Nxitje praktike (1 Thesalonikasve 4:1-5:22)

A. Shenjtërimi që përmbush vullnetin e Perëndisë (4:1-8)

4:1 Shprehja sa për të tjerat nuk do të thotë se Pali po e mbyll letrën. Kjo zakonisht tregon ndërrimin e temës, si për shembull kalimi në nxitjet praktike.

Tri fjalët mbizotëruese në fund të kapitullit 3 ishin shenjtëria, dashuria dhe ardhja. Këto janë tri nga temat kryesore të kapitullit 4: 1. Shenjtëria (v. 1-8), 2. Dashuria (v. 9,10) dhe 3. Ardhja (v. 13-18). Tema tjetër kryesore është zellshmëria në punë (v. 11,12).

Kapitulli 4 hapet me një kërkesë për të ecur në shenjtëri, pastaj për t’i pëlqyer Perëndisë dhe mbyllet me rrëmbimin e shenjtorëve. Pali mbase po mendonte për Enokun që ka shkruar kështu. Vini re ngjashmërinë: 1. Enoku eci me Perëndinë (Zanafilla 5:24a); 2. Enoku i pëlqeu Perëndisë (Heb. 11:5b); dhe 3. Enoku u mor nga Perëndia (Zanafilla 5:24b; Heb. 11:5a). Apostulli i lavdëron besimtarët për shenjtërinë e tyre praktike, por i nxit ata të përparojnë në nivele të reja arritjeje. Shenjtëria është një proces, jo një arritje.

4:2 Ndërsa ai ishte me ta, Pali shumë herë i ngarkoi ata me detyra, me autoritetin e Zotit Jezus, që ata t’i pëlqenin Perëndisë me anë të jetëve të tyre të shenjtërisë vetjake.

4:3Vullneti i Perëndisë për popullin e Tij është shenjtërimi. Të shenjtërohesh do të thotë të veçohesh për përdorimin hyjnor. Në një kuptim, të gjithë besimtarët janë veçuar nga bota për t’i shërbyer Zotit; ky shihet si shenjtërimi pozicional dhe është i plotë dhe i përsosur (1 e Korintasve 1:2; Heb. 10:10). Megjithatë, në një kuptim tjetër, besimtarët duhet të shenjtërohen, që do të thotë, duhet të veçohen nga çdo lloj forme mëkati; ky shihet si shenjtërimi praktik apo rritës. Ky është proces që do të vazhdojë deri në vdekjen e besimtarit apo kthimin e Zotit. Është ky përdorim i fundit i fjalës që gjendet në vargun 3 (Shikoni shpjegimin e shenjtërimit më poshtë te 5:23).

Mëkati i veçantë që Pali paralajmëron është veprimtaria e palejueshme seksuale dhe në këtë pjesë është mbase e njëjtë me shkeljen e kurorës. Ky është një ndër mëkatet më kryesore të botës pagane. Qortimi të hiqni dorë nga kurvëria është i nevojshëm sot ashtu si në shekullin e parë të kishës.

4:4 Programi i krishterë është që secili ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder. Fjala enën në këtë varg mund të nënkuptojë një bashkëshorte apo mund të nënkuptojë vetë trupin e njeriut. Ajo përdoret për bashkëshorten te 1 Pjetrit 3:7 dhe për trupin te 2 Korintasve 4:7.

Versioni RSV nënkupton bashkëshorten: “që secili prej jush të dijë ta mbajë bashkëshorten e vet në shenjtëri dhe me nder”.

Versioni NEB hedh mendimin se nënkuptohet trupi: “që secili prej jush të dijë ta mbajë trupin e vet në shenjtëri dhe me nder”.

Nëse do të lëmë kontekstin të vendosë, atëherë ena do të thotë bashkëshortja e burrit. Mësimi është që çdo burrë duhet të sillet me gruan e tij me nder dhe cipë, duke mos rënë kurrë në ndonjë formë pabesie. Kjo nënkupton monogaminë si vullnetin e Perëndisë për njerëzimin (shikoni gjithashtu 1 e Korintasve 7:2).

4:5 Pikëpamja e krishterë për martesën është në kontrast të theksuar me atë të të paperëndishmëve. Ashtu siç ka thënë një komentues: “Kur Jezusi vuri duart e Tij mbi gruan te Luka 13:13 ajo u bë e drejtë. Kur një burrë pagan prek një grua, ajo përkulet”.

Johebrenjtë mendojnë se seksi është një mjet kënaqësie i pasioneve të epshit. Për ta pastërtia është një dobësi dhe martesa një mjet më anë të të cilit bëhet i ligjshëm mëkati. Me anë të bashkëbisedimeve të tyre të pista dhe shkrimeve të tyre të turpshme në muret publike, ata lavdërohen në turp.

4:6 Imoraliteti seksual është një mëkat kundër Frymës së Shenjtë të Perëndisë (1 e Korintasve 6:19); është një mëkat kundër trupit të vet (1 e Korintasve 6:18); por është gjithashtu një mëkat kundër të tjerëve. Kështu Pali shton që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet. Me fjalë të tjera, një i krishterë nuk duhet të kalojë kufijtë e martesës dhe të mashtrojë një vëlla duke vjedhur dashurinë e gruas së vëllait. Edhe pse këto fyerje nuk dënohen nga gjykatat si vepra penale sot, Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra. Mëkatet seksuale sjellin një tërësi çrregullimesh të tmerrshme fizike dhe mendore në këtë jetë, por këto nuk janë asgjë krahasuar me pasojat e tyre të përjetshme, nëse janë të parrëfyera dhe të pafalura. Pali ua kishte thënë më parë këto gjëra thesalonikasve.

Një nga shkrimtarët më të mirë të Britanisë së shekullit XIX ra në mëkatin seksual dhe e futën në burg dhe pësoi fatkeqësi. Ai shkroi:

Perënditë më kishin dhënë gati gjithçka. Por e lashë veten të joshesha në magjepsje të gjatë të pandjeshmërisë dhe në shkujdesje ndijimore … I lodhur nga të qenurit në krye, u zhyta plotësisht në kërkim të ndjenjave të reja … Isha i shkujdesur për jetët e të tjerëve. Gjeja kënaqësi atje ku doja dhe ia kaloja me qejfe. Harrova që çdo veprim i vogël i një dite të zakonshme formon ose prish karakterin dhe atë që dikush e bën në një dhomë të fshehtë, do ta qajë një ditë me zë të lartë në majën e çatisë. Reshta së qenuri zoti i vetes sime. Unë nuk isha më drejtuesi i shpirtit tim dhe nuk e dija. Lejova që kënaqësia të më sundonte. Përfundova në një fatkeqësi të tmerrshme [11].

