Përgjigjja e Palit ndaj mohuesve të ringjalljes (1 Korintasve 15)

Ky është kapitulli i madh i ringjalljes. Disa mësues kishin hyrë në Kishën e Korintit dhe mohonin mundësinë e ringjalljes trupore. Ata nuk mohonin faktin e jetës pas vdekjes, por me sa duket mendonin që ne thjesht do të jemi qenie frymërore dhe s’do të kemi trupa në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Apostulli këtu jep përgjigjen e tij klasike ndaj këtyre mohimeve.

A. Siguria e Ringjalljes. (15:1-34)

15:1,2 Pali u kujton atyre lajmin e mirë të cilin ua kishte shpallur, atë që ata e kishin marrë dhe mbi të cilin ata qëndronin. Kjo nuk ishte një doktrinë e re për korintasit, por ishte e nevojshme që ata ta kujtonin këtë gjë në një kohë të tillë kritike. Ishte ky Ungjill me anë të të cilit korintasit ishin shpëtuar. Më pas Pali shton fjalët: nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Ishte prej Ungjillit të ringjalljes që ata u shpëtuan – dhe sigurisht, nëse s’do të kishte ringjallje, në këtë rast ata s’do të ishin shpëtuar aspak. Fjala nëse në këtë pjesë nuk shpreh ndonjë dyshim përsa i përket shpëtimit të tyre dhe as nuk mëson që ata ishin shpëtuar nga këmbëngulja. Për më tepër, Pali është duke thënë që nëse nuk ka ringjallje, atëherë ata s’ishin aspak të shpëtuar. Me fjalë të tjera, ata që mohonin ringjalljen trupore ishin duke lëshuar një goditje ballore ndaj gjithë të vërtetës së Ungjillit. Për Palin, ringjallja ishte themelore. Pa të, s’kishte krishterim. Kështu ky varg është një nxitje për korintasit për të shtrënguar fort Ungjillin që kishin marrë megjithëse ishin shumë goditje që bëheshin vazhdimisht kundër tij.

15:3 Pali u kishte transmetuar korintasve mesazhin që edhe ai e kishte marrë me anë të zbulimit hyjnor. Doktrina e parë themelore e atij mesazhi ishte që Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve. Kjo thekson karakterin zëvendësues të vdekjes së Krishtit. Ai nuk vdiq për mëkatet e veta, ose si një dëshmor; Ai vdiq për mëkatet tona. E gjithë kjo ishte sipas Shkrimeve. Shkrimet këtu i referohet Shkrimeve të Dhjatës së Vjetër, përderisa Dhjata e Re nuk ishte ende në formën e shkruar. A parashikonin me të vërtetë Shkrimet e Dh.V. që Krishti do të vdiste për mëkatet e njerëzve? Përgjigjja është një “Po” e fuqishme. Isaia 53, vargjet 5 dhe 6, janë një provë e mjaftueshme për këtë.

15:4 Varrimi i Krishtit u profetizua nga Isaia 53:9 dhe ringjallja e Tij në Psalmin 16:9,10. Është e rëndësishme të vëmë re se si Pali thekson dëshminë e Shkrimeve. Kjo duhet të jetë gjithmonë prova e të gjitha çështjeve që lidhen me besimin tonë: “çfarë thonë Shkrimet?”

15:5 Në vargjet 5-7 ne kemi një listë të atyre që ishin dëshmitarë okularë të ringjalljes. Para së gjithash, Zoti iu shfaq Kefës (Pjetrit). Në të vërtetë kjo është mjaft prekëse. I njëjti apostull besimpak që mohoi Zotin e tij tre herë, ka privilegjin të shohë një shfaqje private të të njëjtit Zot në ringjallje. Me të vërtetë, sa i madh është hiri i Zotit Jezus Krisht! Pastaj Zoti iu shfaq të 12 dishepujve. Në fakt të dymbëdhjetët nuk ishin të gjithë bashkë në këtë kohë, por shprehja të dymbëdhjetët përdorej për të treguar trupin e dishepujve edhe pse jo i plotë në ndonjë rast të veçantë. Duhet thënë që jo të gjitha shfaqjet që janë vendosur në Ungjijtë janë përmendur në këtë listë. Fryma e Perëndisë zgjedh ato shfaqje të ringjalljes së Krishtit që janë më të përshtatëshme për t’u përdorur nga Ai.

15:6 Shfaqja e Zotit tek më shumë se pesëqind vëllezërve besohet se ka ndodhur në Galile. Në kohën që Pali shkroi, shumica e këtyre vëllezërve jetonin ende, edhe pse disa kishin shkuar të ishin me Zotin. Me fjalë të tjera, nëse dikush dëshironte të provonte vërtetësinë e asaj që Pali thoshte, dëshmitarët ishin ende gjallë dhe mund të pyeteshin.

15:7 Nuk kemi si ta dimë se për kë Jakob flitet këtu, megjithëse shumica e komentuesve mendojnë se ishte gjysmë-vëllai i Zotit. Vargu 7 gjithashtu na tregon ne që Zoti iu shfaq të gjithë apostujve.

15:8 Pali më pas flet për njohjen e tij personale me Krishtin e ringjallur. Kjo gjë ndodhi në rrugën për në Damask, kur ai pa një dritë të fuqishme nga qielli dhe takoi Krishtin e lartësuar ballë për ballë. Si në dështimit do të thotë një abort apo një lindje e parakohshme. W.E.Vine e shpjegon këtë gjë të tillë që përsa i përket kohës Pali flet për vetveten si inferior ndaj pjesës tjetër të apostujve, ashtu si dhe një lindje parakohe privohet nga lindja në kohën e caktuar. Ai e përdor këtë si një termë të vetëqortimit në pikëpamje të së kaluarës së tij si një persekutues i Kishës.

