5 dhjetor

[no_toc]

5 dhjetor

«Kur kundërshtari do të vijë si një lumë i furishëm, Fryma e Zotit do të lartoj kundër tij një flamur» (Isa. 59:19b).

Vijnë kohë krizash të skajshme në jetë kur Satani lëshon tërë artilerinë e tij më të rëndë kundër popullit të Zotit. Qielli është i errët, toka dridhet dhe nuk duket asnjë rreze e vetme shprese. Por Perëndia ka premtuar se do t’i dërgojë popullit të tij përforcime në çastet e gjendjes ekstreme. Fryma e Zotit ngre një flamur kundër djallit në kohën e duhur.

Të skllavëruar nga tirania egjiptiane, e ardhmja për popullin e Izraelit ishte e pashpresë. Ata ishin strukur nga fshikullimat e kryeintendentëve. Por Perëndia nuk ishte moskokëçarës ndaj rënkimeve të tyre. Ai ngriti Moisiun për të përballur faraonin dhe, përfundimisht, për të çuar në liri popullin e Tij.

Në kohën e Gjyqtarëve, pushtuesit e huaj i mbanin në skllavëri fiset e Izraelit. Por në orën më të errët Zoti ngriti çlirues ushtarak për të zmbrapsur armikun dhe për të sjellë një periudhë qetësie.

Kur Senakeribi e drejtoi ushtrinë asiriane kundër Jerusalemit, robëria e Judës dukej e pashmangshme. Nga ana njerëzore nuk kishte asnjë mënyrë për të ndaluar forcën e madhe pushtuese. Megjithëkëtë, engjëlli i Zotit kaloi natën përmes kampit të asirianëve dhe vrau 185.000 burra.

Kur Esteri ishte mbretëreshë në Persi, armiku erdhi si një lumë i furishëm, duke kaluar një dekret të pandryshueshëm që të gjithë judenjtë e mbretërisë të ekzekutoheshin. A u zu Perëndia shah mat nga ky dekret i medasve dhe persëve? Jo, Ai i rregulloi punët në atë mënyrë që të kalohej një dekret tjetër, që u lejonte judenjve të mbronin veten në atë ditë të fatale. Judenjtë, sigurisht, ishin jashtëzakonisht fitimtarë.

Kur Savonarola pa varfërinë, shtypjen dhe padrejtësinë në Florence, ai u bë një flamur në duart e Frymës për të sjellë reforma.

Kur Martin Luteri filloi të gjëmojë kundër shitjes së indulgjencave dhe kundër mëkateve të tjera të kishës, ishte sikur u ndez një dritë në një epokë errësire.

Mbretëresha Maria po i bënte kërdi besimit të vërtetë të krishterë në Angli dhe Skoci. Por Perëndia ngriti një burrë të quajtur Xhon Noks (John Knox) në një kohë nevoje të skajshme. «Duke e hedhur veten me fytyrën në pluhur para Perëndisë, Noksi iu përgjërua Perëndisë gjatë natës që të hakmerrej për të zgjedhurit e Tij dhe t’i jepte atij Skocinë ose ai do të vdiste. Zoti i dha atij Skocinë dhe e hoqi mbretëreshën nga froni».

[previous][next]