A. Përçarje midis Besimtarëve. (1:10-4:21)
1:10 Apostulli është tani gati të marrë në dorë problemet e ndarjeve në Kishë (1:10-4:21). Ai fillon me një thirrje të dashur për bashkim. Në vend që t’i urdhërojë me autoritetin e një apostulli, ai u drejtohet me butësinë e një vëllai. Thirrja për bashkim bazohet në emër të Zotit tonë Jezu Krisht dhe përderisa emri përfaqëson Personin, ajo bazohet në gjithçka që Zoti Jezus është dhe ka bërë. Korintasit lartësonin emrat e njerëzve; gjë që çon vetëm në përçarje. Pali do të lartësojë emrin e Zotit Jezus, duke ditur që vetëm në këtë mënyrë do të arrihet bashkimi midis njerëzve të Perëndisë. Të flasësh të njëjtën gjë do të thotë të jesh në një mendje dhe në një marrëveshje. Do të thotë të jesh bashkuar në besnikëri. Ky unitet formohet kur të krishterët kanë mendjen e Krishtit dhe në vargun më pas, Pali do t’u thotë atyre në një mënyrë praktike si ata të mund të kenë mendimet e Krishtit sipas Tij.
1:11 Lajmi në lidhje me grindjen në Korint i kishte shkuar Palit nga ata të shtëpisë së Kloes. Duke emëruar informatorët e tij, Pali dikton një princip të rëndësishëm të sjelljes krishtere. Ne nuk duhet të njoftojmë lajme për shokët tanë besimtarë nëse nuk duam që të përmendemi në atë çështje. Nëse ky shembull do të ndiqej sot, do të ndalonte shumicën e thashethemeve që tani plagosin Kishën.
1:12 Sekte apo grupe ishin formuar brenda kishës lokale dhe secili shpallte një drejtues të veçantë. Disa pohonin preferenca për Palin, disa për Apolin, disa për Kefën (Pjetrin). Disa madje shpallnin se i përkisnin Krishtit, ndoshta duke nënkuptuara që vetëm ata i përkisnin Atij me përjashtim të të tjerëve!
1:13 Qortimi indinjues i Palit mbi ndarjen në grupe gjendet në vargjet 13-17. Të formoje grupe të tilla në Kishë do të thoshte të mohoje unitetin e trupit të Krishtit. Të ndiqje drejtues njerëzorë do të thoshte të mospërfillje Atë që u kryqëzua për ta. Të merrje emrin e një njeriu do të thoshte që ata kishin harruar që gjatë pagëzimit ata kishin pohuar besnikërinë e tyre ndaj Zotit Jezus.
1:14 Formimi i grupeve në Korint e bëri Palin mirënjohës që ai kishte pagëzuar vetëm ata pak veta në asamblenë aty. Ai përmend Krispin dhe Gain nga ata të cilët ai kishte pagëzuar.
1:15,16 Ai s’do të donte kurrë që dikush të thoshte se ai ishte pagëzuar në emrin e tij [Palit]. Me fjalë të tjera, ai nuk përpiqej të fitonte të kthyer në besim për veten e tij apo të bënte emër për vetveten. Qëllimi i tij i vetëm ishte të drejtonte njerëzit tek Zoti Jezu Krisht.
Me referime të mëtejshme Pali kujtoi që ai kishte pagëzuar gjithashtu ata të shtëpisë së Stefanës, e nuk dinte ndonjë tjetër.
1:17 Ai shpjegon që Krishti nuk e dërgoi atë së pari për të pagëzuar, por për të predikuar Ungjillin. Kjo nuk do të thotë që Pali nuk besonte në pagëzim. Ai sapo përmendi emrat e disave që ai kishte pagëzuar. Për më tepër, do të thotë që puna e tij kryesore nuk ishte të pagëzonte; ai ndoshta ua besonte këtë punë të tjerëve, ndoshta disa prej të krishterëve në kishën lokale. Megjithatë ky varg dëshmon kundër çdo ideje që thotë që pagëzimi është thelbësor për shpëtimin. Nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë Pali do të thoshte këtu që ai ishte mirënjohës që ai nuk shpëtoi asnjë tjetër përveç Krispit dhe Gait! Një ide e tillë është e pabazuar.
Në pjesën tjetër të vargut 17, Pali bën një kalim në vargjet që do të pasojnë. Ai nuk predikoi Ungjillin duke përdorur fjalë diturie, që kryqi i Krishtit të mos dilte i kotë. Ai dinte që n.q.s. njerëzit do ishin ndikuar nga oratoria apo retorika e tij, atëherë ai do kishte shkatërruar vetveten në përpjekjet e tij për të shpallur kuptimin e vërtetë të kryqit të Krishtit.
Do ta kuptojmë më mirë pjesën që vijon n.q.s. ne kujtojmë që korintasit, duke qenë grekë, ishin aq të dashuruar pas diturisë njerëzore. Ata i vlerësonin filozofët e tyre si heronj kombëtar. Me sa duket disa të kësaj fryme ishin futur në asamblenë e Korintit. Ishin ata që dëshironin ta bënin Ungjillin më të pranueshëm nga inteligjenca. Ata nuk mendonin që Ungjilli kishte status mes shkollarëve dhe kështu ata donin ta intelektualizonin mesazhin. Ky adhurim i intelektualizmit ishte në dukje një nga problemet që i bënte njerëzit të formonin grupe rreth krerëve njerëzorë. Përpjekjet për ta bërë Ungjillin më të pranueshëm janë plotësisht të një drejtimi të gabuar. Është një ndryshim mjaft i gjerë midis diturisë së Perëndisë dhe asaj të njeriut dhe s’ka përse të përpiqesh t’i pajtosh ato.
Pali tani tregon budallallëkun e adhurimit të një njeriu dhe thekson që të bësh këtë është e papajtueshme me natyrën e vërtetë të Ungjillit (1:18-3:4). Pika kryesore është që mesazhi i kryqit është e kundërta e gjithçkaje që njerëzit konsiderojnë se është dituria e vërtetë (1:18-25).
1:18 Mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin. Ashtu si Barnes me vend citon:
Vdekja në kryq ishte e shoqëruar nga ideja e gjithçkaje që është e turpshme dhe e pandershme; dhe të flasësh për shpëtimin vetëm me anë të vuajtjeve dhe vdekjes së një të kryqëzuari shkakton përbuzje [kundër Krishtit] në ata që humbin. {{1}}
Grekët ishin të dashuruar pas diturisë (kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës “filozofë”). Por s’kishte asgjë në mesazhin e Ungjillit për të thirrur ata në krenari dhe dituri.
Për ata që janë të shpëtuar, Ungjilli është fuqia e Perëndisë. Ata dëgjojnë mesazhin, e pranojnë atë me anë të besimit dhe mrekullia e përtëritjes zë vend në jetët e tyre. Vini re faktin solemn në këtë varg që thotë që ka vetëm dy klasa njerëzish, ata që humbin dhe ata që shpëtohen. S’ka asnjë klasë në mes. Njerëzit mund ta duan diturinë e tyre njerëzore, por vetëm Ungjilli të shpie në shpëtim.
1:19 Fakti që Ungjilli do të ishte ofendues për diturinë njerëzore u profetizua nga Isaia (29:14):
“Do të bëj të humbasë dituria e të diturve dhe do ta asgjësoj zgjuarsinë e të zgjuarve.”
S. Lewis Johnson në “The Wycliffe Bible Commentary” shkruan që në kontekst këto “fjalë janë denoncimi i Perëndisë mbi politikën e të ‘zgjuarit’ në Judë, që ishte duke kërkuar një aleancë me Egjiptin kur u kërcënua nga Senakeribi {{2}}. Sa e vërtetë është që Perëndia kënaqet të plotësojë qëllimet e Tij në rrugë që njerëzve u duken të marra. Sa shpesh Ai përdor metoda që të zgjuarit e kësaj bote i përqeshin dhe përsëri ato arrijnë rezultatet e dëshiruara me një përpikmëri të mrekullueshme dhe me efektshmëri. P.sh., zgjuarsia e njeriut e siguron atë që ai mund të fitojë apo meritojë shpëtimin e tij. Ungjilli lë mënjanë gjithë përpjekjet e njeriut për të shpëtuar veten dhe paraqet Krishtin si e vetmja rrugë për tek Perëndia.
1:20 Pali më pas hedh një thirrje provokuese: “Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke?” A u konsultua Perëndia me ta kur Ai sajoi planin e Tij për shpëtim? Nëse do t’i lihej zgjuarsisë së tyre, a mund të kishin krijuar ata një plan të tillë shpengimi? A mund të ngrihen ata dhe të përgënjeshtrojnë ndonjë gjë që Perëndia ka thënë? Përgjigjja është një “jo” e theksuar. Perëndia e bëri të marrë diturinë e kësaj bote.
1:21 Njeriu nuk mund të vijë me zgjuarsinë e tij në njohjen e Perëndisë. Për shekuj me radhë Perëndia i dha racës njerëzore këtë mundësi dhe rezultati ishte dështak. Atëherë i pëlqeu Perëndisë me anë të predikimit të kryqit, një predikim që u duket marrëzi njerëzve, të shpëtojë ata që besojnë. Marrëzia e çështjes së predikuar i referohet kryqit. Sigurisht ne dimë që nuk është marrëzi, por i duket marrëzi mendjes së pandriçuar të njeriut. F.L. Godet thotë se vargu 21 përmban një filozofi të tërë të historisë, thelbin e gjithë vëllimeve. Ne s’duhet ta kalojmë shpejt atë, por të bluajmë thellë në mendje të vërtetat e tij të jashtëzakonshme.
1:22 Ishte karakteristike për Judenjtë të kërkonin një shenjë. Mendimi i tyre ishte që ata do të besonin n.q.s. ndonjë mrekulli do t’u tregohej atyre. Grekët, nga ana tjetër, kërkonin dituri. Ata ishin të interesuar ne arsyetimet njerëzore, në argumente, dhe në logjikë.
1:23 Por Pali nuk ua plotësoi dëshirat e tyre. Ai thotë, “Ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar.” Si dikush ka thënë, “Ai nuk ishte një Jude që donte shenjë, as një grek që donte diturinë, por një i krishterë që donte Shpëtimtarin.”
Për Judenjtë, Krishti i kryqëzuar ishte një skandal. Ata kërkonin një udhëheqës të fuqishëm ushtarak që t’i çlironte ata nga shtypja e Romës. Në vend të kësaj, Ungjilli u ofronte atyre një shpëtimtar të gozhduar në një kryq turpi. Për grekët, Krishti i kryqëzuar ishte marrëzi. Ata nuk mund ta kuptonin se si Një, që vdiq në një dobësi kaq të dukshme dhe në dështim, do të mund të zgjidhte problemet e tyre.
1:24 Por mjaft çuditshëm, ato gjëra që Judenjtë dhe Johebrenjtë kërkuan, gjenden në një mënyrë të përsosur në Zotin Jezus. Për ata që dëgjojnë thirrjen e Tij dhe besojnë në Të, qofshin Judenj apo Grekë, Krishti bëhet fuqia e Perëndisë dhe dituria e Perëndisë.
1:25 Në të vërtetë me Perëndinë s’ka as marrëzi as dobësi. Por apostulli thotë në vargun 25 që ajo që duket marrëzi në anën e Perëndisë, në sy të njerëzve, është në të vërtetë më e ditur se ndonjë gjë që njerëzit mund të bëjnë. Gjithashtu ajo që duket se është dobësi në anën e Perëndisë sipas njerëzve, del se është më e fuqishme se çdo gjë që njerëzit mund të prodhojnë.
1:26 Pasi ka folur për vetë Ungjillin, apostulli tani u kthehet njerëzve që Perëndia thërret me anë të Ungjillit (v 26-29). Ai u kujton Korintasve që megjithëse ishin jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë ishin të thirrur. Vini re që pjesa nuk thotë “asnjeri,” por thotë “jo shumë.” [D.m.th. janë besimtarë që janë të ditur, të fuqishëm, fisnikë, etj., por “jo shumë”].