Atij nuk interesohej për jetët e të tjerëve, ose ashtu si Pali do të thoshte, ai mashtron dhe ia hedh në punë vëllait të vet.

4:7Perëndia nuk na thirri në bazë të ndyrësisë morale, por në lidhje me jetët e shenjtëruara dhe pastërtinë. Ai na ka thirrur nga një vend i pisët imoraliteti dhe ka filluar në ne një proces të gjatë, i caktuar për të na bërë sa më të ngjashëm me Veten e Tij.

4:8 Gjithkush që i përbuz këto mësime nuk po përçmon thjesht mësimin e një njeriu si Pali; ai po sfidon, përçmon, përqesh dhe kundërshton Vetë Perëndinë – që na dha [12] edhe Frymën e tij të Shenjtë. Fjala e Shenjtë është e theksuar këtu. Si mund të vazhdojë në mëkate seksuale një njeri që është i banuar nga Fryma e Shenjtë?

Vini re që janë përmendur tërë pjesëtarët e Trinisë në këtë paragraf. Ati (v. 3), Biri (v. 2) dhe Fryma e Shenjtë (v. 8). Çfarë mendimi i mrekullueshëm! Të tre Personat e Trinisë janë të interesuar dhe të përfshirë në shenjtërimin e besimtarit.

Tani tema ndryshon nga epshi (v. 1-8) te dashuria (v. 9-12) dhe nxitja ndryshon nga të përmbajturit te teprimi.

B. Dashuria që mendon për të tjerët (4:9,10)

4:9 Besimtari jo vetëm duhet të ketë një trup të cilin ta kontrollojë, por ai gjithashtu duhet të ketë një zemër dashurie për vëllezërit e tij në Zotin. Dashuria është fjala kyçe e krishterimit ashtu siç është mëkati për paganizmin.

Thesalonikasit nuk kishin nevojë që t’u shkruante për këtë virtyt. Ata ishin të mësuar nga Perëndia që të donin vëllezërit e tyre, si nga shtysa hyjnore (1 Gjonit 2:20,27), po ashtu edhe nga mësimi i mësuesve të krishterë. Besimtarët në Thesaloniki e shquanin veten e tyre duke dashur të gjithë të krishterët në tërë Maqedoninë. Duke i lavdëruar ata për këtë, Pali i kujtonte ata gjithmonë.

4:10 Ashtu siç është përmendur, mirësia vëllazërore nuk është një arritje; ajo është diçka që duhet të praktikohet në vazhdimësi dhe kështu Pali nxit besimtarët të shtohen edhe më shumë në hir.

Pse është kaq e rëndësishme dashuria ndaj gjithë vëllezërve? Sepse atje ku ka dashuri, ka unitet; dhe ku ka unitet, vijnë bekimet e Zotit (Ps. 133:1,3).

C. Jeta që u flet atyre që janë jashtë (4:11,12)

4:11 Pali i nxit shenjtorët të përpiqen me kujdes të bëjnë tri gjëra. Në mënyrën e sotme të të folurit tre urdhrat në këtë varg mund të jenë:

1. Mos u përpiqni të jeni në qendër të vëmendjes. Jini të kënaqur të jeni “të vegjël dhe të panjohur, të dashur dhe të çmuar vetëm nga Krishti”.

2. Të merreni me gjërat tuaja në vend që të futni hundët në punët e të tjerëve.

3. Punoni vetë. Mos jini parazitë apo “endacakë”, duke jetuar në kurriz të të tjerëve.

4:12 Fakti që jemi të krishterë dhe që po presim ardhjen e Krishtit nuk na lehtëson nga përgjegjësia praktike e jetës. Ne duhet të kujtojmë se bota po na shikon. Njerëzit e gjykojnë Shpëtimtarin tonë përmes nesh. Ne duhet të sillemi me nder ndaj jobesimtarëve dhe të jemi të pavarur financiarisht nga ata.

D. Shpresa që ngushëllon besimtarët (4:13-18)

4:13 Besimtarët e Dhiatës së Vjetër kishin një njohje jo të përsosur dhe të paplotë për atë që ndodhte me një njeri kur vdiste. Për ta Sheoli ishte një fjalë me shumë kuptime e përdorur për të përshkruar gjendjen jashtë trupit, si të besimtarëve ashtu edhe të jobesimtarëve.

Ata besonin se gjithsecili do të vdiste, se do të kishte një ringjallje të përgjithshme në fund të botës dhe pastaj një gjykim përfundimtar. Marta e pasqyroi këtë pikëpamje kur tha: “E di se (Llazari) do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit” (Gjon. 11:24).

Zoti Jezus solli “jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit” (2 Tim. 1:10). Sot ne e dimë se besimtari ndahet për të qenë me Krishtin kur vdes (2 Kor. 5:8; Filipianeve 1:21,23). Për jobesimtarin thuhet se shkon në Hades (Lluk. 16:22,23). Ne e dimë se jo të gjithë besimtarët do të vdesin, por të gjithë do të shndërrohen (1 e Korintasve 15:51). Ne e dimë se do të ketë më tepër se një ringjallje. Gjatë Rrëmbimit, vetëm besimtarët do të ringjallen (1 e Korintasve 15:23; 1 Thes. 4:16); të vdekurit e ligj do të ringjallen në fund të mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit (Zbulesa 20:5).

Kur Pali shkoi për herë të parë në Thesaloniki, ai i mësoi të krishterët rreth ardhjes së Krishtit për të mbretëruar dhe për ngjarjet që do të pasonin. Por ndërkohë kishin dalë probleme rreth atyre shenjtorëve që kishin vdekur. A do të mbeteshin trupat e tyre në varre deri në ditën e fundit? A do të përjashtohen ata nga pjesëmarrja në ardhjen e Krishtit dhe në mbretërinë e Tij të lavdishme? Për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të hequr frikën e tyre, Pali përshkruan tani rendin e ngjarjeve në kohën e ardhjes së Krishtit për njerëzit e Tij.

Formula: “vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije” përdoret për të paralajmëruar lexuesit për një lajmërim të rëndësishëm. Këtu lajmërimi është për sa u përket atyre që flenë, që do të thotë, ata besimtarë që kanë vdekur. Gjumi zakonisht përshkruan trupat e të krishterëve që kanë vdekur, dhe jo shpirtrat dhe frymët e tyre. Gjumi është një ngjashmëri e përshtatshme me vdekjen, sepse në vdekje njeriu duket sikur fle. Edhe fjala varrezë (p.sh. në latinisht, italisht e anglisht) vjen nga fjala greke që do të thotë “vend gjumi” (koimemeterion). Dhe gjumi është një ngjashmëri familjare, sepse çdo natë ne përjetojmë këtë simbol të vdekjes dhe çdo mëngjes është për ne si një ringjallje.

