Kërkesa dhe shënime vetjake (2 Timoteut 4:9-22)

4:9 Pali plak dëshiron me zjarr të jetë në shoqërinë e vëllait të tij më të ri në Zotin. Prandaj për këtë e nxit atë të përpiqet sa më shumë të ishte e mundur që të shkonte në Romë sa më shpejt të ishte e mundur. Apostulli po ndiente së tepërmi vetminë e burgosjes së tij në Romë.

4:10 Një ndër përvojat më të hidhura në shërbimin e krishterë është të braktisesh nga ata që ishin më parë bashkëpunëtorë. Dema kishte qenë një mik i Palit, një besimtar dhe një bashkëpunëtor. Por tani Pali ishte në burg, të krishterët po përndiqeshin dhe klima politike ishte krejt e papërshtatshme për të krishterët. Në vend që të donin të dukurit e Zotit, Dema ra në dashuri me këtë botë dhe kështu braktisi Palin dhe iku në Thesaloniki. Kjo nuk do të thotë patjetër se Dema hoqi dorë nga rrëfimi i tij i krishterë dhe u bë një femohues. Gjithashtu nuk do të thotë se ai nuk ishte një besimtar i vërtetë. Mbase frika e tij për sigurinë vetjake e nxiti që të bëhej një njeri i rrëzuar në zakone të këqija.

Apostulli pastaj shton se Kreshenci kishte shkuar në Galati dhe Titi në Dalmaci. Nuk mund të hedhim idenë e ndonjë faji këtu; mbase ata kishin shkuar në këto vende për të kryer shërbimin e krishterë. Këtu është hera e vetme që përmendet Kreshenci (emri i të cilit do të thotë “rritje”) në Bibël. Ne nuk dimë gjë tjetër për të. Kjo duhet të jetë një nxitje për tërë besimtarët. Pavarësisht nga pozita e tyre e ulët në jetë, madje edhe një shtegtar për Zotin nuk do të lihet pa u vënë re apo pa u shpërblyer.

4:11 Doktori i dashur Luka ishte i vetmi që kishte mbajtur lidhjet me Palin në Romë. Pa tjetër, Pali e çmoi nxitjen frymërore dhe aftësinë profesionale të këtij njeriu të madh të Perëndisë!

Dhe sa mirënjohës duhet të jemi për pjesën e fundit të vargut 11! Ai na jep zemër të gjithëve ne që kemi qenë të mangët në shërbimin tonë ndaj Zotit, që Ai do të na japë një mundësi tjetër për të vazhduar në Të. Marku shkoi me Palin dhe Barnabën në Udhëtimin e tyre të Parë Misionar, por pastaj i la ata në Perga për t’u kthyer në shtëpi. Kur erdhi koha për të shkuar në Udhëtimin e Dytë Misionar, Pali nuk donte ta merrte me vete Markun për shkak të tërheqjes së mëparshme të këtij të riu. Kur Barnaba nguli këmbë që Marku duhet të ishte me ta, çështja u zgjidh duke shkuar Pali në Siri dhe Kiliki me Silën, ndërsa Barnaba dhe Marku shkuan në Qipro. Më vonë Pali dhe Marku u pajtuan dhe këtu apostulli kërkon në mënyrë të veçantë Markun si dikë të dobishëm për shërbesë.

4:12 Ata që besojnë se Timoteu ishte në Efes kur Pali i shkroi këtë letër hedhin idenë se apostulli dërgoi Tikikun në Efes si zëvendësues gjatë mungesës së ardhshme të Timoteut. Ata hedhin idenë se Pali këtu nënkupton: “Por Tikikun po e caktoj të shkojë në Efes“.

4:13Manteli i përmendur këtu mund të jetë një veshje e jashtme apo dhe një çantë e përdorur për të mbajtur libra. Zakonisht kuptohet se i referohet versionit të parë.

Nuk është arritur në një pikë të përbashkët për sa i përket ndryshimit midis librave dhe pergamenave [31]. A ishin ato pjesë të Shkrimit? A ishin ato disa nga letrat e Palit? A ishin ato dokumente që ai do t’i përdorte për gjyqin e tij? A ishin copa papirusi të pashkruara apo lëkura dhish që kërkonte t’i përdorte për të shkruar? Është e pamundur që të japim një përgjigje përfundimtare. Por sugjerimi i fortë është se edhe gjatë burgosjes së tij apostulli donte të merrej me shkrimet dhe leximet e tij.