15:9 Kur apostulli mendon për privilegjin e takimit të Shpëtimtarit ballë për ballë, ai mbushet me një frymë pavlerësie. Ai mendon se si e kishte përndjekur Kishën e Perëndisë dhe se si, pavarësisht nga kjo, Zoti e thirri atë të jetë një apostull. Prandaj ai e ul veten e tij poshtë si më i vogli i apostujve dhe i padenjë për t’u quajtur apostull.

15:10 Ai nxiton të thotë që çfarëdo që ai është tani, është me anë të hirit të Perëndisë. Dhe ai nuk e pranoi këtë hir si një fakt të zakonshëm. Për më tepër hiri e vendosi atë nën detyrim më të thellë dhe ai punoi pa u lodhur për t’i shërbyer Krishtit që e shpëtoi. E përsëri në një kuptim të vërtetë nuk ishte vetë Pali, por hiri i Perëndisë që punonte me të.

15:11 Tani Pali e bashkon veten me apostujt e tjerë dhe thotë që s’kishte rëndësi se cili prej tyre predikonte, ata ishin të gjithë të bashkuar në dëshminë e tyre përsa i përket Ungjillit dhe veçanërisht përsa i përket ringjalljes së Krishtit.

15:12 Në vargjet 12-19, Pali rendit pasojat e mohimit të ringjalljes trupore. Para së gjithash, do të nënkuptonte që vetë Krishti s’është ringjallur. Logjika e Palit këtu nuk kundërvihet. Disa thoshin që ringjallja trupore nuk ekziston. Mirë, thotë Pali, nëse është kështu, atëherë Krishti s’është ringjallur. A dëshironi ju korintas të lejoni këtë gjë? Sigurisht që jo. Për të provuar mundësinë e një fakti, gjithçka që duhet të bëni është të vërtetoni që ajo gjë ka ndodhur njëherë. Për të provuar faktin e ringjalljes trupore, Pali dëshiron ta bazojë çështjen e tij mbi faktin e thjeshtë që Krishti është ringjallur tashmë prej së vdekurish.

15:13 N.q.s. nuk ka ringjallje të të vdekurve, atëherë si pasojë Krishti nuk u ringjall. Një përfundim i tillë do t’i përfshinte korintasit në një dëshpërim të pashpresë.

15:14 Por n.q.s. Krishti nuk është ringjallur, atëherë predikimi i apostujve do të ishte i kotë, ose pa thelb. Pse do të ishte i kotë? Para së gjithash, sepse Zoti Jezus kishte premtuar që Ai do të ringjallej nga të vdekurit në të tretën ditë. Nëse Ai nuk u ringjall në atë kohë, atëherë Ai ishte një i vetquajtur ose i gabuar. Në çdo rast, Ai s’do të ishte i denjë për t’u besuar. Së dyti, pa ringjalljen e Krishtit, s’do të kishte shpëtim. Nëse Zoti Jezus nuk u ringjall prej së vdekurish atëherë s’do të kishim se si ta dinim që vdekja e Tij ishte më e vlefshme sesa vdekja e çdo personi tjetër. Por duke e ngritur Atë prej së vdekurish, Perëndia provoi faktin që Ai ishte plotësisht i kënaqur me veprën shlyese të Krishtit.

Në fakt, nëse mesazhi apostullor ishte i rremë, atëherë dhe besimi do të ishte i kotë. Atëherë s’do të kishte vlerë në të besuarit e mesazhit që ishte i rremë apo i kotë.

15:15 S’do të ishte thjesht një çështje që apostujt ishin duke shpallur një mesazh të rremë; në të vërtetë do të thoshte që ata ishin duke dëshmuar kundër Perëndisë. Ata dëshmuan për Perëndinë, se Ai ringjalli Krishtin nga të vdekurit. Nëse Perëndia nuk do e kishte bërë këtë, atëherë apostujt kishin sjellë dëshmi të rreme kundër Tij.

15:16 N.q.s. ringjallja është një pamundësi e plotë, atëherë s’mund të ketë përjashtim për të. Nga ana tjetër, nëse ringjallja ka ndodhur njëherë, p.sh. në rastin e Krishtit, atëherë ajo s’mund të mendohet më si pamundësi.

15:17 N.q.s. Krishti nuk është ringjallur, besimi i besimtarëve është i kotë dhe pa fuqi. Dhe s’ka falje mëkatesh. Kështu të hedhësh poshtë ringjalljen do të thotë të hedhësh poshtë vlerën e veprës së Krishtit.

15:18 Përsa i përket atyre që kanë vdekur duke besuar në Krishtin, rasti i tyre do të ishte plotësisht i pashpresë. Nëse Krishti nuk do të ishte ringjallur, atëherë besimi i tyre do të ishte një gjë e pavlerë. Shprehja që fjetën i referohet trupave të besimtarëve. Fjetja s’është përdorur kurrë për shpirtin në Dh.R.. Shpirti i besimtarit largohet për të qenë me Krishtin në kohën e vdekjes, ndërkohë që trupi thuhet se fle në varr.