Vetë korintasit nuk vinin nga shtresa intelektuale e shoqërisë. Ata nuk ishin shpëtuar nga filozofitë e bujshme, por nga Ungjilli i thjeshtë. Atëherë përse ishin duke vendosur një çmim të tillë mbi zgjuarsinë njerëzore dhe lartësonin predikuesit që kërkonin ta bënin mesazhin të pranueshëm nga zgjuarsia e botës?
Nëse njerëzit do të ngrinin një kishë, ata do të dëshironin të regjistronin njerëzit më kryesorë të komunitetit. Por vargu 26 na mëson ne që njerëzit që njeriu i vlerëson aq lart, Perëndia i anashkalon. Ata që Ai thërret nuk janë zakonisht ata që bota i konsideron të mëdhenj.
1:27 Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët. Ashtu si thotë Erich Sauer:
Sa më primitiv të jetë materiali, aq më i madh del nderi i mjeshtrit [në krahasim me një mjeshtër që ka material më të mirë] nëse arrihet i njëjti standard i artit; sa më e vogël ushtria, aq më i fuqishëm del lavdërimi i pushtuesit nëse arrihet e njëjta fitore e madhe. {{3}}
Perëndia përdori boritë për të rrëzuar muret e Jerikos. Ai e zvogëloi ushtrinë e Gedeonit nga 32.000 në 300 për të shkatërruar ushtritë e Medianit. Ai përdori një hosten qesh në dorën e Shamgarit për të mundur filistenjtë. Me kockën e nofullës së një gomari Ai e lejoi Sansonin të mundte një ushtri të tërë. Dhe Zoti ynë ushqeu mbi 5000 veta me jo më shumë se pak bukë dhe peshq.
1:28 Të krijosh atë çfarë dikush e ka quajtur “Ushtrinë e dobët e Perëndisë së budallenjve” Pali shton gjërat jofisnike të botës dhe gjërat e përçmuara dhe gjërat që nuk janë. Duke përdorur materiale kaq të pabesueshme, Perëndia i çon në asgjë gjërat që janë. Me fjalë të tjera, Ai dëshiron të marrë ne dorë njerëz që janë të pavlerë në sy të botës dhe t’i përdorë ata për të lavdëruar vetveten. Këto vargje duhet të shërbejnë si një qortim ndaj të krishterëve që lajkatojnë personazhet kryesorë dhe të mirënjohur dhe tregojnë pak ose nuk vlerësojnë fare të shenjtët më të përulur të Perëndisë.
1:29 Qëllimi i Perëndisë për të zgjedhur ata që nuk vlerësohen në sy të botës është që gjithë lavdia duhet të rritet për Të dhe jo për njeriun. Përderisa shpëtimi është plotësisht i Tij, vetëm Ai është i denjë për t’u lavdëruar.
1:30 Vargu 30 thekson akoma më shumë që gjithë çfarë ne jemi dhe kemi, vjen nga Ai – jo nga filozofia – dhe që prandaj nuk ka vend për lavdi njerëzore. Para së gjithash, Krishti u bë për ne dituri. Ai është dituria e Perëndisë (v 24), Ai që dituria e Perëndisë zgjodhi si rrugën e shpëtimit. Kur ne kemi Atë, ne kemi një dituri pozicionale që garanton shpëtimin tonë të plotë. Së dyti, Ai është drejtësia jonë. Nëpërmjet besimit në Të ne numërohemi të drejtë nga një Perëndi i shenjtë. Së treti, Ai është shenjtërimi ynë. Në veten tonë ne s’kemi shenjtëri personale, por në Të ne jemi pozicionalisht të shenjtëruar, dhe me anë të fuqisë së Tij ne ndryshojmë nga një shkallë e shenjtërimit në një tjetër. Së fundi, Ai është shpengimi ynë dhe kjo padyshim flet për shpengimin në aspektin përfundimtar kur Zoti do të vijë dhe do të na marrë ne në shtëpi për të qenë me Të, dhe kur ne të jemi të shpenguar – frymë, shpirt dhe trup.
Traill e shikon të vërtetën mjaft mprehtë:
Dituria jashtë [përveç] Krishtit është budallallëk i mallkuar – drejtësia jashtë [përveç] Krishtit është faj dhe dënim – shenjtërim jashtë [përveç] Krishtit është ndyrësi dhe mëkat – shpengim jashtë [përveç] Krishtit është varësi dhe skllavëri. {{4}}
A. T. Pierson e lidh vargun 30 me jetën dhe shërbesën e Zotit tonë:
Veprat e Tij, fjalët dhe praktikat e Tij e tregojnë Atë si dituria e Perëndisë. Më pas janë vdekja e Tij, varrosja dhe ringjallja: këto kanë të bëjnë me drejtësinë tonë. Më pas ecja prej 40 ditësh në mes njerëzve, ngjitja e Tij lart, dhurata e Frymës dhe ngjitja e Tij në të djathtë të Perëndisë, kanë të bëjnë me shenjtërimin tonë. Më pas ardhja e Tij përsëri, e cila ka të bëjë me shpengimin tonë. {{5}}
1:31 Perëndia e ka organizuar në mënyrë të tillë që të gjitha këto bekime duhet të vijnë tek ne në ZOTIN. Prandaj argumenti i Palit është, “Përse mburremi me njerëzit? Ata s’mund të bëjnë asnjë nga këto gjëra për ty.”
2:1 Apostulli tani u kujton të shenjtëve shërbesën e tij mes tyre dhe se si ai kërkoi të lavdërojë Perëndinë dhe jo vetveten. Ai erdhi tek ata duke shpallur dëshminë e Perëndisë, jo me shkëlqim fjalësh a diturie. Ai nuk ishte fare i interesuar të tregonte veten si një orator apo filozof. Kjo tregon që apostulli Pal njeh ndryshimin midis shërbesës që është mishërore dhe asaj që është frymërore. Me shërbesë mishërore ne kuptojmë atë që zbavit, argëton apo përgjithësisht bën për vete ndjenjat e njeriut. Shërbesa frymërore, nga ana tjetër paraqet të vërtetën e Fjalës së Perëndisë në mënyrë të tillë që të lavdërojë Krishtin dhe të arrijë zemrën dhe arsyen e dëgjuesve.
2:2 Përmbajtja e mesazhit të Palit ishte Jezu Krishti dhe Ai i kryqëzuar. Jezu Krishti i referohet Personit të Tij, ndërsa Ai i kryqëzuar i referohet veprës së Tij. Personi dhe vepra e Zotit Jezus formojnë thelbin e Ungjillit të krishterë.
2:3 Pali për më tepër thekson që sjellja e tij personale nuk ishte as tërheqëse dhe as që të linte përshtypje. Ai ishte me korintasit në dobësi, në frikë, dhe në drithërimë të madhe. Thesari i Ungjillit ishte në një enë tokësore që shkëlqimi i fuqisë të ishte nga Perëndia dhe jo nga Pali. Ai vetë ishte një shembull i asaj që Perëndia përdor gjëra të dobëta për të hutuar të fuqishmit.
2:4 As fjala e Palit e as predikimi i tij nuk ishin me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë. Disa sugjerojnë që fjala e tij i referohet materialit që ai paraqiti, kurse predikimi i tij mënyrës së paraqitjes së tij. Të tjerë e përcaktojnë fjalën e tij si dëshmia e tij për individë, dhe predikimin e tij si mesazhe të tij për grupe. Sipas standardeve të kësaj bote, apostulli s’mund të ketë fituar kurrë një garë oratorike. Pavarësisht nga kjo, Fryma e Perëndisë e përdori mesazhin për të prodhuar bindjen për mëkatin dhe kthimin tek Perëndia.
2:5 Pali e dinte që rreziku më i madh ishte që dëgjuesit e tij të mund të ishin të interesuar në vetë atë dhe në personalitetin e tij më shumë sesa në Zotin e gjallë. I ndërgjegjshëm për pamundësinë e tij për të bekuar apo shpëtuar, ai përcaktoi se duhet t’i drejtonte njerëzit të besonin vetëm tek Perëndia dhe jo në diturinë e njerëzve. Të gjithë ata që shpallin mesazhin e Ungjillit apo mësojnë Fjalën e Perëndisë duhet ta bëjnë këtë gjë qëllimin e tyre të përhershëm.
2:6 Para së gjithash dituria e treguar në Ungjillin është hyjnore në origjinën e saj (v6,7). Ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur apo plotësisht të rritur. Por ajo s’është dituria e kësaj kohe e as është dituri në sytë e pushtetarëve të kësaj kohe. Dituria e tyre është një gjë që zhduket e cila, ashtu si dhe vetë ata, është e lindur për një ditë të shkurtër.
2:7 Ne flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister. Një mister është një e vërtetë në Dh.R. që nuk ishte zbuluar më parë, por tani u është bërë e njohur besimtarëve me anë të apostujve dhe profetëve të Epokës së Kishës së hershme. Ky mister është dituria e fshehur që Perëndia paracaktoi përpara kohërash për lavdinë tonë. Misteri i Ungjillit përfshin të vërteta kaq të mrekullueshme si fakti që tani Judenjtë dhe Johebrenjtë janë një në Krishtin; që Zoti Jezus do të vijë dhe do të marrë në shtëpi njerëzit e Tij që janë duke e pritur për të qenë me Të; dhe që jo gjithë besimtarët do të vdesin, por që të gjithë do të ndryshojnë.
2:8 Pushtetarët e kësaj kohe mund t’i referohet qenieve frymërore djallëzore në qiej apo agjentëve të tyre njerëzorë në tokë. Ata nuk e kuptuan diturinë e fshehur të Perëndisë (Krishtin në një kryq) apo nuk kuptuan që vrasja nga ata e Birit të Shenjtë të Perëndisë do të rezultonte në vdekjen e tyre. Po t’i kishin njohur rrugët e Perëndisë ata nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
2:9 Proceset e zbulimit, frymëzimit dhe ndriçimit janë përshkruar në vargjet 9-16. Ato na tregojnë ne se si ato të vërteta të mrekullueshme iu bënë të njohura apostujve me anë të Frymës së Shenjtë, dhe si ata më pas na i kaluan këto të vërteta ne me anë të frymëzimit të Frymës së Shenjtë, dhe si ne i kuptojmë ato me anë të ndriçimit të Frymës së Shenjtë.
Citimi nga Isaia 64:4 në vargun 9 është një profeci ku Perëndia kishte fshehur të vërteta të mrekullueshme që s’mund të zbuloheshin me anë të shqisave natyrore, por që në kohën e duhur Ai ua zbulon atyre që e duan Atë. Tre aftësi (syri, veshi, zemra ose mendja) me anë të të cilave ne mësojmë gjëra tokësore, janë rreshtuar, por këto nuk janë të mjaftueshme për marrjen e të vërtetave hyjnore, pasi Fryma e Perëndisë është e nevojshme.
Ky varg zakonisht interpretohet sikur i referohet lavdive të qiellit dhe kur ne marrim atë domethënie në mendjet tona, është e vështirë ta zhvendosësh atë dhe të pranosh ndonjë domethënie tjetër. Por Pali këtu në të vërtetë është duke folur për të vërtetat që janë zbuluar për herë të parë në Dh.R.. Njerëzit kurrë s’do mund të kishin arritur në këto të vërteta me anë të kërkimeve shkencore apo filozofike. Sa për mendjen njerëzore ajo kurrë nuk do të zbulonte misteret e mrekullueshme që u bënë të njohura në fillim të epokës së Ungjillit. Arsyeja njerëzore është plotësisht e pamjaftueshme për të gjetur të vërtetën e Perëndisë.
