6:11 Timoteu këtu quhet njeriu i Perëndisë. Ky titull zakonisht u jepej profetëve në DhV dhe përshkruante një njeri që ishte i perëndishëm në sjelljen e tij. Kjo mund të tregojë se Timoteu kishte dhuntinë e profecisë. E kundërta e shprehjes njeriu i Perëndisë është “njeriu i mëkatit”, ashtu siç e gjejmë te 2 Thesalonikasve 2. Njeriu i mëkatit do të jetë plot me mëkat. Çdo gjë rreth tij duhet t’i bëjë njerëzit të mendojnë për mëkatin. Timoteu duhet të ishte njeriu i Perëndisë, një njeri që do të bënte që njerëzit të mendonin për Perëndinë dhe ta përlëvdonin Atë.
Në shërbimin e tij për Krishtin Timoteu duhet të hiqte dorë nga gjërat e kota (v. 4), papastëria (v. 5), nga një frymë e pakënaqur (v. 6-8), lakmitë e marra dhe të dëmshme (v. 9) dhe lakmia për para (v. 10). Ai duhet të ushtronte karakterin e krishterë – gjënë e vetme që mund të marrë me vete në qiell. Këtu jepen elementët e karakterit të krishterë, si: drejtësia, perëndishmëria, besimi, dashuria, durimi [zemërgjerësia në përkthimin shqip] dhe zemërbutësia.
Drejtësia flet për paanshmërinë dhe ndershmërinë në marrëdhëniet tona me njerëzit. Perëndishmëria është ngjashmëria me Perëndinë. Besimi mund të nënkuptojë gjithashtu edhe besnikëri, apo varësi nga Perëndia. Dashuria flet për dashurinë tonë, si ndaj Perëndisë ashtu edhe ndaj njerëzve. Durimi është përcaktuar si qëndrueshmëria në kohë provash, ndërsa zemërbutësia është mirësjellja e përulur.
6:12 Timoteu jo vetëm duhet të heqë dorë dhe të ndjekë, por edhe duhet të luftojë. Këtu fjala lufto nuk do të thotë të ndeshesh me armë, por të përpiqesh. Kjo fjalë nuk është marrë nga fusha e luftimit me armë, por nga konteksti atletik. Lufta e drejtë për të cilën flitet këtu është besimi i krishterë dhe gara e lidhur me të. Timoteu duhet të vrapojë mirë në këtë garë. Ai duhet të rrokë jetën e përjetshme. Kjo nuk do të thotë se ai duhej të përpiqej për shpëtimin. Ai tashmë e kishte atë. Por këtu ideja është të jetojë në praktikën e përditshme të jetës së përjetshme që tashmë ishte e tija.
Timoteu ishte thirrur në jetën e përjetshme në kohën e kthimit të tij. Gjithashtu, ai e kishte bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve. Mbase kjo i referohet pagëzimit të tij, megjithëse mund të përfshijë gjithashtu tërë dëshminë e tij për Zotin Jezus Krisht.
6:13 Apostulli tani i ngarkon një detyrë solemne Timoteut dhe e bën këtë në prani të dy Dëshmitarëve të tij më të mëdhenj. Së pari, detyra jepet përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave. Mbase duke i shkruar Timoteut, Pali ishte i vetëdijshëm se një ditë ai do ta jepte jetën e tij për rrëfimin e tij në Zotin Jezus. Nëse është kështu, atëherë është mirë për këtë luftëtar të ri të kujtojë se Perëndia është Ai që u jep jetë të gjitha gjërave. Edhe sikur njerëzit të arrinin ta vrisnin Timoteun, besimi i tij është në Atë që ringjall të vdekurit.
Së dyti, detyra jepet përpara Krishtit Jezus. Ai është shembulli i madh i një dëshmie të mirë besimi. Përpara Ponc Pilatit Ai qe duke dëshmuar një dëshmi të mirë besimi. Edhe pse kjo mund t’i referohet tërë fjalëve të Shpëtimtarit dhe veprimeve para guvernatorit romak, tregon në mënyrë të veçantë shprehjen te Gjoni 18:37: “Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim”. Ky rrëfim i pangurruar po vihej para Timoteut si shembull për t’u ndjekur për të dhënë dëshmi për të vërtetën.