Gjithashtu ne duhet të themi diçka në lidhje me fjalën të humbur. Kjo fjalë kurrë s’do të thotë shfarosje apo zhdukje të të qenurit. Siç e ka theksuar dhe W.E.Vine, nuk është humbje e të qenurit, por për më tepër humbje e të mirë-qenurit. Ajo flet për rrënim përsa i përket qëllimit për të cilin një njeri apo një gjë ishte krijuar.

15:19 N.q.s. Krishti nuk është i ringjallur, atëherë besimtarët që janë gjallë janë në një gjendje aq të keqe sa edhe ata që kanë vdekur. Edhe ata janë të gënjyer. Ata janë më të mjerët e të gjithë njerëzve. Këtu Pali pa dyshim që është duke menduar për hidhërimet, vuajtjet, gjyqet, persekutimet ndaj të cilave të krishterët ishin të ekspozuar. Të vuash gjëra të tilla për një çështje të rreme do të ishte me të vërtetë budallallëk.

15:20 Gjithë ky tension bie kur Pali shpall në mënyrë triumfuese faktin e ringjalljes së Krishtit dhe të pasojave të bekuara që vijnë më pas. Por tani Krishti u ringjall prej së vdekurish,… fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Ka një dallim në Shkrime midis ringjalljes së të vdekurve dhe ringjalljes prej së vdekurit. Vargjet e mëpasshme kanë të bëjnë me ringjalljen e të vdekurit. Me fjalë të tjera, Pali ka diskutuar në një mënyrë të përgjithshme që i vdekuri me të vërtetë ringjallet. Por Krishti u ringjall prej së vdekurish. Kjo do të thotë që kur Ai u ringjall, nuk u ringjallën të gjithë të vdekurit. Në këtë kuptim ishte një ringjallje e kufizuar. Çdo ringjallje është një ringjallje e të vdekurit, por vetëm ajo e Krishtit dhe e besimtarëve është një ringjallje prej mesit të njerëzve të vdekur.

15:21 Ishte me anë të njeriutvdekja erdhi fillimisht në botë. Ky njeri ishte Adami. Nëpërmjet mëkatit të tij, vdekja erdhi mbi gjithë njerëzit. Perëndia dërgoi Birin e Tij në botë si një Njeri me qëllim që të zhbënte punën e njeriut të parë dhe për t’i ngritur besimtarët në një gjendje bekimi të tillë që ata s’do të mund ta kishin njohur kurrë në Adamin. Kështu pra ishte me anë të Njeriut Jezu Krisht që erdhi ringjallja e të vdekurve.

15:22 Adami dhe Krishti janë paraqitur si krerë federalë. Kjo do të thotë që ata vepruan për njerëzit e tjerë. Dhe të gjithë që janë të lidhur me ta ndikohen nga veprimet e tyre. Të gjithë që kanë ardhur nga Adami vdesin. Kështu të gjithë do të ringjallen në Krishtin. Ndonjëherë ky varg merret sikur mëson shpëtimin universal. Është diskutuar që të njëjtët që vdesin në Adamin, do të ringjallen në Krishtin, dhe që të gjithë do të shpëtohen në të vërtetë. Por kjo nuk është ajo çfarë thotë vargu. Shprehjet kyçe janë në Adamin dhe në Krishtin. Të gjithë që janë në Adamin vdesin. Të gjithë që janë në Krishtin do të ringjallen, pra, vetëm besimtarët në Zotin Jezus Krisht do të ringjallen prej së vdekurish për të banuar përjetësisht me Të. Të gjithë ata që do të ringjallen, është përcaktuar në vargun 23 si ata që janë të Krishtit në Ardhjen e Tij. Nuk përfshihen armiqtë e Krishtit, sepse ata do të vendosen nën këmbët e Tij (v 25), që, siç ka thënë dikush, është një emër i çuditshëm [këmbët e Tij] për qiellin [ironia përdoret këtu kundër atyre që besojnë që të gjithë shpëtohen].

15:23 Më pas ne kemi grupet ose klasat e përfshira në ringjalljen e parë. E para është ringjallja e vetë Krishtit. Këtu flitet si fruti i parë. Fruti i parë ishte një grusht gruri i pjekur nga fusha e korrjes përpara se të fillonte korrja e vërtetë. Ai ishte një paradhënie, një garanci, një parashije e asaj që do të vinte më pas. Shprehja nuk nënkupton me domosdoshmëri që Krishti ishte i pari për t’u ringjallur. Ne kemi raste ringjalljeje në Dh.V., dhe rastet e Llazarit, birit të së vesë, të bijës së Jairit në Dh.R.. Por ringjallja e Krishtit ishte e ndryshme nga të gjitha këto në atë që, ndërsa ata u ringjallen për të vdekur përsëri, Krishti u ringjall për të mos vdekur më. Ai u ringjall për të jetuar në fuqinë e një jete pa fund. Ai u ringjall me një trup të përlëvduar.

Grupi i dytë në ringjalljen e parë është përshkruar si ata që janë të Krishtit në ardhjen e Tij. Kjo përfshin ata që do të ringjallen në kohën e Rrëmbimit të Kishës dhe gjithashtu ata besimtarë që do të vdesin gjatë Mjerimit të madh dhe do të ringjalljen në fund të asaj kohe mjerimi, kur Krishti të kthehet për të mbretëruar. Ashtu siç ka faza në Ardhjen e Krishtit, kështu do të ketë faza në ringjalljen e të shenjtëve të Tij. Ringjallja e parë nuk përfshin të gjithë ata që kanë vdekur, por vetëm ata që kanë vdekur me besim në Krishtin.

