem, ti mund të më njohësh me secilin prej tyre me emër”».
Kur Henrishsen e takoi të riun pas një muaji, ky djalosh kishte çuar gjashtë djem te Krishti. «Ne as nuk folëm fare nëse i kishte njohur apo jo pesëdhjetë njerëz. Nuk kishim pse ta bënim këtë. Ai kishte kuptuar vetë se duke u miqësuar me «tagrambledhësit dhe mëkatarët», Zoti në mënyrë të natyrshme siguronte mundësi për të ndarë besimin e tij».
Për sa i përket kësaj metode ungjillëzimi brenda kontekstit të jetës sonë të përditshme, dy vërejtje duhet të bëhen. E para, jeta personale e punëtorit është e rëndësishme. Ka shumë rëndësi nëse ai është duke ecur afër me Zotin apo jo. Ai mund të jetë brisk nga goja në paraqitjen e një mesazhi të parapërgatitur, por nëse jeta e tij nuk është e shenjtë, kjo e shfuqizon efektin e mesazhit të tij.
Vërejtja e dytë është që kjo metodë nuk e vë theksin në rezultate të menjëhershme dhe kjo është në favor të ungjillëzimit. Jezusi e krahasoi procesin e shpëtimit me rritjen e farës; ti nuk e korr prodhimin në po atë ditë që e mbjell farën. Është e vërtetë që disa njerëz shpëtohen që herën e parë që e dëgjojnë ungjillin, por kjo përfaqëson një pjesëz të vogël të totalit. Në përgjithësi, kthimi në besim paraprihet nga një periudhë e dëgjimit të mesazhit, e të bindurit për mëkat dhe e të kundërshtuarit të zërit të Frymës së Shenjtë.