6:14 Timoteu ngarkohet ta ruajë këtë urdhërim. Disa mendojnë se kjo ka të bëjë me urdhrin për të luftuar luftën e drejtë të përmendur më parë. Të tjerë hedhin mendimin se mund t’i referohet tërë detyrës që Pali i kishte dhënë Timoteut në këtë letër. Të tjerë mendojnë për këtë urdhërim si lajmin e ungjillit, apo zbulimin e Perëndisë ashtu siç është dhënë në fjalën e Perëndisë. Ne besojmë se kjo i referohet detyrës për të ruajtur të vërtetën e besimit të krishterë.
Shprehjet pa njolla e të meta i referohen më fort Timoteut sesa urdhërimit. Duke zbatuar urdhërimin, Timoteu duhet ta ruante dëshminë pa njolla dhe të ishte e paqortueshme.
Në DhR, të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht vihet shpesh para besimtarit. Besnikëria ndaj Krishtit në këtë botë do të shpërblehet në Gjykatën e Krishtit. Këto shpërblime, në kohën e duhur, do të shfaqen kur Zoti Jezus do të kthehet në tokë për të vendosur mbretërinë e Tij. Atëherë frytet e besnikërisë apo pabesisë do të zbulohen qartësisht.
6:15 Studiuesit e Biblës nuk kanë rënë dakort për sa i përket referimit të përemrave në këtë varg dhe në tjetrin. A i referohen Perëndisë Atë apo Zotit Jezus Krisht. Marrë në vetvete, vargu 15 duket sikur i referohet Zotit Jezus, sepse Ai është quajtur Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve te Zbulesa 17:14. Nga ana tjetër, vargu 16 duket se i referohet në veçanti Perëndisë Atë.
Megjithatë, domethënia e vargut 15 duket se është kjo: Kur Zoti Jezu Krisht do të kthehet për të mbretëruar në tokë, njerëzit do të kuptojnë se kush është i lumi e i vetmi sundimtar. Të dukurit do të tregojë cili është Mbreti i vërtetë. Në atë kohë kur Pali i shkroi Timoteut, Zoti Jezus nuk pranohej dhe akoma nuk pranohet. Por dita po vjen kur do të tregohet qartë se Ai është Mbreti mbi tërë ata që mbretërojnë dhe Ai është Zoti mbi tërë ata që sundojnë si zotër.
I lumi do të thotë jo vetëm i denjë për t’u lavdëruar, por Ai që ka në Vetvete plotësinë e tërë bekimeve.
6:16 Në dukjen e Zotit Jezus njerëzit do të kuptojnë që Perëndia është i vetmi që ka pavdekësinë. Kjo do të thotë se Ai është i Vetmi që e ka atë në vetveten. Engjëjt kanë pavdekësinë që iu është dhënë dhe në ringjallje besimtarët do të marrin trupa që janë të pavdekshëm (1 e Korintasve 15:53,54), por Perëndia ka pavdekësinë në Vetvete.
Pastaj thuhet se Perëndia rri në dritë të paafrueshme. Kjo na flet për lavdinë shkëlqyese dhe vezulluese që rrethon fronin e Perëndisë. Njeriu në gjendjen e tij natyrore do të shkrihej nga ky vezullim. Vetëm ata që janë pranuar në të Dashurin dhe janë të plotë në Krishtin mund t’i afrohen Perëndisë pa u shkatërruar.
Në qenien e Tij thelbësore, asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë Atë. Në DhV njerëzit shikonin dukjen e Perëndisë, të quajtura teofani. Në DhR, Perëndia ka zbuluar përsosmërisht Veten në Personin e Birit të Tij të dashur, Zotit Jezus Krisht.
Megjithatë, është e vërtetë se Perëndia është i padukshëm për sytë vdektarë.
Atij i takon nderi dhe pushteti i përjetshëm dhe Pali e mbyll këtë detyrë për Timoteun me këtë atribuim të nderit Perëndisë.
