Rreth ditës së Zotit (2 Thesalonikasve 2:1-12)

A. Një thirrje për qëndrueshmëri (2:1,2)

2:1 Pali tani ndërmerr ndreqjen e keqkuptimit që kishte lindur në mendjet e shenjtorëve lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe Ditës së Zotit. Shenjtorët po vuanin një përndjekje aq të ashpër saqë ishte e lehtë për ta të mendonin se ishin tashmë në pjesën e parë të Ditës së Zotit, pra, periudhës së Mundimit të Madh. Dhe kishin dalë zëra se vetë apostulli besonte dhe mësonte se Dita e Zotit kishte mbërritur! Kështu ai duhet ta ndreqte këtë keqkuptim.

Një çështje kryesore del në vargun 1 rreth fjalës së shkurtër që Pali përdor lidhur (gr. huper). Problemi është nëse ai po i luste shenjtorët “rreth” ardhjes së Zotit tonë apo “me anë të” ardhjes së Zotit tonë. Nëse nënkuptohet e para, atëherë pjesa duket se mëson se Rrëmbimi dhe Dita e Zotit janë një dhe e njëjta ngjarje, meqë vargjet që vijojnë merren qartë me Ditën e Zotit. Nëse nënkuptohet e dyta, atëherë Pali po u bën atyre thirrje në bazë të Rrëmbimit që vjen përpara Mundimit, që ata të mos mendonin se ishin në Ditën e Zotit. Çështja është për t’u diskutuar. Ne jemi dakort me William Kelly-n që përshtat paraqitjen e dytë:

Ngushëllimi i ardhjes së Zotit nënkuptohet si një shtysë dhe mjet për të kundërvepruar ndaj shqetësimit të krijuar nga mësimet e rreme se kishte ardhur dita e Zotit [5].

Ne mendojmë se Pali po thotë: “Unë po ju bëj thirrje në bazë të Rrëmbimit që të mos keni frikë se jeni në Ditën e Zotit. Rrëmbimi duhet të vijë i pari. Ju do të merreni në qiell në atë kohë dhe për këtë do t’u shpëtoni tmerreve të Ditës së Zotit.”.

Shprehja “lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të” duket se i referohet në mënyrë të pagabueshme Rrëmbimit. Kjo është koha kur ne do të mblidhemi për ta takuar Atë në ajër.

2:2 Duhet të jetë e qartë se Rrëmbimi nuk është e njëjta gjë me Ditën e Zotit. Thesalonikasit nuk ishin të shqetësuar se kishte ardhur Zoti; ata e dinin se Ai nuk kishte ardhur. Por ata ishin të shqetësuar se mos kishte filluar Dita e Zotit. Përndjekja e fortë që po hiqnin bënte që ata të mendonin se ishin në periudhën e Mundimit të Madh, faza e parë e Ditës së Zotit.

Kishin dalë zëra se vetë Pali kishte thënë se Dita e Zotit kishte ardhur. Ashtu si shumë zëra, ato ishin shumë të ngatërruara. Një version ishte se Pali kishte marrë informacion prej fryme, pra, nga një zbulim i veçantë. Sipas një versioni tjetër, lajmi kishte ardhur prej fjale, pra, apostulli kishte mësuar hapur se Mundimi i Madh kishte filluar. “Prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh” kuptohet përgjithësisht si një letër e rreme, duke mëtuar se ishte e Palit, se Dita e Zotit kishte filluar. Shprehja gjoja të shkruar prej nesh mbase shkon me fryme, fjale dhe letre. Asnjë prej këtyre burimeve nuk duhej besuar.

Sipas KJV dhe NKJV (përkthimet nga nga teksti M) shenjtorët kishin frikë se erdhi dita e Krishtit. Dita e Krishtit dhe shprehje të tjera të ngjashme zakonisht tregojnë Rrëmbimin dhe Gjykatën e Krishtit (1 e Korintasve 1:8; 5:5; 2 e Korintasve 1:14; Fil. 1:6,10; 2:15,16).

Por thesalonikasit nuk kishin frikë se mos Dita e Krishtit kishte ardhur. Kjo do të thoshte çlirim nga vuajtjet e tyre. Shumë njerëz që mbështesin idenë e rrëmbimit para Mundimit të Madh pëlqejnë atë që shkruan version RV: “dita e Zotit tashmë ka ardhur” [6]. Lexuesit e Palit kishin frikë se kishte filluar Dita e zemërimit të Perëndisë.

B. Njeriu i mëkatit (2:3-12)

2:3 Tani apostulli shpjegon se pse ata nuk ishin në Ditën e Zotit. Disa ngjarje duhet të ndodhnin së pari. Pas Rrëmbimit këto ngjarje do të fillonin të ndodhnin.