Tregohet një histori interesante e vërtetë në lidhje me këtë varg biblik në dukje të parëndësishëm. F. W. Newman-i, vëllai më i ri i Kardinalit Newman, e pyeti dikur J. N. Darby-in a do të ishim më të mangët nëse ky varg nuk do të ishte në Bibël? A nuk kishte ai një vlerë të përkohshme? A do të humbiste diçka nëse Pali nuk do ta kishte shkruar? Darby u përgjigj menjëherë: “Unë me siguri do të kisha humbur diçka; sepse ky është vargu që shpëtoi librarinë time nga shitja. Çdo fjalë, ji i sigurt, është nga Fryma dhe është për shërbimin e përjetshëm” [32].

4:14Aleksandri, remtari mund të ketë qenë i njëjti që përmendet nga Pali te 1 Timoteut 1:20, që kishte përmbysur besimin. Në çdo rast ai i kishte shkaktuar shumë të këqija apostullit. Ne vetëm mund të hamendësojmë për natyrën e kësaj të keqeje. Duke e lidhur këtë varg me vargun që vijon, duket sikur Aleksandri dëshmoi kundër apostullit dhe ngriti padi të rreme kundër tij. Conybeare dhe Howson-i përkthejnë: “Aleksandri, remtari më paditi me shumë të këqija”. Apostulli ka besim se Zoti do t’ia shpaguajë sipas veprave të tij.

4:15 Ky varg paraprin mbërritjen e Timoteut në Romë. Edhe ai duhet të ruhej prej Aleksandrit, të paktën që ai të mos vuante nga duart e atij njeriu të lig. Nuk është e pabesueshme që Aleksandri ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve të Palit duke kundërshtuar dëshminë e tij në gjyqin publik.

4:16 Pali mbase po mendon akoma për ndodhitë në ditët e shkuara. Në mbrojtjen time do të thotë mundësia e parë që iu dha për të mbrojtur vetveten në këtë gjyqin e tij të fundit [33]. Duket me të vërtetë e trishtueshme që askush nuk qe me të për të thënë një fjalë në emër të këtij apostulli trim, shkrimet e të cilit na kanë pasuruar shekuj me radhë. Askush nuk u vu përkrah mbrojtjes së tij, por nuk shohim hidhësi në zemrën e tij për asnjë. Ashtu si Shpëtimtari para tij, ai lutet që të mos u numërohet për faj.

4:17 Ai mund të jetë braktisur nga njerëzit, por Zoti i ndenji pranë. Jo vetëm kaq, por ai u fuqizua nga ana hyjnore për të predikuar ungjillin edhe në gjyqin e tij. Lajmi u përhap pa pengesë dhe një gjykatë jojudease dëgjoi lajmin e shpëtimit. Stock-u shkruan me habi:

Të tërë johebrenjtë – çfarë turme romakësh të veçantë mund të përfshihen në këtë fjali të thjeshtë! – dëgjuan atë ditë lajmin e Perëndisë për njerëzimin; të gjithë dëgjuan për Jezusin e Kryqëzuar dhe të Përlëvduar të shpallur si Shpëtimtarin e Vetëm. Ky është një mendim i jashtëzakonshëm; imagjinata është e paaftë të kuptojë një skenë të tillë të mrekullueshme; duhet të ketë qenë një ndër çastet më të mëdha të historisë; dhe çfarë mund të na zbulojë Përjetësia për frytet e saj? [34].

Fjala më dha fuqi në këtë varg nuk është e zakonshme; kjo gjendet tetë herë në DhR. Përdoret te Veprat e Apostujve 9:22 në fillimin e shërbesës publike të Palit: ai “bëhej… më i fortë”. Këtu përdoret përsëri, por tani në fund të shërbesës së tij publike – një kujtesë prekëse e forcës mbështetëse të Zotit përmes jetës së shërbëtorit të tij.