Bibla nuk mëson se shpirti fle në kohën e vdekjes. I pasuri dhe Llazari ishin të dy të vetëdijshëm kur kishin vdekur (Lluk. 16:19-31). Kur besimtari vdes, ai është “bashkë me Zotin” (2 Kor. 5:8). Të vdesësh do të thotë “të jesh me Krishtin”, një pozicion që Pali e quan “fitim” dhe “gjë më të mirë” (Filipianeve 1:21,23). Kjo nuk do të ishte e vërtetë nëse shpirti do të flinte!

Bibla nuk mëson as asgjësimin. Nuk ka pushim të të qenurit kur vdes. Besimtari gëzon jetë të përjetshme (Mark. 10:30). Jobesimtari vuan ndëshkimin e përjetshëm (Mark. 9:48; Zbulesa 14:11).

Në lidhje me shenjtorët që kishin vdekur, apostulli thotë se nuk ka nevojë për brenga të pashpresa. Ai nuk e përjashton brengën; Jezusi qau pranë varrit të Llazarit, edhe pse e dinte se do ta ringjallte pas pak minutash (Gjon. 11:35-44). Por ai heq trishtimin e dëshpëruar të atyre që nuk kanë shpresë për në qiell, për ribashkim, dhe që nuk do të gjejnë asgjë tjetër veç gjykimit.

Shprehja të tjerët që nuk kanë shpresë më kujton vazhdimisht një funeral ku isha i pranishëm, ku të afërmit e pikëlluar rrinin rreth arkivolit të një të afërmi jobesimtar dhe qanin me dënesë: “Oh, Mari, Perëndia im, Perëndia im, Mari!” Kjo ishte një skenë e paharrueshme e një gjendjeje tmerrësisht pa shpresë.

4:14 Baza e shpresës së besimtarit është ringjallja e Krishtit. Ashtu siç është e sigurt që besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, po kështu besojmë se ata që kanë fjetur gjumë në Jezusin do të ringjallen dhe do të marrin pjesë në ardhjen e Tij. “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 e Korintasve 15:22). Ringjallja e Tij është siguria dhe prova jonë.

Vini re shprehjen: “me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur” ose “ata që flenë me anë të Jezusit”. Duke ditur se është i Dashuri i shpirtrave tanë që i bën trupat tanë të flenë, të të dashurve të Tij, i heq vdekjes çdo frikë.

Siguria jonë rreth atyre që kanë vdekur në Krishtin është se Perëndia do të sjellë ata me të. Kjo mund të kuptohet në dy mënyra:

1. Mund të nënkuptojë se në kohën e Rrëmbimit, Perëndia do të ringjallë trupat e besimtarëve dhe do t’i çojë në qiell me Zotin Jezus.

2. Ose mund të nënkuptojë se kur Krishti të kthehet në tokë për të mbretëruar, Perëndia do të sjellë me Krishtin ata që kanë vdekur në besim. Me fjalë të tjera, apostulli po thotë: “Mos u shqetësoni për ata që kanë vdekur se mos nuk do të marrin pjesë në lavdinë e mbretërisë së ardhshme. Perëndia do t’i sjellë ata me Jezusin kur ky i fundit do të kthehet në fuqi dhe lavdi të madhe” (Kjo është përgjithësisht domethënia e pëlqyer).

Por si mund të ndodhë kjo? Trupat e tyre tashmë po prehen në varr. Si mund të vijnë ata me Jezusin? Përgjigjja jepet te vargjet 15-17. Para se Krishti të vijë e të vendosë mbretërinë e Tij, Ai do të kthehet për të marrë njerëzit e Tij për të qenë me Të në qiell. Pastaj, më vonë, Ai do të kthehet me ta.

4:15 Nga e dinte Pali këtë? Përgjigjja e tij është: dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit. Ai e mori këtë si një zbulim të drejtpërdrejtë nga Zoti. Nuk na thuhet se si e mori – me anë të vegimit, me një zë të dëgjueshëm, apo me një përshtypje të brendshme të Frymës së Shenjtë. Por ishte një e vërtetë plotësisht e panjohur për njerëzit deri në atë kohë.

Pastaj ai vazhdon duke shpjeguar se kur Krishti të kthehet, shenjtorët që do të mbeten gjallë nuk do të kenë ndonjë përparësi ndaj shenjtorëve që kanë fjetur.

Në këtë varg Pali e quan veten si dikë që do të mbetej gjallë deri në ardhjen e Krishtit (shikoni gjithashtu 1 e Korintasve 15:51,52). Megjithatë, te 2 Korintasve 4:14 dhe 5:1, ai flet për mundësinë e të qenurit midis atyre që do të ringjallen. Përfundimi i qartë është se ne duhet të presim Zotin që të vijë në çdo çast, edhe pse mund të thirremi të shkojmë në qiell me anë të vdekjes.

4:16 Tani jepet rendi i saktë i ngjarjeve në ardhjen e Krishtit për shenjtorët e Tij: Sepse Zoti vetë . . . do të zbresë nga qielli. Ai nuk do të dërgojë një engjëll, por do të vijë vetë!

Ajo do të jetë me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë. Janë dhënë disa shpjegime për sa i përket domethënies së këtij zëri urdhërues, por ndershmërisht është gati e pamundur të flasim me siguri të plotë rreth tyre:

1. Disa mendojnë se urdhri është zëri i Vetë Zotit Jezus që ringjall të vdekurit (Gjon. 5:25; 11:43,44) dhe shndërron të gjallët. Të tjerë, si Hogg-u dhe Vine, thonë se urdhri është zëri i kryeengjëllit.

2. Zëri i kryeengjëllit Mikael kuptohet zakonisht si një urdhër mbledhjeje e shenjtorëve të DhV, meqë ai lidhet shumë ngushtë me Izraelin (Dan. 12:1; Juda 9; Zbulesa 12:4-7). Të tjerë mendojnë se qëllimi i tij është të mëkëmbë Izraelin si komb. Dhe të tjerë hedhin mendimin se zëri i kryeengjëllit thërret që të mbledhë engjëjt si një gardë ushtarake për të shoqëruar Zotin dhe shenjtorët e Tij për në qiell përmes territorit armik (kr. Lluk. 16:22).

