A ka diçka të tmerrshme dhe të pafalshme që ke bëre??

«Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre» (Hebrenjve 10:17)

Aftësia që ka Perëndia për të harruar mëkatet që janë mbuluar nga gjaku i Krishtit është një nga të vërtetat në Shkrim më qetësuese për shpirtin.

Është një habi e madhe kur lexojmë: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona» (Psa. 103:12). Është një mrekulli që ne mund të themi bashkë me Ezekian: «Ti i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia» (Isa. 38:17). Hutohemi në mendjen tonë kur dëgjojmë Zotin duke thënë: «I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë» (Isa. 44:22). Por është akoma më e mrekullueshme kur lexojmë: «Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre» (Jer. 31:34).

Kur i rrëfejmë mëkatet tona, Ai jo vetëm që fal, por harron menjëherë. Ne nuk jemi duke e zmadhuar të vërtetën kur themi që Ai i varros menjëherë mëkatet tona në detin e harresës së Tij. Kjo ilustrohet nga përvoja e një besimtari që kishte një luftë të vazhdueshme me një mëkat që e ngacmonte. Në një çast dobësie, ai iu dorëzua tundimit. Duke shkuar me nxitim në praninë e Perëndisë, ai rrëfeu: «Zot, e bëra përsëri». Më pas ai mendoi se e dëgjoi Zotin duke thënë: «Çfarë the që ke bërë përsëri?». Sigurisht, ideja këtu është që në atë gjysmë sekondë pas rrëfimit, Perëndia tashmë e kishte harruar.

Ky është një paradoks i hirshëm – që Perëndia i gjithëdijshëm mund të harrojë. Nga njëra anë Ai di gjithçka. Ai i numëron yjet dhe i vë emër secilit prej tyre. Ai numëron lëvizjet tona dhe mban shënim numrin e lotëve tanë. Ai shënon rënien e harabelit. Ai numëron flokët e kokës sonë. Dhe, prapëseprapë, Ai i harron ato mëkate që janë rrëfyer dhe braktisur. David Semandsi (David Seamands) thotë: «Unë nuk e di se si gjithëdija hyjnore mund të harrojë, por e di që kjo ndodh».

Është edhe një pikë e fundit! Është thënë shumë bukur që kur Perëndia fal dhe harron, Ai vendos një tabelë që lexon «Nuk lejohet peshkimi». Është e ndaluar për mua që të peshkoj mëkatet e kaluara ose mëkatet e të tjerëve që Perëndia i ka falur. Në këtë drejtim ne duhet të kemi një kujtesë të dobët dhe një harresë të mirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *