Thirrja e Palit për të përfunduar mbledhjen e ndihmave për të shenjtët e Jeruzalemit. (2 Korintasve 8, 9)

A. Shembuj të mirë të dhënies me zemërgjerësi. (8:1-9)

8:1 Pali dëshironte që besimtarët të dinin mënyrën më të pazakontë në të cilën ishte shfaqur hiri i Perëndisë midis të krishterëve në kishat e Maqedonisë (Greqia e Veriut). Filipia dhe Thesaloniki ishin dy nga qytetet ku ishin vendosur kishat.

Mënyra e veçantë në të cilën maqedonasit kishin treguar që ata e kishin marrë hirin e Perëndisë ishte nëpërmjet zemërgjerësisë së tyre.

8:2 Këta të krishterë kishin kaluar nëpër shumë sprova pikëlluese. Zakonisht njerëz të tillë kërkojnë t’i ruajnë paratë e tyre për të siguruar të ardhmen e tyre. Dhe veçanërisht nëse ata nuk janë shumë të pasur siç ishte rasti në Maqedoni. Ata nuk kishin shumë para. Megjithatë, gëzimi i tyre i krishterë ishte aq i madh saqë kur atyre iu paraqit nevoja e të shenjtëve në Jeruzalem, ata nuk ndoqën praktikën e zakonshme, por dhanë tepër lirisht. Ata ishin në gjendje të kombinonin pikëllimin, gëzimin, varfërinë dhe dorëgjerësinë.

8:3 Kishte karakteristika të tjera të dorëgjerësisë së tyre. Dhënia e tyre jo vetëm që barazoi mundësinë e tyre, por shkoi edhe përtej këtyre mundësive. Gjithashtu ata kishin dhënë me dëshirë, pra ata dhanë vetvetiu, jo duke qenë të shtrënguar apo të detyruar.

8:4 Kaq këmbëngulës ishin ata në çështjen saqë iu lutën Palit për privilegjin e marrjes pjesë në lehtësimin e vëllezërve në Jeruzalem. Ndoshta apostulli hezitoi të merrte ndihmën e tyre, duke ditur sesa të varfër ishin vetë ata. Por ata nuk mund të merrnin një “jo” si një përgjigje. Ata dëshironin të lejoheshin për të dhënë.

8:5 Ndoshta Pali kishte pritur apo kishte shpresuar që ata do të vepronin ashtu siç bëjnë shumica e të vdekshmëve: ata japin jashtë vullnetit në fillim e më pas ngrejnë sasinë e të dhënit sa më shumë ngrihet presioni mbi ta. Por nuk ishte kështu me maqedonasit! Këta të krishterë të dashur në fillim dhanë ndihmën më të madhe – vetveten. E më pas ishte një gjë e thjeshtë për ta për të dhënë paranë. Kur Pali thotë që ata dhanë veten te Perëndia, e pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë, ai thjesht do të thotë që ata fillimisht ia besuan vetveten plotësisht Krishtit, e më pas ata me dëshirë dhanë veten e tyre te Pali në kuptimin që ata donin të ndihmonin në mbledhjen e ndihmës për në Jeruzalem. Ata i thanë Palit në të vërtetë, “Ne e kemi dhënë veten tonë te Perëndia dhe tani e japim veten te ti si administrator i Tij. Ti na thuaj ne çfarë të bëjmë, pasi ti je një apostull i Krishtit, Zotit tonë.”

“Kontributet në punën e Zotit,” thotë G. Campbell Morgan, “janë të vlefshme vetëm kur janë dhuratë e atyre që ia kanë nënshtruar veten Perëndisë.”

8:6 Apostulli ishte kaq i ngazëlluar nga shembulli i maqedonasve saqë ai donte tani që korintasit t’i imitonin ata. Dhe kështu ai thotë që ai e kishte këshilluar Titin për të përmbushur punën që ai kishte filluar në Korint. Me fjalë të tjera, kur Titi kishte vizituar në fillim Korintin, ai kishte diskutuar punën e ndihmave me ta. Tani kur të kthehej, ai ishte udhëzuar të shihte qëllimet e mira të kthyera në veprim.