3. Boria e Perëndisë është e njëjta me borinë e fundit të 1 Korintasve 15:52, që ka të bëjë me ringjalljen e besimtarëve në kohën e Rrëmbimit. Ajo i thërret shenjtorët në bekimin e përjetshëm. Ajo nuk duhet të ngatërrohet me borinë e shtatë të Zbulesës 11:15-18, që shënon derdhjen përfundimtare të gjykimit në botë gjatë Mundimit të Madh. Boria e fundit këtu është e fundit për kishën. Boria e shtatë e Zbulesës është e fundit për botën mosbesuese (edhe pse nuk quhet në mënyrë të veçantë “boria e fundit”).

Trupat e atyre që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët. Diskutohet nëse përfshin edhe shenjtorët e DhV. Ata që mendojnë një gjë të tillë tregojnë se zëri i kryeengjëllit dëgjohet në këtë kohë dhe ky lidhet ngushtë me fatet e Izraelit (Dan. 12:1). Ata që mendojnë se shenjtorët e DhV nuk do të ringjallen në Rrëmbim na kujtojnë se shprehja në Krishtin (ata që vdiqën në Krishtin) nuk vlen për besimtarët që jetuan para Epokës së Kishës; këta besimtarë mbase do të ringjallen në fund të Mundimit të Madh (Dan. 12:2). Sido që të jetë, është e qartë se kjo nuk është një ringjallje e përgjithshme. Jo të gjithë të vdekurit do të ringjallen në këtë kohë, por vetëm ata që vdiqën në Krishtin.

4:17 Pastaj ata që janë gjallë do të rrëmbehen bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër. Fjala Rrëmbim të cilën ne e përdorim për të përshkruar këtë fazë të parë të kthimit të Zotit, vjen nga folja e përdorur në Biblën latine që do të thotë do të rrëmbehet [13]. Një “rrëmbim” është një shkëputje apo një tërheqje nga lart. Ajo përdoret për Filipin te Veprat e Apostujve 8:39, për Palin te 2 Kor. 12:2,4 dhe për Djalin te Zbulesa 12:5.

Ajri është fusha e Satanit (Efesianeve 2:2), kështu kjo është një mbledhje triumfuese duke e tallur djallin pikërisht në kështjellën e tij.

Mendoni pak për gjithçka që përfshihet në këto vargje! Toka dhe deti do të lëshojnë pluhurin e tërë të vdekurve në Krishtin. Pastaj mrekullia shndërruese, me anë të së cilës ky pluhur do të formojë trupat e përlëvduar, të çliruar përgjithmonë nga sëmundja, dhimbja dhe vdekja. Pastaj fluturimi hapësinor për në qiell. Dhe të gjitha këto do të ndodhin sa hap e mbyll sytë (1 e Korintasve 15:52).

Njerëzit e botës e kanë të vështirë të besojnë rrëfimin e krijimit të njeriut te Zanafilla 1 e 2. Nëse ata kanë vështirësi me krijimin, çfarë do të bëjnë me Rrëmbimin – kur Perëndia do të rikrijojë miliona njerëz nga pluhuri që është djegur, shpërndarë, hedhur apo përhapur në bregdetet e botës?

Njerëzit e botës janë entuziastë për udhëtimet në hapësirë. Por a mund të krahasohen zbulimet e tyre më të mëdha me mrekullinë e udhëtimit për në qiell në të qindën e sekondës pa marrë atmosferën tonë me vete, ashtu siç bëjnë kozmonautët kur shkojnë në udhëtimet e tyre të shkurtra për në hapësirën e jashtme?

Në lidhje me ardhjen e Krishtit është një zë që do të dëgjohet, një pamje që do të shihet, një mrekulli që do të ndihet, një takim që do të shijohet dhe një ngushëllim që do të përjetohet.

Është gjithashtu mirë të vëmë re përsëritjen e fjalës Zot në këto vargje: fjala e Zotit (v. 15), ardhja e Zotit (v. 15), Vetë Zoti (v. 16), për të dalë përpara Zotit (v. 17), do të jemi përherë bashkë me Zotin (v. 17).

Përgjithmonë me Zotin! Kush mund të shpallë tërë gëzimin dhe bekimin që gjendet në këto fjalë?

4:18Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë. Mendimet e ardhjes së Zotit nuk prodhojnë tmerr për besimtarin. Ajo është një shpresë që rrënqeth, gëzon dhe ngushëllon.

Treguesit e kohëve të fundit

Ka shumë tregues se Rrëmbimi është afër. Ne i quajmë treguesit e mëposhtëm si një informacion të shenjave paralajmëruese mbi ngjarjet e ardhshme:

1. Formimi i shtetit të Izraelit më 1948 (Lluk. 21:29). Pema e fikut (Izraeli) po çel, pra, po nxjerr gjethe (Lluk. 21:29-31). Më në fund, pas 1900 vjetësh, judenjtë kanë një ekzistencë kombëtare në vendlindjen e tyre. Kjo do të thotë se mbretëria e Perëndisë është afër.

2. Ngritja e shumë kombeve të tjera (Lluk. 21:29). Jezusi paratha se jo vetëm pema e fikut do të çelë, por gjithashtu edhe pemët e tjera. Ne dëshmojmë kohët e fundit vdekjen legale të qeverive koloniale dhe krijimin e kombeve të reja. Tashmë jetojmë epokën e lindjeve të kombeve të reja.

3. Kthimi i Izraelit në tokë në mosbesim (Ezek. 36:24,25). Ezekieli profetizoi se vetëm pas kthimit të tyre ata do të pastroheshin nga mëkatet e tyre. Izraeli sot është një komb agnosticist; vetëm një segment i vogël njerëzish janë judenj të perëndishëm.

4. Lëvizja ekumenike (Zbulesa 17,18). Ne mendojmë se Babiloni i Madh është një sistem i gjerë fetar, politik dhe tregtar përbërë nga grupe femohuese fetare që rrëfejnë se janë të krishterë, mbase një shkrirje e katolicizmit dhe protestantizmit femohues. Të krishterët vetëm me fjalë po bëhen gjithnjë e më tepër femohues (1 Tim. 4:1; 2 Thes. 2:3) dhe po shkojnë drejt një mbikishe.

5. Mbarë bota po rritet në spiritizëm (1 Tim. 4:1-3). Ky po merr një shtrirje të gjerë në tokë në këtë kohë.

6. Rënia e theksuar e standardeve morale (2 Tim. 3:1-5). Gazetat e përditshme japin prova të shumta të kësaj.

7. Dhuna dhe mosbindja qytetare (2 Thes. 2:7,8). Një frymë shpërkujdesje po bëhet gjithnjë e më e madhe në shtëpi, në jetën kombëtare madje edhe në kishë.