Së pari, do të jetë rënia, që do të thotë apostazia [7]. Çfarë do të thotë kjo? Ne mund të hamendësojmë se i referohet braktisjes së plotë të krishterimit, një kundërshtim i plotë i besimit të krishterë.

Pastaj do të dalë një figurë e madhe botërore. Përsa i përket karakterit të tij, ai është njeriu i mëkatit ( i paligjshmërisë) [8], që do të thotë, mishërimi i vërtetë i mëkatit dhe rebelimit. Përsa i përket fatit të tij, ai është biri i humbjes; ai është caktuar për gjykimin e përjetshëm.

Shkrimi përmban shumë përshkrime të njerëzve të rëndësishëm që do të dalin gjatë Mundimit të Madh dhe është e vështirë të dimë kur emra të ndryshëm i referohen të njëjtit njeri. Disa komentues besojnë se njeriu i mëkatit do të jetë një Antikrisht jude. Të tjerë mësojnë se ai do të jetë kreu johebre i Perandorisë së mëkëmbur Romake. Këtu kemi emrat e disa prej udhëheqësve të kohëve të fundit:

– njeriu i mëkatit dhe biri i humbjes (2 Thes. 2:3).

– Antikrishti (1 Gjon. 2:18).

– briri i vogël (Dan. 7:8, 24b-26).

– mbreti me pamje të egër (Dan. 8:23-25).

– princi që do të vijë (Dan. 9:26).

– mbreti që do të veprojë si të dojë (Dan. 11:26).

– bariu i pavlerë (Zak. 11:17).

– bisha që del nga deti (Zbu. 13:1-10).

– bisha që del nga toka (Zbu. 13:11-17).

– bisha e kuqe, plot me shtatë krerë dhe dhjetë brirë (Zbu. 17:4, 8-14).

– mbreti i Veriut (Dan. 11:6).

– mbreti i Jugut (Dan. 11:40).

– profeti i rremë (Zbu. 19:20; 20:10).

– Gogu, vendi i Magogut (Ezek. 38:2-39:11) (nuk duhet ngatërruar me Gogun e Zbulesës 20:8 që do të ngrihet pas Mijëvjeçarit).

– ai që vjen në emrin e vet (Gjon. 5:43).

Njeriut të mëkatit i është dhënë një seri përcaktimesh me kalimin e viteve. Ai është barazuar me Kishën Katolike romake, Papën, Perandorinë Romake, formën përfundimtare të krishterimit femohues, mishërimin e Judës, mishërimin e Neronit, shtetin judaik, Muhamedin, Luterin, Napoleonin, Musolinin dhe mishërimin e Satanit.

2:4 Ai do t’u kundërvihet dhunshëm çdo forme adhurimi hyjnor dhe do të ulet vetë në fronin që ndodhet në tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Ky përshkrim e përcakton atë qartësisht si Antikrisht, ai që i kundërvihet Krishtit dhe që e vë veten në vend Krishtit [9].

Danieli 9:27 dhe Mateu 24:15 tregojnë se ky veprim blasfemues i Antikrishtit ndodh në mes të Periudhës së Mundimit të Madh. Ata që nuk do të pranojnë ta adhurojnë atë do të përndiqen dhe shumë do të vriten.

2:5 Pali u thoshte thesalonikasve këto gjëra kur ai ishte ndër ta. Megjithatë, me mësimin kundërshtues që u ishte dhënë, që dukej se përshkruante me përpikmëri përndjekjet e ashpra që po duronin, ata kishin harruar atë që u kishte thënë apostulli. Edhe ne harrojmë shumë shpejt dhe kemi nevojë që të kujtojmë vazhdimisht të vërtetat e mëdha të besimit.

2:6 Ata e dinin atë që e ndalon shfaqjen e plotë dhe të hapur të njeriut të mëkatit dhe çka do të vazhdojë ta ndalojë atë deri në kohën e caktuar.

Kjo na çon në pyetjen e tretë të papërgjigjur në këtë kapitull. E para është: “Çfarë është apostazia?”. E dyta është: “Cili është njeriu i mëkatit?”. E treta është “Çfarë apo cili është ndaluesi?”.

Në pjesën e parë të vargut 6, ndaluesi përshkruhet në një mënyrë pavetore: “atë që e ndalon“. Por më pas në vargun 7 kemi një person – ai që e ndalon tashti [10]. E. W. Rogers-i e thotë qartë:

Është Diçka dhe Dikush që me dinakëri, me qëllim dhe me vendosmëri mban nën kontroll me synimin për të siguruar që Njeriu i Mëkatit të zbulohet në kohën e duhur [11].