2:10 Që vargu 9 nuk i referohet qiellit, është provuar nga thënia që Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së Tij. Me fjalë të tjera, këto të vërteta të profetizuara në Dh.V. u bënë të njohura apostujve në epokën e Dh.R.. Fjala “ne” i referohet shkruesve të Dh.R.. Ishte me anë të Frymës së Perëndisë që apostujt dhe profetët u ndriçuan, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë. Me fjalë të tjera, Fryma e Perëndisë, një nga anëtarët e Trinitetit, është e pafundme në dituri dhe kupton të gjitha të vërtetat e Perëndisë dhe ka aftësi t’ua kumtojë të tjerëve.
2:11 Edhe në punët njerëzore asnjë nuk di atë që një njeri është duke menduar përveç atij njeriu. Asnjë nuk mund ta zbulojë derisa vetë njeriu zgjedh ta bëjë mendimin e Tij të ditur. Madje edhe atëherë, që ta kuptojë një njeri, një person duhet të ketë frymën e njeriut. Një kafshë s’mund ta kuptojë plotësisht mendimin tonë. Kështu është me Perëndinë. I vetmi që mund të kuptojë gjërat e Perëndisë është Fryma e Perëndisë.
2:12 Fjala “ne” e vargut 12 i referohet shkruesve të Dh.R., megjithëse është njësoj e vërtetë për gjithë shkruesit e Biblës. Përderisa apostujt dhe profetët kanë marrë Frymën e Shenjtë, Ai ishte në gjendje të ndante me ta të vërtetat e thella të Perëndisë. Kjo është çfarë apostulli nënkupton kur ai thotë në këtë varg: “Ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.” Larg Frymës që është nga Perëndia, apostujt kurrë s’do të kishin marrë të vërtetat hyjnore për të cilat Pali është duke folur dhe që janë ruajtur për ne në Dh.R.
2:13 Pasi ka përshkruar procesin e zbulimit më anë të së cilit shkruesit e Shkrimeve të shenjta morën të vërtetën nga Perëndia, Pali tani vazhdon të përshkruajë procesin e frymëzimit me anë të së cilit ajo e vërtetë na u kumtua ne. Vargu 13 është një nga pjesët më të fuqishme në Fjalën e Perëndisë, në subjektin e “frymëzimit verbal” [shih poshtë për përshkrimin]. Apostulli Pal mjaft qartë bën të njohur që në transportimin e këtyre të vërtetave tek ne, apostujt nuk përdorën fjalët e zgjedhjes së tyre, apo fjalë të diktuara nga dituria e njeriut. Por më tepër, ata përdorën ato fjalë të cilat Fryma e Shenjtë u mësoi atyre që t’i përdornin. Dhe kështu ne besojmë që fjalët aktuale të Shkrimit të gjetura në autografet origjinale, ishin pikërisht fjalët e Perëndisë (dhe që Bibla në formën e tanishme të saj është plotësisht e denjë për t’u besuar ).
Një britmë kundërshtimi ngrihet në këtë pikë përderisa për disa njerëz ajo që thamë nënkupton diktat mekanik, sikur Perëndia nuk lejoi shkruesit të përdorin stilin e tyre. Por ne dimë që stili i të shkruarit të Palit, p.sh., është plotësisht i ndryshëm nga ai i Lukës. Si atëherë, mund të pajtojmë ne frymëzimin verbal me stilin personal të shkruesve? Në një farë mënyre që ne nuk e kuptojmë, Perëndia i dha fjalët e shkrimit dhe përsëri Ai i veshi ato fjalë me stilin personal të shkruesve, duke lejuar personalitetin e tyre njerëzor të jetë pjesë e Fjalës së Tij të përsosur.
Shprehja duke krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore mund të shpjegohet në disa mënyra. Mund të nënkuptojë (1) duke mësuar të vërteta frymërore me fjalë të dhëna nga Fryma; (2) duke i komunikuar të vërtetat frymërore njerëzve frymërorë; ose (3) duke krahasuar të vërtetat frymërore në një pjesë të Biblës me ato në një tjetër. Ne besojmë që shpjegimi i parë i përshtatet më mirë kontekstit. Pali është duke thënë që procesi i frymëzimit përfshin transportimin e së vërtetës hyjnore me fjalë që janë zgjedhur veçanërisht për atë qëllim nga Fryma e Shenjtë. Kështu ne mund të shpjegojmë me fjalët tona, “duke paraqitur të vërtetat frymërore me fjalë frymërore.”
Ndonjëherë ka kundërshtime që kjo pjesë s’mund t’i referohet frymëzimit sepse Pali thotë ne flasim, jo “ne shkruajmë.” Por s’është e pazakontë të gjesh foljen “flas” të përdorur për Shkrimet e frymëzuara (p.sh. Gjo. 12:38,41; Veprat e Apostujve 28:25; 2 Pje. 1:21)
2:14 Ungjilli jo vetëm që është hyjnor në zbulesën e tij dhe hyjnor në frymëzimin e tij, por tani ne mësojmë që ai mund të merret vetëm me anë të Frymës së Perëndisë. Pa ndihmë, njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë, sepse për të janë marrëzi. Ai s’mund t’i kuptojë ato sepse ato mund të kuptohen vetëm frymërisht. Këshillat plot ngjyrë të Vance Havner
“I krishteri me mend nuk humb kohë duke u përpjekur të shpjegojë programin e Perëndisë njerëzve të pa rilindur, do të ishte njësoj sikur të hidhte perlat përpara ndyrësirave. Do të ishte sikur të përpiqej t’i përshkruante lindjen e diellit një të verbëri apo të diskutonte fizikën nukleare me një monument në parkun e qytetit. Njeriu natyror s’mund të kuptojë gjëra të tilla. Një njeri që përpiqet të zotërojë zbulesën e Perëndisë pa ndihmën e Frymës së Shenjtë është njësoj si një njeri që përpiqej që të kapte rrezet e diellit me një grep peshku. Nëse një nuk lind nga Fryma dhe nuk mësohet nga Ai, e gjitha kjo është plotësisht e huaj për të. {{6}}
2:15 Nga ana tjetër, njeriu që ndriçohet nga Fryma e Perëndisë mund të dallojë këto të vërteta të mrekullueshme edhe pse vetë ai nuk mund të gjykohet në mënyrë të drejtë nga të pakthyerit në besim. Ndoshta ai është një marangoz, ose peshkatar, ose hidraulik; e përsëri ai është një student i aftë i Shkrimeve të shenjta. “I krishteri i kontrolluar nga Fryma kërkon, heton dhe shqyrton me hollësi Biblën dhe arrin në një kuptim të përmbajtjes së saj” (KSW). Për botën ai është një enigmë. Ai mund të mos ketë qenë kurrë në ndonjë universitet apo shkollë fetare, e përsëri ai mund të kuptojë misteret e thella të Fjalës së Perëndisë dhe madje ua mëson ato të tjerëve.
2:16 Apostulli tani bën një pyetje retorike duke përdorur Isaia 40:13, “Kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë Atë?” Të bësh një pyetje do të thotë t’i përgjigjesh asaj. Perëndia s’mund të njihet nëpërmjet diturisë apo fuqisë së njerëzve. Ai është i njohur vetëm kur Ai zgjedh ta bëjë veten të njohur. Megjithatë, ata që kanë mendjen e Krishtit janë të aftë për të kuptuar të vërtetat e thella të Perëndisë.
Atëherë për një rishikim; së pari ka zbulim (v 9-12). Kjo do të thotë që Perëndia zbuloi të vërtetat, që më parë ishin të panjohura nga njerëzit, me anë të Frymës së Shenjtë. Këto të vërteta u bënë të njohura në mënyrë të mbinatyrshme me anë të Frymës së Perëndisë.
Së dyti, ka frymëzim (v 13). Në tejçimin e këtyre të vërtetave tek të tjerët, apostujt (dhe gjithë shkruesit e tjerë të Biblës ) përdorën ato fjalë që Fryma e Shenjtë u mësoi atyre të përdorin.
Së fundi, ka ndriçim (v 14-16). Këto të vërteta jo vetëm që duhet të zbulohen dhe frymëzohen në mënyrë të mrekullueshme, por ato mund të kuptohen vetëm nga fuqia e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë.
3:1 Kur Pali vizitoi Korintin për herë të parë, ai kishte ushqyer besimtarët me qumështin fillestar të Fjalës sepse ata ishin të dobët dhe të rinj në besim. Mësimi që u ishte dhënë atyre ishte i përshtatshëm për gjendjen e tyre. Ata s’mund të merrnin udhëzim të thellë frymëror sepse ata ishin besimtarë të rinj. Ata ishin thjesht foshnja në besim.
3:2 Pali u kishte mësuar atyre vetëm të vërtetat elementare në lidhje me Krishtin, për të cilat ai flet si të ishin qumësht. Ata nuk ishin të aftë për të marrë ushqim të fortë për shkak të papjekurisë së tyre. Në të njëjtën prirje Zoti Jezus u tha dishepujve të Tij, “kam edhe shumë gjëra për t’u thënë, por ju nuk mund t’i mbani” (Gjo. 16:12). Por përsa u përket korintasve, gjëja tragjike ishte që ata ende nuk kishin provuar në mënyrë të mjaftueshme të merrnin të vërteta më të thella nga apostulli.
3:3 Besimtarët ishin ende në një gjendje të mishit ose mishërore të shpirtit. Kjo provohej nga fakti që mes tyre kishte smirë dhe grindje. Një sjellje e tillë është karakteristikë e njerëzve të kësaj bote, por jo e atyre që drejtohen nga Fryma e Perëndisë.
3:4 Duke formuar grupe rreth drejtuesve njerëzorë, si Pali apo Apoli, ata ishin duke vepruar në një nivel të plotë njerëzor. Kjo është ajo çfarë Pali dëshiron të thotë kur ai pyet, “A nuk jeni ju… duke u sjellë si njerëz?”
Deri në këtë pikë, apostulli Pal ka qenë duke treguar marrëzinë e të lartësuarit të njeriut, me anë të një konsiderate mbi natyrën e vërtetë të mesazhit të Ungjillit. Ai tani i kthehet subjektit të shërbesës së krishterë dhe gjithashtu tregon nga ky këndvështrim se është krejtësisht budallallëk të lartësosh drejtuesit fetarë duke formuar grupe rreth tyre.
3:5 Apoli dhe Pali ishin shërbëtorë (fjala ‘ministër‘ qëndron në Latinisht për ‘shërbëtor’) me anë të të cilëve korintasit kishin besuar në Zotin Jezus. Ata ishin thjesht elemente dhe jo krerë të shkollave rivale. Atëherë sa gjë e pamend nga ana e korintasve ishte ngritja e shërbëtorëve në rangun e mjeshtrit. H.A. Ironside në mënyrë të prerë komenton në këtë pikë, “Imagjinoni një shtëpi të ndarë mbi shërbëtorët.”
3:6 Duke përdorur një figurë nga agrikultura, Pali tregon që shërbëtori është mbi të gjitha mjaft i kufizuar mbi atë që mund të bëjë. Vetë Pali mund të mbjellë dhe Apoli të ujitë, por vetëm Perëndia bën të rriten. Kështu sot, disa nga ne mund të predikojnë Fjalën dhe të gjithë ne mund të lutemi për të afërmit dhe miqtë e pashpëtuar, por puna e vërtetë e shpëtimit mund të bëhet vetëm nga Zoti.
3:7 Duke e parë nga ky këndvështrim, ne mund të shohim pa vështirësi që mbjellësi dhe ujitësi në të vërtetë nuk janë shumë të rëndësishëm, pak a shumë. Ata në vetvete nuk kanë forcën për të sjellë jetë. Atëherë përse duhet të ketë smirë dhe rivalitet midis punëtorëve të krishterë? Secili duhet të bëjë punën që i është caktuar dhe të gëzohet kur Zoti tregon dorën e Tij në bekime.