8. Njerëz me një formë perëndishmërie, por që mohojnë fuqinë e saj (2 Tim. 3:5).

9. Dalja e frymëve anti të krishtera (1 Gjonit 2:18), shfaqur në shumëzimin e kulteve të rreme që rrëfejnë se janë të krishterë, por mohojnë çdo doktrinë themelore të besimit. Ata mashtrojnë duke imituar (2 Tim. 3:8).

10. Prirja që kombet të bashkohen në një të vetëm, që i ngjan shumë profecisë rreth kohës së fundit. Tregu i Evropës së Bashkuar, mbështetur në atë që njihet si Marrëveshja e Romës, mund të çojë në mëkëmbjen e Perandorisë Romake – dhjetë këmbët prej hekuri dhe argjile (Dan. 2:32-35).

11. Mohimi që Perëndia ka ndërhyrë në çështjet e botës me anë të gjykimit (2 Pje. 3:3,4).

Këtyre mund t’u shtohen tregues, si tërmetet në shumë vende, kërcënimi i zisë mbarëbotërore dhe rritja e armiqësisë midis kombeve (Mt. 24:6,7). Dështimi i qeverive për të zbatuar ligjin dhe rendin dhe njëherësh të shtypin terrorizmin krijon një mjedis të përshtatshëm për një diktator botëror. Prodhimi i armëve bërthamore jep arsye të tjera për pyetje të tilla, si: “Cili është i zoti të bëjë luftë me të?” (p.sh. me bishën, Zbulesa 13:4). Mjetet televizive mbarëbotërore mund të jetë mjete për të përmbushur Shkrimin duke përshkruar ngjarje që do të shihen njëkohësisht në tërë planetin (Zbulesa 1:7).

Shumë nga këto ngjarje janë parashikuar të ndodhin para kthimit të Krishtit në tokë për të mbretëruar. Bibla nuk thotë se ato do të ndodhin para Rrëmbimit, por para shfaqjes së Tij në lavdi. Nëse është kështu, dhe nëse shohim të zhvillohet një prirje e tillë, atëherë përfundimi i qartë është se Rrëmbimi duhet të jetë te dera.

E. Dita e Zotit (5:1-11)

5:1 Mësuesit e Biblës zakonisht kërkojnë falje për ndërprerjen e kapitullit, duke shpjeguar se tema duhej të vazhdonte pa ndërprerje. Por këtu ndërprerja e kapitullit është me vend. Pali po fillon një temë të re. Ai lë diskutimin e tij të Rrëmbimit dhe kthehet te Dita e Zotit. Fjalët e përkthyera sa për (gr., peri de) tregojnë një fill të ri mendimi, si te 1 Korintasve.

Për besimtarët e vërtetë Rrëmbimi është një shpresë ngushëlluese. Por çfarë do të thotë kjo për ata që janë pa Krishtin? Do të thotë fillimi i një periudhe që këtu quhet kohët dhe stinët. Kjo periudhë është së pari judaike në karakter. Gjatë kësaj kohe Perëndia do të rifillojë marrëveshjet e Tij me kombin e Izraelit dhe do të ndodhin ngjarjet e kohëve të fundit, për të cilat folën profetët e DhV. Kur apostujt e pyetën Jezusin se kur do ta vendoste mbretërinë e Tij, Ai u përgjigj se nuk u takonte atyre të dinin kohët e stinët (Veprat e Apostujve 1:7). Duket sikur kohët dhe stinët përfshijnë si periudhën para vendosjes së mbretërisë po ashtu edhe gjatë vetë mbretërimit.

Pali mendonte nuk se ishte nevoja t’u shkruante thesalonikasve për kohët dhe për stinët. Kjo për arsyen e vetme se shenjtorët nuk do të ishin kur ato të vinin; ata do të merreshin në qiell para se të vinin këto epoka.

Gjithashtu, kohët dhe stinët dhe Dita e Zotit janë tema që gjenden në DhV. Rrëmbimi është një mister (1 e Korintasve 15:51), që nuk ishte zbuluar kurrë deri në kohën e apostujve.

5:2 Shenjtorët dinin tashmë rreth ditës së Zotit. Ata e dinin se koha e saktë ishte e panjohur dhe se do të vinte kur asnjë nuk e priste. Çfarë nënkupton Pali me dita e Zotit? Nuk është sigurisht një ditë prej njëzet e katër orësh, por një periudhë kohe me disa karakteristika.

DhV ky term përdorej për të përshkruar çdo kohë gjykimi, veçimi dhe errësire (Is. 2:12; 13:9-16; Joel. 2:1,2). Ajo ishte një kohë kur Perëndia dilte fitimtar mbi armiqtë e Izraelit dhe i ndëshkonte ata rreptësisht (Sof. 3:8-12; Joel. 3:14-16; Abd. 15-17; Sof. 12:8,9). Por kishte edhe raste kur Perëndia e ndëshkonte popullin e Tij për idhujtarinë dhe jetën e tyre në mëkat (Joel. 1:15-20; Amosi 5:18; Sof.1:7-18). Kryesisht ajo nënkuptonte gjykimin e mëkatit dhe fitoren për çështjen e Zotit (Joel. 2:31,32) dhe bekimet e shumta për popullin e Tij besnik.

Në të ardhmen, dita e Zotit do të përfshijë afërsisht të njëjtën periudhë kohe dhe stine. Ajo do të fillojë pas Rrëmbimit dhe do të përfshijë:

1. Mundimin e Madh, domethënë, kohën e mundimit të Jakobit (Dan. 9:27; Jer. 30:7; Mt. 24:4-28; 2 Thes. 2:2; Zbulesa 6:1-19:16).

2. Ardhjen e Krishtit me shenjtorët e Tij (Mal. 4:1-3; 2 Thes. 1:7-9).

3. Mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit në tokë (Joel. 3:18 [kr. v. 14]; Zakaria 14:8,9 [kr. v. 1]).

4. Shkatërrimin përfundimtar të qiejve dhe tokës nga zjarri (2 Pje. 3:7,10).

Dita e Zotit është koha kur Jehova do të ndërhyjë hapur në çështjet njerëzore. Ajo do të karakterizohet nga gjykimi i armiqve të Izraelit dhe të pjesës femohuese të kombit të Izraelit, duke çliruar njerëzit e Tij, duke vendosur mbretërinë e paqes dhe të begatisë së Krishtit dhe lavdinë për Veten e Tij.

Apostulli i kujton lexuesit e tij se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën. Ajo do të jetë fare e papritur, duke i kapur njerëzit në befasi. Bota do të jetë krejt e papërgatitur.

5:3 Kjo Ditë do të vijë befas, menjëherë, shkatërrimtare, e pashmangshme dhe së cilës nuk i shpëton dot.