8:7 Përderisa korintasit ishin kaq të shquar në shumë gjëra (dhe ata ishin), Pali tani do që ata të shkëlqenin edhe në çështjen e të dhuruarit. Ai u thotë atyre të teprojnë në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë e tyre për të. Në letrën e parë Pali i kishte lavdëruar ata për diturinë dhe njohurinë e tyre. Këtu ai shton disa virtyte të tjera, padyshim si një rezultat i vizitës së Titit.

Shprehja në besim mund të përshkruajë besim të fortë tek Perëndia, dhuntia e besimit, ose besnikëri në mes tyre.

Në fjalë padyshim i referohet aftësisë së tyre në përdorimin e gjuhëve, një subjekt që zuri një vend të konsiderueshëm në letrën e parë.

Në njohuri mund t’i referohet dhuntisë frymërore ose gjerësisë në të rrokurit e së vërtetës hyjnore.

Në çdo kujdes përshkruan zellin e tyre dhe dëshirën për gjërat e Perëndisë.

Së fundi, dashuria e tyre për Palin është përmendur si e denjë për t’u lavdëruar. Tani Palit do t’i pëlqente të shtonte edhe një shprehje tjetër në listë, të quajtur, “në gjithë dorëgjerësinë.” Denney na paralajmëron për:

… njeriun që ka me bollëk interesa frymërore, që është i zellshëm, që lutet, i dashur, në gjendje për të folur në Kishë, por i pa aftë për të dhënë para. [36]

8:8 Pali nuk e thotë këtë në një mënyrë urdhëruese apo si një ligj. Për më tepër atij do t’i pëlqente ta vinte sinqeritetin e dashurisë së tyre në një provë dhe veçanërisht nën dritën e zemërgjerësisë së të krishterëve maqedonas në këtë çështje. Kur Pali shpall që ai nuk e tha këtë si urdhër, ai nuk do të thotë që kjo është e pafrymëzuar. Ai thjesht do të thotë që dhënia duhet të vijë nga një zemër që dëshiron sepse “Perëndisë i pëlqen një dhurues i gëzuar.”

8:9 Pikërisht në këtë pikë Pali paraqit një nga vargjet më të mëdha në këtë letër të madhe. Duke përmendur sfondin e rrethanave të parëndësishme [në krahasim me çfarë ka bërë Krishti] të jetës në Maqedoni dhe në Korint, ai paraqet portretin e bukur e Personit më zemërgjerë që ka jetuar ndonjëherë.

Fjala hir është përdorur në shumë mënyra në Dh.R., por këtu kuptimi është ai i zemërgjerësisë. Sa zemërgjerë ishte Zoti Jezus? Ai ishte aq zemërgjerë sa që dha gjithë sa kishte për ne që ne me anë të varfërisë së Tij të bëhemi të pasur përjetësisht.

Moorehead komenton:

Ai ishte i pasur në zotërim, fuqi, nder, bashkësi, lumturi. Ai u bë i varfër në pozitë, rrethana, në lidhjet e Tij me njerëzit. Ne detyrohemi për të dhënë pak para, veshje, ushqime. Ai dha Vetveten. [37]

Ky varg mëson pre-ekzistencën e Zotit Jezus. Kur ishte Ai i pasur? Sigurisht që jo kur erdhi në tokë si Fëmija i Betlehemit! Dhe sigurisht që jo gjatë 33 viteve të endjes së Tij si “një i huaj pa shtëpi në botën që duart e Tij kishin bërë.” Ai ishte i pasur në një përjetësi të shkuar, duke banuar me Atin në oborret e qiellit. Por Ai u bë i varfër. Kjo nuk i referohet vetëm Betlehemit, por edhe Nazaretit, Gjetsemanit, Gabathës dhe Golgotës. Dhe e gjitha ishte për ne, që me anë të varfërisë së Tij ne të bëhemi të pasur.

