Udhezime të veçanta rreth klasave të ndryshme të besimtarëve (5:1-6:2)

A. Grupmoshat e ndryshme (5:1,2)

5:1 Ky varg ndërfut një pjesë rreth sjelljes së Timoteut ndaj pjesëtarëve të familjes së krishterë midis të cilëve po punonte. Duke qenë i ri dhe mbase më tepër agresiv, Timoteu mund të tundohej të mos duronte dhe të inatosej me ndonjë plak; prandaj jepet nxitja që ai të mos e qortojë ashpër një plak, por ta këshillojë si atë. Do të ishte e papërshtatshme që një i ri të shante një njeri të tillë me fjalë.

Mund të ekzistojë gjithashtu rreziku që ky i ri në Krishtin të shfaqte një qëndrim jo të drejtë ndaj më të rinjve. Dhe për këtë Pali i thotë atij që të sillet me më të rinjtë si vëllezër; ai duhet të jetë si një prej tyre dhe jo të mbajë një qëndrim sundues mbi ta.

5:2 Plakat duhet të shihen si nëna dhe të trajtohen me dinjitetin, dashurinë dhe respektin që u takon.

Dëlirësia duhet të karakterizojë të gjitha lidhjet e tij me të rejat. Jo vetëm të shmangte atë që është e mëkatshme, por ai duhej gjithashtu të qëndronte larg çdo vepre pandershmërie apo sjelljeje që mund të dukej e ligë.

B. Vejushat (5:3-16)

5:3 Nga vargjet 3-16, Pali shtjellon temën e vejushave në kishën vendore dhe se si duhet të trajtohen ato.

Së pari, kisha duhet nderojë ato që janë me të vërtetë të veja. “Ndero këtu jo vetëm hedh idenë e respektit, por përfshin edhe ndihmën financiare. Një vejushë e vërtetë është dikush që nuk ka asnjë mjet ndihme, por që mbështetet plotësisht në Zotin për jetesën e saj. Ajo nuk ka kushërinj që mund të kujdesen për të.

5:4,5 Një kategori tjetër vejushash përshkruhet në këtë varg. Janë ato që kanë djem a nipa. Në një rast të tillë, djemtë duhet të mësojnë të ushtrojnë perëndishmëri në shtëpi duke mbajtur nënat e tyre (apo gjyshet) për gjithçka që ato kanë bërë për ta. Vargu mëson qartë se perëndishmëria fillon ndaj atyre të familjes. Është një dëshmi e mjerë për besimin e krishterë të flasësh me zë të lartë për besimin e vetvetes dhe të lësh pas dore ata që janë tanët nga natyra!

Është e pëlqyer [16] në sytë e Perëndisë për të krishterët që të kujdesen për të dashurit që janë pa ndihmë. Te Efesianëve 6:2 apostulli Pal mëson qartë: “‘Ndero babanë tënd dhe nënën tënde’, ky është urdhërimi i parë me premtim”. Ashtu siç e përmendëm më parë, një vejushë e vërtetë është ajo pa burime financiare dhe që vazhdimisht duhet të shikojë nga Perëndia për ndihmë për ushqimin e saj të përditshëm.

5:6,7 Në dallim me vejushat e perëndishme në vargun 5 është ajo që jeton e shthurur. Ka disa mospërputhje nëse një grua e tillë është një besimtare e vërtetë apo thjesht një që rrëfen se është. Ne besojmë se ajo është një e krishterë e vërtetë – por që ka një sjellje të mëkatshme. Ajo është e vdekur për sa i përket përbashkësisë së saj me Perëndinë dhe është e pafrytshme para Tij. Timoteu duhej të paralajmëronte vejusha të tilla kundër jetës së shthurur dhe gjithashtu duhej të mësonte të krishterët të kujdeseshin për ato që kishin lidhje familjare me ta dhe ishin pa mbështetje.