Disa mësojnë që vetëm ata të krishterë që kanë qenë besnikë ndaj Krishtit, ose ata që kanë qenë fitimtarë do të ringjallen në atë kohë, por Shkrimet mjaft qartë e hedhin poshtë këtë gjë. Të gjithë ata që janë të Krishtit do të ngjallen në Ardhjen e Tij.

15:24 Shprehja pastaj do të vijë fundi, ne besojmë se i referohet fundit të ringjalljes. Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, kur Ai do të ketë vënë poshtë të gjithë armiqtë e Tij, do të ndodhë ringjallja e të vdekurve të liq. Kjo është ringjallja e fundit që do të ndodhë. Të gjithë që kanë vdekur pa besuar do të qëndrojnë përpara gjykimit të Fronit të Madh të Bardhë për të dëgjuar dënimin e tyre.

Pas Mijëvjeçarit dhe shkatërrimit të Satanit (Zbu. 20:7-10), Zoti Jezus do t’i dorëzojë mbretërinë Perëndisë At. Në atë kohë Ai do të ketë hequr çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Deri në këtë kohë Zoti Jezu Krisht ka mbretëruar si Bir i njeriut, duke shërbyer si Ndërmjetësi i Perëndisë. Në fund të mbretërimit mijëvjeçar, qëllimet e Perëndisë në tokë do të jenë plotësuar në mënyrë të përsosur. Të gjitha kundërshtimet do të jenë hedhur poshtë dhe të gjithë armiqtë shkatërruar. Atëherë mbretërimi i Krishtit si Bir i njeriut do t’i japë rrugë mbretërisë së përjetshme në qiell. Mbretërimi i Tij si Bir i Perëndisë në qiell do të vazhdojë përgjithmonë.

15:25 Vargu 25 thekson atë që sapo është thënë, që mbretërimi i Krishtit do të vazhdojë derisa çdo gjurmë rebelimi dhe armiqësie të jetë nënshtruar.

15:26 Madje edhe gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, njerëzit do të vazhdojnë të vdesin, veçanërisht ata që në mënyrë të hapur ngrenë krye kundër Zotit. Por në gjykimin e Fronit të Bardhë, vdekja dhe Hadesi do të flaken në Liqenin e Zjarrit.

15:27 Perëndia ka deklaruar që të gjitha do të vendosen nën këmbët e Jezusit. Sigurisht, në vendosjen e të gjithave nën Të, Perëndia në mënyrë të qartë përjashton Veten. Vargu 27 është më tepër i vështirë për t’u ndjekur sepse nuk është e qartë se kujt i takon çdo përemër. Ne mund ta paraqesim si më poshtë këtë varg: “Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e Krishtit. Por kur Perëndia thotë se çdo gjë i është nënshtruar Krishtit, është e qartë se përjashtohet Perëndia që ia ka nënshtruar çdo gjë Krishtit.”

15:28 Madje edhe pasi gjithçka t’i jetë nënshtruar Birit, vetë Ai do të vazhdojë t’i nënshtrohet Perëndisë përgjithmonë.

Perëndia e ka bërë Krishtin drejtuesin dhe administratorin e gjithë planeve dhe të fshehtave të Tij. Gjithë autoriteti dhe fuqia janë vendosur në duart e Tij. Është një kohë që po vjen kur Ai do të japë një llogari për administrimin që i është caktuar Atij. Pasi të ketë sjellë çdo gjë nën nënshtrimin ndaj vetvetës, Ai do t’ia kthejë mbretërinë Atit. Krijimi do t’i kthehet Perëndisë në një gjendje të përsosur. Duke pasur të kryer veprën e Tij të shpengimit dhe të restaurimit për të cilën Ai u bë Njeri, Ai do të mbajë vendin e nënshtrimit që mori në Mishërim. Nëse Ai do të pushonte të jetë njeri pasi të kryente gjithçka që Perëndia synoi dhe projektoi, ajo urë që lidh Perëndinë dhe njeriun do të jetë zhdukur. (E zgjedhur)

15:29 Vargu 29 është ndoshta një nga më të vështirët në të gjithë Biblën. Shumë shpjegime janë afruar për të. P.sh., besohet nga disa që besimtarët që jetojnë mund të pagëzohen për ata që kanë vdekur pa bërë këtë gjë. Një kuptim i tillë është plotësisht i huaj për Shkrimet. Ai bazohet në një varg të vetëm dhe duhet të kundërshtohet, sepse nuk ka mbështetjen e pjesëve të tjera të Shkrimit. Të tjerët besojnë që pagëzimi për të vdekurit do të thotë që në pagëzim ne e llogarisim veten tonë si të vdekur. Ky është një kuptimi i mundshëm, por nuk përputhet shumë mirë me kontekstin.

Interpretimi që duket se i përshtatet më mirë kontekstit është ky: Në kohën që Pali shkroi, kishte një persekutim të egër kundër atyre që pranonin publikisht Krishtin. Ky persekutim ishte veçanërisht i ashpër në kohën e pagëzimit të tyre. Shpesh ndodhte që ata që shpallnin publikisht besimin e tyre vriteshin menjëherë aty. Por, a i ndaloi kjo gjë të tjerët të shpëtoheshin dhe të merrnin pjesë në pagëzim? Aspak. Dukej sikur gjithmonë kishte zëvendësues të rinj që vinin për të mbushur radhët e atyre që binin martirë. Kur ata bënin një hap drejt ujërave të pagëzimit, në një kuptim të vërtetë ata pagëzoheshin për, ose në vend të (greqisht: huper)vdekurit. Kështu të vdekurit këtu i referohet atyre që vdiqën si rezultat i dëshmisë së tyre të guximshme për Krishtin. Tani argumenti i apostullit këtu është që do të ishte marrëzi të pagëzoheshe për të mbushur radhët e një ushtrie që lufton për një çështje të humbur. Do të ishte sikur të luftoje në një situatë të pashpresë. N.q.s. me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?