3:8 Ai që mbjell dhe ai që ujit janë një në kuptimin që të dy kanë të njëjtën objektivë dhe të njëjtin qëllim. Nuk duhet të ketë xhelozi midis tyre. Përsa i përket shërbesës, ata janë të të njëjtit nivel. Në një ditë në të ardhmen, secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. Ajo ditë është Froni Gjykues i Krishtit.
3:9 Perëndia është Ai ndaj të cilit të gjithë ne jemi përgjegjës. Të gjithë shërbëtorët e Tij janë bashkëpunëtorë që punojnë së bashku në arën e të korrave të Perëndisë, ose ata që punojnë së bashku në të njëjtën ndërtesë. C.R. Erdman jep mendimin e tij kështu: “Ne jemi bashkëpunëtorë që i përkasin Perëndisë dhe që punojnë me njëri-tjetrin.” {{7}}
3:10 Duke vazhduar me idenë e ndërtesës apostulli para së gjithash pohon se çdo gjë që ai ka qenë në gjendje të përmbushë ka qenë për shkak të hirit të Perëndisë, d.m.th. me anë të aftësisë së pamerituar të dhënë nga Perëndia për të bërë punën e një apostulli. Më pas ai vazhdon të përshkruajë rolin e tij në fillimet e kësaj asambleje në Korint: “Si arkitekt i ditur unë kam hedhur themelin.”Ai erdhi në Korint për të shpallur Krishtin dhe Atë të kryqëzuar. Shpirtra u shpëtuan dhe një kishë lokale u vendos. Më pas ai shton “dhe një tjetër ndërton mbi të.” Me këtë ai padyshim i referohet mësuesve të tjerë që më vonë vizituan Korintin dhe ndërtuan mbi themelin që ishte vendosur tashmë. Megjithatë apostulli porosit: “Por secili të ketë kujdes si ndërton mbi të.” Ai do të thotë që është diçka solemne të ushtrosh një shërbesë mësimi në kishën lokale. Disa erdhën në Korint me doktrina ndarëse dhe me mësime në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Pali ishte padyshim i vetëdijshëm për këta mësues përderisa i shkroi këto fjalë.
3:11 Vetëm një themel duhet për një ndërtesë. Njëherë hidhet dhe nuk ka nevojë të përsëritet më. Apostulli Pal kishte hedhur themelin e Kishës në Korint. Ai themel ishte Jezus Krishti, Personi dhe Vepra e Tij.
3:12 Mësimet e mëparshme në një kishë lokale mund të jenë të shkallëve me vlera të ndryshme. P.sh., disa mësime ishin të një vlere të përhershme dhe mund të ngjasohen me arin, argjendin apo gurët e çmuar. Këtu gurët e çmuar ka mundësi nuk i referohet diamantëve, rubinëve apo margaritarëve, por më tepër granitit, alabastrit apo mermerit që përdoren në ndërtimin e tempujve të shtrenjtë. Nga ana tjetër, mësimet në Kishën lokale mund të jenë të një vlere që kalon ose të jenë fare pa vlerë. Mësime të tilla janë si druri, sana dhe kashta.
Kjo pjesë e Shkrimit zakonisht përdoret në një mënyrë të përgjithshme për t’iu referuar jetëve të të gjithë besimtarëve të krishterë. Është e vërtetë që ne jemi duke ndërtuar ditë pas dite dhe përfundimet e punës sonë do të shfaqen në një ditë të ardhshme. Megjithatë një student i kujdesshëm i Biblës duhet të shënojë që kjo pjesë nuk i referohet kryesisht të gjithë besimtarëve, por për më tepër predikuesve dhe mësuesve.
3:13 Në një ditë në të ardhmen, vepra e secilit do të shfaqet. Dita i referohet Fronit Gjykues të Krishtit, kur gjithë shërbesa për Zotin do të rishikohet. Procesi i rishikimit është ngjasuar me veprimin e zjarrit. Shërbesa që i ka sjellë lavdi Perëndisë dhe bekim njeriut, si ari, argjendi dhe gurët e çmuar nuk do të prishen nga zjarri. Në anë tjetër, ajo që ka shkaktuar probleme midis njerëzve të Perëndisë apo ka dështuar t’i ndërtojë ata do të konsumohet. Zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është.
3:14 Vepra në lidhje me Kishën mund të jetë e tre llojshme. Në vargun 14 ne kemi llojin e parë – shërbesë e një natyre fitimprurëse. Në një rast të tillë, vepra e jetës së një shërbëtori i qëndron provës së Fronit Gjykues së Krishtit dhe punëtori do të marrë një shpërblim.
3:15 Lloji i dytë i punës është ajo që është e pavlefshme. Në këtë rast, shërbëtori do të pësojë humbje, megjithëse ai vetë do të shpëtohet si përmes zjarrit. E.W. Rogers tregon: “Humbja nuk nënkupton konfiskimin e diçkaje dikur të zotëruar” {{8}}. Duhet të jetë e qartë nga ky varg që Froni Gjykues i Jezusit nuk ka të bëjë me subjektin e mëkateve të një besimtari dhe me dënimin e tyre. Dënimi për mëkatet e besimtarit u mbart nga Zoti Jezus Krisht në kryqin e Kalvarit dhe ajo çështje është mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kështu shpëtimi i besimtarit nuk diskutohet fare në Fronin Gjykues të Krishtit Jezus; për më tepër është çështja e shërbesës së tij.
Nëpërmjet dështimit për të bërë dallimin midis shpëtimit dhe shpërblimeve, kisha katolike e Romës e ka përdorur këtë varg për të mbështetur mendimet e saj për purgatorin. Megjithatë një shqyrtim më i kujdesshëm i vargut nuk zbulon asnjë aluzion përsa i përket purgatorit. Këtu s’ka asnjë mendim që zjarri pastron karakterin e një njeriu. Për më tepër zjarri provon veprën apo shërbesën e një njeriu, e çfarë lloji është ajo. Njeriu është i shpëtuar pavarësisht nga fakti që veprat e tij konsumohen nga zjarri.
Një mendim interesant në lidhje me këtë varg është që Fjala e Perëndisë është ndonjëherë si zjarri (Isaia 5:24 dhe Jeremia 23:29). E njëjta Fjalë e Perëndisë që do të provojë shërbesën tonë në Fronin Gjykues të Krishtit është e vlefshme për ne tani. Nëse ndërtojmë në përputhje me mësimet e Biblës, atëherë vepra jonë do t’i qëndrojë provës atë ditë.
3:16 Pali u kujton besimtarëve që ata janë tempulli (Greqisht: altari i brendshëm apo vendi i shenjtë) i Perëndisë dhe që Fryma e Shenjtë banon në ta. Është e vërtetë që çdo besimtar është gjithashtu një tempull i Perëndisë i banuar nga Fryma e Shenjtë, por ky nuk është mendimi këtu. Apostulli e sheh Kishën si një kompani kolektive dhe dëshiron që ata ta kuptojnë dinjitetin e shenjtë të kësaj thirrjeje.
3:17 Klasa e tretë e veprës në kishën lokale është ajo për të cilën mund të flitet si shkatërruese. Me sa duket në Kishën e Korintit kishin ardhur mësues të rremë dhe mësimet e tyre kishin më tepër prirje drejt mëkatit sesa drejt shenjtërimit. Ata nuk e mendonin atë si një çështje serioze, d.m.th. të shkaktonin rrënim në një tempull të Perëndisë. Pali ushton me këtë deklaratë solemne: “N.q.s. dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë.” E parë në vendosjen e saj lokale, kjo shprehje do të thotë që nëse një njeri hyn në një kishë lokale dhe prish dëshminë e saj, Perëndia do ta shkatërrojë atë. Pjesa flet për mësues të rremë që nuk janë besimtarë të vërtetë në Zotin Jezus. Serioziteti i një shkeljeje të tillë tregohet me anë të fjalëve të fundit të vargut 17: “Sepse tempulli i Perëndisë i cili jeni ju, është i shenjtë.”
3:18 Në shërbesën e krishtere ashtu si edhe në gjithë jetën e të krishterit, ekziston gjithmonë rreziku i vetmashtrimit. Ndoshta disa nga ata që erdhën në Korint si mësues u paraqitën si njerëz mjaft të ditur. Ndonjë që ka një paraqitje të lartësuar të diturisë së vet tokësore duhet të mësojë që ai duhet të bëhet i marrë në sytë e botës me qëllim që të bëhet i urtë në vlerësimin e Perëndisë. Në këtë këndvështrim F.L. Godet shkruan në mënyrë të dobishme:
“Nëse ndonjë individ çfarëdo, korintas apo ndonjë tjetër, gjatë predikimit të Ungjillit në asambletë tuaja merr përsipër rolin e një njeriu të ditur dhe reputacionin e një mendimtari të thellë, le të pranojë ai vetë që ai s’do të arrijë dituri të vërtetë derisa të ketë kaluar një krizë në të cilën ajo dituri me anë të së cilës ai është fryrë, do të zhduket dhe pas së cilës vetëm ai do të marrë diturinë që është nga lart.” {{9}}
3:19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi për Perëndisë. Njeriu duke kërkuar s’do të mund të zbulojë kurrë Perëndinë dhe dituria njerëzore s’do të mundej kurrë të mendonte një plan për shpëtim me anë të të cilit Perëndia të mund të bëhej Njeri me qëllim që të vdiste për mëkatarët fajtorë e rebelë. Jobi 5:13 është cituar në vargu 19 për të treguar që Perëndia triumfon mbi diturinë e supozuar të njerëzve për të përmbushur qëllimet e Tij. Njeriu me gjithë ato që ka mësuar s’mund të pengojë planet e Zotit; në vend të kësaj Perëndia shpesh u tregon atyre që pavarësisht nga dituria botërore e tyre, ata janë tepër të varfër dhe të pafuqishëm.
3:20 Psalmi 94:11 është cituar këtu për të theksuar që ZOTI i njeh të gjitha arsyetimet e njeriut të urtë të kësaj bote dhe Ai për më tepër di që ato janë të kota, boshe dhe të pafrytshme. Atëherë përse Pali u hyn këtyre përpjekjeve për të diskredituar diturinë e botës? Thjesht për këtë arsye – korintasit ishin duke vendosur një çmim të madh mbi këtë lloj diturie dhe ishin duke ndjekur këta drejtues që dukeshin se e ekspozonin atë në një shkallë të dukshme.
3:21 Në analizimin e gjithë kësaj është thënë, asnjë të mos mburret në njerëzit. Dhe përsa i përket shërbëtorëve të vërtetë të Zotit, ne s’duhet të mburremi se u përkasim atyre, por për më tepër të kuptojmë që të gjithë ata na përkasin neve. Të gjitha gjërat janë tuajat.
3:22 Dikush e ka quajtur vargun 22 “një inventar i zotërimeve që ka fëmija i Perëndisë.” Punëtorët e krishterë na përkasin ne, qoftë Pali ungjilltari, apo Apoli mësuesi, apo Kefa pastori [bariu]. Përderisa të gjithë ata na përkasin ne, është budallallëk për ne të shpallim që ne i përkasim ndonjërit prej tyre. Pastaj edhe bota është jona. Si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, ne një ditë do të zotërojmë atë, por edhe ndërkohë ajo është e jona me anë të një premtimi hyjnor. Ata që mbikëqyrin punët e saj nuk e vënë re që e bëjnë këtë për ne. Jeta është e jona. Me këtë ne nuk duam të themi thjesht një ekzistencë mbi tokë, por jetë në kuptimin e vërtetë dhe të plotë të saj. Dhe vdekja është jona. Për ne ajo nuk është më një armik i tmerrshëm që e dërgon shpirtin në errësirën e panjohur; për më tepër tani është lajmëtari i Perëndisë që e sjell shpirtin në qiell. Gjërat e tanishme dhe gjërat që do vijnë – të gjitha janë po ashtu tonat. Është thënë drejt që të gjitha gjërat i shërbejnë njeriut që i shërben Krishtit. A. T. Robertson njëherë tha: “Yjet në drejtimet e tyre i shërbejnë njeriut që është bashkëpunëtor [p.sh. duke shpallur Ungjillin] me Perëndinë në shpengimin e botës.”