5:8 Këtu theksohet serioziteti i faktit kur dikush nuk kujdeset për të afërmit e vet, dhe më tepër për ata të shtëpisë së vet. Kjo përbën një mohim të besimit. Besimi i krishterë nënkupton që ata që janë besimtarë të vërtetë duhet të kujdesen për njëri-tjetrin. Kur një i krishterë nuk e bën një gjë të tillë, ai mohon me anë të veprimeve të tij, të vërtetat që mëson krishterimi. Një njeri i tillë është më i keq se një jobesimtar për arsyen e thjeshtë se shumë jobesimtarë tregojnë kujdes për të afërmit e tyre. Gjithashtu, një i krishterë mund të shkaktojë qortim ndaj emrit të Zotit në një mënyrë që një jobesimtar nuk mund ta bëjë.

5:9 Duket nga ky varg se një regjistrim i përcaktuar i emrave mbahej në çdo kishë vendore, duke treguar ato vejusha për të cilat kujdesej kisha. Pali këtu qartëson se asnjë vejushë nuk duhet të shënohet në atë listë nëse është më e re se gjashtëdhjetë vjeçe.

Shprehja bashkëshorte e një burri të vetëm ngre të njëjtin problem si në shprehjen e ngjashme në lidhje me peshkopët dhe dhjakët. Mund të jepet një interpretim i njëjtë i kësaj shprehjeje. Ajo pa dyshim nënkupton se jeta e saj martesore nuk duhet të vihet në diskutim, pa dyshime për mëkat moral.

5:10 Që të regjistrohet në atë listë, një vejushë duhet të ketë një reputacion se ka kryer vepra të mira, ashtu siç duhet të karakterizohet një besimtare frymërore.

Fjalët që i ka rritur fëmijët e saj pa dyshim do të thotë se ajo duhet t’i ketë rritur ata në atë mënyrë që të jetë një nder për jetën e saj dhe shtëpinë e saj të krishterë. Nuk ka ndonjë virtyt thjesht duke i rritur derisa të bëhen të mëdhenj, duke i ushqyer, por ka virtyt duke i rritur ata mirë.

Një veçori tjetër e një vejushe të perëndishme është se ajo u ka treguar mikpritje të huajve. Shumë herë në DhR përmendet dhe urdhërohet hiri i mikpritjes.

Larja e këmbëve të shenjtorëve ishte detyra e skllevërve. Kështu, këtu ideja është pa dyshim se vejusha ka kryer shumë shërbime të përditshme për të krishterët e tjerë. Por mund të nënkuptojë gjithashtu ua ka larë këmbët shenjtorëve nga ana frymërore, me larjen me ujë me anë të fjalës. Kjo nuk do të thotë shërbesë në publik, por thjesht duke bërë vizita nëpër shtëpi dhe duke përdorur fjalën e Perëndisë për të pastruar besimtarët nga ndotjet që ndeshen në ecjen e tyre të përditshme.

Ndihma ndaj nevojtarëve i referohet veprave të mëshirës kryer për ata që janë të sëmurë, të brengosur, apo në mundime.

Me pak fjalë, që të regjistrohet në listën e asamblesë vendore, kjo vejushë duhet t’i jetë kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.

5:11 Ky është një varg i vështirë, por domethënia duket se është si vijon: Në përgjithësi, do të ishte një gabim t’i vësh vejushat më të reja në ngarkim të kishës vendore. Duke qenë të reja, ato mund të dëshirojnë të martohen përsëri. Kjo nuk do të ishte një gjë e keqe në vetvete, por dëshira mund të bëhet aq e madhe ndonjëherë saqë ndonjë prej këtyre vejushave të reja mund të martohet edhe me një jobesimtar. Apostulli e quan këtë ngritje kundër Krishtit. Kur vjen puna për të bërë një zgjedhje midis martesës me një pagan apo mbetjes si e pamartuar për shkak të dashurisë së Krishtit dhe bindjes ndaj fjalës së Tij, vejushat e reja priren të martohen. Kjo, sigurisht, do të sjellë qortim mbi kishën vendore që e mbështet atë.

