Përshëndetje hyrëse për Timoteun (2 Timoteut 1:1-5)

1:1 Pali e paraqet veten në fillim të letrës si apostulli i Jezu Krishtit. Ai ishte ngarkuar me një shërbim të veçantë nga Zoti i përlëvduar. Kjo detyrë nuk ishte nga njeriu apo përmes njeriut, por drejtpërdrejt përmes vullnetit të Perëndisë. Gjithashtu, Pali flet për apostullimin e tij që është sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus. Perëndia kishte bërë një premtim që të gjithë ata që besojnë në Krishtin Jezus do të marrin jetë të përjetshme. Thirrja e Palit për të qenë një apostull ishte në harmoni me këtë premtim. Në fakt, nëse nuk do të kishte një premtim i tillë, nuk do të kishte qenë nevoja për një apostull si Pali.

Ashtu siç ka thënë Vine: “Ishte sipas qëllimit hyjnor që jeta, që ishte në Krishtin Jezus që nga përjetësia, të na jepej ne. Ishte në përputhje me këtë qëllim që Pali të bëhej një apostull.” [1].

V. Paul Flint-i shtjellon pesë referimet e jetës në këtë letër: 1:1- premtimi i jetës;1:10 – paraqitja e jetës; 2:11 – pjesëmarrja e jetës; 3:12 – shembulli i jetës dhe 4:1 – qëllimi i jetës.

1:2 Timoteu paraqitet si biri i dashur. Nuk mund të vërtetohet përfundimisht nëse Timoteu ishte kthyer në besim përmes shërbesës së Palit. Takimi i tyre i parë gjendet te Veprat e Apostujve 16:1, ku Timoteu përshkruhet si një dishepull para se Pali të shkonte në Listra. Megjithatë, apostulli iu drejtua atij si biri i dashur në besimin e krishterë.

Ashtu si te 1 Timoteut, përshëndetja e Palit ka të bëjë me hirin, mëshirën dhe paqen. U tha në komentimin e 1 Timoteut se kur po u shkruante kishave, Pali uron për ta, siç e kishte zakon, hir dhe paqe. Kur i shkruan Timoteut, ai shton fjalën mëshirë. Guy King-u ka hedhur mendimin se hiri është i nevojshëm për çdo shërbesë, mëshira për çdo dështim dhe paqja për çdo rrethanë. Dikush tjetër ka thënë: “Hir të padenjëve, mëshirë të pashpresëve dhe paqe atyre që nuk kanë prehje”. Hiebert-i e përcakton mëshirën si “dashamirësinë vepruese dhe spontane të Perëndisë që e shtyn Atë të sillet me dashamirësi dhe dashuri të ëmbël me të mjerët dhe të ngratët” [2].

Këto bekime rrjedhin prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë. Këtu gjendet një shembull tjetër ku Pali nderon Birin ashtu si Atin.

1:3 Sipas stilit të tij karakteristik Pali futet menjëherë në falënderime. Ndërsa lexojmë këtë, duhet të kujtojmë se ai po shkruante nga një birucë romake. Ai ishte burgosur se kishte predikuar ungjillin dhe tani trajtohej si një kriminel. Besimi i krishterë po shtypej së tepërmi nga qeverisja romake dhe shumë besimtarë ishin vrarë. Pavarësisht nga këto rrethana të vështira, Pali e fillon letrën e tij ndaj Timoteut me fjalët: “E falënderoj Perëndinë”.

Tani apostulli po i shërbente Perëndisë me ndërgjegje të pastër ashtu siç kishin bërë të parët e tij. Megjithëse të parët e tij nuk ishin të krishterë, ata ishin besimtarë në Perëndinë e gjallë. Ata e adhuruan Atë dhe u përpoqën t’i shërbenin Atij. Ata ruanin “shpresën dhe ringjalljen e të vdekurve” (Veprat e Apostujve 23:6). Ja, pra, pse mund të thoshte më pas te Veprat e Apostujve 26:6,7a: “Dhe tani ndodhem para gjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë, premtim [e ringjalljes] të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë.”.