Do të ketë një frymë besimi dhe sigurie në botë. Pastaj gjykimi i Perëndisë do të fillojë menjëherë të bjerë me një forcë të madhe shkatërruese. Shkatërrim nuk do të thotë mosekzistencë apo asgjësim, por do të thotë humbje të mirëqenies, apo shkatërrim për sa i përket qëllimit të ekzistencës. Ajo do të jetë aq e pashmangshme dhe e pakalueshme sa dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë. Nga ky gjykim nuk do të ketë shpëtim për jobesimtarët.

5:4 Është e rëndësishme të vëmë re ndryshimin e përemrit nga “ata” dhe “atyre” në vargjet e mësipërme në “ju” dhe “ne” në vargjet që vijojnë.

Dita e Zotit do të jetë një kohë zemërimi për botën e pashpëtuar. Por çfarë do të thotë për ne? Përgjigjja është se ne nuk jemi në rrezik, sepse ne nuk jemi në errësirë.

Ajo ditë do të vijë si një vjedhës natën (v. 2). E vetmja mënyrë për të zënë në befasi dikë është si një vjedhës dhe personat e vetëm që do t’i zërë do të jenë ata që janë në errësirë, që do të thotë, të pakthyerit. Ajo nuk do të zërë fare besimtarët, sepse ata nuk janë në errësirë.

Me lexim të parë, ky varg duket sikur thotë se Dita e Zotit do të zërë besimtarët, por jo si një vjedhës. Por nuk është kështu. Ajo nuk do t’i zërë fare ata, sepse kur vjen vjedhësi në errësirën e botës, shenjtorët do të banojnë në dritën e përjetësisë.

5:5 Të gjithë të krishterët janë bij të dritës dhe bij të ditës. Ata nuk janë të natës, as të territ. Është ky fakt që do t’i përjashtojë ata nga gjykimi që Perëndia do të derdhë në botën që nuk e ka pranuar Birin e Tij. Gjykimet e Ditës së Zotit kanë si shënjestër vetëm ata që janë në errësirën morale dhe natën frymërore, mbi ata që janë larguar nga Perëndia.

Kur thotë këtu se të krishterët janë bij të ditës, nuk nënkupton Ditën e Zotit. Të jesh bir i dritës do të thotë të jesh populli që i përket mbretërisë së drejtësisë morale. Dita e Zotit është një kohë gjykimi mbi ata që i përkasin mbretërisë së errësirës morale.

5:6 Tre vargjet që vijojnë i bëjnë besimtarit të jetojnë sipas një pozicioni më të lartë. Kjo do të thotë kujdesje dhe urtësi. Ne duhet të rrimë zgjuar kundër tundimeve, dembelizmit, gjumit të zgjatur dhe shpërqendrimit. Nga ana tjetër, duhet të rrimë zgjuar për kthimin e Shpëtimtarit.

Urtësi këtu do të thotë jo vetëm të jesh esëll në bashkëbisedim dhe në sjellje, por të jesh i përmbajtur për sa u përket ushqimit dhe pijes.

5:7 Në botën natyrore, të fjeturit shoqërohet me natën. Kështu, në botën frymërore moskokëçarja e shkujdesur karakterizon ata që janë bij të errësirës, që do të thotë të pakthyerit.

Njerëzit parapëlqejnë të bëjnë festat (qejfet) e tyre dehëse gjatë natës; ata pëlqejnë errësirën më fort sesa ditën, sepse veprat e tyre janë të liga (Gjon. 3:19). Vetë emri “klub nate” lidh idenë e të pirit dhe të bërit aheng në errësirën e natës.

5:8 Ata që janë të ditës duhet të ecin në dritë ashtu sikurse Ai është në dritë (1 Gjon. 1:7). Kjo do të thotë të gjykosh dhe të braktisësh mëkatin dhe të shmangësh teprimin e çdo gjëje. Do të thotë gjithashtu të veshësh armatimin e krishterë dhe ta mbash veshur atë. Armatura ka të bëjë me: parzmoren e besimit dhe të dashurisë dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit. Me fjalë të tjera, armatura është besimi, dashuria dhe shpresa – tre elementët thelbësorë të karakterit të krishterë. Nuk është e domosdoshme të theksosh hollësitë e parzmores dhe të përkrenares. Apostulli thjesht po thotë se bijtë e dritës do të veshin mbulesën mbrojtëse të jetës së qëndrueshme dhe të perëndishme. Çfarë na mbron nga prishja që është në botë përmes lakmisë? Besimi, apo varësia nga Perëndia. Dashuria për Zotin dhe për njëri-tjetrin. Shpresa e kthimit të Krishtit.

Dallime të rëndësishme në kapitullin pesë:

Jobesimtarët Besimtarët

(“ata”) (“ju”)

flenë nuk flenë

dehen nuk dehen

në errësirë jo në errësirë

të natës dhe të errësirës bij të dritës dhe ditës

të zënë papritur nga Dita e Zotit jo të zënë

si vjedhës natën

shkatërrimi i menjëhershëm nuk janë caktuar për zemërim,

dhe i pashpëtueshëm, por për të marrë shpëtimin

si dhembjet e lindjes

të gruas shtatzënë.

5:9 Rrëmbimi ka dy aspekte, shpëtimin dhe zemërimin. Për besimtarin do të thotë marrja e shpëtimit të tij në qiell. Për jobesimtarin do të thotë përcjellje në kohën e zemërimit në tokë.

Meqë ne jemi të ditës, Perëndia nuk na ka caktuar për zemërimin që do të derdhë gjatë Periudhës së Mundimit të Madh, por më tepër për shpëtimin në tërë kuptimin e fjalës – të çliruar përgjithmonë nga prania e mëkatit.

Disa mendojnë se zemërim këtu i referohet ndëshkimit që jobesimtarët do të vuajnë në ferr. Sigurisht, është e vërtetë që Perëndia nuk na caktuar për atë, por është e pavend të futim këtë mendim këtu. Pali nuk po flet për ferrin, por për ndodhitë e ardhshme mbi tokë. Konteksti shtjellon Ditën e Zotit – periudhën më të madhe të zemërimit në historinë e njeriut mbi tokë (Mt. 24:21). Ne nuk do të kemi një takim me ekzekutuesin, por me Shpëtimtarin.

