10:1-5 Një rrëfim paralel i vdekjes së Saulit dhe bijve të tij gjendet tek 1 i Samuelit 31:1-13.
Spërxhëni (C. H. Spurgeon) e komenton kështu vargun 5:
Ndërsa ne dënojmë me zell vetëvrasjen, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të admirojmë besnikërinë e shqytarit – besnik deri në vdekje. Ai nuk do të mbijetonte pa të zotin e tij. A jetoi dhe vdiq ky njeri për Saulin dhe a do ta tradhtojmë ne zotin tonë mbretëror, Zotin Jezus [12]?
10:6-10 Në lidhje me vdekjen e Saulit duhet të vihen re disa gjëra. “Tërë shtëpia e tij u shua tok” (v. 6) i referohet vetëm atyre që luftuan me Saulin (1 Sam. 31:6). Sauli pati bij të tjerë që nuk u vranë nga filistenjtë (v.13,14; 2 i Samuelit 2:8; 21:1-9). Por edhe këta nuk i shpëtuan fatit që pësoi ati i tyre (2 i Samuelit 21:1-8).
10:11,12 Kur dëgjuan lajmin për vdekjen e Saulit dhe të bijve të tij, njerëzit trima të Jabeshit të Galaadit marshuan tërë natën për të tërhequr kufomat nga filistenjtë dhe më pas i varrosën kockat e tyre dhe agjëruan shtatë ditë. Më parë Sauli e kishte shpëtuar qytetin e tyre nga amoniti Nahash (1 Sam. 11); këta njerëz trima nuk e harruan mirësinë e tij.
10:13,14 Këto vargje japin dy arsyet e vdekjes së Saulit: nuk kishte respektuar fjalën e Zotit (shikoni 1 Sam. 13 e 15) dhe kishte konsultuar një medium (shikoni 1 Sam. 28).
Ky rrëfim i shkurtër i Saulit hap udhën për historinë e Davidit, të zgjedhurit të Perëndisë për të sunduar mbi popullin e Tij, Izraelin.