8 korrik
«…më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur» (Kënga e Këngëve 1:6b).Vëllezërit e vashës shulamite e kishin dërguar të punonte në vresht. Ajo ishte aq e zënë duke punuar vreshtat, që kishte lënë pas dore vreshtin e saj, domethënë, pamjen personale. Lëkura i ishte bërë e zeshkët dhe e thatë dhe, me siguri, flokët i kishte të pakrehur.
Ekziston gjithmonë rreziku i lënies pas dore të vreshtit tonë duke u zënë tepër me atë të dikujt tjetër. Për shembull, ekziston rreziku që të angazhohemi kaq shumë me ungjillëzimin e botës, që familja tonë të humb. Nëse Perëndia na jep fëmijë, ata fëmijë janë fusha e misionit tonë numër një. Kur të qëndrojmë para Zotit, një nga gëzimet më të mëdha do të jetë që të jemi në gjendje të themi: «Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia» (Heb. 2:13). Jo të gjitha shpërblimet e auditorëve vlerësues do të dëmshpërblejnë humbjen e bijve dhe bijave tona.
Shohim nga Shkrimi që përgjegjësia fillon në shtëpi. Mbasi Jezusi kishte nxjerrë demonët nga Legjioni, Ai e porositi atë: «Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty» (Marku 5:19). Me sa duket vendi më i vështirë për të ungjillëzuar është shpesh oborri ynë, por ai është vendi ku duhet të fillojmë.
Prapë, kur Zoti i autorizoi dishepujt e Vet, Ai tha: «…në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut» (Veprat 1:8). Fillo në «Jerusalem» (në bazën e shtëpisë)!
Andrea ishte i vendosur që të mos e linte pas dore vreshtin e vet: «Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: «E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: “Krishti”» (Gjoni 1:41).
Sigurisht, ka raste kur një besimtar është besnik në përpjekjet për të fituar të afërmit për Zotin Jezus dhe, prapëseprapë, ata ngulin këmbë në mosbesimin e tyre. Ne nuk mund të garantojmë shpëtimin e përjetshëm të të afërmve dhe miqve tanë. Por ajo nga e cila duhet të ruhemi është mundësia që të jemi aq shumë të zënë duke u shërbyer të tjerëve, që e lëmë pas dore rrethin tonë familjar. Vreshti ynë, në raste të tilla, duhet të ketë përparësi.