3:23 Të gjithë të krishterët i përkasin Krishtit. Disa në Korint deklaronin se i përkisnin Atij duke përjashtuar të gjithë të tjerët. Ata formonin “partinë e Krishtit.” Por Pali hedh poshtë çdo pretendim të tillë. Ne të gjithë jemi të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë. Duke u treguar kështu të shenjtëve dinjitetin e tyre të vërtetë, Pali zbulon marrëzinë e të formuarit të grupeve dhe të ndarjeve në Kishë.
4:1 Me qëllim që ata ta vlerësonin siç duhet Palin dhe apostujt e tjerë, ai thotë që shenjtorët duhet t’i shohin ata si shërbëtorë apo asistentë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë. Një administrator është një shërbëtor që kujdeset për personin apo punën e dikujt. Misteret e Perëndisë ishin sekretet e fshehura më parë të cilat Perëndia ia zbuloi apostujve dhe profetëve të periudhës së Dh.R..
4:2 Një kërkesë kryesore për administratorët është që ata të gjenden besnikë. Njerëzit vlerësojnë zgjuarsinë, urtësinë, shëndetin dhe suksesin, por Perëndia kërkon ata që do t’i jenë besnikë Jezusit në të gjitha gjërat.
4:3 Besnikëria që kërkohet nga administratorët është një gjë e vështirë për t’u vlerësuar nga njerëzit. Kjo është ajo çfarë Pali thotë këtu që atij i intereson pak të gjykohej prej korintasve apo prej një gjykate njerëzore. Pali vë re se sa i pa aftë është njeriu për të formuar një gjykim kompetent të besnikërisë së vërtetë ndaj Perëndisë. Ai shton: “Madje as vetveten nuk e gjykoj.” Ai kupton që ai ishte lindur në familjen njerëzore me një gjykim që bazohej gjithmonë në favor të tij.
4:4 Kur apostulli thotë, “Nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj,” ai do të thotë që në çështjen e shërbesës së krishterë ai nuk është i vetëdijshëm për asnjë akuzë mosbesnikërie që mund të sillej kundër tij. Ai nuk do të thotë që ai nuk di asnjë mëkat në jetën e tij ose ndonjë rrugë në të cilën atij i mungon përsosmëria! Pjesa duhet lexuar në dritën e kontekstit dhe subjekti këtu është shërbesa e krishterë dhe besnikëria në të. Por edhe nëse ai nuk ishte i vetëdijshëm për asgjë kundër tij përsëri ai nuk justifikohet për këtë. Ai thjesht nuk ishte kompetent për të gjykuar mbi çështjen. Mbi të gjitha, Zoti është gjykatësi.
4:5 Në këtë këndvështrim, ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në vlerësimin tonë të shërbesës së krishterë. Ne priremi të lartësojmë spektakolaren dhe sensacionalen dhe të nënvleftësojmë atë që është e padukshme apo e zakonshme. Rruga e sigurt është të mos gjykosh asgjë para kohe, por të presësh derisa të vijë Zoti. Ai do të jetë i aftë për të gjykuar, jo vetëm çfarë shihet me sy, por gjithashtu motivet e zemrave – jo vetëm atë që është bërë, por edhe përse është bërë. Ai do të shfaqë këshillat e zemrave dhe çdo gjë që ishte bërë për të treguar veten apo vetë-lavdi, do të dështojë në marrjen e një shpërblimi.
Që secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia nuk duhet të merret si një premtim i sigurt që shërbesa e çdo besimtari do të shfaqet në një mënyrë të favorshme atë ditë. Kuptimi është që kushdo që meriton lavdërim do të marrë lavdërim nga Perëndia dhe jo nga njerëzit.
Në tetë vargjet e tjera, apostulli shpall mjaft qartë që krenaria është shkaku i ndarjeve që kanë ardhur në Kishën e Korintit.
4:6 Ai së pari shpjegon që duke folur për shërbesën e krishterë dhe tendencën për të ndjekur drejtues njerëzorë (3:5-4:5), ai përdori veten dhe Apolin si shembuj. Korintasit nuk formonin grupe vetëm rreth Palit dhe Apolit, por gjithashtu edhe rreth njerëzve të tjerë që ishin në Kishën e korintit. Megjithatë, me mirësjellje të krishtere dhe kujdesje të madhe, Pali ia kaloi të gjithë çështjen vetes dhe Apolit që me anë të shembullit të tyre shenjtorët të mund të mësonin të mos kishin opinione të ekzagjeruara për drejtuesit e tyre apo të mos kënaqin krenarinë e tyre duke formuar grupime. Ai donte që shenjtorët të vlerësonin çdo gjë dhe çdo njeri sipas Shkrimeve.
4:7 N.q.s. një mësues i krishterë është më i talentuar se një tjetër, është ngaqë Perëndia e bëri atë kështu. Gjithçka që ai ka, e ka marrë nga Zoti. Në fakt është e vërtetë për të gjithë ne që çdo gjë që ne kemi na është dhënë nga Perëndia. Duke qenë kjo çështja, përse duhet të jemi ne krenarë dhe të fryhemi? Talentet dhe dhuntitë tona nuk janë rezultat i zgjuarsisë sonë.
4:8 Korintasit ishin tashmë të ngopur. Ata mburrën vetveten për tepri të dhuntive frymërore në mes tyre; ata ishin tashmë të pasur. Ata jetonin në luks, rehati dhe lehtësim. Nuk ekzistonte ndjenja e nevojës. Ata vepronin sikur të ishin duke mbretëruar, por ata po e bënin kështu pa apostujt. Pali thotë se ai dëshironte që koha për të mbretëruar të kishte ardhur kështu që ai të mund të mbretëronte me ta! Por ndërkohë, “jeta është një kohë stërvitjeje për kohën e mbretërimit,” siç ka thënë dikush. Të krishterët do të mbretërojnë me Zotin Jezus kur Ai kthehet dhe vendos mbretërinë e Tij në tokë. Ndërkohë, privilegji i tyre është të ndajnë së bashku sharjet e një shpëtimtari të hedhur poshtë. H.P. Barker paralajmëron:
Është një pabesi e madhe të kërkojmë kurorën tonë përpara se Mbreti ta ketë atë. Dhe kjo ishte ajo që disa nga të krishterët e Korintit ishin duke bërë. Vetë apostujt ishin duke marrë sharjet e Krishtit. Por të krishterët e Korintit ishin “të pasur” dhe “të nderuar.” Ata kërkonin një kohë të mirë aty ku Zoti dhe Mjeshtri i tyre pati një kohë aq të vështirë.” {{10}}
Nëpër kurorëzime, fisnikët kurrë nuk i vendosin kurorat e tyre derisa sovrani të kurorëzohej. Korintasit po bënin të kundërtën e kësaj; ata tashmë ishin duke mbretëruar ndërkohë që Zoti ishte ende duke u kundërshtuar!
4:9 Në kontrast me vet-kënaqësinë e korintasve Pali përshkruan fatin e apostujve. Ai i përshkruan ata të hedhur në arena me kafshë të egra ndërkohë që njerëzit dhe engjëjt vështrojnë. Siç ka thënë F.L. Godet, “Nuk ishte koha që korintasit të ishin të vetkënaqur dhe të mburreshin, ndërkohë që Kisha e Korintit ishte në fron dhe apostujt në shpatë.”
4:10 Ndërkohë që apostujt trajtoheshin si të marrë për Krishtin, të shenjtët gëzonin prestigj në komunitet si të krishterë të urtë. Apostujt ishin të dobët, por korintasit nuk vuanin dobësi. Në kontrast me çnderimin e apostujve ishte pozita e lartë e të shenjtëruarve.
4:11 Apostujve nuk u dukej që ora e triumfit apo e mbretërimit kishte ardhur. Ata vuanin nga uria, etja, lakuriqësia dhe persekutimi. Ata ishin të ndjekur këmba-këmbës, të kërkuar dhe pa shtëpi.
4:12 Ata ushqeheshin duke punuar me duart e tyre. Sharjeve iu ktheheshin me bekime. Kur persekutoheshin ata nuk luftonin por duronin.
4:13 Kur shaheshin ata luteshin me ngulm që njerëzit të pranonin Zotin Jezus. Me pak fjalë, ata ishin bërë si pisllëku i botës, zgjyra e gjithçkaje. Ky përshkrim vuajtjesh për hir të Krishtit duhet t’i flasë të gjithë zemrave tona. Nëse apostulli Pal do të jetonte sot, a do të na thoshte ne siç u tha korintasve, “Ju keni mbretëruar si mbretër pa ne?”
4:14 Në vargjet 14-21, Pali jep një këshillë përfundimtare për besimtarët mbi subjektin e ndarjeve. I vetëdijshëm për faktin që ai kishte përdorur ironi, ai shpjegon se nuk e kishte bërë këtë për të turpëruar të krishterët, por për më tepër për t’i paralajmëruar ata si fëmijët e tij të dashur. Ai nuk ishte frymëzuar nga hidhërimi për të folur ashtu siç kishte bërë, por për më tepër nga një interes i sinqertë në mirëqenien e tyre frymërore.
4:15 Apostulli u kujton atyre që edhe sikur të kenë dhjetë mijë mësues në Krishtin, përsëri ata kanë vetëm një baba në besim. Vetë Pali i kishte drejtuar ata tek Zoti; ai ishte babai i tyre frymëror. Shumë të tjerë mund të kishin ardhur për t’i mësuar ata, por asnjë tjetër s’mund të kishte të njëjtën konsideratë të ndjeshme për ta, si ai që i drejtoi ata tek Qengji. Pali s’ka aspak ndërmend të nënvleftësojë shërbesën e të mësuarit, por thjesht është duke thënë që të gjithë ne e dimë se është e vërtetë se shumë veta mund të merren me shërbesën e krishtere pa interesin personal në të shenjtëruarit që është karakteristikë e atij që i ka drejtuar ata tek Krishti.
4:16 Prandaj Pali i paralajmëron ata të jenë imitues të vetes së tij, pra në përkushtimin joegoist të tij ndaj Krishtit dhe në dashurinë e tij të palodhur dhe shërbesën për shokët e tij besimtarë ashtu siç ai e ka përshkruar në vargjet 9-13.
4:17 Me qëllim që t’i ndihmojë ata për të arritur këtë pikësynim, Pali u dërgoi atyre Timoteun, birin e tij të dashur dhe besnik në Zotin. Timoteu ishte udhëzuar t’u kujtonte atyre udhët e Palit në Krishtin, udhë të cilat ai mësoi në të gjitha Kishat. Pali është duke thënë që ai bën çfarë ai predikoi dhe kjo duhet të jetë e vërtetë për secilin që është në shërbesën e krishtere.
4:18 Kur Pali shpjegoi që ai po u dërgonte Timoteun, ndoshta disa nga kundërshtarët e tij në Korint do të ngriheshin menjëherë për të sugjeruar që Pali ishte i frikësuar të vinte vetë.
4:19 Por ai premton që do të vijë në një të ardhme të afërt, në dashtë Zoti. Kur të vijë, ai do të ekspozojë krenarinë e atyre që mund të flasin lirshëm, por që s’kanë fuqi frymërore.
4:20 Pas së gjithash, ajo është fuqia që ka vlerë, sepse mbretëria e Perëndisë nuk interesohet kryesisht në fjalë por në vepra. Ajo nuk qëndron në profesion por në realitet.
4:21 Mënyra në të cilën Pali u shkon atyre do të varet në vetë ata. Nëse ata tregojnë një frymë rebeluese, ai do t’u vijë me një thupër. Nëse, nga ana tjetër, ata janë të përulur dhe të nënshtruar, ai do të vijë me dashuri dhe zemërbutësi.