15:30 Përse jemi edhe ne në rrezik çdo orë? Apostulli Pal ishte vazhdimisht përpara rrezikut. Për shkak se ai s’kishte aspak frikë në shpalljen e Krishtit, ai bënte armiq kudo që shkonte. Komplote të fshehta bëheshin për t’i marrë jetën. Ai mund t’i kishte shmangur të gjitha këto duke braktisur shpalljen e Krishtit. Në fakt, do të ishte zgjuarsi nga ana e tij ta braktisje atë gjë nëse ringjallja prej së vdekurish nuk ekzistonte.

15:31 Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezus, Zotin tonë, mund të parafrazohet kështu: “siç është e sigurt që unë gëzohem për ju si fëmijët e mi në Jezu Krishtin, ashtu është e sigurt që çdo ditë të jetës sime unë jam përballë vdekjes.”

15:32 Apostulli tani kujton persekutimin e ashpër me të cilin u ndesh në Efes. Ne nuk besojmë që ai në të vërtetë u hodh në arenën e kafshëve të egra, por që për më tepër ai flet këtu për njerëzit e liq si bisha të egra. Në të vërtetë, si një qytetar Romak, Pali s’mund të detyrohej të luftonte me kafshët e egra. Ne nuk e dimë se kujt incidenti i referohet ai. Megjithatë, argumenti është i qartë që apostulli do të kishte qenë i marrë po të kishte marrë pjesë në luftime kaq të rrezikshme nëse nuk do të ishte i sigurt për ringjalljen prej së vdekurish. Në të vërtetë do të ishte më mirë për të, të kishte bërë për vete filozofinë: “në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim!” Ne ndonjëherë dëgjojmë të krishterët që thonë se nëse kjo jetë është e gjitha, ata përsëri do të donin të ishin të krishterë. Por Pali nuk është dakord me një ide të tillë. N.q.s. nuk do të kishte ringjallje, do të ishte më mirë të shfrytëzonte këtë jetë. Do të jetonim për ushqim, veshje dhe qejf. Ky [në tokë] do të ishte i vetmi qiell për të cilin do të prisnim. Por përderisa ka një ringjallje, ne nuk gëzojmë t’i harxhojmë jetët tona për gjëra që kalojnë. Ne duhet të jetojmë për “atëherë” e jo për “tani.”

15:33 Korintasit nuk duhet të gënjeheshin në këtë pikë. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira. Pali i referohet mësuesve të rremë që kishin ardhur në Kishën e Korintit duke mohuar ringjalljen. Korintasit duhet ta kuptonin që është e pamundur të shoqërohesh me njerëz të këqinj ose mësime të këqija pa u korruptuar nga ato. Doktrina e keqe ka një efekt të pashmangshëm në jetën e dikujt. Mësimet e rreme nuk të çojnë në shenjtëri.

15:34 Korintasit duhet të zgjoheshin për drejtësi dhe jo të mëkatonin. Ata nuk duhet të mashtroheshin nga këto mësime të këqija. Disa nga ju nuk e njohën Perëndinë; për turpin tuaj po jua them. Zakonisht ky varg interpretohet kështu që ka ende burra dhe gra që nuk e kanë dëgjuar kurrë historinë e Ungjillit dhe që të krishterët duhet të kenë turp që kanë dështuar në Ungjillizimin e botës. Megjithatë, ndërkohë që kjo mund të jetë e vërtetë ne besojmë që domethënia kryesore e këtij paragrafi është që kishte njerëz në bashkësinë në Korint që nuk e njihnin Perëndinë. Ata nuk ishin besimtarë të vërtetë, por ujqër të veshur si dele, mësues të rremë që kishin depërtuar pa pandehur. Ishte për turpin e korintasve që këta njerëz ishin lejuar të merrnin pjesë me të krishterët dhe të mësonin doktrina të këqija. Pakujdesia që lejoi njerëz të paperëndishëm të hynin në asamble rezultoi në uljen e tonalitetit moral të gjithë asamblesë, duke përgatitur kështu një të çarë për futjen e të gjitha llojeve të gabimeve.

B. Shqyrtimi i kundërshtimeve mbi ringjalljen. (15:35-57)

15:35 Në vargjet 35-49, apostulli futet në hollësi më të mëdha përsa i përket mënyrës së vërtetë të ringjalljes. Ai i paraprin dy pyetjeve që me siguri do të lindin në mendjet e atyre që vinin në dyshim ringjalljen trupore. E para është: “Si ringjallen të vdekurit?” E dyta, “Dhe me ç’trup do të vijnë?”

15:36 Pyetja e parë e gjen përgjigjen në vargun 36. Një ilustrim i zakonshëm nga natyra është përdorur për të treguar mundësinë e ringjalljes. Një farë duhet të bjerë në tokë dhe të vdesë përpara se të lindë bima. Me të vërtetë, është e mrekullueshme të mendosh për misterin e jetës që fshihet në çdo farë të vogël. Ne mund ta hapim farën dhe ta studiojmë atë me mikroskop, por sekreti i principit të jetës mbetet një mister i pafund. Gjithçka që ne dimë është që fara bie në tokë dhe nga ky fillim lulëzon jeta.