Nëse kjo është e vërtetë, dhe sigurisht që është, atëherë duhet të jetë gëzimi ynë më i madh për t’i dhënë gjithçka që jemi dhe gjithçka që kemi Atij. Asnjë argument s’mund të ishte më i fortë sesa ky, në gjithë diskutimin e Palit për dhënien e krishtere.

B. Këshillë e mirë për të plotësuar mbledhjen e ndihmave. (8:10,11)

8:10 Tani apostulli i kthehet korintasve. Ata kishin menduar për të bërë një mbledhje ndihmash për të shenjtët e varfër përpara sesa maqedonasit kishin vendosur për ta bërë këtë gjë. Korintasit kishin filluar ta bënin atë përpara se maqedonasit filluan të mblidhnin fondin e tyre. Për të qenë të saktë, ata duhet ta mbarojnë atë që kishin filluar një vit më parë. Do të ishte për të mirë të tyre sepse do të provonte sinqeritetin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

8:11 Çfarëdo të ishte arsyeja për vonesën Pali u thotë atyre që duhet ta linin atë mënjanë dhe të përfundonin gjënë për të cilën kishin dëshirë për ta bërë. Ata duhet ta bënin atë sipas mundësisë që kishin pasur dhe jo sipas asaj që do të pëlqenin të bënin në të ardhmen nëse pasuria e tyre do rritej.

C. Tre principe të vlefshme për një dhënie me zemërgjerësi. (8:12-15)

8:12 Duket se korintasit kishin vonuar mbledhjen e ndihmave për të shenjtët e Jeruzalemit, duke shpresuar se do të ishin në gjendje të mblidhnin më shumë në një kohë në të ardhmen. Atyre u kujtohet tani që nuk është problemi se sa shumë do dërgonin. Nëse është një dëshirë në zemrën e tyre për të marrë pjesë në këtë çështje të mirë, Perëndia e pranon dhuratën e tyre, sado e vogël që të jetë ajo. Është qëndrimi i zemrës ai që vlen.

8:13 Qëllimi i Palit nuk është që t’i vërë korintasit në një shtrëngim ekonomik. Mendimi i tij nuk është që Kisha e Jeruzalemit të lehtësohet dhe të shtrëngohet Kisha e Korintit.

8:14 Ky varg përshkruan programin e Perëndisë për një çlirim dëshire në Kishën e Zotit Jezus Krisht. Qëllimi i Zotit është që kurdo që ekziston nevoja për ndihmë mes besimtarëve të krishterë, duhet të ketë një rrjedhje ndihmash nga vende të ndryshme për tek vendi që ka nevojë. Kjo rrjedhje e vazhdueshme dhe e ndërsjelltë do të rezultonte në një barazi midis kishave në gjithë botën.

Kështu, në kohën që Pali po shkruante, do të kishte një rrjedhje të ardhurash nga Korinti, Maqedonia dhe vende të tjera për në Jeruzalem. Por ndoshta në të ardhmen të shenjtët e Jeruzalemit mund të ishin në gjendje të mirë, ndërkohë që mund të kishte nevojë në Korint. Në një moment të tillë burimi i të ardhurave do të ndërronte drejtimin. Kjo është ajo që Pali thotë në këtë varg. Tani nevoja ishte në Jeruzalem, por dikur në të ardhmen mund të ishte në Korint dhe në këtë rast të tjerët do të ndihmonin.

8:15 Ky princip barazimi është theksuar nga një citim nga Eksodi 16:18. Kur bijtë e Izraelit shkuan për të mbledhur mana, disa ishin në gjendje për të mbledhur më shumë se të tjerët. Por nuk kishte rëndësi. Kur mana shpërndahej, çdo njeri merrte të njëjtën sasi – një omer, rreth 3.5 litra. Kështu “Ai që mblodhi më shumë, nuk mori më shumë, dhe ai që mblodhi pak, nuk mori më pak.” Nëse dikush përpiqej ta ruante manën, ajo zinte krimba!

