Përshëndetje (1 Thesalonikasve 1:1)

Letra hapet me emrat e tre njerëzve që ishin paditur se kishin kthyer botën përmbys. Padia u nënkuptua si përgojim, por në të vërtetë ishte një nderim.

Pali ishte autori i letrës. Silvani dhe Timoteu po udhëtonin me të në atë kohë, kështu që ai i përfshin emrat e tyre. Silvani mbase është i njëjti emër me Silën që këndoi një duet me Palin në burg në Filipi (Veprat e Apostujve 16:25). Timoteu është vëllai i ri nga Listra që ishte takuar me Palin para udhëtimit për në Thesaloniki (Veprat e Apostujve 16:1).

Letra iu shkrua kishës së thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht. Fjala që ne e përkthejmë kishë përdorej në atë kohë për të përshkruar çdo lloj asambleje, kështu që Pali kërkon ta bëjë të qartë se kjo nuk është një asamble pagane, por një asamble që e ka Perëndinë Atë dhe Jezu Krishtin Zot.

Përshëndetja hir dhe paqe përfshin bekimet më të mëdha që njeriu mund të shijojë këtë anë të qiellit. Hiri është nderi i pamerituar i Perëndisë në çdo aspekt të jetëve tona. Paqja është qetësia e paturbulluar që sfidon rrethanat e vështira dhe shtypëse të jetës. Hiri është shkaku dhe paqja pasoja. Pali përsërit titujt e dyfishtë hyjnorë si burimin i dy anëve të barabarta të bekimeve, duke vënë këtë herë përemrin pronor tonë pas Atit [3].