Disa thonë se Mundimi i Madh është koha e zemërimit të Satanit (Zbulesa 12:12), dhe jo e zemërimit të Perëndisë. Ata thonë se kisha do të përjetojë zemërimin e Satanit, por do të çlirohet nga zemërimi i Perëndisë në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Megjithatë vargjet që vijojnë flasin për zemërimin e Perëndisë dhe të Qengjit, dhe ato ndodhin gjatë Periudhës së Mundimit të Madh: Zbulesa 6:16,17; 14:9,10,19; 15:1,7; 16:1,19.

5:10 Ky varg thekson çmimin e madh të Zotit tonë Jezu Krisht paguar për të na çliruar nga zemërimi dhe për të siguruar shpëtimin tonë. Ai vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

Ka dy mënyra për të kuptuar shprehjen qofshim zgjuar qofshim fjetur. Disa studiues mendojnë se nënkupton “të gjallë apo të vdekur” në kohën e Rrëmbimit. Ata tregojnë se atëherë do të ketë dy klasa besimtarësh – ata që kanë vdekur në Krishtin dhe ata që do të jenë akoma në jetë. Kështu që ideja është se qofshin midis atyre që jetojnë apo që janë të vdekur në kohën e kthimit të Krishtit, ne do të jetojmë bashkë me të. Të krishterët që vdesin nuk humbin asgjë. Zoti ia shpjegoi këtë Martës: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë (d.m.th. një i krishterë që vdes para Rrëmbimit) do të jetojë (ai do të ringjallet nga të vdekurit). Dhe ai që jeton e beson në mua (një besimtar që do të jetë gjallë në kohën e Rrëmbimit), nuk do të vdesë kurrë përjetë . . . ” (Gjon. 11:25,26).

Paraqitja tjetër shtruar nga studiuesit është qofshim zgjuar qofshim fjetur do të thotë “syçelë apo të botës”. Me fjalë të tjera, Pali po thotë se qofshin syçelë frymërisht apo moskokëçarës mishërorë ndaj gjërave frymërore, ne do të rrëmbehemi për të takuar Zotin. Shpëtimi ynë i përjetshëm nuk varet nga mprehtësia jonë frymërore gjatë çasteve të fundit të kohës sonë në tokë. Nëse jemi me të vërtetë të kthyer, ne do të jetojmë bashkë me të kur Ai të vijë përsëri, qofshim në kulmin e pritjes apo në pozicionin pritës të gjumit. Gjendja jonë frymërore do të përcaktojë shpërblimet tona, por shpëtimi ynë varet nga besimi vetëm në Krishtin.

Ata që mbështesin këtë paraqitje të dytë tregojnë se fjala zgjuar është e njëjta fjalë greke e përkthyer “zgjuar” në vargun 6. Dhe fjala fjetur përdoret në vargjet 6 e 7 duke nënkuptuar “pandjeshmëri ndaj gjërave hyjnore, duke përfshirë konformitet (njëtrajtësim) me botën” (Vine). Por nuk është e njëjta fjalë e përdorur në 4:13,14,15 që nënkupton vdekje [14].

5:11 Duke pasur parasysh një shpëtim kaq të madh, në pritje me dashuri të këtij Shpëtimtari kaq të madh dhe në dritën e kthimit të Tij të shpejtë, ne duhet të nxisim njëri-tjetrin me mësim, inkurajim dhe shembull, dhe ne duhet të ndërtojmë njëri-tjetrin me fjalën e Perëndisë dhe me kujdes plot dashuri. Ngaqë do të jetojmë gjithmonë me Të, atëherë ne duhet të jetojmë tani në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

F. Nxitje të ndryshme ndaj shenjtorëve (5:12-22)

5:12 Mbase pleqtë e kishës në Thesaloniki kishin qortuar ata që kishin reshtur punën dhe “po jetonin në kurriz” të të tjerëve. Dhe pa dyshim këta parazitë nuk e panë pritur dhe aq mirë qortimin! Kjo mund të shpjegohet me këtë nxitje për udhëheqësit dhe ata që drejtojnë.

Kur Pali nxit shenjtorët të kenë respekt për ata që mundohen midis tyre, ai nënkupton që të respektojnë dhe t’u binden drejtuesve të tyre frymërorë. Kjo del qartë nga fjalët: “që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë“. Pleqtë janë nënbarinjtë e deleve të Perëndisë. Përgjegjësia e tyre është të mësojnë, drejtojë dhe paralajmërojnë.

Ky varg është një ndër shumë vargjet nga DhR që tregon se nuk kishte një njeri të vetëm drejtues në kishat apostullore. Kishte një grup pleqsh në çdo asamble, duke kullotur tufën vendore. Ashtu siç shpjegon Denney:

Në Thesaloniki nuk kishte një kryesues të vetëm, një shërbëtor siç e kuptojmë ne, i cili kishte një farë shtrirjeje përgjegjësie ekskluzive (të posaçme); kryesimi ishte në duart e një shumësie burrash [15].

Megjithatë, mungesa e një njeriu të vetëm kryesues nuk përligj kryesimin e çdo njeriu. Asambleja nuk duhet të jetë një demokraci, por një aristokraci, kryesimi i atyre që janë më të kualifikuar.

5:13 Pleqtë shërbejnë si përfaqësues të Zotit. Puna e tyre është puna e Perëndisë. Për këtë arsye, ata duhet të vlerësohen më tepër dhe me dashuri [16]. Nxitja “jetoni në paqe midis jush” është një shtesë jo e rastësishme. Problemi më i madh midis të krishterëve kudo është problemi i shkuarjes (marrëdhënieve) me njëri-tjetrën. Çdo besimtar ka aq shumë mish në vetvete sa për të ndarë dhe prishur çdo kishë vendore. Vetëm nëse jemi pajisur nga Fryma mund të rritemi në dashuri, pendim, vetëpërmbajtje, mirësi, zemërbutësi dhe falje që janë të domosdoshme për paqen. Një kërcënim i veçantë për paqen që Pali po paralajmëron është formimi i klikave [grupeve] rreth udhëheqësve njerëzorë.

5:14 Ky varg duket se u drejtohet udhëheqësve frymërorë të asamblesë; ai u thotë atyre se si të merren me problemet e vëllezërve:

1. Qortoni të parregulltit – ata që nuk ecin sipas rregullave, por ngulin këmbë për të prishur paqen e kishës me anë të sjelljeve të tyre të papërgjegjshme. Këtu të parregullit janë ata që nuk pranojnë të punojnë. Ata janë të njëjtët me ata të përshkruar te 2 Thesalonikasve 3:6-12, duke ecur në çrregullsi, që nuk punojnë, por që janë ngatërrestarë.

2. Ngushëlloni zemërlëshuarit – ata që kanë nevojë për nxitje të vazhdueshme për të kaluar vështirësitë e tyre dhe për të qenë të qëndrueshëm në Zotin.