5:12 Dënim këtu nuk do të thotë humbje e përjetshme, por thjesht që ato do të gjykohen apo dënohen sepse kanë shkelur besimin e parë. Një herë e një kohë ato kanë rrëfyer besnikëri dhe përkushtim të madh ndaj Zotit Jezus Krisht, por tani kur del rasti për t’u martuar me dikë që nuk e do Krishtin, ajo e harron betimin e saj të mëparshëm bërë Krishtit dhe martohet me një jobesimtar, duke qenë e pabesë ndaj Dhëndrit Qiellor.

Pali nuk po i kritikon vejushat e reja që të mos martohen. Në fakt, ai i nxit ato të martohen (v. 14). Ajo që sheh si gabim është rënia e tyre frymërore, braktisja e parimeve hyjnore për të marrë një burrë.

5:13 Kisha vendore duke marrë përgjegjësi të plotë financiare për vejushat e reja mund t’i nxisë ato të jenë përtace, me tërë të këqijat që vijojnë. Në vend që të marrin përgjegjësitë e tyre, ato mund të bëhen llafazane dhe kureshtare, duke u përfshirë me gjëra që nuk u përkasin. Asnjë veprim i ndërmarrë nga një kishë vendore nuk duhet të nxisë një sjellje të tillë, ashtu siç e përmendëm më parë, sepse kjo është e papëlqyeshme për dëshminë e krishterë.

5:14 Pali, pra, pohon se, si një parim i përgjithshëm, është e pëlqyeshme që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë dhe të ruajnë familjen e krishterë të paqortueshme. Sigurisht, Pali kishte kuptuar se nuk mund të ishte gjithmonë e mundur që çdo vejushë e re të martohej përsëri. Nisma duhet të merrej kryesisht nga burri. Por ai thjesht po shtron një parim të përgjithshëm për t’u zbatuar sa herë që të jetë e mundur.

Kundërshtari, apo Satani, është gjithmonë gati me padi për të prishur dëshminë e krishterë dhe Pali përpiqet të ruajë kundër një mundësie për padi apo që të mos dalë asnjë shkak për të përfolur.

5:15 Ajo që apostulli ka thënë për vejushat e reja nuk është një mendim pa baza apo një spekulim në kuptimin e plotë të fjalës. Tashmë ka ndodhur një gjë e tillë. Disa… devijuan për të ndjekur Satanin, në kuptimin se ata kishin dëgjuar zërin e Satanit dhe kishin zgjedhur një bashkëshort jobesimtar duke mos iu bindur fjalës së Zotit.

5:16 Tani tema kthehet te detyrimi i të afërmve për t’u kujdesur për të vetët. Në qoftë se ndonjë besimtar [17] ose besimtare ka vejusha në familje që kanë nevojë për ndihmë, atëherë ai besimtar duhet të marrë këtë përgjegjësi në mënyrë që kisha të jetë e lirë nga ky kujdes për ato që janë pa pasuri dhe pa të afërm.

E tërë kjo pjesë, vargjet 3-16, na thotë se çfarë duhet të bëjë kisha nën disa rrethana, jo çfarë mund të bëjë nëse mendon se ka rrethana serioze në dukje dhe nëse është e zonja ta bëjë një gjë të tillë. Gjatësia e paragrafit tregon se është një temë e rëndësishme në mendjen e Frymës së Shenjtë dhe akoma është temë që lihet së tepërmi pas dore në shumë rrethe kishash sot.

C. Pleqtë (5:17-25)

5:17 Pjesa tjetër e këtij kapitulli merret me pleqtë. Së pari, Pali shtron një rregull që pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, duhet të nderohen dyfish. Drejtojnë mund të përkthehet më mirë “udhëheqin” (Darby). Nuk është çështje kontrolli, por shembulli. Pleq të tillë meritojnë të nderohen dyfish. Nderohen mund të nënkuptojë respekt, por përfshin gjithashtu idenë e mbulimit financiar (Mt. 15:6). Të nderohen dyfish përfshin të dyja idetë. Së pari, ai meriton respekt nga njerëzit e Perëndisë për punën e tij, por gjithashtu, nëse tërë kohën e tij merret me këtë punë, ai meriton gjithashtu edhe ndihmë financiare. Sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim janë mbase ata që kalojnë aq shumë kohë në predikim dhe mësim saqë nuk mund të kryejnë një punë të rregullt në ndonjë ndërmarrje.

