Psalmi 94

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Thirrje drejtësisë së Perëndisë kundër njerëzve të këqij

94:1 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

94:2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

94:3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

94:4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

94:5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

94:6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

94:7 dhe thonë: “Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton”.

94:8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

94:9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

94:10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t`i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

94:11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

94:12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

94:13 për t`i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t`i hapet gropa të pabesit.

94:14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

94:15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t`i shkojnë pas.

94:16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

94:17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

94:18 Kur thashë: “Këmba ime ngurron”, mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

94:19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

94:20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

94:21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

94:22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

94:23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t`i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t`i shkatërrojë.