15:37 Pyetja e dytë merret me shqyrtim më pas. Pali shpjegon që kur ti mbjell një farë, ti nuk mbjell bimën që do të dalë si përfundim, por ti mbjell një kokërr të zhveshur — ndoshta grurë apo ndonjë farë tjetër. Çfarë nxjerrim nga kjo gjë? A është bima njëlloj si fara? Jo, bima nuk është e njëjtë me farën; megjithatë, ekziston një lidhje jetësore midis të dyjave. Pa farë s’do të kishte bimë. Gjithashtu bima i merr tiparet e saj nga fara. Kështu është në ringjallje.

Trupi i ringjallur ka identitetin e llojit dhe vazhdimësinë e materialit me atë që është mbjellë, por është i pastruar nga kalbëzimi, dobësia, çnderimi dhe është bërë i pakalbëzueshëm, i lavdishëm, i fuqishëm dhe frymëror. Është i njëjti trup, por është mbjellë në një formë dhe i ringjallur në një tjetër. (E zgjedhur)

15:38 Perëndia prodhon një trup sipas farës që ishte mbjellë dhe çdo farë ka llojin e vet të bimës si rezultat. Gjithë faktorët që përcaktojnë masën, ngjyrën, gjethen dhe lulen e bimës janë në një farë mënyre të përmbajtura në farën që është mbjellë.

15:39 Për të ilustruar faktin që lavdia e trupit të ringjallur do të jetë e ndryshme nga lavdia e trupit të tanishëm, apostulli Pal vë në dukje që jo çdo mish është i njëjti lloj. P.sh., ka mish njerëzor, mish bagëtie, mish peshku dhe mish shpendësh. Këta janë të gjithë të ndryshëm dhe përsëri të gjithë janë mish. Ka ngjashmëri pa dublikim ekzakt.

15:40 Dhe ashtu siç ka një ndryshim midis trupave të shndritshëm qiellorë (yjeve, etj.) dhe trupave që janë të lidhur me këtë tokë, kështu ka një ndryshim midis trupit të besimtarit tani dhe atij të cilin do ta ketë pas vdekjes.

15:41 Madje edhe midis vetë trupave qiellorë ka një ndryshim lavdie. P.sh., dielli është më i shkëlqyeshëm se hëna dhe një yll ndryshon nga një tjetër në ndriçim. Shumica e komentuesëve është e një mendimi që Pali është ende duke theksuar që lavdia e trupit të ringjallur do të jetë e ndryshme nga lavdia e trupit që ne kemi në tokë në kohën e tanishme. Ata nuk mendojnë që vargu 41, p.sh., tregon që në qiell do të ketë ndryshime lavdie midis vetë besimtarëve. Megjithatë ne kemi prirje të jemi të një mendimi me Holsten që thotë: “mënyra në të cilën Pali thekson ndryshimet e trupave qiellorë nënkupton supozimin e një dallimi parallel të lavdisë midis të ringjallurve.” Është e qartë nga paragrafe të tjera të Shkrimeve që ne nuk do të jemi të njëjtë në qiell. Megjithëse të gjithë do t’i ngjajmë Zotit Jezus moralisht, pra në liri nga mëkati, nuk do të thotë që të gjithë ne do t’i ngjajmë fizikisht Zotit Jezus. Ai do të jetë i veçantë në gjithë përjetësinë. Në mënyrë të ngjashme, ne besojmë që çdo person i krishterë do të jetë një personalitet i veçantë në njohje. Por do të ketë ndryshime të shpërblimit siguruar në Fronin Gjykues të Krishtit sipas besnikërisë në shërbesë. Ndërkohë që të gjithë do të jenë tepër të lumtur në qiell, disa do të kenë kapacitet më të madh për të gëzuar qiellin. Ashtu siç do të ketë ndryshime të vuajtjeve në ferr, sipas mëkateve që një njeri ka kryer, kështu do të ketë ndryshime të gëzimit në qiell, sipas asaj që ne kemi bërë si besimtarë.

15:42 Vargjet 42-49 tregojnë kontrastin midis asaj çfarë trupi i besimtarit është tani dhe çfarë do të jetë në gjendjen e tij të përjetshme. Trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Në kohën e tanishme, trupat tanë i janë nënshtruar sëmundjes dhe vdekjes. Kur ata vendosen në varr, ata prishen dhe kthehen në pluhur. Por s’do të jetë kështu me trupin e ringjallur. Ai s’do të jetë më subjekt i sëmundjes apo shkatërrimit.

15:43 Trupi i tanishëm mbillet në çnderim. S’ka asgjë të lavdishme apo të madhërishme për një trup të vdekur. Megjithatë, i njëjti trup do të ringjallet në lavdi. Ai do të jetë i lirë nga rrudhat, thinjat, shenjat e jetës, mbipesha dhe gjurmët e mëkatit.

Mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Me ardhjen e moshës së vjetër, dobësia ngrihet derisa vetë vdekja e zhvesh njeriun nga çdo fuqi. Në përjetësi, trupi s’do t’i jetë nënshtruar këtyre kufizimeve të trishtueshme, por do të zotërohet nga fuqi që nuk i ka në kohën e tanishme. P.sh., Zoti Jezus Krisht në ringjallje kishte aftësi të hynte në një dhomë dyert e së cilës ishin të mbyllura.