Shtatë nga paraqitjet më të shumta për të njëjtësuar ndaluesin janë: 1. Perandoria Romake, 2. shteti judaik, 3. Satani, 4. parimi i ligjit dhe rregullit siç gjendet në qeverisjen njerëzore, 5. Perëndia, 6. Fryma e Shenjtë, 7. kisha e vërtetë që banohet nga Fryma.

Fryma e Shenjtë që banon në kishë dhe besimtarë individualë duket sikur i përshtaten përshkrimit të ndaluesit më plotë dhe me më tepër përpikmëri se të tjerët. Ashtu siç thuhet në këtë kapitull se ndaluesi do të jetë Diçka apo Dikush, kështu flitet për Frymën te Gjoni 14:26, 15:26, 16:8,13,14 me gjinia asnjanëse (Fryma e Shenjtë) dhe gjinia mashkullore (Ai) [12]. Që te Zanafilla 6:3 Fryma e Shenjtë paraqitet si ndaluesi i së keqes. Pastaj më vonë Ai paraqitet në të njëjtin rol tek Isaia 59:19b, Gjoni 16:7-11 dhe 1 Gjonit 4:4.

Për shkak të Frymës që banon te besimtari ai mund të jetë kripa e tokës (Mt. 5:13) dhe drita e botës (Mt. 5:14). Kripa është ruajtëse, por gjithashtu pengon përhapjen e prishjes. Drita zhduk errësirën, fusha ku njerëzit pëlqejnë të kryejnë veprat e tyre të liga (Gjon. 3:19). Kur Fryma e Shenjtë do të lërë botën si Banuesi i përhershëm i kishës (1 e Korintasve 3:16) dhe të besimtarëve individualë (1 e Korintasve 6:19), ndaluesi i mëkatit dhe ligësisë do të ketë ikur.

2:7 Edhe në kohën kur Pali shkruante misteri i paudhësisë ishte tashmë në veprim. Nga kjo ne nxjerrim si përfundim se një frymë e tmerrshme mosbindjeje ndaj Perëndisë po lëvizte nga brenda sipërfaqes. Ishte në formën e misterit – jo se ishte e mistershme, por më tepër se nuk ishte shfaqur plotësisht. Ishte akoma në formën fillestare.

Çfarë ka penguar shfaqjen e plotë të kësaj fryme? Ne besojmë se prania e Frymës së Shenjtë që banon në kishë dhe në çdo besimtar ka qenë fuqia ndaluese. Ai do të vazhdojë ta ushtrojë këtë detyrë duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi, pra, gjatë Rrëmbimit.

Por këtu del një kundërshtim. Si mund të hiqet Fryma e Shenjtë nga bota? Si një ndër Personat e Perëndisë, a nuk është Ai i gjithëpranishëm, pra, në çdo vend në çdo kohë? A mund të lërë Ai botën?

Sigurisht, Fryma e Shenjtë është i gjithëpranishëm. Ai është gjithmonë në çdo vend në të njëjtën kohë. Dhe megjithatë, ka një qëllim të dallueshëm pse erdhi në tokë në Ditën e Rrëshajëve. Jezusi kishte premtuar vazhdimisht se Ai dhe Ati do të dërgonin Frymën (Gjoni 14:16, 26; 15:26; 16:7). Si, pra, erdhi Fryma? Ai erdhi si Banuesi i përjetshëm i kishës dhe i çdo besimtari. Deri në Ditën e Rrëshajëve Fryma kishte qenë me besimtarët, por që nga Rrëshajët Ai ka banuar ta (Gjoni 14:17). Deri te Rrëshajët Fryma dihet se largohej nga besimtarët – kur Davidi lutet: “Mos më hiq Frymën tënde të shenjtë” (Ps. 51:11b). Pas Rrëshajëve Fryma mbetet gjithmonë te besimtarët e Epokës së Kishës (Gjoni 14:16).

Fryma e Shenjtë, ne besojmë, do të lërë botën në të njëjtin kuptim si dhe kur erdhi në Ditën e Rrëshajëve – pra, si Banuesi i kishës dhe i çdo besimtari. Ai do të vazhdojë të jetë në botë, duke i bindur njerëzit për mëkat dhe duke i çuar ata te besimi shpëtues në Krishtin. Heqja e Tij në Rrëmbim nuk do të thotë se asnjë nuk do të shpëtohet gjatë Mundimit të Madh. Sigurisht që do të ketë njerëz që do të shpëtohen. Por këta njerëz nuk do të jenë pjesëtarë të kishës, por më tepër pjesë e mbretërisë së lavdishme të Krishtit.