Barazimi nuk ndodhi nga ndonjë mrekulli apo magji. Ai ndodhte sepse ata që kishin më shumë u jepnin atyre që kishin më pak. Hodge vëzhgon:

Mësimi…dhënë në Eksodi dhe nga Pali është që midis njerëzve të Perëndisë bollëku i njërit duhet përdorur për të liruar nevojat dhe domosdoshmëritë e të tjerëve; dhe që çdo përpjekje për të prishur këtë ligj do të rezultojë në turp dhe humbje. Pronësia është si mana; ajo nuk duhet grumbulluar. [38]

Pothuajse të njëjtat rreshta nga një burim i panjohur:

Perëndia do që çdo njeri të ketë një pjesë nga të mirat e kësaj jete. Disa mbledhin më shumë. E disa më pak. Ata që kanë më shumë duhet të ndajnë me ata që kanë më pak. Perëndia lejon ndarjen e pabarabartë të pronësisë, jo që i pasuri ta gëzojë atë në mënyrë egoiste, por që ta ndajë me të varfërit.

D. Tre vëllezër të mirë për të përgatitur mbledhjen. (8:16-24)

8:16 Në dy vargjet e tjera Titi është lavdëruar për qëndrimin përsosur që ka mbajtur në këtë çështje. Së pari, Perëndia është falënderuar që ka vendosur po atë kujdes në zemrën e Titit. Pali kishte gjetur një frymë ngjashme në zemrën e bashkëpunëtorit të tij. Të njëjtin zjarr që apostulli kishte për korintasit e kishte gjetur tek Titi.

8:17 Pali kishte nxitur Titin për të shkuar në Korint me letrën e tij, por nxitja nuk ishte e nevojshme. Ai donte të shkonte me dëshirën e tij.

Shprehja ai u nis për tek ju ndoshta do të thotë “ai po vjen tek ju.” Koha e kësaj foljeje ne greqisht tregon që veprimi nuk ndodhi në kohën që Pali shkroi letrën, por kur korintasit e morën atë. Titi ishte pa dyshim ai që e çoi letrën në Korint. Ai nuk u nis për në Korint derisa Pali e shkroi letrën.

8:18 Vargjet 18-22 përshkruajnë dy vëllezër të tjerë të krishterë që do ta shoqëronin Titin në misionin e tij. I pari është përshkruar në vargjet 18-21 dhe i dyti në vargun 22. Emrat e të dyve nuk janë dhënë.

Kjo pjesë e Shkrimit është e vlefshme në të treguarit e marrjes së masave nga ana e apostullit në dërgimin e të ardhurave me qëllim që të mos kishte asnjë bazë për ta akuzuar atë për një dorëzim të keq të të ardhurave.

Vëllai i parë ishte i denjë për lëvdim për shkak të punës së tij në Ungjill. Ka shumë opinione se “kush ishte ky person?” Disa thonë që ishte Luka, të tjerët Sila apo Trofimi. Por ndoshta duke u përpjekur për të gjetur se kush ishte, ne humbasim frymën e vargut. A nuk ka një qëllim që ai nuk ishte i emëruar? Dishepullimi i vërtetë shpesh përfshin panjohuri. Ishte kështu me shërbëtoren e vogël që u përdor aq madhërishëm në jetën e Naamanit, lebrozit. Ishte gjithashtu e vërtetë me djalin e vogël që vendosi drekën e tij në dispozicion të Zotit Jezus.

8:19 Ky vëlla pa emër ishte zgjedhur nga kishat për të qenë në udhëtimin për çuarjen e dhuratës. Me fjalë të tjera ai ishte zgjedhur për të qenë një nga lajmëtarët e kësaj ndihme të dhënë në mënyrë të lirë. Apostulli e shihte veten dhe të tjerët si shërbëtorë apo administratorë të kësaj pune të hirshme. Ata e bënë atë për lavdi të Zotit vetë. Dhe ata donin që ajo të tregonte dashurinë dhe zellin e tyre për të shenjtët e varfër të Jeruzalemit.