B. Imoralitet mes besimtarëve. (Kapitulli 5)
Kapitulli pesë merret me domosdoshmërinë për veprim disiplinor në një kishë kur një nga anëtarët ka kryer mëkat serioz të një natyre publike. Disiplina është e nevojshme për Kishën për të ruajtur karakterin e saj të shenjtë në sytë e botës dhe gjithashtu që Fryma e Shenjtë të mund të punojë e patrishtuar në mes tyre.
5:1 Me sa duket ishte bërë mjaft e dëgjuar që një nga burrat në bashkësinë në Korint kishte kryer kurvëri. Këtu kishte ndodhur një formë mjaft ekstreme e mëkatit, një që madje nuk praktikohej ndër paganët e paperëndishëm. Veçanërisht, mëkati ishte që ky njeri kishte pasur një marrëdhënie seksuale të paligjshme me gruan e babait të vet. Pa dyshim që nëna e tij kishte vdekur dhe babai ishte martuar përsëri. Kështu gruaja e babait të tij, në këtë rast, i referohet njerkës së tij. Ajo ka mundësi të ishte një jobesimtare sepse nuk është thënë asgjë që për të bërë ndonjë veprim kundër saj. Kisha nuk pati juridiksion në rastin e saj.
5:2 Si kishin reaguar të krishterët korintas ndaj gjithë kësaj? Në vend që të zhyteshin në zi të thellë ata ishin krenarë dhe kryelartë. Ndoshta ata ishin krenarë për tolerancën që kishin treguar duke mos disiplinuar shkelësin. Ose ndoshta ata ishin kaq krenarë për teprimin e dhuntive frymërore në Kishë saqë nuk menduan seriozisht për çfarë kishte ndodhur. Ose ndoshta ata ishin të interesuar më shumë në numrat [d.m.th. që shumë njerëz vijnë në Kishë] sesa në shenjtërinë. Ata nuk ishin të çuditur shumë nga mëkati.
Ju u krekosët dhe madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë. Kjo nënkupton nëse besimtarët do të kishin mbajtur qëndrimin e duhur të përulësisë përpara Zotit, vetë Ai do të kishte vepruar në çështjen, duke marrë ndonjë formë të veprimit disiplinor mbi shkelësin. Erdman thotë:
Ata duhet të kishin kuptuar që lavdia e vërtetë e Kishës së krishtere nuk qëndron në artin e të folurit bukur dhe dhuntive të mësuesve të saj të mëdhenj, por në pastërtinë morale dhe jetët shembullore të anëtarëve të saj. {{11}}
5:3 Në kontrast me indiferencën e tyre, apostulli shpall se edhe pse ai nuk ishte aty me trup, përsëri ai kishte gjykuar tashmë çështjen sikur të ishte aty.
5:4 Ai përshkruan Kishën të mbledhur për të marrë vendim kundër shkelësit. Megjithëse ai nuk është i pranishëm me trup, përsëri ai është aty në frymë mbasi ata mblidhen bashkë në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. Zoti Jezus u kishte dhënë autoritet Kishës dhe apostujve të ushtronin disiplinë në gjithë rastet e tilla. Kështu Pali thotë që ai vepronte me fuqinë (ose autoritetin) e Zotit tonë Jezus.
5:5 Vendimi që do të merrte ishte të dorëzonte këtë njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus. Komentuesit nuk janë të një mendimi për kuptimin e kësaj shprehjeje. Disa mendojnë që ajo përshkruan aktin e shkishërimit nga Kisha lokale. Jashtë Kishës është fusha ku mbizotëron Satani (1 Gjo. 5:19). Prandaj të dorëzosh në dorë të Satanit mund të jetë thjesht të largosh nga Kisha. Të tjerë mendojnë që fuqia për të dorëzuar te Satani ishte një fuqi e veçantë e siguruar për apostujt por që nuk ekziston sot.
Përsëri ka një mospërputhje mendimesh për kuptimin e shprehjes prishja e mishit. Shumë mendojnë që ajo përshkruan vuajtje fizike që mund të përdoret nga Perëndia për të thyer fuqinë e epsheve mëkatare dhe zakoneve në jetën e njeriut. Të tjerë mendojnë që prishja e mishit është një përshkrim i një vdekjeje të ngadaltë, e cila do mund t’i japë një njeriu kohë për t’u penduar dhe për t’u kursyer.
Në çdo rast, ne duhet të mos harrojmë që disiplina e besimtarëve gjithmonë llogaritet për të shkaktuar restaurimin e tyre në Zotin. Shkishërimi nuk është kurrë një fund në vetvete, por gjithmonë një hap drejt fundit [restaurimit]. Qëllimi është që fryma të shpëtohet në ditën e Zotit Jezus. Me fjalë të tjera, kjo nuk nënkupton vendimin e mallkimit të përjetshëm të këtij njeriu. Ai disiplinohet nga Zoti në këtë jetë për shkak të mëkatit që ka kryer, por ai do të jetë i shpëtuar në ditën e Zotit Jezus.
5:6 Pali tani qorton korintasit për mburrjen e tyre. Ndoshta ata u shfajësuan duke thënë që kjo gjë ndodhi vetëm njëherë. Ata duhet ta dinin që pak maja e mbrun gjithë brumin. Majaja këtu është një përshkrim i mëkatit moral. Apostulli thotë që nëse ata tolerojnë një mëkat të vogël moral në Kishë, ai shpejt do të rritet dhe zgjerohet derisa gjithë bashkësia të preket seriozisht. Disiplina e drejtë dhe e perëndishme është e nevojshme me qëllim që të ruhet karakteri i Kishës.
5:7 Kështu ata janë të urdhëruar të heqin majanë e vjetër. Me fjalë të tjera, ata duhet të marrin vendim të ashpër kundër së ligës kështu që të mund të jenë një i ri, në kuptimin e brumit të pastër. Më pas, Pali shton: siç jemi pa maja. Perëndia i sheh ata në Krishtin si të shenjtë, të drejtë dhe të pastër. Tani apostulli thotë që gjendja e tyre duhet të korrespondojë me pozicionin e tyre. Përsa i përket pozicionit ata ishin pa maja. Dhe tani përsa i përket praktikës së tyre ata duhet të ishin gjithashtu pa maja. Natyra e tyre duhet të përkonte me emrin e tyre dhe sjellja e tyre me besimin.
Sepse pashka jonë që është Krishti u flijua për ne. Duke menduar për bukën pa maja, mendja e Palit shkon tek Pashka ku, në mbrëmjen e ditës së parë të festës, Judeut i duhej të hiqte gjithë majanë nga shtëpia. Ai shkonte tek majaja e gatimit dhe e pastronte atë. Ai pastronte mirë vendin ku mbahej majaja derisa të mos mbetej asnjë gjurmë e saj. Ai kontrollonte gjithë shtëpinë me një llambë për t’u siguruar që asgjë nuk i kishte shpëtuar. Më pas ai ngrinte duart tek Perëndia dhe thoshte, “Oh Perëndi, unë e kam larguar të gjithë majanë nga shtëpia ime dhe nëse ka ndonjë maja që unë nuk e di, me gjithë zemrën time unë e largoj edhe atë.” Kjo paraqet llojin e ndarjes nga e keqja tek e cila thirret i krishteri sot.
Vdekja e qengjit të Pashkës ishte një lloj i përshkrimit të vdekjes së Zotit tonë Jezu Krisht në kryq. Ky varg është një nga të shumtët në Dh.R. që vendos principin e mësimit tipik. Me anë të kësaj ne duam të themi që personat dhe ngjarjet e Dh.V. ishin lloje ose hije të gjërave që do të vinin më pas. Shumë prej tyre tregonin direkt ardhjen e Zotit Jezus për të larguar mëkatet tona me anë të sakrifikimit të vetvetes.
5:8 Festa këtu nuk i referohet Pashkës apo Darkës së Zotit por për më tepër është përdorur në një mënyrë të përgjithshme për të përshkruar gjithë jetën e besimtarit. Gjithë ekzistenca jonë duhet të jetë një festim gëzimi dhe duhet festuar jo me maja të vjetër mëkati as me maja ligësie dhe keqësie. Ndërsa gëzojmë në Krishtin, ne s’duhet të kemi mendime të këqija për të tjerët në zemrat tona. Nga kjo ne shohim që apostulli Pal nuk fliste për maja të drejtpërdrejtë, si ajo që përdoret për të zënë brumin për bukë, por për më tepër ai ishte duke përdorur majanë në një mënyrë frymërore për të përshkruar mënyrën në të cilën mëkati korrupton atë me të cilin vjen në kontakt. Ne duhet të jetojmë jetët tona me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.
5:9 Tani Pali u shpjegon atyre që më parë ai u kishte shkruar në një letër që ata s’duhet të përziheshin me kurvarë. Fakti që një letër e tillë është e humbur nuk prek aspak burimin e frymëzimit të Biblës. Jo çdo letër që Pali shkroi ishte e frymëzuar, por vetëm ato që Perëndia i kishte parë si të përshtatshme për t’u përfshirë në Bibël.
5:10 Apostulli tani vazhdon të shpjegojë që duke i paralajmëruar ata të mos shoqëroheshin me kurvarë, ai nuk donte të nënkuptonte që ata duhet të ndaheshin plotësisht nga shoqërimi me njerëz të paperëndishëm. Përsa kohë ne jemi në botë, është e nevojshme për ne të kemi punë me njerëz të pashpëtuar, dhe nuk mund të njohim thellësitë e mëkatit të njerëzve të pashpëtuar në të cilat ata kanë zbritur. Për të pasur një jetë plotësisht të izoluar nga mëkatarët duhet të dilni nga bota.
Kështu Pali thotë që ai nuk donte të nënkuptonte aspak një ndarje të plotë nga kurvarët e kësaj bote, ose nga lakmuesit, cubat e idhujtarët. Lakmuesit janë ata që janë fajtorë për pandershmëri në punë apo çështje financiare. P.sh., ndonjë që gjendet fajtor për mashtrim taksash është subjekt për shkishërim për shkak të lakmisë. Cubat janë ata që pasurohen duke përdorur dhunë, p.sh. kërcënime ose kanosje deri në vdekje. Idhujtarët janë ata që janë të dhënë pas adhurimit të ndonjërit ose ndaj çdo gjëje tjetër me përjashtim të Perëndisë së vërtetë dhe që praktikojnë mëkate të tmerrshme, imoralitet, gjëra që lidhen me idhujtarinë.
5:11 Ajo për çfarë Pali me të vërtetë dëshiron t’i paralajmërojë ata është për të mos pasur bashkësi me një të ashtuquajtur vëlla, i cili është futur në ndonjë nga këto mëkate të tmerrshme. Ne mund t’i parafrazojmë fjalët e tij si më poshtë:
Ajo çfarë doja të thoja dhe ajo çfarë po përsëris tani është që ju madje as të mos hani një ushqim të përbashkët me ndonjë të ashtuquajtur të krishterë i cili është sensualisht imoral apo idhujtar, apo sharës, apo pijanec ose shantazhist.
Shpesh është e nevojshme për ne të kemi kontakt me të pashpëtuarit dhe ne mund t’i përdorim këto kontakte për t’u dëshmuar atyre. Ky kontakt nuk është aq i rrezikshëm për besimtarët sesa bashkësia me ata që thonë se janë të krishterë, por që ende jetojnë në mëkat. Ne s’duhet të bëjmë kurrë ndonjë gjë që një person i tillë [i ashtuquajtur vëlla] mund ta interpretojë sikur se ne miratojmë mëkatin e tij.