15:44 Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Këtu ne duhet të jemi tepër të kujdesshëm për të theksuar që frymërorja s’do të thotë jomateriale. Disa njerëz kanë idenë që në ringjallje ne do të jemi frymë të patrupshme. Ky s’është aspak kuptimi i këtij paragrafi dhe as është i vërtetë. Ne dimë që trupi i ringjallur i Zotit Jezus ishte i përbërë nga mishi dhe kockat sepse Ai tha: “Një frymë nuk ka mish dhe eshtra, si po shihni se unë kam” (Llu. 24:39). Ndryshimi midis një trupi natyror dhe një trupi frymëror është që i pari është i përshtatshëm për jetën këtu në tokë. I pari zakonisht drejtohet nga shpirti kurse i dyti nga fryma. Një trup frymëror është ai që do të jetë me të vërtetë shërbyes i frymës.

Perëndia krijoi frymën, shpirtin dhe trupin e njeriut. Ai gjithmonë ka ndërmend frymën të parën, sepse qëllimi i Tij ishte që fryma duhej të ishte në vendin kryesor dhe dominues. Me hyrjen e mëkatit ndodhi diçka tepër e çuditshme. Renditja e Perëndisë duket se është përmbysur dhe rezultati është që njeriu gjithmonë thotë “trup, shpirt, frymë.” Ai i ka dhënë trupit vendin që fryma duhet të kishte. Në ringjallje s’do të jetë më kështu; fryma do të jetë në vendin e kontrollit të cilin synoi Perëndia në fillim.

15:45 Kështu edhe është shkruar, “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë ; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë.” Këtu përsëri njeriu i parë, Adami është vënë në kontrast me Zotin Jezus Krisht. Perëndia fryu në vrimat e hundës frymë të jetës dhe ai u bë një qenie e gjallë (Zanafilla 2:7). Të gjithë ata që vijnë nga ai mbajnë karakteristikat e tij. Adami i fundit, Shpëtimtari, u bë një Frymë që jep jetë (Gjo. 5:21,26). Ndryshimi është që në rastin e parë, Adamit iu dha një jetë fizike, kurse në rastin e dytë Krishti u jep jetë të përjetshme të tjerëve. Erdman shpjegon:

Si pasardhës të Adamit ne jemi bërë si ai, shpirtra të gjallë që banojnë trupa të vdekshëm dhe që mbajnë imazhin e një prindi tokësor. Por si ndjekës të Krishtit, ne jemi për t’u veshur me trupa të pavdekshëm dhe të mbajmë imazhin e Zotit tonë qiellor. [53]

15:46 Apostulli tani paraqet një ligj themelor në universin e Perëndisë, të quajtur, frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Kjo gjë mund të kuptohet në disa mënyra. Adami, njeriu natyror, erdhi i pari në fazën e historisë njerëzore; më pas Jezusi, Njeriu frymëror. Së dyti, ne jemi të lindur në botë si qenie natyrore; më pas kur ne lindim përsëri, ne bëhemi qenie frymërore. Si përfundim, ne së pari marrim trupa natyrorë dhe më pas në ringjallje do të marrim trupa frymërorë.

15:47 Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor. Kjo do të thotë që origjina ishte prej tokës dhe që karakteristikat e tij ishin tokësore. Ai u bë prej dheut të tokës në radhë të parë, dhe në jetën e tij dukej në kuptimin e vërtetë që ishte i lidhur me tokën. Njeriu i dytë është Zoti [54] nga qielli.

15:48 Nga të dy njerëzit e përmendur në vargun 45, Jezusi ishte i dyti. Ai ekziston nga përjetësia, por si Njeri, Ai erdhi pas Adamit. Ai erdhi nga qielli dhe çdo gjë që Ai bëri dhe tha ishte qiellore dhe frymërore më tepër se tokësore dhe shpirtërore.

Ashtu siç është me këta dy krerë federalë është dhe me ndjekësit e tyre. Ata që janë lindur nga Adami trashëgojnë karakteristikat e tij. Gjithashtu ata që janë lindur nga Krishti janë njerëz qiellorë.

15:49 Sikurse mbartëm karakteristikat e Adamit nga lindja jonë natyrore, ne do të mbartim shëmbëllimin e Krishtit [55] në trupat tanë të ringjallur.

15:50 Tani apostulli i kthehet subjektit të transformimit që do të ndodhë në trupat e besimtarëve, të atyre të gjallëve dhe të të vdekurve, në kohën e kthimit të Zotit. Ai paraqet shënimet e tij me thënien se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Me anë të kësaj ai nënkupton që trupi i tanishëm që ne kemi, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë në gjithë aspektin e saj, pra, për shtëpinë tonë qiellore. Është gjithashtu e vërtetë që prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Me fjalë të tjera, trupat tanë të tanishëm që i janë nënshtruar sëmundjes, prishjes dhe dekompozimit nuk do të ishin të përshtatshëm për jetën ku nuk ka prishje. Kjo ngre problemin, atëherë si trupat e besimtarëve mund të jenë të përshtatshëm për jetën në qiell?

15:51 Përgjigjja është në formën e një të fshehte. Siç është thënë më parë, një e fshehtë është një e vërtetë e panjohur më parë, por e zbuluar tani nëpërmjet Perëndisë tek apostujt dhe që nëpërmjet tyre është bërë e njohur tek ne.