Shprehja “unë shpëtova nga goja e luanit” është një mënyrë shprehjeje që do të thotë se Pali po përfitonte nga një vonesë e përkohshme. Gjyqi po vazhdonte. Rreziku ishte mënjanuar përkohësisht. Është bërë përpjekje për ta njëjtësuar luanin me Neronin, djallin dhe kafshë të egra të vërteta. Por mbase është më e thjeshtë ta mendojmë fjalën si një rrezik në përgjithësi.

4:18 Kur apostulli tha se Zoti do ta shpëtonte nga çdo vepër e keqe, ai nuk nënkuptonte se ai do t’i shpëtonte përfundimisht ekzekutimit. Ai e dinte se kohës së vdekjes së tij po i vinte fundi (v. 6). Çfarë nënkuptonte atëherë? Pa dyshim nënkuptonte se Zoti do ta shpëtonte atë nga kryerja e çdo gjëje që do të ishte një njollë në ditët e fundit të dëshmisë së tij. Zoti do ta çlironte atë nga tërheqja, nga mohimi i emrit të Tij, nga frika, apo nga ndonjë formë e ndonjë shkeljeje morale.

Jo vetëm kaq, por Pali ishte i sigurt se Zoti do ta ruante për mbretërinë e tij qiellore. Mbretëria qiellore nuk i referohet Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit në tokë, por vetë qiellit, ku njihet në mënyrë të përsosur sundimi i Zotit.

Këtu apostulli shpërthen në një atribuim të lavdisë Perëndisë në shekuj të shekujve. Në shekuj të shekujve paraqesin shprehjen më të fortë të përjetësisë së mundshme në gjuhën greke. Teknikisht, nuk ka “shekuj” në përjetësi, por meqë mendja njerëzore nuk e ka konceptin e pafundësisë, është e udhës të përdoren shprehje të kohës.

4:19 Tani Pali dërgon përshëndetje për një çift të martuarish që kishin shërbyer me të për ungjillin. Prishila dhe Akuila së pari e kishin takuar Palin në Korint dhe pastaj udhëtuan me të për në Efes. Ata jetuan për një kohë në Romë (Rom. 16:3) dhe, ashtu si Pali, ishte punues çadrash.

Onesifori u përmend më parë te 1:16 si ai që i kishte dhënë zemër apostullit dhe nuk ishte turpëruar nga burgosja e tij.

4:20 Mbase Erasti është i njëjti person që ishte thesarmbajtësi i qytetit të Korintit (Rom. 16:23).

Trofimi përmendet më parë te Veprat e Apostujve 20:4 dhe 21:29. I kthyer në Efes, ai kishte shoqëruar Palin në Jerusalem. Judenjtë menduan se Pali e kishte marrë me vete në tempull. Këtu lexojmë se Pali e la të sëmurë në Milet. Ky pohim është i rëndësishëm për të treguar se, megjithëse apostulli kishte fuqinë e mrekullueshme të shërimit, ai nuk e përdorte gjithmonë. Mrekullia e shërimit nuk përdorej gjithmonë si një çështje bindjeje vetjake, por më fort si një dëshmi për judenjtë jobesimtarë për të vërtetën e ungjillit.

4:21 Timoteu duhet të përpiqej të vinte përpara se koha e dimrit ta bënte udhëtimin të vështirë apo të pamundur. Miku i tij i burgut në Romë kishte nevojë për praninë e tij dhe po e priste. Nxitjet e përsëritura ndaj Timoteut për të ardhur janë shumë prekëse (shikoni 1:3, 4; 4:9).

Më pas kemi përshëndetjet për Timoteun nga Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit. Këta emra mund të duken të një rëndësie të vogël, por ata janë një kujtesë prekëse, ashtu siç Rodges-i thotë: “një nga gëzimet dhe privilegjet e shërbesës së krishterë është mënyra se si krijohet dhe pasurohet miqësia”.

4:22 Dhe tani Pali po e çon drejt fundit letrën e tij të fundit. Duke folur për Timoteun në veçanti, ai thotë: “Zoti Jezu Krisht [35] qoftë me frymën tënde!”. Pastaj, duke iu drejtuar të gjithëve atyre që ishin me Timoteun në kohën kur mori letrën, apostulli shton: “Hiri qoftë me ju! Amen”.