5:18 Dy pjesë nga Shkrimi ndërfuten këtu për të vërtetuar pohimin që pleqtë meritojnë një shpërblim. I pari është te Ligji i Perterire 25:4 dhe i dyti te Luka 10:7. Ky varg është interesant në lidhje me frymëzimin e Shkrimit. Pali merr një varg nga DhV dhe një nga DhR, i vendos ata përbri njëri-tjetrit në të njëjtin nivel dhe i quan që të dy Shkrimi. Del qartë nga kjo se Pali i konsideronte shkrimet e DhR me të njëjtin autoritet si ato të DhV.

Këto pjesë nga Shkrimi mësojnë se kau që përdoret në procesin e shirjes nuk duhet t’i mbyllet goja kur është në lëmë. Gjithashtu, punëtorit i takon një racion frutash nga puna e tij. Po kështu është edhe me pleqtë. Edhe pse puna e tyre mund të mos jetë fizike, ata meritojnë mbështetjen e popullit të Perëndisë.

5:19 Kur disa pleq kanë një pozicion përgjegjësie në kishë, ata bëhen shënjestra e veçantë e sulmeve të Satanit. Për këtë arsye Fryma e Perëndisë përfshihet që t’i mbrojë ata kundër padive të rreme. Parimi shtrohet që asnjë veprim disiplinor nuk duhet të ndërmerret kundër një plaku nëse padia nuk mund të vërtetohet nga dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve. Një parim i tillë vlen për të disiplinuar çdo pjesëtar të kishës, por theksohet këtu se ekzistonte rreziku i veçantë që pleqtë të paditeshin padrejtësisht.

5:20 Në rastin kur një plak gjendet fajtor për mëkat në mënyrë të tillë sa të dëmtojë dëshminë e kishës, një njeri i tillë duhet të qortohet hapur. Ky veprim ngarkon tërë besimtarët me seriozitetin e mëkatit në lidhje me shërbimin e krishterë dhe shërben si një parandalim në jetët e të tjerëve.

Disa komentues besojnë se vargu 20 nuk u referohet në mënyrë të veçantë pleqve, por tërë të krishterëve. Sigurisht që parimi vlen për tërë të krishterët, por përbërja e vargut duket se lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me pleqtë.

5:21 Për të trajtuar çështjet e disiplinës në kishën vendore, ka dy rreziqe që duhen shmangur. Së pari është paragjykimi dhe tjetër është anësia. Është thjesht të paragjykosh në mënyrë të padrejtë kundër një njeriu dhe ta paragjykosh atë çështje. Gjithashtu, është shumë e lehtë të tregosh anësi ndaj një njeriu për shkak të pasurisë së tij, pozicionit në bashkësi apo personalitetit të tij. Prandaj Pali ngarkon Timoteun solemnisht në sytë e Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe gjithashtu në sytë e engjëjve të zgjedhur, që ai duhet t’u bindet këtyre udhëzimeve pa gjykuar një çështje para se të njihen tërë faktet ose pa treguar anësi ndaj një njeriu thjesht ngaqë ai është një mik apo është i njohur. Çdo rast duhet të gjykohet si të ishte në sytë e Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht dhe gjithashtu në sytë e engjëjve. Engjëjt janë vëzhgues të botës në të cilën jetojmë dhe ata do të shohin drejtësinë e përsosur në çështjet e disiplinës në kishë. Engjëjt e zgjedhur janë ata që nuk janë përfshirë në mëkat apo në kryengritje kundër Perëndisë, por janë ruajtur në gjendjen e tyre të parë.

