Nxitje praktike (2 Thesalonikasve 3:1-15)

A. Për lutje të dyanshme (3:1-5)

3:1 Pali ndiente nevojën për lutjet e shenjtorëve. Ky kapitull hapet me kërkesën e tij për lutje në tri fusha: 1. për përhapjen e mesazhit; 2. për triumfin e mesazhit; 3. për ruajtjen e lajmëtarëve.

Ai dëshiron që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë – një figurë grafike e ungjillit duke u nisur nga vendi në vend pavarësisht nga pengesat (shikoni Ps. 147:15).

Ai gjithashtu dëshiron që fjala të prodhojë të njëjtin revolucion të mrekullueshëm dhe moral në vende të tjera ashtu si në Thesaloniki.

3:2 Kërkesa e tretë është që apostulli dhe bashkëpunëtorët e tij të mund të shpëtojnë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij. Duket se po i referohet ndonjë kundërshtari të veçantë, mbase nga judenjtë në Korint (Veprat e Apostujve 18:1-18). Zgjedhja e fjalës “e çoroditur” ishte e përshtatshme; nuk ka gjë më të çoroditur sesa kundërshtimi i njerëzve ndaj ungjillit dhe lajmëtarëve të tij. Është diçka që huton shpjegimin. Ata mund të flasin në mënyrë të arsyeshme për politikën, shkencën, apo për një ndër temat e tyre të shumta, por kur është fjala për ungjillin, ata humbin tërë arsyen.

3:3 Mos humbisni bukurinë e dallimit midis vargu 2, ku thotë “jo të gjithë kanë besim” dhe vargut 3, ku thotë “Por Zoti është besnik“. Kjo na mëson të heqim vështrimin nga njerëzit e pabesë drejt Perëndisë tonë që nuk dështon kurrë. Ai është besnik për të na mbështetur deri në fund (1 e Korintasve 1:9). Ai është besnik për të na çliruar nga tundimi (1 e Korintasve 10:13). Ai është besnik dhe i drejtë për t’i falur mëkatet tona dhe për të na pastruar nga çdo papastërti (1 Gjon. 1:9). Dhe këtu ai është besnik sepse do të na forcojë dhe do të na ruajë nga i ligu, pra, Satani.

3:4 Jo të gjithë kanë besim. . . Zoti është besnik. . . ne kemi besim për ju te Zoti. Ashtu siç e ka cilësuar Denney: “Në Zotin ju mund të mbështeteni mbi ata që në vetvete janë të dobët, të paqëndrueshëm, të vullnetshëm dhe të marrë”. Tani Pali kujton shenjtorët për përgjegjësinë e tyre që të bëjnë gjërat që i kishte urdhëruar. Këtu përsëri kemi përzierjen e mrekullueshme dhe kurioze të anës hyjnore dhe njerëzore: Perëndia do t’ju ruajë; tani ju zbatoni urdhërimet. Është i njëjti mendim te 1 Pje. 1:5: “Që nga fuqia e Perëndisë (pjesa e Tij) me anë të besimit (pjesa jonë) jeni të ruajtur”. Ne gjithashtu shohim te Fil. 2:12,13: “Punoni për shpëtimin tuaj (pjesa jonë) . . . , sepse Perëndia është ai që vepron në ju (pjesa e Tij)”.

3:5 Në kohët e përndjekjes është e lehtë të kesh mendime të hidhura ndaj të tjerëve dhe të heqësh dorë për shkak të zgjatjes dhe shpeshtësisë së vuajtjes. Për këtë arsye apostulli lutet që thesalonikasit të duan ashtu siç do Perëndia dhe të jenë të qëndrueshëm ashtu siç është i qëndrueshëm Krishti.

Në versionin KJV pjesa “durimi që pret Krishtin” është përkthyer durimi i Krishtit [qëndrueshmëria e Krishtit] në versionin NKJV. Në versionin e vitit 1611 nënkupton qëndrueshmëri ndërsa presim Kthimin e Krishtit. Në versionin NKJV nënkupton të treguarit e të njëjtit durim apo qëndrueshmëri që Krishti e tregoi si një Njeri në tokë dhe Ai akoma e tregon si Njeri në qiell.

Zoti në këtë varg mund t’i referohet Frymës së Shenjtë dhe prandaj të tre pjesëtarët e Trinisë janë përmendur si te 2:13 e 14.

B. Për trajtimin e të çrregulltve (3:6-15)

3:6 Duket qartë se disa nga shenjtorët në Thesaloniki kishin reshtur së punuari për të jetuar, sepse ishin duke pritur kthimin e Zotit. Pali nuk e mbështet një gjë të tillë si një qëndrim frymëror, por vazhdon duke dhënë udhëzime të përcaktuara se si duhej të shihej çështja e këtyre vëllezërve.

