8 gusht

[no_toc]

8 gusht

«…bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh» (Luka 6:35).

Këto urdhërime të Zotit tonë i referohen sjelljes sonë ndaj të gjithë njerëzve, të konvertuarve dhe jo të konvertuarve, por le t’i mendojmë ato veçanërisht rreth marrëveshjeve financiare midis individëve të krishterë. Është për të ardhur keq, por e vërtetë, se disa nga konfliktet më serioze midis besimtarëve vijnë për çështje të parave. Nuk duhet të jetë kështu, por fatkeqësisht qëndron ai proverbi i vjetër: kur paratë hyjnë në derë, dashuria del nga dritarja.

Një zgjidhje e thjeshtë do të ishte që t’i ndalonim të gjitha marrëveshjet financiare midis shenjtorëve, por këtë nuk mund ta bëjmë për aq kohë që Bibla thotë: «Jepi kujtdo që kërkon prej teje» dhe «… jepni hua pa pasur shpresë për asgjë» (Luka 6:30, 35). Kështu që duhet të adoptojmë udhëzime të ndryshme që na aftësojnë për t’iu bindur Fjalës dhe njëkohësisht të shmangim grindjet dhe miqësitë e thyera.

Ne duhet t’i japim çdo rasti nevoje të vërtetë. Dhurata duhet të jetë pa kushte. Ajo nuk duhet ta detyrojë tjetrin në asnjë mënyrë që të na jap votën në një takim të kishës apo të na mbrojë kur e kemi gabim. Ne nuk duhet të përpiqemi që t’i «blejmë» njerëzit me mirësitë tona.

Urdhërimi për t’i dhënë kujtdo që na kërkon ka disa përjashtime. Ne nuk duhet t’i japim askujt për të financuar kumarin, dehjen ose pirjen e duhanit. Ne nuk duhet të japim për të siguruar ndonjë skemë të pamend pasurimi që e ledhaton lakminë e njeriut.

Kur japim për një kauzë të denjë, këtë ne duhet ta bëjmë me qëndrimin se nuk do ta vrasim mendjen nëse paratë nuk do të kthehen kurrë. Mospagimi nuk do të ndikojë miqësinë tonë. Dhe ne nuk duhet të kërkojmë interes mbi huan. Nëse një jude, që jetonte nën ligjin, nuk mund të merrte interes nga një jude tjetër (Lev. 25:35-37), sa më shumë një i krishterë, që jeton nën hir, nuk duhet që të marrë interes nga një besimtar tjetër.

Nëse del një rast kur nuk jemi krejt të sigurt nëse nevoja është e vërtetë, është përgjithësisht më mirë që të kërkojmë plotësimin e nevojës. Nëse duhet të gabojmë, është më mirë që këtë ta bëjmë në anën e hirit.

Kur u japim të tjerëve, ne duhet të përballemi me faktin që marrësit e bamirësisë ndiejnë shpesh fyerje ndaj dhuruesit. Ky është një çmim që duhet të jemi gati ta paguajmë. Kur Disraeli u kujtua një herë se njëfarë burri e urrente, ai tha: «Nuk e di përse. Nuk kam bërë asgjë për të kohët e fundit».