Ndarja e mbretërise (2 Kronikave 10)

10:1-5 Mbase për të pajtuar fiset veriore, Roboami vendosi të shkonte në Sikem për kurorëzimin e tij. Populli premtoi t’i shërbente atij nëse ai do ta lehtësonte robërinë e fortë që Salomoni u kishte vënë atyre. “Tërë Izraeli” (v. 3) do të thotë përfaqësues nga tërë fiset veriore. Roboami kërkoi tri ditë për të marrë në shqyrtim kërkesën e popullit. 10:6-11 Në fillim mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që i kishin shërbyer atit të tij, Salomon. Ata i thanë që të dëgjonte tërë popullin. Ai më pas shkoi te të rinjtë për të marrë një këshillë prej tyre, duke hedhur poshtë këshillën e pleqve dhe dëgjoi atë që i pëlqeu më tepër. Ata e nxitën atë t’i fliste ashpër popullit. 10:12-19 Kur populli u kthye pas tri ditësh dhe dëgjoi kërcënimet e mbretit, ngriti krye nën udhëheqjen e Jeroboamit. Mbretëria u nda, duke përmbushur fjalën e Zotit përmes Ahijahut (1 i Mbreterve 11:29). Pas vrasjes së Hadoramit, taksambledhësit, Roboami u kthye në Jerusalem, ku mbretëroi mbi Judën dhe Beniaminin. Uilliamsi komenton: Kjo përmbushje e parathënies së Ahijahut përbën një shembull, të ngjashëm me shumë të tjerë në Shkrim, për profecitë që përmbushen nga plotësimi i pasioneve njerëzore dhe në rrjedhën natyrale të ngjarjeve. Njerëzit mendojnë se ata po i binden vullnetit të tyre dhe po zbatojnë planet e tyre, të pavetëdijshëm se çështja është e Perëndisë, i cili e lejon dhe e përdor këtë gjë për ta çuar në vend Fjalën e Tij [12].