5:22 Kur njerëz të rëndësishëm njëjtësohen me kishën lokale, ekziston gjithnjë prirja për t’i vënë ata menjëherë në pozicione përgjegjësie. Këtu Timoteu paralajmërohet kundër ngutjes për t’i dhënë përgjegjësi frymërore njerëzve të rinj në kishë. As nuk duhet të njëjtësohet vetë me njerëz, karakteri i të cilëve është i panjohur për të, për të mos u bërë pjesëtar në mëkatet e tyre. Jo vetëm që duhet ta ruajë veten e tij të pastër moralisht, por edhe të pastër në kuptimin i ndarë nga pjesëmarrja në mëkatet e të tjerëve.

5:23 Nuk është e qartë se si ky varg lidhet më të mëparshmin. Mbase apostulli e thotë më parë me zgjuarsi se përfshirja në problemet dhe vështirësitë e bashkësisë do të kishin një pasojë të vështirë në stomakun e tij. Nëse është kështu, Timoteu nuk do të ishte i pari apo i fundit që do të vuante nga ky pikëllim! Mbase Timoteu ishte viktima e zakonshme e ujit të ndotur që është akoma i zakonshëm në pjesë të shumta të botës. Këshilla e apostullit “Mos pi më ujë” do të thotë se “mos pi vetëm ujë sepse është mirë të pish pak verë.”. Pali këshillon përdorimin e verës për stomakun e tij dhe për sëmundjet e tij të shpeshta. Ky varg flet vetëm për përdorimin mjekësor të verës dhe nuk duhet të keqinterpretohet për të lejuar përdorimin e tepërt të saj.

Nuk ka dyshim që këtu i referohet verës së vërtetë dhe jo vetëm lëngut të rrushit. Ka shumë mundësi që në atë kohë nuk ekzistonte lëngu i rrushit, meqë lëngu i rrushit del nga pasterizimi, një proces i panjohur në atë kohë. Fakti që ishte verë e vërtetë nënkuptohet nga shprehja pak verë. Nëse nuk do të ishte verë e vërtetë, atëherë nuk do të kishte kuptim të thuhej se vetëm pak duhet të përdorej.

Ky varg hedh gjithashtu dritë mbi temën e shërimit hyjnor. Megjithëse Pali, si një apostull, kishte pa dyshim fuqinë për të shëruar çdo lloj sëmundjeje, ai nuk e përdori atë. Këtu ai përligj përdorimin e ilaçeve në një rast sëmundjeje stomaku.

5:24 Në këtë varg apostulli duket se kthehet në diskutimin e vargut 22, ku kishte paralajmëruar Timoteun kundër ngutjes jo të duhur për të vendosur duart te burrat e tjerë. Vargjet 24 e 25 e shpjegojnë edhe më tej këtë temë.

Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit: dhe është aq e qartë saqë këta mund të krahasohen me një bori, duke i rënë para njerëzve dhe duke shpallur se është një mëkatar, edhe përpara gjyqit. Por ky nuk është rasti i të gjithëve. Disa njerëzve që janë mëkatarë nuk u shfaqen mëkatet veçse më pas.

Në kategorinë e parë, mund të mendojmë për pijanecët që njihen si të tillë nga tërë shoqëria. Nga ana tjetër, është burri që mban të fshehur dashurinë me një grua tjetër. Shoqëria nuk mund ta njohë një rast të tillë, por herët a vonë tërë skandali do të zbulohet më pas.

5:25 Është gati e njëjta gjë në rastin e njerëzve të mirë. Disa duken se janë të mirë shumë shpejt. Të tjerë janë më të mbuluar dhe modestë dhe vetëm me kalimin e kohës mirësia e tyre bëhet e njohur. Edhe nëse nuk mund ta shikojmë të mirën, do të ndodhë më pas që ajo do të dalë në dritë. Mësimi që del nga e tërë kjo është që ne nuk duhet të gjykojmë dikë me shikim të parë, por më tepër të lëmë kohën që ta tregojë vetë karakterin e këtij.