8:20 Apostulli ishte aq i zgjuar sa të mos i çonte ato të ardhura vetë apo të mos ia jepte vetëm një personi për t’i çuar. Ai ngulte këmbë në çuarjen e tyre nga një grup prej dy, tre apo edhe më shumë vetëve. Kjo është ajo që ai nënkupton në vargun 20. Për të shmangur çdo mundësi keqinterpretimi apo skandali, ai siguroi që çuarja e asaj dhurate bujare të bëhej në një mënyrë të tillë që të mos shkaktonte asnjë të folur të keqe.

8:21 Kujdesemi të veprojmë mirë do të thotë të jemi të sigurt që gjërat bëhen në mënyrë të ndershme. Pali ishte në ankth që veprimet e tij duhet të ishin të ndershme jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve. Morgan shënon: “Është puna e komunitetit të krishterë për të punuar në një mënyrë të tillë që njerëzit e botës të mos kenë shkak për të dyshuar në të kundërt të drejtësisë.” [39]

Ky varg është i ngjashëm me Fja 3:3, 4 në versionin Septuagint [një version grek i Shkrimeve Judenje].

8:22 Këtu ne kemi një vëlla tjetër të cilin Pali e kishte caktuar për të ndihmuar në këtë çështje të rëndësishme. Ai shpesh ishte vënë në provë në shumë gjëra dhe tani tregonte një kujdes të veçantë në kryerjen e kësaj detyre, për shkak të besimit të madh që kishte tek korintasit.

Në këtë pikë NKJV thotë, “për shkak të besimit të madh që ne kemi në ju.” Fjalët ne kemi janë futur në përkthimin dhe shumë preferojnë që në vend të kësaj të jetë ai ka. Atëherë Pali do ta lavdërojë atë jo vetëm për interesin e tij në të kaluarën për raste të tilla të veçanta, por për shkak të interesit të tij të thellë që vinte nga besimi që ai [vëllai i paemëruar] kishte tek korintasit.

8:23 Prandaj Pali thotë që nëse dikush pyet për këta tre burra, korintasit duhet t’u thoshin atyre që Titi është bashkëpunëtori i Palit dhe bashkëpunëtor për korintasit dhe që dy vëllezërit e tjerë ishin apostuj të kishave dhe lavdi e Krishtit. Shprehja lavdi e Krishtit është padyshim një përshkrim tepër i lartë për këta dy burra. Është për shkak se ata janë delegatë të kishave që ata janë quajtur në këtë mënyrë. Ata e bëjnë punën e Zotit të shkëlqejë përpara njerëzve. Ata janë një nder për Zotin dhe reflektojnë lavdinë e Tij.

8:24 Duke pasur parasysh gjithë këtë, korintasit duhet t’i prisnin mirë ata dhe duhet ta justifikonin mburrjen e Palit për ta [korintasit] duke u besuar atyre dhuratën zemërgjerë për shenjtorët e Jeruzalemit. Kjo duhet të ishte një provë e dashurisë së tyre të krishtere për kishat përreth. Philips e përkthen vargun, “Kështu lejoni ata dhe kishat e tjera të shohin sa e madhe është dashuria juaj dhe justifikoni të gjitha gjërat e këndshme që unë kam thënë për ju!”

E. Thirrje korintasve për të justifikuar mburrjen e Palit për ta. (9:1-5)

9:1 Ishte e tepërt për Palin t’u shkruante korintasve në lidhje me çështjen e dërgimit të ndihmave të shenjtëve në nevojë të Jeruzalemit – e përsëri ai u shkroi atyre. Ndoshta ka pak ironi në këtë varg. Në të vërtetë nga njëra anë ishte e tepërt për të për t’u shkruar. Ata kishin treguar një dëshirë të madhe që nga fillimi për të marrë pjesë në mbledhjen e ndihmave për në Jeruzalem. Pra përsa i përket dëshirës ata ishin për t’u lavdëruar. Por ata thjesht nuk i kishin përmbushur qëllimet e tyre të fillimit. Prandaj ai e ndien të nevojshme të trajtojë atë që është e tepërt.

