8 shtator

[no_toc]

8 shtator

«Kur i ke bërë një zotim Perëndisë mos humb kohë ta plotësosh, sepse ai nuk kënaqet me budallenjtë; plotëso zotimin që ke marrë» (Predikuesit 5:4).

Ne të gjithë kemi dëgjuar për ata njerëz të cilët, kur gjenden në një gjendje të vështirë, i bëjnë një zotim Perëndisë. Ai bën një premtim që nëse Perëndia e shpëton nga situata, ai do të besojë, do ta dojë dhe do t’i shërbejë Atij përgjithmonë. Por kur ka dalë nga kriza, ai harron gjithçka në lidhje me zotimin dhe vazhdon të jetojë të njëjtën jetë të vjetër.

Çfarë vendi zënë zotimet në jetën e të krishterit dhe çfarë udhëzimesh jepen në Fjalën e Perëndisë mbi këtë temë?

Para së gjithash, nuk është e domosdoshme të marrësh zotime. Ato nuk janë dhënë si një urdhër, por në përgjithësi janë premtime të vullnetshme që bëhen për Zotin për të shprehur mirënjohje për bekimet e Tij. Prandaj ne lexojmë në Ligji i Përtërirë 23:22: «Por në rast se ti nuk lidh kushte, nuk kryen mëkat».

Së dyti, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos bërë zotime të nxituara, domethënë, zotime që nuk do të jemi në gjendje t’i plotësojmë ose që më vonë mund të pendohemi. Salomoni na paralajmëron: «Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta» (Predikuesit 5:2).

Por nëse bëjmë një zotim, në duhet të jemi të kujdesshëm që ta mbajmë atë. «Kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij» (Num. 30:2). «Kur lidh një kusht me Zotin, Perëndinë tënd, nuk do të vonosh ta kryesh, sepse Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishe fajtor» (Ligji i Perterire 23:21).

Është më mirë të mos zotohesh, sesa të zotohesh dhe të mos i plotësosh. «Më mirë të mos marrësh zotime, sesa t’i bësh dhe të mos i plotësosh» (Predikuesit 5:5).

Mund të ekzistojnë edhe raste të veçanta ku do të jetë më mirë që të thyesh një zotim, sesa të vazhdosh me të. Para kthimit në besim, dikush mund të ketë marrë zotime në një fe të rremë ose në një rend vëllazëror sekret. Nëse për të plotësuar ato zotime do të ishte në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë, atëherë ai duhet t’i bindet Shkrimeve të Shenjta, madje deri atje sa të thyejë zotimet. Nëse ato ishin thjesht zotime për të mos nxjerrë disa sekrete, atëherë ai mund ta mbajë gojën mbyllur për to për gjithë pjesën e jetës që i ka mbetur, madje edhe pasi i ka ashpërsuar lidhjet me rendin ku bënte pjesë.

Ndoshta zotimi që thyhet zakonisht sot është zotimi i martesës. Premtime solemne që bëhen në praninë e Perëndisë trajtohen sikur të mos kishin asnjë rëndësi. Por gjykimi i Perëndisë vazhdon: «Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishte fajtor» (Ligji i Perterire 33:21).

[previous][next]