6:17 Pali foli gjatë për ata që dëshirojnë të bëhen të pasur. Këtu ai merret me ata që janë tashmë të pasurit. Timoteu duhej të porosiste ata të mos jenë krenarë. Ky është një tundim për të pasurit. Ata priren t’i shohin ata që nuk kanë shumë para si të paedukuarit, të pakulturuarit dhe që nuk janë shumë të zgjuar. Kjo, sigurisht, nuk është e vërtetë. Pasuritë e mëdha nuk janë shenjë e bekimeve të Perëndisë në DhR, ashtu siç ishin në DhV. Ndërsa pasuria ishte shenja e hirit hyjnor nën ligj, bekimet e mëdha të epokës së re janë pikëllimet.
Të pasurit nuk duhet t’i mbajnë shpresat në pasurinë (fjalë për fjalë “në pasigurinë e pasurisë“). Paraja ka një mënyrë të të lëshuarit krahë dhe të fluturuarit. Ndërsa burimet e mëdha japin një dukje sigurie. Fakti është se gjëja e vetme e sigurt në këtë botë është fjala e Perëndisë.
Prandaj, të pasurit nxiten të besojnë në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar. Një nga kurthet e mëdha të pasurive është se është e vështirë t’i kesh ato pa besuar në to. Kjo është me të vërtetë një formë idhujtarie. Është një mohim i të vërtetës se Perëndia është Ai i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar. Kjo shprehje e fundit nuk nënkupton të jetuarit në luks, por thjesht pohon se Perëndia është Burimi i gëzimit të vërtetë dhe gjërat materiale nuk mund të prodhojnë një gjë të tillë.
6:18 I krishteri kujtohet se paraja që ai zotëron nuk i përket atij. Ajo i jepet atij si një shërbëtori. Ai është përgjegjës për ta përdorur atë për lavdinë e Perëndisë dhe për mirëqenien e njerëzve të tjerë. Ai duhet ta përdorë atë për të kryer vepra të mira dhe të jetë i gatshëm për t’i dhënë atij që është nevojtar.
Rregulli i jetës së John Wesley-it ishte: “Bëj të mirën sa të mundesh, me të gjitha mjetet që mundesh, në të gjitha mënyrat që mundesh, në çdo vend ku të mundesh, në çdo kohë të mundesh, ndaj të gjithë njerëzve që mundesh, me sa mundesh”.
I gatshëm për të dhënë shpreh idenë që ai duhet të jetë gati ta përdorë atë sa herë që t’i tregojë Zoti.
6:19 Ky varg thekson të vërtetën se është e mundur për ne që të përdorim gjërat materiale në mënyrë të tillë në këtë jetë që ato të fitojnë interes të përjetshëm. Duke përdorur fondet tona në veprën e Zotit në këtë kohë, ne jemi duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen. Në këtë mënyrë, ne kemi për të arritur jetën, që është jeta e vërtetë.
6:20 Tani mbërrijmë te nxitja përfundimtare e Palit ndaj Timoteut. Ai nxitet të ruajë atë që i është besuar. Kjo mbase u referohet doktrinave të vërteta të besimit të krishterë. Nuk është çështja e shpirtit apo shpëtimit të Timoteut, por më tepër e të vërtetës së ungjillit të hirit të Perëndisë. Ashtu si paratë që vendosen në një bankë, e vërteta që i ishte besuar Timoteut duhej të ruhej “e tërë, e plotë dhe pa pësuar dëme”.
Ai duhej të shmangte fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë. Fjalët e kota apo thashethemet janë të folurat boshe rreth çështjeve që nuk janë të dobishme.
Pali kuptoi se Timoteu do të haste shumë mësime që shfaqeshin si njohuri të vërteta, por që ishin kundër zbulimit të krishterë. Peshkop Moule ka shkruar:
Gnostikët e kohës së Palit shpallnin se bënin që dishepujt e tyre “të tejkalonin tufën e zakonshme të besimtarëve të thjeshtë në një rreth më të lartë dhe me më shumë dhunti që do të njihnin misteret e qenies dhe ata, me një njohje të tillë, do të jetonin të emancipuar nga një skllavëri e materies, duke u ngritur në lirinë e botës së frymës” [25].
Nga e tërë kjo Timoteu duhej të largohej.
