6 nëntor
«Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken» (Isa. 51:11).
Në këtë kuadër, kjo profeci e Isaias e hidhte vështrimin përpara te kthimi i gëzueshëm i popullit të zgjedhur të Perëndisë nga robëria shtatëdhjetëvjeçare e tyre në Babiloni.
Ajo mund t’i referohet edhe restaurimit ende të ardhshëm kur Mesia do t’i mbledh ata në tokëne tyre nga e tërë bota. Edhe ajo kohë do të jetë arsye për një jubile të madh.
Por në kuptimin më të gjerë, ne jemi të justifikuar që t’a zbatojmë këtë varg për rrëmbimin e Kishës. Të zgjuar nga thirrja e Zotit, zëri i kryeengjëllit dhe boria e Perëndisë, trupat e të shpenguarve nga të gjitha epokat do të ngrihen nga varri. Besimtarët e gjallë, të shndërruar në një çast, do të bashkohen me ta ndërsa ngjiten për të takuar Zotin në ajër. Më pas fillon kortezhi madhështor drejt shtëpisë së Atit.
Është mjaft e mundshme që i tërë itinerari do të jetë i rrethuar nga ushtri engjëllore. Në krye të kortezhit do të jetë Vetë Shpenguesi, i ngazëllyer nga fitorja e lavdishme e Tij mbi vdekjen dhe varrin. Më pas vjen turma e shpenguar, disa nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb. Dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash, të gjithë këndojnë me përsosmëri muzikore: «I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin».
Çdonjëri prej atyre në turmë është një trofe e hirit të mrekullueshëm të Perëndisë. Secili u shpengua nga mëkati dhe turpi dhe u bë një krijesë e re në Krishtin Jezus. Disa kaluan përmes vuajtjesh të thella për besimin e tyre, të tjerë dhanë jetën për Shpëtimtarin. Por tani të gjitha vurratat dhe gjymtimet kanë shkuar dhe shenjtorët kanë një trup të përlëvduar, të pavdekshëm.
Atje janë Abrahami dhe Moisiu, Davidi dhe Salomoni. Atje janë njerëzit e përzemërt Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Pali. Atje janë Martin Luteri, Xhon Uesli, Xhon Noksi dhe Xhon Kalvini. Por tani ata nuk janë më të spikatur se [bijtë] e fshehur të Perëndisë, të panjohur në tokë, por të mirënjohur në qiell.
Tani shenjtorët po marshojnë drejt pallatit të Mbretit. Dhimbja dhe psherëtimat kanë shkuar përgjithnjë dhe mbi kokat e tyre gjendet gëzimi i përjetshëm. Besimi është kthyer në shikim dhe shpresa ka arritur përmbushjen e saj të shumëpritur. Të afërmit përshëndetin njëri-tjetrin me përqafime të zjarrta. Mbizotëron një hare e plotë. Çdonjëri është i mahnitur nga hiri i mrekullueshëm që i nxjerrë nga thellësitë e mëkatit në lartësi të tilla të lavdisë.