Letra e dytë drejtuar Korintasve

Transparenca e zbulesës së Palit [në 2 e Korintasve] është për mua e pashoqe në gjithë literaturën e shenjtë.Sadler

I. Vendi unik në Kanun

Nëse 1 e Korintasve është së tepërmi e studiuar dhe e predikuar nga predikuesit, 2 e Korintasve lihet mjaft mbas dore. E megjithatë ajo është një letër tepër e rëndësishme. Pa dyshim që stili i saj ironik dhe vështirësia në të përkthyer e kanë shkaktuar këtë lënie pas dore. Numri i madh i shkronjave të pjerrëta në KJV dhe në NKJV tregon se sa shumë shtime janë bërë për ta bërë këtë letër emocionuese të përshtatshme për Anglishten.

Letra është e vështirë. Pa tjetër, kuptimi i shumë vargjeve është në mjegull. Ka shumë shpjegime për këtë gjë: (1) Pali përdor një satirë të tepërt, por ndonjëherë është e vështirë për të qenë i sigurt për të thënë se kur ai është duke e bërë këtë gjë. (2) Për të kuptuar plotësisht disa pjesë, ne na duhet të kemi një informacion shtesë mbi udhëtimet e sakta të Palit, udhëtimet e shokëve të tij dhe letrat që ai shkroi. (3) Letra është intensivisht personale dhe fjalët janë shpesh gjuha e zemrës. Dhe pikërisht këto janë më të vështirat për t’u kuptuar.
Por vështirësitë nuk duhet të na dekurajojnë. Fatmirësisht ato nuk ndikojnë të vërtetat bazë të Letrës, por vetëm detajet.
Përfundimisht, 2 e Korintasve është një letër tepër e dashur dhe e cituar. Pasi ta studioni ju do ta kuptoni më mirë pse.

II. Autorësia

Praktikisht, pothuajse asnjeri nuk mohon faktin që e dyta e Korintasve është shkruar nga Pali. Sidoqoftë disa njerëz mbajnë teori të interpolimit [që një autor tjetër ka shkruar disa vargje]. Megjithatë, uniteti i kësaj letre (me daljet tipike të Palit nga tema!) është i dukshëm.
Evidenca e jashtme për këtë letër është e fuqishme, por pak më e vonshme se ajo e së parës së Korintasve. Për çudi Klementi i Romës nuk citon prej saj, por Polykarpi, Irenaus, Klementi i Aleksandrisë, Tertuliani etj., të gjithë e citojnë. Marcioni e rendit si të tretën nga të dhjeta letrat e Palit, të cilat ai i pranon. Letra është gjithashtu e renditur në Kanunin Muratorian. Nga 175 e.s. e deri sot evidenca e 2 e Korintasve është e bollshme.

Evidenca e brendshme për autorësinë e Palit është e pamasë. Me përjashtim të letrës drejtuar Filemonit, kjo është letra më personale dhe më pak doktrinale e Palit. Referencat personale, idiosinkreza [ves apo zakon] e apostullit dhe lidhjet e forta e të dukshme me 1 Korintasve, Galatasve, Romakëve dhe Veprat të gjitha mbështesin pikëpamjen tradicionale që kjo letër është shkruar nga Pali. I njëjti shkrimtar dhe e njëjta asamble si në letrën e parë që është e njohur universalisht janë një evidencë mjaft e qartë.

III. Data

E dyta e Korintasve është shkruar ndoshta në më pak se një vit pas letrës së parë drejtuar Korintasve, nga Maqedonia (disa shkrime të përkthimeve të hershme specifikojnë në Filipi). Një datë e 57 e.s. është më e përdorura, por disa zgjedhin 55 ose 56 dhe Harnack ka zgjedhur 53.

IV. Sfondi dhe tema

Një nga arsyet përse ne e duam kaq shumë këtë letër është sepse ajo është tepër personale. Duket sikur ne i afrohemi më tepër zemrës së Palit këtu sesa në shkrimet e tjera të tij. Ne ndiejmë diçka të një entuziazmi tepër të madh që ai kishte për punën e Zotit. Ne kapim një ndjenjë të dinjitetit të thirrjes më të madhe të jetës. Ne lexojmë me një çudi të heshtur listën e vuajtjeve që duroi ai. Ne përjetojmë shpërthimin e nxehtë të indinjatës me të cilën ai iu përgjigj kritikëve të tij të paskrupullt. Shkurt pra, duket sikur Pali na lejon ne të hyjmë në çdo sekret të shpirtit të tij.
Vizita e parë e Palit në Korint është shënuar në Veprat 18. Ajo ndodhi në Udhëtimin e tij të Dytë Misionar, menjëherë pasi ai kishte predikuar në kodrën e Marsit.

Në Korint Pali punoi si një çadër bërës me Akuilën e Prishilën dhe predikoi Ungjillin në sinagogë. Sila dhe Timoteu erdhën nga Maqedonia për t’u bashkuar me të në punën ungjillizuese, që zgjati të paktën 18 muaj (Veprat e Apostujve 18:11).

Kur shumica e Judenjve e hodhën poshtë Ungjillin ai u kthye nga Johebrenjtë. Ndërkohë që shpirtrat shpëtoheshin (si Judenj ashtu edhe Johebrenj) krerët Judenj e çuan apostullin përpara Prokonsullit Galio. Por ky i fundit e nxori çështjen jashtë gjyqit si një gjë mbi të cilën ai nuk kishte juridiksion.