Udhëzimet e tij janë në formë urdhri për çdo vëlla që ecën i çrregullt, ai që nuk ecën në të njëjtin hap me të tjerët, për atë që nuk pranon të punojë dhe që jeton në kurriz të të tjerëve (shikoni v. 10,11). Besimtarët duhet të tregojnë mospëlqimin e tyre ndaj një vëllai të tillë duke mos pranuar që të përzihen me të nga ana shoqërore. Megjithatë, çrregullimi nuk është aq serioz sa për ta shkishëruar atë.

Porosia që thesalonikasit kishin marrë prej Palit ishte shembulli i të punuarit në mënyrë të zellshme, me djersë, për të mbajtur vetveten.

3:7 Ai nuk e la punën e çadërbërësit vetëm ngaqë e dinte se Zoti po kthehej përsëri. Ai, në fakt, po e priste Krishtin që të vinte në çdo çast, por ai po shërbente dhe punonte duke ditur se Zoti mund të vonohej për aq kohë sa ishte ai gjallë.

3:8 Askush nuk mund ta padiste atë që ai gjeti strehë në shtëpinë e dikujt dhe hante ushqimin e mundit të një tjetri. Ai siguroi jetesën e vet ndërsa po predikonte ungjillin. Kjo do të thotë ditë të gjata [me punë dhe shërbese] dhe netë të lodhura [me punë dhe shërbesë], por Pali ishte i vendosur që nuk do t’i bëhej barrë asnjërit prej tyre.

3:9 Si predikues i ungjillit apostulli kishte të drejtën të mbështetej nga ata që ishin kthyer në besim përmes shërbesës së tij (1 e Korintasve 9:6-14; 1 Tim. 5:18). Por ai parapëlqeu të paraprinte të drejtën e tij për të qenë një shembull i pavarësisë së fisme dhe mundit të palodhshëm.

3:10 Thesalonikasit ishin urdhëruar tashmë që të mos mbështesnin ata që i bënin bisht punës. Nëse një i krishterë i aftë për punë nuk pranon të punojë, ai as të mos hajë. A mos bie kjo në kundërshtim me faktin se besimtarët duhet të tregojnë gjithmonë mirësi? Aspak! Nuk është mirësi t’i nxitësh të tjerët për dembelizëm. Spurgeon-i thotë: “Dashuria e vërtetë ndaj atyre që gabojnë nuk është të vëllazërohemi me ta në gabimin e tyre, por të jemi besnikë ndaj Zotit Jezus në të gjitha gjërat”.

3:11 Tani apostulli bën një lojë të këndshme fjalësh për të nxjerrë në pah papajtueshmërinë e pseudoperëndishmërisë së këtyre vëllezërve të çrregullt. Fjalët e tij janë parafrazuar shumë herë si vijon:

1. “Disa që nuk punojnë, por janë ngatërrestarë”.

2. “Disa që janë njerëz të papunë, por janë ngatërrestarë”.

3. “Disa që nuk merren me punët e tyre, por merren së tepërmi me punët e të tjerëve”.

4. “Duke u marrë me punët e të tjerëve, duke mos u marrë me të tyret”.

3:12 Këta porositen dhe nxiten në Zotin tonë Jezu Krisht që të punojnë pa u lëvduar dhe të sigurojnë bukën e tyre. Kjo është një dëshmi e mirë dhe lavdëron Perëndinë.

3:13 Atyre që kanë punuar me besnikëri u jepet zemër të këmbëngulin. Është fundi i garës që ka rëndësi, jo fillimi; kështu ata nuk duhet të lodhen së bëri të mirën.

3:14 Por çfarë mund të themi për dikë që nuk pranon t’i bindet udhëzimeve të apostullit? Të krishterët e tjerë duhet ta disiplinojnë atë duke mos pranuar të shoqërohen me të. Qëllimi i kësaj disipline është për ta turpëruar atë për sjelljen e tij dhe që të detyrohet të rregullojë gjërat e tij.

3:15 Megjithatë, kjo disiplinë nuk është aq e fortë sa të meritojë shkishërim. Këtu fajtori shihet akoma si vëlla. Në shkishërim ai llogaritet si “pagan ose tagrambledhës” (Mt. 18:17).

Disiplina e një besimtari gjithmonë ka si qëllim mëkëmbjen e tij ndaj Zotit dhe ndaj popullit të Perëndisë. Ajo nuk duhet të kryhet në një frymë hidhërimi apo armiqësie, por më tepër në mirësjelljen dhe vendosmërinë e krishterë. Ai nuk duhet mbajtur. . . si një armik, po më tepër si vëlla.

Ne sot na duket e çuditshme se si të krishterët në Thesaloniki po prisnin me aq zjarr kthimin e Zotit saqë të braktisnin punët e tyre. Kjo nuk duhet të shihet si një rrezik ndaj kishës sot! Ne kemi shkuar në skajin e kundërt. Ne jemi aq shumë të zënë me punën dhe me bërjen e parasë saqë kemi humbur freskinë dhe rrënqethjen e shpresës së ardhjes së Tij të menjëhershme.