Rreth përkthimit të KJV ngushëlloni mendjedobëtit, Ockenga shënon: “Nëse fjala do të thoshte mendjedobëtit ne akoma do t’i ngushëllonin ata. Ata duken se mblidhen kur predikohet ungjilli.”. Dhe a nuk është ky një nderim për ungjillin dhe kishën e krishterë? Të paktën ka një fushë ku ata gjejnë përkrahje, dashuri dhe konsideratë.

3. Ndihmoni të dobëtit – pra, ndihmoni ata që janë të dobët frymërisht, moralisht apo fizikisht. Ndihma frymërore dhe morale për ata që janë të dobët në besim është mbase ideja kryesore, megjithëse ne nuk duhet të përjashtojmë gjithashtu edhe ndihmën financiare.

4. jeni të duruar me të gjithë – tregoni hirin e durimit kur të tjerët priren të na ngacmojnë dhe nxisin.

5:15 Duke u folur tani të krishterëve në përgjithësi, Pali ndalon çdo lloj mendimi për shpagim. Reagimi natyral është që të kundërvihesh, ta kthesh me të njëjtën “fjalë fyese” (ta kthesh me të njëjtën monedhë). Por i krishteri duhet të jetë në harmoni me Zoti Jezus, duhet të reagojë në mënyrë të mbinatyrshme. Me fjalë të tjera, ai duhet të tregojë vazhdimisht mirësi dhe dashuri ndaj besimtarëve të tjerë, gjithashtu dhe ndaj të pashpëtuarve.

5:16 Gëzimi mund të jetë përvoja e vazhdueshme e të krishterit, edhe në rrethanat më të vështira, sepse Krishti është burimi dhe tema e këtij gëzimi dhe Krishti ka nën kontroll të gjitha rrethanat. Rastësisht “Jini gjithmonë të gëzuar” është vargu më i shkurtër në DhR greke, edhe pse “Jezusi qau” është më i shkurtri në anglisht.

5:17 Lutja duhet të jetë qëndrimi i vazhdueshëm i të krishterit – jo se i braktis detyrat e tij të zakonshme dhe i jepet plotësisht lutjes. Ai lutet në kohë të rregullta; ai gjithashtu lutet në kohë të çrregullta kur është nevoja, dhe ai shijon përbashkësi të vazhdueshme me Zotin në lutje.

5:18falënderuarit Perëndinë duhet të jetë emocioni i lindur i të krishterit. Nëse Romakëve 8:28 është e vërtetë, atëherë ne duhet të jemi të zotë të lavdërojmë Zotin në çdo kohë, në çdo rrethanë dhe për çdo gjë, përveçse në rastin e mëkatit.

Këto tri zakone të arta janë quajtur rregullat e vazhdueshme të kishës. Ato përfaqësojnë vullnetin e Perëndisë në Krishtin Jezus për ne. Fjalët në Krishtin Jezus na kujtojnë se Ai na i mësoi këto gjëra gjatë shërbesës së Tij tokësore dhe Ai ishte mishërimi i gjallë i asaj që mësoi. Me anë të mësimit dhe shembullit, Ai na zbuloi vullnetin e Perëndisë rreth gëzimit, lutjes dhe falënderimit.

5:19 Katër vargjet që vijojnë duken se merren me sjelljen në asamble.

shuash Frymën do të thotë t’i zësh frymën veprës së Tij në mesin tonë, të kufizosh dhe pengosh Atë. Mëkati e shuan Frymën. Traditat e shuajnë Atë. Rregullat njerëzore dhe rregullat në publik kanë dëshirë ta shuajnë Atë. Mosekzistenca e unitetit e shuan Atë. Dikush ka thënë: “Vështrimet e ftohta, fjalët përçmuese, heshtja, përbuzja e shuajnë së tepërmi Atë. Kështu bën edhe kritikuesi josimpatik”. Ryrie thotë se Fryma shuhet sa herë që shërbesës së Tij i zihet fryma nga një individ apo një kishë.

5:20 Nëse e lidhim këtë varg me të mëparshmin, atëherë del ideja se shuarja e Frymës vjen kur ne përçmojmë profecitë. Për shembull, një vëlla i ri mund të bëjë një gabim të vogël (gjatë një predikimi ose gjatë Darkës së Zotit) në shërbesën publike. Duke e kritikuar atë në mënyrë aq të rëndë që ai tërhiqet nga ndonjë shërbesë publike në të ardhmen, ne shuajmë Frymën.

Në kuptimin e hershëm të DhR të profetizoje do të thoshte të flisje fjalët e Perëndisë. Vendimet e frymëzuara të profetëve janë ruajtur për ne në Bibël. Në një kuptim të dytë, profeci do të thotë të shpallësh atë që Perëndia mendon, ashtu siç është shpallur në Bibël.

5:21 Ne duhet të vlerësojmë atë që dëgjojmë dhe të mbajmë të mirën, jo të rremen, por të vërtetën. Standardi me anë të të cilit ne provojmë çdo predikim dhe mësim është fjala e Perëndisë. Do të ketë keqpërdorim herë pas here sa herë që Fryma ka lirinë për të folur me anë të vëllezërve të ndryshëm. Por të shuash Frymën nuk është mënyra e ndreqjes së këtyre keqpërdorimeve.

Ashtu si ka shkruar Dr. Denney:

Një takim i hapur, një liri për të profetizuar, një mbledhje ku secili mund të flasë ashtu siç ia jep Fryma është një ndër nevojat më të mëdha të kishës moderne [17].

5:22Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë mund të nënkuptojë gjuhët, profecitë apo mësimin e rremë, ose mund të nënkuptojë të ligën në përgjithësi.

A. T. Pierson tregon se ka shtatë gjendje frymërore të ndara për të krishterin në vargjet 16-22:

1. Gjendja lavdëruese (16). Vlerësimi ndaj të gjitha marrëveshjeve të Perëndisë si tepër të mëdha.

2. Gjendja e lutjes (17). Lutja nuk duhet të jetë kurrë e papërshtatshme apo e pavend.

3. Gjendja falënderuese (18). Edhe në rrethana jo të pëlqyeshme të mishit.

4. Gjendja frymërore (19). Ai duhet të ketë liri të plotë në ne dhe përmes nesh.

5. Gjendja të mësosh (20). Çdo mjet që Perëndia zgjedh për të përdorur.

6. Gjendja gjykuese (21). Krahasoni 1 Gjon. 4:1. Provoni të gjitha me anë të fjalës së Perëndisë.

7. Gjendja e shenjtërimit (22). Nëse e liga merr formë në mendjen tuaj, shmangeni atë të ligë [18].