Të gjithë nuk do të vdesim, pra jo të gjithë besimtarët do të përjetojnë vdekjen. Disa do të jenë të gjallë kur Zoti kthehet. Por qoftë të vdekur apo të gjallë, të gjithë do të shndërrohemi. E vërteta e vet ringjalljes nuk është një e fshehtë, përderisa shfaqet në Dh.V., por fakti që jo të gjithë do të vdesin dhe që ndryshimi i shenjtorëve të gjallë në kthimin e Zotit është diçka që s’është njohur kurrë më parë.

15:52 Ndryshimi do të ndodhë në moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit. Buria e fundit këtu nuk do të thotë fundi i botës, apo buria e fundit që përmendet tek Zbulesa. Për më tepër i referohet burisë së Perëndisë që do të bjerë kur Krishti vjen në ajër për të shenjtët e Tij (1 Thes. 4:16). Kur buria bie, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi. Çfarë çasti i mrekullueshëm do të jetë, kur toka dhe deti do të japin pluhurin e të gjithë atyre që kanë vdekur duke besuar në Krishtin nëpër shekuj! Është pothuajse e pamundur për mendjen njerëzore për të pranuar madhështinë e një ngjarjeje të tillë; përsëri besimtari i përulur mund ta pranojë atë me anë të besimit.

15:53 Ne besojmë që vargu 53 i referohet dy klasave të besimtarëve në kohën e kthimit të Krishtit. Kjo prishje i referohet atyre, trupat e të cilëve janë kthyer në pluhur. Ata do të veshin mosprishjen. Ky i vdekshëm, nga ana tjetër, i referohet atyre që janë ende të gjallë në trup por i janë nënshtruar vdekjes. Trupa të tillë do të veshin pavdekshmërinë.

15:54 Kur të vdekurit në Krishtin të jenë ngritur dhe të gjallët të shndërrohen me ta, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore”(Isaia 25:8). Sa e mrekullueshme! C. H. Mackintosh shpall:

Çfarë janë vdekja, varri dhe prishja në praninë e një fuqie të tillë? Kush ka thënë që ringjallja e një të vdekuri që ka qenë në tokë për katër ditë është një vështirësi? Miliona që janë thërrmuar në pluhur për mijëra vjet do të brofin në këmbë për një çast në jetë, në pavdekshmëri dhe lavdi të përjetshme, në zërin e të Bekuarit. [56]

15:55 Ky varg mund të jetë një këngë thumbuese që besimtarët këndojnë kur ata ngrihen për të takuar Zotin në ajër. Është sikur ata tallin vdekjen sepse për ta ajo ka humbur gjëmbën e saj. Ata gjithashtu tallin Hadesin sepse për ta ai ka humbur betejën për t’i mbajtur ata si të tijët. Vdekja nuk përbën më një tmerr për ta sepse ata e dinë që mëkatet e tyre janë falur dhe ata qëndrojnë përpara Perëndisë në gjithë pranueshmërinë e Birit të Tij të dashur.

15:56 Vdekja s’do të kishte gjëmbë për asnjë nëse s’do të ishte për mëkatin. Është ndërgjegjja e mëkateve të parrëfyera dhe të pafalura që e bëjnë njeriun të ketë frikë të vdesë. Nëse ne dimë që mëkatet tona janë falur, ne mund ta presim vdekjen me siguri. Nëse, nga ana tjetër, mëkati është në dijeni, vdekja është e tmerrshme – fillimi i dënimit të përjetshëm.

Fuqia e mëkatit është ligji, pra, ligji dënon mëkatarin. Ai shpall dënimin e të gjithë atyre që kanë dështuar t’i binden urdhërimeve të shenjta të Perëndisë. Është thënë mirë që nëse s’do të kishte mëkat, s’do të kishte vdekje. Dhe nëse s’do të kishte ligj, s’do të kishte dënim.

Froni i vdekjes qëndron në dy baza: mëkati, që thërret për dënim, dhe ligji që e shpall atë. Pra, është kundër këtyre dy fuqi që vepra e Çlirimtarit sulmoi dhe fitoi. [57]

15:57 Nëpërmjet besimit në Të, ne kemi fitore mbi vdekjen dhe varrin. Vdekja është grabitur nga gjëmba e saj. Është një fakt i njohur që kur disa insekte thumbojnë një person, ato e lënë thumbin e tyre të ngulur në mishin e njeriut dhe duke qenë kështu të grabitura nga “gjëmbi” i tyre ato vdesin. Në një kuptim të vërtetë, vdekja e thumboi vetveten për vdekje në kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht dhe tani mbreti i tmerreve [vdekja] është grabitur nga tmerri i tij përsa i përket besimtarëve.

C. Një Thirrje nën Dritën e Ringjalljes. (15:58)

15:58 Atëherë, në këndvështrimin e sigurisë së ringjalljes dhe faktit që besimi në Krishtin nuk është i kotë, apostulli Pal i nxit vëllezërit e tij të dashur të qëndrojnë të fortë, të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi i tyre nuk është i kotë në Zotin. E vërteta e ringjalljes ndryshon gjithçka. Ajo siguron shpresë dhe qëndresë, dhe na lejon ne të vazhdojmë pavarësisht nga rrethanat e vështira dhe të panumërta.


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. (15:45) Erdman, First Corinthians, fq 148. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (15:47) NU lë mënjanë “Zoti.” ↵ Kthehu mbrapa
  3. (15:49) ↵ Kthehu mbrapa
  4. (15:54) C. H. Mackintosh, The Mackintosh Treasury: Miscellaneous Writings by C. H. Mackintosh, fq 125. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (15:56) F.L. Godet, First Corinthians, fq 446. ↵ Kthehu mbrapa