Listës së mëkatarëve në vargun 10, Pali i shton shpifësin dhe pijanecin në vargun 11. Një shpifës është një njeri i cili përdor një gjuhë të ashpër, të papërmbajtur kundër një tjetri. Por ne mund të shtonim një fjalë paralajmëruese këtu. A duhet të largohet një njeri nga Kisha nëse vetëm në një rast ai rrëmbehet dhe përdor fjalë të pakontrolluara? Ne mendojmë jo, por do të sugjeronim që kjo shprehje i referohet praktikës së zakonshme. Me fjalë të tjera, një shpifës do të ishte ai që është i njohur për një karakter abuziv ndaj të tjerëve. Sidoqoftë, kjo gjë duhet të jetë një paralajmërim për ne, për të ushtruar kontroll mbi gjuhën tonë. Dr. Ironside ka vënë re që shumë njerëz thonë [kur kanë abuzuar kundër një njeriu tjetër me gjuhën], “Më fal, unë thjesht isha i pakujdesshëm me gjuhën time.” Por Dr. Ironside thotë që me këtë qëndrim i njejti person do të thotë [kur ka vrarë një njeri me një armë mekanike], “Më fal, unë thjesht isha i pakujdesshëm me armën time.”
Një pijanec është ai që abuzon në përdorimin e pijeve alkoolike.
A thotë apostulli Pal që ne madje as duhet të hamë bashkë me një të krishterë të tillë i cili merret me këto gjëra? Kjo është pikërisht ajo që vargu mëson! Ne nuk duhet të hamë me të në Darkën e Zotit dhe as që duhet të hamë një ushqim të zakonshëm me të. Por ka edhe përjashtime. P.sh., një grua e krishtere ende mund të jetë e detyruar të hajë me burrin e saj i cili është hequr nga bashkësia. Por rregulli i përgjithshëm, është që të ashtuquajturit besimtarë të cilët jetojnë fajtorë për mëkatet e renditura më lart duhet t’i nënshtrohen izolimit social me qëllim që t’i ngulitet në mendje madhësia e shkeljes së tyre dhe për t’i sjellë ata në pendim. Nëse është kundërshtuar që Zoti hëngri me mëkatarët, ne duhet të vëmë re në dukje që këta njerëz nuk shpallën se ishin ndjekës të Tij dhe duke ngrënë me ta Ai nuk i njohu ata si dishepuj të Tij. Ajo çfarë kjo pjesë mëson është që ne nuk duhet të kemi bashkësi me të krishterët që jetojnë jetë të pandershme.
5:12 Dy pyetjet e Palit në vargun 12 duan të thonë që të krishterët nuk janë përgjegjës për gjykimin e të pashpëtuarve. Njerëzit e liq në botën rreth nesh do të çohen në gjykim nga vetë Zoti një ditë në të ardhmen. Por ne kemi një përgjegjësi përsa i përket gjykimit të atyre që janë brenda kufijve të Kishës. Është detyra e kishës lokale për të ushtruar disiplinë të perëndishme.
Përsëri, nëse është kundërshtuar që Zoti mësoi, “Mos gjykoni që të mos gjykoheni,” ne duhet të përgjigjemi që Ai është duke folur për motivet. Ne nuk duhet të gjykojmë motivet e njerëzve, sepse nuk jemi kompetentë për këtë lloj gjykimi. Por Fjala e Perëndisë është njësoj e qartë, pra ne duhet të gjykojmë mëkatin e njohur në asamblenë e Perëndisë për të ruajtur reputacionin e saj për shenjtërinë dhe për të rregulluar vëllanë shkelës në bashkësinë e tij me Zotin.
5:13 Pali shpjegon që Perëndia do të kujdeset për gjykimin e atyre që janë jashtë, pra të pashpëtuar. Ndërkohë korintasit duhet të ushtrojnë gjykimin që Perëndia u ka besuar atyre duke nxjerrë të ligun nga mesi i tyre. Kjo bën thirrje për një shpallje në publik, në Kishën, që ky vëlla nuk është më në bashkësi. Shpallja duhet bërë me pikëllim të sinqertë dhe përulësi dhe duhet të ndiqet nga lutje të vazhdueshme për restaurimin frymëror të endacakut.
C. Padi mes besimtarëve. (6:1-11)
11 vargjet e para të kapitullit 6 kanë të bëjnë me padi mes besimtarëve. Palit i kishte shkuar lajmi që disa të krishterë do të ngrinin padi kundër shokëve të tyre besimtarë – përpara gjykatësve të kësaj bote. Kështu ai shkruan këto udhëzime që kanë një vlerë të përhershme për Kishën. Vini re përsëritjen e shprehjes, “A nuk e dini ju?” (v 2,3,9,15,16,19).
6:1 Pyetja në fillim shpreh një çudi të madhe që ndonjëri prej tyre mendonte të çonte një vëlla të gjykohej përpara të padrejtëve, pra përpara gjykatësve apo magjistratëve të pashpëtuar. Ai mendon se është e papajtueshme që ata që e dinë drejtësinë e vërtetë të shkojnë përpara njerëzve që nuk karakterizohen nga drejtësia. Mendoni të krishterët duke kërkuar drejtësi nga ata që s’kanë se çfarë të japin!
6:2 Një papajtueshmëri e dytë verbuese është që ata që një ditë do të gjykojnë botën nuk janë të aftë për të gjykuar çështje të parëndësishme [në krahasim me “botën”] që lindin mes tyre. Shkrimet na mësojnë që besimtarët do të mbretërojnë me Krishtin mbi tokë kur Ai kthehet në fuqi dhe lavdi dhe që çështjet e gjykimit do t’u besohen atyre. N.q.s. të krishterët do të gjykojnë botën, a nuk duhet të jenë të aftë ata për të trajtuar ndryshime të parëndësishme që plagosin ata tani?
6:3 Pali u kujton korintasve që ata do të gjykojnë engjëj. Është mjaft befasuese të konsiderosh mënyrën në të cilën apostulli e fut një thënie kaq të rëndësishme në diskutim. Pa mburrje apo fryerje ai shpall faktin e mrekullueshëm që të krishterët një ditë do të gjykojnë engjëjt. Ne dimë nga Juda 6 dhe 2 Pjetrit 2:4,9 që engjëjt do të gjykohen. Ne gjithashtu dimë që Krishti do të jetë gjykatësi (Gjo. 5:22). Është për shkak të bashkimit tonë me Të që thuhet se ne do të gjykojmë engjëjt një ditë në të ardhmen. Nëse ne jemi konsideruar të aftë për të gjykuar engjëjt, ne duhet të jemi të aftë të zgjidhim problemet e përditshme që lindin në këtë jetë.
6:4 Pra n.q.s. keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, a vini ju gjykatës ata që çmohen më pak në Kishë? Gjykatësve të pashpëtuar nuk u jepen vendet e nderit apo respektit nga kisha lokale. Sigurisht, që ata respektohen për punën që bëjnë në botë, por kur vjen fjala për çështjet e Kishës ata nuk kanë ndonjë juridiksion. Kështu Pali i pyet korintasit:
Kur midis jush ngrihen çështje që kërkojnë gjykim të paanshëm të ndonjë grupi të tretë, a dilni ju jashtë kufijve të Kishës dhe kërkoni njerëz për t’ju gjykuar, njerëz që nuk njihen nga Kisha për aftësi në dallimin frymëror?
6:5 Pali e bën këtë pyetje për t’i turpëruar ata. Është e vërtetë që në një asamble që mburrej për urtësinë e saj dhe për dhënie të pasur dhuntish tek anëtarët e saj, asnjë i urtë nuk mund të gjendej për të zgjidhur grindjet në mes të vëllezërve të tyre?
6:6 Në dukje asnjë burrë i urtë nuk ishte në dispozicion, përderisa një vëlla i krishterë po hynte në gjyq kundër vëllait të tij në Krishtin, duke çuar çështjet e familjes përpara botës që nuk besonte. Me të vërtetë një gjendje e vajtueshme!
6:7 Shprehja “gjithsesi është një e keqe për ju” tregon që ata kishin plotësisht gabim në këtë gjë. Ata nuk duhet ta kishin menduar të shkonin në gjyq me njëri-tjetrin. Por ndoshta një nga të krishterët do të kundërshtojë në këtë pikë: “Pal, ti nuk e kupton. Vëlla filani më mashtroi mua në çështjet e biznesit.” Përgjigjja e Palit është: “Përse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?” Kjo duhet të jetë me të vërtetë pikëpamja që duhet të kenë të krishterët. Është shumë më mirë të marrësh një padrejtësi sesa të bësh një të tillë.
6:8 Por kjo nuk ishte pikëpamja mes të krishterëve. Në vend që të ishin të gatshëm për të pranuar një padrejtësi dhe të mashtroheshin, ata ishin duke bërë padrejtësi kundër të tjerëve, madje dhe kundër vëllezërve të tyre në Krishtin.
6:9 A kishin harruar ata që njerëzit, jetët e të cilëve janë në mënyrë karakteristike të padrejta, nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Nëse ata kanë harruar, atëherë ai do t’u kujtojë atyre një listë mëkatarësh të cilët nuk do të kenë pjesë në mbretërinë e Perëndisë. Ai nuk do të thotë që të krishterët mund të praktikojnë mëkate të tilla dhe të jenë të humbur, por për më tepër ai thotë që njerëzit që praktikojnë mëkate të tilla nuk janë të krishterë. {{12}}
Në këtë listë, kurvarët janë të veçuar nga kurorë shkelësit. Këtu kurvëri do të thotë marrëdhënie seksuale të paligjshme të bëra nga ana e një personi të pamartuar, ndërsa shkelja e kurorës nënkupton një sjellje të tillë, por që kryhet nga ana e një personi të martuar. Idhujtarët janë përmendur përsëri, ashtu si në dy listat pararendëse në kapitullin 5. Homoseksualët këtu janë ata që lejojnë trupat e tyre të përdoren në një mënyrë të shtrembëruar, të korruptuar, ndërsa të zhburrëruarit janë ata që praktikojnë këtë gjë mbi të tjerët.
6:10 Listës i shtohen vjedhësit, lakmuesit, pijanecët, përqeshësit dhe grabitësit. Vjedhësit janë ata që marrin atë që nuk u përket atyre. Vini re që mëkati i lakmisë renditet gjithmonë mes veseve më të liga. Megjithëse njerëzit mund të shfajësohen për të dhe të mos e marrin seriozisht lakminë, Perëndia e dënon atë fuqishëm. Një lakmues ka një dëshirë të tepruar për zotërime gjërash që shpesh e çojnë atë të përdorë mënyra të padrejta për t’i shtënë ato në dorë. Pijanecët, siç është thënë më parë, janë kryesisht ata që jepen pas përdorimit të alkoolit. Përqeshësit janë ata që abuzojnë kur flasin për të tjerët. Grabitësit janë ata që përfitojnë nga varfëria apo nevoja e të tjerëve, për të siguruar përfitime të mëdha.
6:11 Pali nuk nënkupton që këto mëkate praktikoheshin nga besimtarët korintas, por ai i paralajmëron ata që gjëra të tilla i karakterizonin ata përpara se të ishin të shpëtuar – të tillë ishin disa nga ju. Por ata u pastruan dhe u shfajësuan dhe u shenjtëruan. Ata u pastruan nga mëkatet e tyre dhe nga papastërtitë nëpërmjet gjakut të çmuar të Krishtit dhe ishin vazhdimisht duke u pastruar nga ndotjet nëpërmjet Fjalës së Perëndisë. Ata u shenjtëruan me anë të veprimit të Frymës së Perëndisë, duke u veçuar nga bota për Perëndinë. Ata u shfajësuan në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë; pra ata u llogaritën të drejtë përpara Perëndisë në bazë të veprës së Zotit Jezus në kryq. Cili është argumenti i Palit këtu? Është thjesht ky, për të cilën është shprehur mjaft mirë F.L. Godet: “Një humnerë e tillë e pafund që kalohet me anë të hirit të pamasë nuk duhet të rikalohet [d.m.th. mos bëj këto mëkate përsëri].”