9:2 Nuk kishte asnjë dyshim për dëshirën e tyre të madhe. Që në çastin kur çështja arriti tek ata, ata kishin treguar zell dhe dëshirë. Në fakt, Pali ishte mburrur për ta tek besimtarët në Maqedoni. Ai u tha atyre që Akaia ishte gati që një vit më parë. Akaia, pjesa jugore e Greqisë, është përdorur këtu për t’iu referuar Korintit, përderisa Korinti ishte në atë vend. Kur maqedonasit dëgjuan që të krishterët në Korint kishin qenë gati që para një viti, shumë prej tyre (maqedonasve) u nxitën; ata u prekën nga kjo gjë dhe vendosën t’ia japin veten e tyre me gjithë zemër kësaj gjëje.

9:3 Kur Pali thotë këtu që ai dërgoi vëllezërit, ai nënkupton që është duke i dërguar. Koha e shkuar e foljes e sheh ngjarjen nga perspektiva e lexuesve dhe jo nga e shkruesit. Vëllezërit janë ata të tre që janë përmendur më lart, në kapitullin që kaloi: Titi dhe dy të krishterë të tjerë emrat e të cilëve nuk na janë dhënë. Ata ishin dërguar me qëllim që mburrja e Palit në lidhje me korintasit të mos ishte e kotë, mburrja e tij përsa i përkiste mbledhjes së ndihmave. Misioni i të tre vëllezërve mund të ishte për t’u siguruar që mbledhja të ishte gati deri në kohën që Pali të mbërrinte atje.

9:4 Kur apostulli të bënte udhëtimin nga Maqedonia për në Korint, ishte e mundshme që një nga maqedonasit ta shoqëronte atë në udhëtim. Sa e turpshme do të ishte për Palin n.q.s. pas gjithë asaj mburrjeje për korintasit, një nga maqedonasit do të shkonte në Korint dhe aty nuk do të gjente asgjë në lidhje me dhuratën për në Jeruzalem. Në një rast të tillë besimi i Palit për korintasit do të ishte turpëruar, pa përmendur që korintasit vetë do të kishin një shkak për t’u turpëruar për lënien pas dore të kësaj çështjeje.

Philips ka bërë një përkthim plot ngjyra për këtë varg:

Pasi për ne do të ishte shumë keq nëse disa nga maqedonasit do të më shoqëronin mua në vizitën time për tek ju dhe do t’ju gjenin të papërgatitur në këtë akt zemërgjerësie. Ne (edhe ju) duhet të ishim tmerrësisht të turpëruar, pasi kemi qenë aq krenarë dhe me plot besim për ju.

9:5 Kjo është pra arsyeja përse Palit iu duk e nevojshme t’i këshillonte këta tre vëllezër të shkonin në Korint përpara tij. Ata mund të përgatisnin dhuratën e tyre bujare të cilën ata e kishin premtuar më parë për të shenjtët e Jeruzalemit.

Që ajo të jetë gati si dhuratë bujare dhe jo kopracie. Këtu nuk shfaqet mendimi që këto të ardhura do të mblidheshin me forcë nga kjo thirrje, por që të ishte një shfaqje e bujarisë së tyre dhënë me vullnetin e tyre të lirë.

F. Shpërblimet e mira për dhënien me zemërgjerësi. (9:6-15)

9:6 Nga vargu 6 deri në 15 apostulli Pal rendit disa nga shpërblimet e mrekullueshme dhe nga përfitimet e dhënies së krishtere. Së pari, ai paraqet ligjin e të korrës. Është një fakt i mirënjohur në agrikulturë që një mbjellje bujare e farës është e domosdoshme për të pasur një korrje bujare. Ndoshta fermeri është gati për të vendosur farën në tokë. A do mbjellë ai bujarisht apo do e lërë një pjesë të grurit për ta ngrënë gjatë muajve të ardhshëm? Mendimi këtu është që nëse ai mbjell bujarisht, ai do të korrë në përpjesëtim me atë që mbolli.