Këtu ai lë penën e tij. Letra mbyllet. Shërbesa e tij përfundon. Por aroma e këndshme e jetës dhe dëshmisë së tij qëndron me ne akoma dhe ne do ta takojmë atë përsëri dhe do të flasim me të rreth temave të mëdha të ungjillit dhe kishës.

SHËNIME
[1] (1:1) W. E. Vine, Exposition of the Epistles to Timothy, f. 60, 61.

[2] (1:2) D. Edmond Hiebert, Second Timothy, f. 26.

[3] (1:3) Fjala greke është latreuསྩ, që lidhet me latreia “adhurim” (kr. “Mariolatry” adhurimin e Marisë).

[4] (1:4) Hiebert, Second Timothy, f. 31.

[5] (1:5) Fjala greke “e vërtetë” do të thotë fjalë për fjalë “johipokrite”. Me anë të ndryshimeve një hipokrit është një aktor me maska që përgjigjet poshtë (hupo) maskës së tij.

[6] (1:6) Vine, Exposition, nën vargjet e renditura.

[7] (1:11) Në tekstin kritik (NU) mungon “i johebrenjve”.

[8] (1:16) J. H. Jowett, Things that Matter Most, f. 161.

[9] (2:3) Në tekstin NU lexojmë “ndau”.

[10] (2:4) William Kelly, An Exposition of the Epistles to Timothy, f. 213.

[11] (2:7) Në tekstin kritik (NU) lexojmë “Zoti do të të japë” (e ardhmja e mënyrës dëftore, jo një lutje).

[12] (2:8) Hiebert, Second Timothy, f. 59.

[13] (2:9) Cituar nga D. Edmond Hiebert në Second Timothy, f. 60.

[14] (2:10) Himni i dashur “Toka e Emanuelit” u shkrua nga Anne Ross Cousin-a, por, thuhet, duke përdorur shprehje nga shkrimet e Samuel Rutherford-it.

[15] (2:11) Hiebert, Second Timothy, f. 62.

[16] (2:13) Dinsdale T. Young, Unfamiliar Texts, f. 253.

[17] (2:13) J. J. Van Oosterzee, “The Pastoral Letters”, Lange’s Commentary on the Holy Scriptures, XI:95.

[18] (2:14) Dinsdale T. Young, The Enthusiasm of God, f. 154.

[19] (2:15) Henry Alford, The Greek Testament, III:384.

[20] (2:17) Fjala greke është këtu gangraina, por kjo nuk do të thotë patjetër se fjala që ka ardhur në anglisht është përkthimi më i mirë.

[21] (2:18) Hamilton Smith, The Second Epistle to Timothy, f. 26.

[22] (2:19) Smith, vepër e cituar.

[23] (2:19) R. C. H. Lenski, The Interpretation of St. Paul Epistles to the Colossians, to the Thessalonians, to Timothy, to Titus and to Philemon, f. 804.

[24] (2:19) Tekstet NU dhe M lexohen “Zot” në vend të “Krisht”, që e afron me Num. 16:5.

[25] (2:22) Hiebert, Second Timothy, f. 76.

[26] (3:5) Hiebert, vepër e cituar, f. 86.

[27] (3:16) Fjala greke është theopneustos.

[28] (3:17) Lenski, Epistles, f. 841.

[29] (4:1) Teksti kritik shkruan kai (dhe) në vend të kata.

[30] (4:6) Hiebert, Second Timothy, f. 109,110.

[31] (4:13) Greqisht membranes. Këto dorëshkrime të shtrenjta ishin mbase libra të Biblës apo komentarë.

[32] (4:13) Cituar nga H. A. Ironside, Timothy, Titus and Philemon, f. 255.

[33] (4:16) Mbase nënkuptohet gjyqi në fund të burgosjes së parë të Palit.

[34] (4:17) Eugene Stock, Plain Talks on the Pastoral Epistles, nuk është e disponueshme faqja.

[35] (4:22) Në tekstin NU mungon Jezu Krishti.

BIBLIOGRAFI

Shikoni bibliografinë në fund të Letrës 1 drejtuar Timoteut.