D. Shthurje morale mes besimtarëve. (6:12-20)
6:12 Në vargjet përfundimtare të këtij kapitulli apostulli shtron disa principe mbi gjykimin e së drejtës dhe të padrejtës. Principi i parë është që një gjë mund të jetë e lejueshme, por përsëri nuk ndihmon. Kur Pali thotë, “Çdo gjë më lejohet,” ai nuk nënkupton çdo gjë në kuptimin e plotë të fjalës. P.sh., nuk është e lejueshme për Palin të kryejë ndonjë nga mëkatet e përmendura më lart. Ai këtu është duke folur vetëm për ato gjëra që janë moralisht të parëndësishme. P.sh., një çështje kritike në kohën e Pali ishte: A duhet të hajë një njeri mish derri? Pali thjesht thotë që disa gjëra mund të jenë të lejueshme, por përsëri nuk sjellin fitim. Mund të ketë disa gjëra që do të ishin të lejueshme për mua, por nëse dikush tjetër do më shihte mua duke i bërë ato gjëra, ndoshta ai do të pengohej. Në një rast të tillë, kryerja e atij veprimi s’do të ishte krejtësisht e përshtatshme për mua.
Principi i dytë është që disa gjëra mund të jenë të lejueshme dhe përsëri ato mund të jenë skllavëruese. Pali thotë: “Unë nuk do t’i nënshtrohem asnjërës.” Kjo ka një mesazh të drejtpërdrejtë sot në lidhje me çështjet e pijes, duhanit, dhe drogës. Këto gjëra ashtu si dhe shumë të tjera, janë skllavëruese dhe një i krishterë s’duhet ta lejojë veten që të vihet nën zinxhirë.
6:13 Një princip i tretë është që disa gjëra janë në mënyrë të përsosur të lejueshme për besimtarët, por vlera e tyre është e përkohshme. Pali thotë: “Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë.” Kjo do të thotë që barku njerëzor është krijuar në mënyrë të tillë që të marrë gjellë dhe t’i tresë. Po kështu Perëndia, ka krijuar ushqimet në mënyrë të tillë që ato të mund të merren nga stomaku njerëzor. Por, ne nuk duhet të jetojmë për ushqimet, sepse ato kanë vlerë të përkohshme. Atyre nuk duhet t’u jepet një vend i tepruar në jetën e besimtarit. Mos jeto sikur gjëja më e madhe në jetën tënde është të kënaqësh orekset e tua.
Megjithëse trupi është krijuar në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia për marrjen dhe përvetësimin e ushqimeve, një gjë është e sigurt: trupi nuk është për kurvëri por për Zotin, dhe Zoti për trupin. Kur planifikoi trupin njerëzor Perëndia nuk pati kurrë ndërmend që ai të përdorej për qëllime të liga dhe të papastra. Për më tepër Ai planifikoi që të përdoret për lavdinë e Zotit dhe në shërbesën e Tij të bekuar.
Ka diçka të mrekullueshme në këtë varg për të cilën duhet të vëmë re. Jo vetëm që trupi është për Zotin, por akoma më i mrekullueshëm është mendimi që Zoti është për trupin. Kjo do të thotë që Zoti është i interesuar për trupat tanë, për mirëqenien e tyre dhe për përdorimin e duhur të tyre. Perëndia i do trupat tanë t’i paraqiten Atij si një fli i gjallë, i shenjtë dhe i pranueshëm (Rom. 12:1). Ashtu si Erdman thotë: “Pa Zotin, trupi s’mund të arrijë kurrë dinjitetin e tij të vërtetë dhe fatin e tij të pavdekshëm.” {{13}}
6:14 Fakti që Zoti është për trupin është shpjeguar më tepër në këtë varg. Perëndia jo vetëm që ka ringjallur Zotin Jezus prej së vdekurish, por Ai do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e Tij. Interesi i Tij mbi trupat tanë nuk mbaron në kohën e vdekjes. Ai do ta ringjallë trupin e çdo besimtari për ta paraqitur atë si trupi i lavdishëm i Zotit Jezus. Ne s’do jemi frymë pa trup në përjetësi. Për më tepër, fryma dhe shpirti ynë do të bashkohen me trupin tonë të lavdishëm, për të gëzuar përgjithmonë lavditë e qiellit.
6:15 Për të theksuar më tepër nevojën për pastërti personale në jetët tona dhe për të ruajtur trupat tanë nga papastërtia, apostulli na kujton ne që trupat tanë janë gjymtyrë të Krishtit. Çdo besimtar është një gjymtyrë e trupit të Krishtit. A do të ishte e përshtatshme atëherë të marrësh gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bësh gjymtyrë të një kurve? Të pyesësh do të thotë të përgjigjesh kështu (siç Pali bën), “Mos qoftë ashtu!”
6:16 Në aktin e bashkimit seksual, dy trupa bëhen një. Kështu u tha në fillim të krijimit: për këtë arsye “të dy,” thotë Ai, “do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24). Nëse është kështu, n.q.s. një besimtar bashkohet me një kurvë, do të ishte njësoj si ta bëje një gjymtyrë të Krishtit gjymtyrë të një kurve. Të dy bëhen një trup.
6:17 Ashtu si në veprimin fizik është një bashkim i dyve në një, po kështu kur një person beson në Zotin Jezus Krisht dhe është bashkuar me Të, besimtari dhe Krishti bashkohen aq sa ata quhen si një frymë. Ky është bashkimi më i përsosur i mundshëm midis dy personave. Është lloji më i afërt i një bashkimi. Prandaj argumenti i Palit është që ata që janë bashkuar me Krishtin s’duhet të tolerojnë kurrë me ndonjë lloj bashkimi që do të ishte në kundërshtim me këtë lidhje martesore frymërore.
A.T.Pierson shkruan:
Një dele mund të bredhë larg bariut dhe dega të këputet nga hardhia; gjymtyra të prihet nga trupi, fëmija të largohet nga babai dhe madje dhe gruaja të ndahet nga burri; por kur dy frymë shkrihen në një, çfarë mund t’i ndajë ato? {{14}}
6:18 Dhe kështu apostulli paralajmëron korintasit të largohen nga kurvëria. Ata s’duhet të merren me të, të zbaviten me të, ta studiojnë atë e madje të flasin për të. Ata duhet të largohen nga ajo! Një ilustrim i mrekullueshëm i Biblës për këtë gjendet në historinë e Jozefit kur ai ishte tunduar për të mëkatuar me gruan e Potifarit (Zanafilla 39). Ndonjëherë në luftë ka më shumë siguri në arratisje sesa në numrin e ushtarëve!
Më pas Pali shton: “Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, por ai që kurvëron mëkaton kundër trupit.” Shumica e mëkateve nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në trup, por kurvëria është e vetme në kuptimin që ndikon direkt trupin e dikujt; një person korr pasojat e këtij mëkati në trupin e tij. Vështirësia është se vargu thotë që çdo mëkat që njeriu kryen është jashtë trupit. Por ne besojmë që apostulli këtu flet në një mënyrë të krahasuar. Ndërsa është e vërtetë që pija dhe grykësia p.sh., ndikojnë trupin e njeriut, shumica e mëkateve nuk e ndikojnë atë. Dhe madje as grykësia e as pija nuk ndikojnë trupin aq drejtpërdrejt, aq gjerësisht dhe në mënyrë aq shkatërruese sa imoraliteti. Seksi jashtë martese punon në mënyrë të paevitueshme dhe të papërballueshme duke shkatërruar shkelësin.
6:19 Përsëri Pali u kujton korintasve që thirrja e tyre ishte një thirrje e shenjtë dhe dinjitoze. Vallë kishin harruar që trupat e tyre ishin një tempull i Frymës së Shenjtë? Kjo është e vërteta solemne e Shkrimit që çdo besimtar është i banuar nga Fryma e Shenjtë. Si mund të mendojmë ndonjëherë ne të marrim një trup në të cilin banon Fryma e Shenjtë dhe ta përdorim për qëllime të këqija? Trupi ynë jo vetëm që është një altar i Frymës së Shenjtë, por për më tepër, ne nuk i përkasim vetvetes. Nuk na takon ne t’i përdorim trupat siç dëshirojmë. Pas një analize përfundimtare, ata nuk na përkasin ne; ata i përkasin Zotit.
6:20 Ne jemi të Zotit, si me anë të krijimit ashtu dhe të shpengimit. Ky i fundit këtu është marrë parasysh në mënyrë të veçantë. Zotërimi ynë nga ana e Zotit na çon pas në Kalvar. Ne u blemë me një çmim. Në kryq, ne shohim vlerën që Zoti Jezus caktoi mbi ne. Ai na vlerësoi ne aq shumë saqë dëshiroi të paguante për ne me çmimin e gjakut të Tij të çmuar. Sa shumë duhet të na ketë dashur Jezusi ne, që mbarti mëkatet tona në trupin e Tij në kryq!
Duke qenë kjo çështja unë s’mund ta mendoj më trupin si timin. N.q.s. unë e marr dhe e përdor atë në mënyrë që dëshiroj, atëherë unë veproj si vjedhës, duke marrë atë që s’më takon mua. Për më tepër unë duhet ta përdor trupin tim për të përlëvduar Perëndinë të cilit unë i përkas.
Bates tha:
Kokë! Mendo për Atë, balli i të cilit ishte rrethuar me gjemba. Duar! Rrobtohuni për Atë, duart e të cilit u gozhduan në kryq. Këmbë! Shpejtoni pas urdhërit të Atij, këmbët e të cilit u shtrënguan me dhembje të patregueshme. {{15}}
Ne duhet të përlëvdojmë Perëndinë edhe në frymën tonë përderisa si pjesët materiale ashtu edhe ato jo materiale të njeriut, janë të Perëndisë. {{16}}
[[1]] (1:18) Albert Barnes, Notes on the New Testament, 1 Corinthians, fq 14.[[1]] [[2]] (1:19) S. Lewis Johnson, “First Corinthians,” The Wycliffe Bible Commentary, fq 1232.[[2]] [[3]] (1:27) Erich Sauer, The Dawn of World Redemption, fq 91.[[3]] [[4]] (1:30) Robert Traill, The Works of Robert Traill, Vol. 2, Edinburgh: Banner of Truth Trust, reprinted 1975, fq 234.[[4]] [[5]] (1:30) Arthur T. Pierson, The Ministry of Keswick, First Series, fq 104.[[5]] [[6]] (2:14) Vance Havner.[[6]] [[7]] (3:9) Charles R. Erdman, The First Epistle of Paul to the Corinthians, fq 40.[[7]] [[8]] (3:15) E. W. Rogers, Concerning the Future, fq 77.[[8]] [[9]] (3:18) Frederic L. Godet, Commentary on First Corinthians, fq 195.[[9]] [[10]] (4:8) H. P. Barker, Coming Twice, fq 80.[[10]] [[11]] (5:2) Erdman, First Corinthians, fq 55.[[11]] [[12]] (6:9) Disa bëjnë një ndarje midis “hyrjes” në mbretëri dhe “trashëgimit” të mbretërisë. Ata mësojnë që një besimtar mund të ketë një mëkat që nuk e lufton dot në jetën e tij dhe përsëri të jetë i shpëtuar. Ai mund të “hyjë” në mbretëri, por do të ketë pak ose nuk do të ketë fare trashëgim ose shpërblim. Megjithatë kjo pjesë merret me të padrejtin, d.m.th., me të parilindurin.[[12]] [[13]] (6:13) Erdman, First Corinthians, fq 63.[[13]] [[14]] (6:17) A. T. Pierson, Knowing the Scriptures, fq 147[[14]] [[15]] (6:20) Edward Herbert Bates, Spiritual Thoughts from the Scriptures of Truth, fq 137[[15]] [[16]] (6:20) Teksti NU lë jashtë referencën ndaj frymës këtu.[[16]]