2:8 Pasi kisha të jetë Rrëmbyer në qiell, do të shfaqet ky i paudhë ndaj botës. Në këtë varg, anashkalohet karriera e Antikrishtit dhe përshkruhet shkatërrimi përfundimtar. Më tepër tingëllon sikur ai do të shkatërrohet sapo të shfaqet. Por nuk është kështu. Ai do të lejohet të udhëheqë mbretërinë e terrorit përshkruar në vargjet 9-12 para se të rrëzohet kur të vijë Krishti për të mbretëruar.

Nëse kemi të drejtë kur besojmë se njeriu i mëkatit do të shfaqet pas Rrëmbimit dhe se ai do të vazhdojë deri në Zbulimin e Krishtit, atëherë karriera e tij e marrë do të zgjasë afërsisht shtatë vjet – kohëzgjatja e Periudhës së Mundimit të Madh.

Zoti Jezus do ta shkatërrojë atë me hukatjen e gojës së tij (krahaso Is. 11:4; Zbu. 19:15) dhe do t’i japë fund me anë të shfaqjes së ardhjes së tij. Një fjalë nga Krishti dhe shkëlqimi (gr. epiphaneia) i të dukurit të Tij (parousia) janë gjithçka që janë të domosdoshme për t’i dhënë fund regjimit të këtij pushtuesi të keq.

Shfaqja e ardhjes së Krishtit, ashtu siç është shpjeguar tashmë, do të jetë kur Ai të shfaqet në tokë për të marrë fronin dhe mbretërinë për një mijë vjet.

2:9Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit. Karriera e tij i ngjan asaj të Satanit, sepse ai merr forcë nga Satani. Ai do të shfaqë çdolloj çudie, shenja dhe mrekullish të rreme.

Këtu është shënimi i rëndësishëm se jo të gjitha mrekullitë janë nga Perëndia. Djalli dhe agjentët e tij mund të kryejnë mrekulli. Edhe Njeriu i paudhësisë do t’i kryejë ato (Zbu. 13:13-15).

Një mrekulli tregon fuqi të mbinatyrshme, por jo domosdoshmërisht fuqi hyjnore. Mrekullitë e Zotit tonë vërtetuan se Ai ishte Mesia, jo thjesht se ato ishin të mbinatyrshme, por sepse përmbushnin profecinë dhe ishin të një natyre të tillë morale saqë Satani nuk mund t’i kishte kryer ato pa dëmtuar çështjen e tij.

2:10 Antikrishti do të përdorë në mënyrë të paskrupullt çdo formë ligësie për të mashtruar njerëzit e humbur – ata që dëgjuan ungjillin gjatë Epokës së Hirit, por që nuk kishin as dashurinë as të vërtetën. Nëse ata kishin besuar, ata do të ishin shpëtuar. Por tani ata mashtrohen nga mrekullitë e Antikrishtit.

2:11 Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që t’i besojnë gënjeshtrës. Gënjeshtra, sigurisht, është shpallja e Antikrishtit si Perëndi. Këta njerëz kundërshtuan të pranojnë Zotin Jezus si Perëndinë e shfaqur në mish. Kur Ai ishte në tokë, i paralajmëroi njerëzit: “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit” (Gjon. 5:43). Kështu, tani ata pranojnë njeriun e mëkatit që vjen në emrin e vet dhe kërkon adhurimin si Perëndi. “Drita e refuzuar është dritë e mohuar”. Nëse një njeri ngre një idhull në zemrën e tij, Perëndia do t’i përgjigjet atij sipas atij idhulli (Ezek. 14:4).

Antikrishti do të jetë mbase jude (Ezek. 28:9,10; Dan. 11:37,38). Judenjtë nuk do të mashtrohen nga dikush që do të shfaqet si Mesia nëse ai nuk shpall se rrjedh nga fisi i Judës dhe familja e Davidit.

2:12 Nga kjo pjesë duket se ata që dëgjojnë ungjillin në këtë Epokë Hiri, por që nuk besojnë në Krishtin nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër për t’u shpëtuar pas Rrëmbimit. Nëse njerëzit nuk besojnë Zotin Jezus tani, do t’i besojnë Antikrishtit më pas. Këtu thuhet se ata të gjithë do të gjykohen për shkak të mosbesimit dhe dashurisë së tyre për të keqen. Kjo na kujton për Lukën 14:24: “Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time”.

Ne e dimë se shumë njerëz do të shpëtohen gjatë Periudhës së Mundimit të Madh. Njëqind e dyzet e katër mijë judenj, për shembull, do të shpëtohen dhe do të jenë lajmëtarët e Perëndisë duke predikuar ungjillin e mbretërisë në tërë botën. Përmes shërbesës së tyre shumë të tjerë do të shpëtohen. Por duket se ata që do të shpëtohen janë ata që nuk e kanë dëgjuar kurrë ungjillin qartësisht gjatë kësaj kohe dhe që nuk e kanë kundërshtuar kurrë hapur Shpëtimtarin.


[previous][next]