«Ai nuk ka vërejtur paudhësi te Jakobi dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli» (Num. 23:21)
Balaami, profeti i paguar, tha një të vërtetë të shquar kur tha se Perëndia që sheh gjithçka nuk mund të shoh mëkat në popullin e Tij, Izraelin. Ajo që ishte e vërtetë për Izraelin në atë kohë, është mrekullisht e vërtetë për besimtarin sot. Kur Perëndia e sheh atë, Ai nuk mund të gjejë qoftë dhe një mëkat të vetëm për të cilin ta ndëshkojë me vdekje të përjetshme. Besimtari është «në Krishtin». Kjo do të thotë që ai qëndron përpara Perëndisë në gjithë përsosurinë dhe denjësinë e Krishtit. Perëndia e pranon atë në gjithë pranueshmërinë e Birit të Tij të dashur. Kjo është një pozitë favori që nuk mund të përmirësohet më dhe që nuk nuk do të mbarojë kurrë. Sado që të kërkojë, Perëndia nuk mund të gjejë asnjë akuzë kundër atij që është në Krishtin.
Kjo ilustrohet nga një incident ku përfshihen një anglez dhe Rolls Rojsi i tij. Ai po udhëtonte në Francë për pushime kur boshti i pasmë u thye. Garazhi lokal nuk mund ta zëvendësonte dot boshtin, kështu që telefonuan në Angli. Kompania dërgoi jo vetëm një bosht të pasmë, por edhe dy mekanikë që të siguroheshin se pjesa do të vendosej siç duhej. Anglezi vazhdoi udhëtimin e tij, më pas u kthye në Angli, duke pritur që t’i vinte fatura. Pasi kishin kaluar disa muaj dhe nuk kishte marrë asnjë faturë, i shkroi kompanisë, përshkroi gjithë incidentin dhe pyeti për faturën. Jo shumë kohë pas kësaj, ai mori një letër nga kompania që thoshte: «I kemi kërkuar të dhënat tona me kujdes dhe nuk kemi asnjë rast që një Rolls Rojs të ketë patur ndonjëherë një bosht të pasmë të thyer».
Perëndia mund t’i kërkojë të dhënat e Tij me kujdes dhe nuk mund të gjejë asnjë të dhënë për ndonjë mëkat në llogarinë e besimtarit që do ta dënonte atë në ferr. Besimtari është i pranuar në të Dashurin. Ai është i plotë në Krishtin. Ai është veshur me gjithë drejtësinë e Perëndisë. Ai ka një qëndrim krejt të përsosur përpara Perëndisë. Ai mund të thotë me triumf dhe siguri:
Në fillim shko te Shpëtimtari im i bekuar;
largoje nga vlerësimi që i bën Perëndia;
vërteto që Jezusi mbart një njollë mëkati,
pastaj më thuaj që jam i papastër.