Përshëndetje (1 Timoteut 1:1-2)

1:1 Pali së pari e paraqet veten e tij si apostulli i Jezu Krishtit. Apostulli është një i “dërguar”, kështu që Pali thjesht po pohon se ai ishte caktuar nga Perëndia për veprën misionare. Autoriteti i Palit ishte me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë. Kjo thekson se Pali nuk e kishte zgjedhur vetë shërbesën si mjet jetese; as nuk ishte caktuar nga njerëzit. Ai kishte një thirrje të caktuar nga Perëndia për të predikuar, mësuar dhe vuajtur. Në këtë varg, Perëndia Atë quhet Shpëtimtari ynë. Zakonisht në DhR, Zoti Jezus quhet Shpëtimtari. Por këtu nuk kemi asnjë mospërputhje. Perëndia është Shpëtimtari i njerëzve në kuptimin se Ai dëshiroi shpëtimin, Ai dërgoi Birin e Tij të kryente veprën e shpengimit dhe Ai u jep jetë të përjetshme të gjithë atyre që e pranojnë Zotin Jezus me besim. Krishti është Shpëtimtari në kuptimin se Ai vetë shkoi në kryq dhe kreu veprën që ishte e domosdoshme në mënyrë që Perëndia me të drejtë të mund të shpëtonte mëkatarët e paperëndishëm.

Zoti Jezus Krisht paraqitet këtu si shpresa jonë. Kjo na kujton Kol. 1:27: “Krishti në ju, shpresë lavdie”. Shpresa jonë e vetme për të shkuar në qiell gjendet në Personin dhe veprën e Zotit Jezus. Në fakt, e tërë e ardhmja e ndritshme që na pret, e paraqitur në Bibël, është e jona për shkak të lidhjes sonë me Krishtin Jezus.

Vini re më tej te Efesianeve 2:14, ku Krishti është paqja jonë dhe Kol. 3:4, ku Ai është jeta jonë. Krishti është paqja jonë, I Cili e ka zgjidhur problemin e mëkateve tona në të shkuarën; Krishti është jeta jonë, I Cili e ka zgjidhur problemin e fuqisë për të tashmen; dhe Krishti është shpresa jonë, I Cili e ka zgjidhur problemin e çlirimit në të ardhmen.

1:2 Letra i drejtohet Timoteut, që përshkruhet si bir i vërtetë në besim. Kjo mund të tregojë se Timoteu ishte shpëtuar me anë të apostullit, mbase gjatë vizitës së parë në Listra (Veprat e Apostujve 14:6-20). Por ideja e përgjithshme te Veprat është se Timoteu ishte një dishepull kur e takoi Palin për herë të parë (Veprat e Apostujve 16:1,2). Në këtë rast shprehja birit të vërtetë në besim do të thotë se Timoteu shfaqi të njëjtat cilësi frymërore dhe morale si Pali; ai ishte një pasardhës i vërtetë i apostullit, sepse kishte shfaqur të njëjtin karakter.

Stock-u thotë: “I lumtur është punëtori i ri i krishterë që ka një udhëheqës të tillë dhe i lumtur është udhëheqësi i krishterë që e ‘ka kukurën e tij plot’ me bij të tillë ‘të vërtetë'”.

Përshëndetja e zakonshme në letrat e DhR është “hir dhe paqe”. Te 1 dhe 2 e Timoteut, Titit dhe 2 Gjonit, kjo shtrihet në hir, mëshirë dhe paqe. Të gjitha këto letra të fundit iu shkruan individëve dhe jo kishave dhe kjo shpjegon shtesën e mëshirës.

Hir do të thotë ndihma hyjnore e nevojshme për jetën dhe shërbimin e krishterë. Mëshira flet për kujdesin dhe mbrojtjen dashamirëse të Perëndisë për atë që është në nevojë dhe gati në të rënë. Paqe do të thotë qetësia e brendshme që vjen nga mbështetja te Zoti. Këto tre bekime vijnë prej Perëndisë Atit tonë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë. Hyjnia e Krishtit nënkuptohet në këtë varg duke e paraqitur Atë, nga Pali, si të barabartë me Atin. Ndërsa fjala “Shpëtimtar” haset njëzet e katër herë në DhR, fjala “Zot” haset 522 herë. Ne duhet të jemi të aftë të bëjmë një zbatim vetjak të këtyre statistikave të rëndësishme.