Prandaj Pali mund të fliste për shërbimin e tij ndaj Zotit që ishte sipas shembullit të paraardhësve të tij. Fjala që ai përdor i shërbej [3] i referohet të qenurit i drejtë dhe besnikërisë. Ai shpreh mirënjohjen ndaj Perëndisë së vërtetë.

Pastaj Pali flet për kujtimin e tij të Timoteut në lutjet e tij, ditë e natë. Sa herë që apostulli fliste me Zotin në lutje, ai kujtonte bashkëpunëtorin e tij të dashur dhe të ri dhe e çonte emrin e Tij para Fronit të Hirit. Pali e dinte se kohës së tij të shërbesës po i vinte fundi. Ai e dinte se Timoteu do të mbetej vetëm, nga ana njerëzore, për të vazhduar dëshminë e tij për Krishtin. Ai i njihte vështirësitë që do të haste dhe kështu ai u lut vazhdimisht për luftëtarin e ri të besimit.

1:4 Tani ai duhet të ketë prekur zemrën e Timoteut kur ka lexuar këto fjalë! Apostulli Pal kishte atë që Moule e quante një “mall i madh” që të shihte atë. Kjo ishte pa dyshim shenjë e dashurisë së veçantë dhe respektimit dhe flet qartë për hirin, butësinë dhe përulësinë e Palit.

Mbase kishte qenë herën e fundit kur ishin ndarë që Timoteu kishte qarë. Lotët e tij kishin lënë përshtypje të mëdha te bashkëpunëtori i vjetër. Hiebert-i hedh idenë se ndodhi kur Pali ishte “ndarë prej tij” nga policia apo ushtarët romakë [4]. Pali nuk mund të harronte dhe tashmë ai dëshiron me zjarr të bashkohet prapë me Timoteun që të mbushej me gëzim. Ai nuk e qorton Timoteun për ato lotë se ato nuk i shkonin një burri, ose se nuk kishte vend për emocione në krishterim. J. H. Jowett-i thoshte zakonisht: “Zemrat që nuk derdhin lot nuk mund të jenë kurrë lajmëtarë të kryqit. Kur simpatia jonë humbet dhimbjen e fortë, ne nuk mund të jemi më shërbëtorë të kryqit”.

1:5 Në një mënyrë apo në një tjetër Pali ishte kujtuar për besimin e sinqertë të Timoteut. Besimi i tij ishte i sinqertë, i vërtetë dhe nuk ishte me dy fytyra [5].

Por Timoteu nuk ishte i pari që u shpëtua në familjen e tij. Duket se gjyshja e tij, Loide, kishte dëgjuar lajmin e mirë të shpëtimit dhe kishte pranuar Zotin Jezus si Mesian. Dhe vajza e saj Eunike, edhe ajo një judease (Veprat e Apostujve 16:1), ishte bërë një e krishterë. Në këtë mënyrë Timoteu kishte mësuar të vërtetat e mëdha të besimit të krishterë dhe ai paraqiste brezin e tretë në atë familje që i besonin Shpëtimtarit. Asgjë nuk thuhet në Shkrim nëse ishte i kthyer ose jo babai i Timoteut.

Megjithatë shpëtimi nuk mund të trashëgohet nga prindërit besimtarë, por është e vërtetë se ka një parim shtëpie në Shkrim. Duket se Perëndia pëlqen të shpëtojë tërë familjet. Nuk është vullneti i Tij që duhet të ketë një pjesëtar të përjashtuar [një jobesimtar] në të.

Vini re se besimi thuhet se më parë ishte te Loide dhe Eunike. Nuk është se besimi ishte një vizitor i rastësishëm, por si një prani banuese në ta. Pali ishte i bindur se ishte i njëjti rast edhe me Timoteun. Timoteu duhej të kishte besimin e vërtetë pavarësisht nga tërë sprovat që duhej të kalonte në lidhje me të.


[previous][next]