Kjo në ditët tona mund t’i referohet së pari, kulteve të rreme, si “Shkenca e Krishterë”. Ky kult shpall se janë të krishterë në karakter dhe se kanë njohjen e vërtetë, por ashtuquhet në mënyrë të rreme. Ata nuk janë as të krishterë as shkencëtarë!
Ky varg mund të zbatohet gjithashtu për shumë forma të shkencës së natyrës [26], ashtu siç mësohet në shkollat tona sot. Asnjë gjetje e vërtetë e shkencës nuk mund të kundërshtojë Biblën, sepse të fshehtat e shkencës u vendosën në gjithësi nga i njëjti që shkroi Biblën, Perëndia Vetë. Por shumë të ashtuquajtura fakte të shkencës nuk janë në të vërtetë asgjë tjetër veç teorive të pavërtetuara. Çdo hipotezë e tillë që kundërshton Biblën nuk duhet pranuar.
6:21 Pali e kishte kuptuar se disa të ashtuquajtur të krishterë ishin përpirë nga këto mësime të rreme dhe dolën nga besimi. Këto vargje mbyllëse sjellin para nesh rrezikun e madh të të ashtuquajturave intelektualizëm, racionalizëm, modernizëm, liberalizëm dhe shumë fjalë të tjera që mbarojnë me “izëm”, të cilat shpërfillin Krishtin.
Hiri qoftë me ty. Ky bekim është “vula” e Palit, sepse vetëm hiri i Perëndisë mund të ruajë njerëzit e Tij në udhën “e ngushtë dhe të vështirë”. Amen!
SHËNIME
Hyrje te Letrat Baritore
[1] Albert Barnes, Notes on the New Testament: Thessalonians, Timothy, Titus, Philemon, f. 289.1 Timoteut
[1] (Hyrje te 1 Timoteut) Cituar nga L’Eglise chrétienne, f. 95, nga George Salmon tek A Historical Introduction to the Study of the Books of the New Testament, f. 413. [2] (1:8) Guy King, A Leader, f. 25. [3] (1:16) William Kelly, An Exposition of the Two Epistles to Timothy, f. 22. [4] (1:19) Hamilton Smith, nuk janë të mundura të dhëna të tjera. [5] (1:20) Fjala greke blasphemeo (përflas, blasfemoj) përdoret si për Perëndinë ashtu edhe për njeriun. Kjo fjalë në anglisht përdoret gati në të gjitha rastet vetëm për Perëndinë dhe gjërat e shenjta. [6] (2:9) John Chrysostom, cituar nga Alfred Plummer në The Pastoral Epistles, f. 101. [7] (2:15) J. P. Lilley The Pastoral Epistles, f. 94. [8] (3:2) Të krishterët që përkrahin një mendim të tillë theksojnë që besnikëria e plakut ndaj një gruaje të vetme është nënkuptuar në ndërtimin grek të shprehjes: “burrë i një gruaje të vetme”. [9] (3:3) Meqë dhjakët nuk duhet të jenë pëlqyes të parasë (3:8) nuk ka mundësi që Pali të mos e ketë përdorur këtë cilësi edhe për pleqtë që janë më përgjegjës. [10] (3:11) Mbase nuk ishte një detyrë zyrtare për një grua në këtë kohë të hershme. Shikoni shënimet te Ryrie Study Bible, NKJV, f. 1850. [11] (3:16) J. N. Darby, “Notes of a Lecture on Titus 2:11-14”, The Collected Writings of J. N. Darby, VII:333. [12] (3:16) Emrat e shenjtë të Perëndisë, Krishtit dhe Frymës u shkurtuan në dorëshkrimet e vjetra. Shkurtimi grek për Perëndinë duket saktësisht si fjala “i cili” duke shtuar një shenjë horizontale që dallon një theta nga një omikron dhe një shenjë tjetër mbi fjalën për ta shfaqur atë si shkurtim. Dorëshkrimet lexohen kështu “Perëndia” (TR dhe M), “i cili” (NU), dhe “që”. Ne pranojmë leximin nga TR/M, pasuar nga KJV dhe NKJV. [13] (4:3) Mary Baker Eddy, Science and Health with Key to the Scriptures, f. 64,65. [14] (4:10) Teksti kritik (NU) shkruan “ne po mundohemi dhe përpiqemi”. [15] (4:12) Ling, Leader, f. 79. [16] (5:4) Si në dorëshkrimet më të