Pas gjyqit, Pali qëndroi në Korint për shumë ditë dhe më pas u largua për në Kenkrea, Efes dhe në udhëtimin e gjatë për në Cezare dhe në Antioki.

Në Udhëtimin e tij të Tretë Misionar, ai u kthye në Efes dhe qëndroi atje për dy vjet. Gjatë këtij qëndrimi, një delegacion nga Korinti e vizitoi atë, duke i kërkuar Palit këshilla për shumë çështje. Dhe ishte pikërisht për këto përgjigje që u shkrua 1 e Korintasve.

Më pas apostulli ishte në dilemë se si e kishin pritur letrën e tij korintasit, sidomos përsa i përket pjesës në lidhje me disiplinën për një anëtar mëkatar. Kështu ai u largua nga Efesi për në Troas ku shpresonte të takonte Titin. Megjithatë, duke mos mundur të bëjë këtë gjë, ai kaloi nëpër Maqedoni. Pikërisht këtu Titi erdhi me lajme, të mira e të këqija. Shenjtorët e kishin disiplinuar të shenjtin mëkatar, dhe kjo disiplinë kishte rezultuar në një shërim frymëror. Ky ishte lajmi i mirë. Por të krishterët nuk i kishin dërguar të hollat tek të krishterët në nevojë që ishin në Jeruzalem ashtu siç kishin vendosur të bënin. Kjo nuk ishte dhe aq mirë. Përfundimisht, Titi i raportoi që mësuesit e rremë ishin aktivë në Korint, duke nënvleftësuar punën e apostullit dhe duke vënë në dyshim autoritetin e tij si një shërbëtor i Krishtit. Ky ishte lajmi i keq!

Këto pra janë rrethanat që bënë të shkruhej nga Maqedonia letra e dytë e Korintasve.

Në letrën e parë, Pali është parë kryesisht si një mësues, por në të dytën ai ka roli e pastorit. Nëse dëgjoni me vëmendje ju do të kapni rrahjet e zemrës së dikujt që i donte me të vërtetë njerëzit e Perëndisë dhe që dha veten e tij për mirëqenien e tyre.

Kështu le të hyjmë në këtë fushë aventure dhe ndërkohë që studiojmë këto “mendime që marrin frymë dhe këto fjalë që djegin,” le t’i kërkojmë me një lutje Perëndisë ndriçimin e Frymës së Shenjtë të Tij.

PËRMBLEDHJE

  1. SHTJELLIMI QË I BËN PALI SHËRBESËS (kapitujt 1-7)
    A. Përshëndetje. (1:1,2)
    B. Shërbesa e ngushëllimit në vuajtje. (1:3-11)
    C. Shpjegim mbi ndryshimin e planeve të Palit. (1:12-2:17)
    D. Letrat kredenciale të Palit për shërbesën. (3:1-5)
    E. Krahasimi midis besëlidhjes së re me atë të vjetrën. (3:6-18)
    F. Detyrimi për të predikuar një Ungjill të qartë. (4:1-6)
    G. Një enë tokësore me një destinacion qiellor. (4:7-18)
    H. Duke jetuar në dritën e Fronit Gjykues të Krishtit. (5:1-10)
    I. Ndërgjegjja e mirë e Palit në shërbesë. (5:11-6:2)
    J. Sjellja e Palit në shërbesë (6:3-10)
    K. Thirrja e Palit për dashuri dhe sinqeritet (6:11-13)
    L. Thirrja e Palit për një veçim sipas Shkrimit (6:14-7:1)
    M. Gëzimi i Palit për lajmin e mirë nga Korinti (7:2-16)
  2. THIRRJA E PALIT PËR TË PËRFUNDUAR MBLEDHJEN E NDIHMAVE PËR TË SHENJTËT E JERUZALEMIT. (Kapitujt 8, 9)
    A. Shembuj të mirë të dhënies me zemërgjerësi. (8:1-9)
    B. Këshillë e mirë për të përfunduar mbledhjen e ndihmave. (8:10-11)
    C. Tre principe mjaft të mira për një dhënie me zemërgjerësi. (8:12-15)
    D. Tre vëllezër të mirë për të përgatitur mbledhjen e ndihmave. (8:16-244)
    E. Thirrje korintasve për të justifikuar mburrjen e Palit për ta. (9:1-5)
    F. Shpërblimet e mira për dhënien me zemërgjerësi. (9:6-15)
  3. MBROJTJA QË I BËN PALI APOSTULLIMIT TË TIJ (kapitujt 10-13)
    A. Përgjigjja e Palit ndaj akuzuesve të tij (10:1-12)
    B. Principi i Palit: Të shkelësh tokë të re për Krishtin. (10:13-16)
    C. Synimi i lartë i Palit: Aprovimi i Zotit. (10:17-18)
    D. Klasifikimi i Palit në apostullimin e tij. (11:1-15)
    E. Vuajtjet e Palit për Krishtin mbështesin apostullimin e tij. (11:16-33)
    F. Zbulesa e Palit mbështet apostullimin e tij (12:1-10)
    G. Shenjat e Palit mbështesin apostullimin e tij. (12:11-13)
    H. Vizita e pakryer e Palit. (12:14-13:1)
    I. Apostullimi i Palit i mbështetur nga vet korintasit. (13:2-6)
    J. Dëshira e Palit për t’u bërë mirë korintasve. (13:7-10)
    K. Lamtumira hirplote Trinitariane e Palit. (13:11-14)