Ne duhet ta kemi parasysh këtë gjë në lidhje me agrikulturën – fermeri nuk korr sasinë ekzakte të grurit që mbolli, por shumë më tepër në mënyrë të përpjestueshme. Kështu është edhe në të dhënurit e një të krishteri: nuk është çështja e të marrit si kthim ekzakt atë që dha si dhuratë. Sigurisht, kthimi nuk është aq në para sesa në bekime frymërore.

9:7 Secili të japë siç ka vendosur në zemër. Është e nevojshme për të të shohë se çfarë është e domosdoshme për nevojat e tij. Ai duhet të mendojë për detyrimet që i duhet të përballojë në një jetë normale. Por mbi gjithçka ai duhet të mendojë për nevojat e të krishterëve pranë tij dhe për kërkesat që Krishti ka për të. Duke pasur parasysh të gjitha këto, ai nuk duhet të japë as me keqardhje e as nga shtrëngimi. Ka mundësi që të japë dhe të mos jetë i kënaqur për atë gjë. Gjithashtu ka mundësi të japë nga presioni emocional ose sa për sy të publikut. Asnjë nga këto gjëra nuk vlen. Perëndia do një dhurues të gëzuar. Është thënë shpesh që fjala në anglisht hilarious (i hareshëm) vjen nga fjala e përkthyer i gëzuar (hilaron).

A ka nevojë në të vërtetë Perëndia për paratë tona? Jo, bagëtia që ndodhet në mijëra male i takon Atij dhe nëse do të kishte uri nuk do ta thoshte (Ps. 50:10-12). Për Të ka rëndësi qëllimi i zemrës sonë. Ai dëshiron të shohë një të krishterë të mbushur me gëzimin e Zotit që do të ndajë atë që ka me të tjerët.

Perëndia do një dhurues të gëzuar sepse siç ka thënë Jowett:

Dhënia plot gëzim lind nga dashuria dhe prandaj është një dashuruese që dashuron një dashurues dhe gëzon në bashkësi. Dhënia është gjuha e dashurisë: në të vërtetë nuk ka asnjë gjuhë tjetër. “Perëndia aq deshi sa dha!” Dashuria e gjen jetën e saj në të dhënurit e vetvetes. Krenaria e saj e vetme për zotërim është gëzimi i dorëzimit. Nëse dashuria i ka të gjitha, përsëri ajo nuk zotëron asgjë. [40]

9:8 Këtu ne kemi një premtim që nëse një person dëshiron me të vërtetë të jetë bujar, Perëndia do të shohë që atij t’i jepet mundësia. Hiri këtu është përdorur si një sinonim për burimet. Perëndia është në gjendje të na furnizojë ne me burime që ne jo vetëm të kemi atë që na nevojitet, por që të jemi në gjendje për të ndarë atë që kemi me të tjerët dhe kështu të na teprojë për çfarëdo pune të mirë.

Vini re fjalën të gjithë në këtë varg. Gjithë hiri, gjithnjë (pra në çdo kohë), mjaft në çdo gjë, çdo gjë, çfarëdo pune të mirë.

9:9 Tani apostulli citon nga Psalmi 112:9. Shprehja Ai ndau i referohet veprimi të mbjelljes së farës. Vargu përshkruan një burrë që ka qenë bujar në të mbjellurit ose në mënyrë më të veçantë në veprat e tij të mirësisë. Mirësia e veçantë në të cilën ai ishte përfshirë ishte t’i jepte të varfërve. A është ai i humbur me anë të një veprimi të tillë? Jo! Drejtësia e tij mbetet në përjetësi. Kjo do të thotë që nëse ne përhapim mirësi ashtu si një mbjellës shpërndan farën e tij, ne do të jemi duke mbledhur thesare në qiell për veten tonë. Rezultatet e mirësisë sonë do të zgjasin në përjetësi.

