7 mars | çdo ditë me radhë
«Fryti i Frymës është […] mirësia…» (Gal. 5:22).
Mirësi do të thotë cilësi e shkëlqyer e karakterit. Dikush e ka përkufizuar atë si «virtyt i pajisur në çdo pikë» , që me thjeshtësi do të thotë se personi që e zotëron është i sjellshëm, i virtytshëm dhe i drejtë në çdo fushë të jetës.
Mirësia është e kundërta e ligësisë. Një njeri i lig mund të jetë mashtrues, imoral, tradhtar, i padrejtë, mizor, egoist, urryes, lakmues dhe/ose i papërmbajtur. Njeriu i mirë, edhe pse jo i përsosur, ilustron me shembullin e tij të vërtetën, drejtësinë, pastërtinë si dhe karakteristika të tjera të ngjashme të dëshirueshme.
Apostulli Pal bën një dallim midis një njeriu të drejtë dhe një njeriu të mirë në Romakeve 5:7. Njeriu i drejtë është i ndershëm dhe i hapur në marrëdhëniet e tij, por ai mund të jetë i shkëputur dhe i ftohtë nga të tjerët. Njeriu i mirë, nga ana tjetër, është i dhembshur dhe i dashur. Vështirë se do të vdiste dikush për një njeri të drejtë, por dikush mund të vdesë për një njeri të mirë.
Dhe, prapëseprapë, ne duhet të kujtojmë se mirësia mund të jetë e fortë. Nuk do të ishte mirë që ta lëmë pas dore mëkatin apo që të mos e vëmë atë re. Dhe kështu mirësia mund të qortojë, të ndëshkojë dhe të disiplinojë. Ne e shohim këtë kur Zoti Jezus, i cili është mirësia e mishëruar, pastroi Tempullin.
Një cilësi unike e mirësisë është se ajo mund të mundë të keqen. Pali u shkroi besimtarëve në Romë: «Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën» (Rom. 12:21). Kur e lejojmë urrejtjen e dikujt tjetër që të prishë qëndrimin tonë, ne jemi mundur nga e keqja. Por kur ngrihemi mbi këtë dhe shfaqim hir, mëshirë dhe dashuri, ne e kemi mundur të keqen me të mirën.
Murdok Kampbelli (Murdoch Campbell) tregon për një shërbyes (predikues) të perëndishëm në vendet malore, gruaja e të cilit u përpoq që t’ia bënte jetën të mjerë. Një ditë kur po lexonte Biblën, ajo ia rrëmbeu nga duart dhe e flaku në zjarr! Ai e vështroi në fytyrë dhe i tha pa zhurmë: «Nuk mendoj se jam ulur ndonjëherë pranë një zjarri më të ngrohtë». Mirësia e tij e mundi të keqen e saj. Ajo u bë një grua e dashur dhe e hirshme. Siç komenton Kampbelli: «Jezebeli i tij u bë një Lidia. Gjembi i tij u bë një zambak». Mirësia kishte fituar!