D. Shërbëtorët dhe zotërinjtë (6:1,2)

6:1 Tani na vihet përpara sjellja e skllevërve. Ata quhen skllevërit që janë nën zgjedhë, që do të thotë, nën zgjedhën e skllavërisë. Apostulli, së pari, u flet skllevërve që i kanë zotërinjtë të pashpëtuar. Në këtë rast a duhet që skllevërit të sillen ashpërsisht me zotërinjtë e tyre? A duhet të ngrenë krye apo të largohen nga ata? A duhet të bëjnë ata sa më pak punë që të jetë e mundur? Përkundrazi, ata duhet t’i çmojnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim. Kjo do të thotë se ata duhet t’u japin atyre respektin e duhur, të punojnë me bindje dhe besnikëri dhe, në përgjithësi, të përpiqen të jenë më fort një ndihmë sesa një pengesë. Një arsye e madhe për një shërbim të tillë të mundimshëm është që të përfshihet dëshmia për Krishtin. Nëse një skllav i krishterë sillet ashpërsisht apo ngre krye, atëherë zotëria do të blasfemojë emrin e Perëndisë dhe besimin e krishterë. Ai do të dalë në përfundimin se besimtarët janë njerëz të pavlerë.

Historia e kishës së hershme zbulon se skllevërit e krishterë në përgjithësi bliheshin më shtrenjtë se ata jobesimtarë. Nëse një zotëri mësonte se një skllav në listën e shitjeve ishte i krishterë, ai do të paguante më shumë për ta blerë atë skllav, meqë dinte se skllavi do t’i shërbente atij mirë dhe me besnikëri. Kjo është për shkak të besimit të krishterë.

Ky varg na kujton se pavarësisht nga pozicioni i një njeriu në shkallën shoqërore, që mund të jetë i ulët, ai ka çdo mundësi për të dëshmuar për Krishtin dhe për t’i dhënë lavdi emrit të Tij.

Është treguar zakonisht se skllavëria nuk dënohet hapur në DhR. Megjithatë, ku janë përhapur mësimet e krishterimit, abuzimet e skllavërisë janë prishur.

Çdo besimtar i vërtetë duhet të kuptojë se ai është një skllav i Jezus Krishtit. Ai është blerë prej Tij me një çmim; ai nuk i përket më vetvetes. Ai i përket Jezus Krishtit – në frymë, shpirt dhe trup dhe meriton më të mirën që ka.

6:2 Ky varg merret me skllevërit që i kanë zotërinjtë besimtarë. Pa dyshim që ky do të ishte një tundim i madh për skllevër të tillë për të përbuzur zotërinjtë e tyre. Nuk është aspak për t’u çuditur që kur kisha vendore u mblodh në Ditën e Zotit për të thyer bukën (Veprat e Apostujve 20:7), kishte zotërinj dhe skllevër të krishterë të ulur rreth tryezës – ishin të gjithë vëllezër në Krishtin Jezus. Por skllevërit nuk duhej të mendonin, sipas kësaj, se dallimi i tyre shoqëror i jetës ishte prishur. Vetëm se një zotëri ishte i krishterë nuk do të thoshte se skllavi nuk duhej ta respektonte dhe t’i shërbente siç duhej. Fakti që zotëria ishte si besimtar ashtu edhe një vëlla i dashur duhet të bënte që skllavi t’i shërbente atij me besnikëri.

Zotërinjtë e krishterë quhen këtu besimtarë besnikë, të dashur, por edhe që kanë dobi nga shërbimi i tyre. Kjo do të thotë përgjithësisht se ata, gjithashtu, ndajnë së bashku bekimin e shpëtimit. Megjithatë, fjalët mund të kuptohen se meqë skllevërit dhe zotërinjtë kanë leverdi në bërjen e të mirës, ata duhet të shërbejnë së bashku, secili të ndihmojë tjetrin.

Fjalët mëso këto gjëra dhe i këshillo i referohet pa dyshim udhëzimeve të mëparshme të skllevërve të krishterë. Zbatimi i sotëm do të ishte, sigurisht, i marrëdhënies punëdhënës-punëmarrës.


[previous][next]