9:10 Ilustrimi i mbjellësit vazhdon. I njëjti Perëndi që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë është i kujdesshëm për ta bërë të sigurt që ata që tregojnë mirësi me të tjerët do të korrin shpërblime të veçanta. Disa prej tyre janë renditur tani. Së pari, Ai do të shumojë farën që ju keni mbjellë. Pra, Ai do të japë mundësi më të mëdha dhe rezultate të bollshme për shkak të mirësisë që u është treguar njerëzve të Tij. Për më tepër, Ai do të rritë frytet e drejtësisë suaj. Korintasit ishin të drejtë në dhënien për të shenjtët e Jeruzalemit. Si përfundim i asaj dhënie ata do të merrnin fryt në kuptimin e shpërblimit të përjetshëm. Ashtu si Perëndia ngrinte mundësinë e tyre për të dhënë dhe ata rriteshin në bujari, ashtu do të rriteshin edhe shpërblimet në përpjesëtim.

9:11 Është tepër e qartë nga kjo pjesë që një person nuk e varfëron kurrë veten e tij duke i dhënë Zotit. Për më tepër çdo veprim mirësie ka një veprim pasqyrues, dhe shpërblimi është më i bollshëm sesa sasia e të dhënurit. Kështu Pali thotë këtu që korintasit me anë të dhuratës së tyre do të pasuroheshin për të dhënë më tepër. Kur apostujt shikonin korintasit duke u rritur në hirin e të dhënurit, ata (apostujt) i jepnin lavdi Perëndisë.

9:12 Kur dhurata nga Korinti do të hynte në punë në Jeruzalem, ajo nuk do të siguronte vetëm nevojat e të shenjtëve atje, por shumë njerëz do t’i jepnin lavdi Perëndisë. Ne kemi vënë re shpesh theksin që Pali i jep falënderimit. Çdo gjë që rezultonte në një falënderim drejt Perëndisë kishte një rëndësi të madhe në sytë e Palit.

9:13 Ka ende përfitime të tjera që do të rezultonin nga dhurata e korintasve. Do të ishte një provë përfundimtare ndaj të krishterëve Jude që një punë e madhe e Krishtit ishte kryer në jetët e këtyre Johebrenjve të kthyer. Në një farë kohe të krishterët Judenj kishin dyshime tepër të mëdha për të kthyer të tillë si korintasit. Ndoshta ata nuk i konsideronin ata si të krishterë në kuptimin e plotë. Por kjo mirësi do të ishte për ta një provë e madhe e vërtetësisë së besimit të korintasve dhe ata do ta falënderonin Perëndinë për atë që kishte bërë Ungjilli i Krishtit në Akai, si dhe për kontributin bujar që ishte dhënë për ta.

9:14 Dhe kjo nuk është e gjitha. Më pas vijnë edhe dy përfitime të tjera. Për shkak të dhuratës nga Korinti në Jeruzalem, të krishterët Judenj do të ishin më të kujdesshëm për t’u lutur për të shenjtët në Korint dhe kështu do të kishte një lidhje të fortë dashurie. Të shenjtët në Jeruzalem do të kishin një dashuri të veçantë për korintasit për shkak të hirit të shkëlqyer të Perëndisë që korintasit kishin treguar.

9:15 Në këtë pikë Pali shpërthen në një thirrje! Ky varg ka qenë tepër i vështirë për shumë studentë të Biblës. Ata nuk mund të shohin që ai është shumë i lidhur me atë që është thënë më parë. Dhe ata çuditen se çdo të thotë për dhuratën e Tij të patregueshme.

Por ne na duket që ndërsa apostulli arrin në fund të këtij kapitulli mbi dhënien e krishtere, ai është i detyruar të mendojë për Dhuruesin më të madh – vet Perëndinë. Ai mendon gjithashtu për dhuratën më të madhe – Zoti Jezus Krisht. Dhe kështu ai i lë vëllezërit korintas në këtë shënim të madh. Ata janë fëmijë të Perëndisë dhe ndjekës të Krishtit. Le të ndjekin pra shembuj kaq të denjë!


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. (8:7) Denney , Second Corinthians, fq. 267. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (8:9) Moorehead, Acts to Ephesians, fq. 179,180. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (8:15) Hodge, Second Corinthians, fq. 206. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (8:21) G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, fq. 345. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (9:7) Jowett, Life in the Heights, fq. 78. ↵ Kthehu mbrapa