vjetra po ashtu edhe në ato më të shumta mungon “e mirë” para “e pëlqyer”. Leximi më i shkurtër është pa dyshim origjinali. [17] (5:16) Mungesa e burrit besimtar në këtë varg në tekstin e NU mbase është e rastësishme. S’ka mundësi që Pali do të shkruante që vetëm gratë besimtare duhet të kujdesen për vejushat. [18] (6:4) R. C. H. Lenski, The Interpretation of St. Paul’s Epistles to the Thessalonians, to Timothy, to Titus and to Philemon, f. 700. [19] (6:5) I njëjti referim si më lart, f. 701,702. [20] (6:5) Në tekstin NU mungon kjo fjali. [21] (6:7) Edward Herbert Bates, Spiritual Thoughts from the Scriptures of Truth, f. 160. [22] (6:9) Albert Barnes, Notes on the New Testament: Thessalonians, Timothy, Titus, Philemon, f. 199. [23] (6:10) J. C. Ryle, Practical Religion, f. 215. [24] (6:10) Nga të dhënat rreth Howard Hughes. [25] (6:20) H. C. G. Moule, Studies in II Timothy, f. 91. [26] (6:20) Fjala latine scientia thjesht do të thotë “njohje”. Fjala rrjedhëse në anglisht “shkencë” (teksti i 1611) tani ka një domethënie më të hollë. Prandaj, ai i NKJV-ë ndryshon.BIBLIOGRAFI
Bates, Edward Herbert. Scriptural Thoughts from the Scriptures of Truth. London: Pickering & Inglis, n.d.
Bernard, J. H. The Pastoral Epistles. Cambridge: University Press, 1899.
Erdman, Charles R. The Pastoral Epistles of Paul. Philadelphia: Westminster Press, 1923.
FairBairn, Patrick. Commentary on the Pastoral Epistles. Edinburgh: T & T. Clark, 1874.
Guthrie, Donald. The Pastoral Epistles, (TBC). Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1957.
Hiebert, D. Edmond. First Timothy. Chicago: Moody Press, 1957.
Hiebert, D. Edmond. Second Timothy. Chicago: Moody Press, 1958.
Hiebert, D. Edmond. Titus and Philemon. Chicago: Moody Press, 1957.
Ironside, H. A. Address, Lectures, Expositions on Timothy, Titus, and Philemon. New York: Loizeaux Bros., 1947.
Kelly, William. An Exposition of the Epistle of Paul to Titus. London: Weston, 1901.
Kelly, William. An Exposition of the Two Epistles to Timothy, Bot. 3. Oak Park, IL: Bible Truth Publishers, n. d.
Kent, Homer A. The Pastoral Epistles. Chicago: Moody Press, 1958.
King Guy H. A Leader Led: A Devotional Study of 1 Timothy. Fort Washington, Pa.: Christian Literature Crusade, 1944.
King Guy H. To My Son: An Expositional Study of II Timothy. Fort Washington, Pa.: Christian Literature Crusade, 1944.
Lilley, J. P. “The Pastoral Epistles”. Handbooks for Bible Classes. Edinburgh: T & T. Clark, 1901.
Lock, Walter. A Critical and Exegetical Commentary on the Pastoral Epistles (ICC). Edinburgh: T & T. Clark, 1924.
Moule, H. C. G. Studies in II Timothy. Grand Rapids: Kregel Publications, 1977.
Plummer, Alfred. The Pastoral Epistles. New York: George H. Doran Company, n.d.
Smith, Hamilton. The Second Epistle to Timothy. Wooler, Northumberland, England: Central Bible Hammond Trust Ltd., n.d.
Stock, Eugene. Plain Talks on the Pastoral Epistles. London: R. Scott, 1914.
Van Oosterzee, J. J. “The Pastoral Letters”. Lange’s Commentary on the Holy Scriptures. Vëll. 23. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, n.d.
Vine, W. E. Exposition of the Epistles to Timothy. London: Pickering & Inglis, 1925.
Wuest, Kenneth S. The Pastoral Epistles in the Greek New Testament. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1953.