Skenat e mijëvjeçarit (Ezekieli 40-48)

A. Tempulli i Mijëvjeçarit në Jerusalem (kapitujt 40-42)

Ky kapitull dhe dy të tjerët që janë pas tij paraqesin hollësitë e tempullit që do të ngrihet në Jerusalem. Shumë prej përshkrimeve janë kryesisht të vështira për t’u kuptuar, por mund të shihet skica e përgjithshme. Pal Li Tani (Paul Lee Tan) shkruan: Interpretuesit jo të fjalëpërfjalshëm thonë se kjo profeci është një simbol i kishës së krishterë. Megjithatë, kjo profeci e madhe në Librin e Ezekielit përmban përshkrime, specifikime dhe përmasa të tempullit mijëvjeçar, të cilat janë aq të plota, saqë dikush mund të bëjë një skicë të tij, si në rastin e tempullit historik të Salomonit. Në fakt, F. Gardineri te Commentary on the Whole Bible i Elikotit (Ellicott) ia del mbanë në skicimin e paraqitjes së tempullit mijëvjeçar, edhe pse ai e mohon mundësinë e të ndërtuarit të tij. Kjo e ka nxitur Alva Mak-Kleinin (Alva J. McClain) të komentojë se “nëse një komentues i pafrymëzuar mund të nxjerrë ndonjë kuptim nga plani arkitekturor, pa dyshim që puna e ardhshme e ndërtuesve nën drejtimin hyjnor nuk do të jetë problem për ta ndërtuar” [38]. 1. Njeriu me shkopin e matjes (40:1-4) Në vargjet hyrëse Ezekieli jep një vegim të qytetit të Jerusalemit dhe të tempullit mijëvjeçar. Në vitin e katërmbëdhjetë pasi Jerusalemi ishte i pushtuar, Ezekieli u mor në vegime dhe u la në një mal shumë të lartë. Atij iu tregua një vegim i qytetit të Jerusalemit dhe tempullit mijëvjeçar nga një burrë, që dukej si prej bronzi. Profeti u urdhërua t’i kushtonte kujdes të gjitha gjërave që do të shikonte dhe t’ia njoftonte shtëpisë së Izraelit. Këtë e bën ai në kapitujt që vijon. 2. Porta lindore e oborrit të jashtëm (40:5-16) Hyrja natyrore ishte porta që shikonte nga lindja dhe me këtë portë fillon përshkrimi arkitekturor. Së pari, jepen përmasat e murit në pjesën e jashtme të tempullit, rreth e qark (v. 5). Më pas përshkruhet porta që shikonte nga lindja e oborrit të jashtëm (v. 6-16). 3. Oborri i jashtëm (40:17-19) Në drejtim të kalldrëmit, që mund të jetë shumë mirë një mozaik, ashtu si te 2 Kronikave 7:3 dhe Esteri 1:6, duhej të ishin tridhjetë dhoma. 4. Dy portat e tjera të oborrit të jashtëm (40:20-27) Porta që shikon nga veriu duhet të ishte si ajo që shikonte nga lindja, me dritaret dhe harqet e saj. Porta që shikonte nga jugu kishte madhësi dhe strukturë të njëjtë me ato të të mëparshmeve. Nuk kishte derë që shikonte nga perëndimi. 5. Tri portat e oborrit të brendshëm (40:28-37) Oborri i brendshëm ka gjithashtu tri porta: porta e jugut (v. 28-31), një portë e dytë që shikon nga lindja (v. 32-34) dhe porta e veriut (v. 35-37). 6. Pajisjet për flijimin (40:38-43) Tetë tryezaatrium do të siguroheshin në portën e veriut për flijimet e kafshëve. Gjithashtu, katër tryeza prej guri të latuar do të përdoreshin për holokaustet. Ishin siguruar mjetet për therjen e flijimeve, gjithashtu edhe çengela. 7. Dhomat për priftërinjtë (40:44-47) Dhoma do të siguroheshin edhe për këngëtarët: njëra shikonte nga jugu dhe tjetra shikonte nga veriu. E para do të përdorej për priftërinjtë që kryejnë shërbime në tempull; tjetra, që shikonte nga veriu,… për priftërinjtë që kryenin shërbim në altar (këta janë bijtë e Tsadokut). 8. Paradhoma e tempullit (40:48,49) Atriumi apo portiku i tempullit duket se është planifikuar si tempulli i Salomonit. Kolonat na kujtojnë Jakinin dhe Boazin në atë strukturë (1 i Mbreterve 7:21). Kapitulli 40 shtjellon kryesisht zonën përreth tempullit; kapitulli 41 përshkruan vetë tempullin. Përmasat e hollësishme në kapitujt 40 – 43 na kujtojnë se në tërë shërbesën tonë duhet të ndërtojmë sipas specifikimeve të Perëndisë (shikoni Eks. 25:40). Përmasat e sakta duken gjithashtu të pakuptimta nëse kjo nuk do të ishte një ndërtesë e fjalëpërfjalshme. Një alegori apo figurë nuk mund të jetë kaq e saktë nga ana arkitekturore. Gjithashtu, askush nuk ka dhënë një shpjegim të kënaqshëm të disa pjesëve nëse ato janë thjesht simbolike. 9. Shenjtërorja dhe Vendi Shumë i Shenjtë (41:1-4) Përmasat e shenjtërores duhet të jenë të njëjta si ato të tempullit të Salomonit dhe dyfish të gjëra si tabernakulli në shkretëtirë. Njeriu me pamje bronzi e çoi Ezekielin në shenjtërore, por ai vetë shkoi te vendi shumë i shenjtë, duke na kujtuar për tempullin e lashtë dhe kufizimet e tabernakullit të hyrjes (shikoni Heb. 9:8,12; 10:19). E njëjta ndarje e dyfishtë e tempullit të lashtë do të vazhdojë në pamje të parë në tempullin mijëvjeçar. 10. Dhomat anësore (41:5-11) Tempulli do të jetë shumë i madh dhe i gjerë; ai do të ketë tri kate me tridhjetë dhoma për kat. Ato do të rriten në madhësi ndërsa zbritet poshtë, mbase duke shkuar më thellë në strukturën e plotë në një model në formë shkallareje (v. 7). 11. Ndërtesa në perëndim të tempullit (41:12) Përballë fundit perëndimor të kompleksit të tempullit është një ndërtesë e veçuar gjashtëdhjetë me nëntëdhjetë kubitë. Qëllimi i kësaj strukture nuk jepet. 12. Përmasat e tempullit (41:13-15a) Udhërrëfyesi i Ezekielit për në tempull e mati atë: ishte njëqind kubitë si gjatësi dhe njëqind kubitë gjerësi. 13. Zbukurimi i brendshëm dhe pajisja e tempullit (41:15b-26) Pjesa e brendshme e tempullit duhet të kishte galeri në të dyja anët, pragje dhe dritare me kanata. Kerubinët dhe palmat do të ishin zbukurimet, të shkëmbyer rreth e qark ndërtesës. Kerubini, që flet për shenjtërinë e Perëndisë (shikoni Zanafillën 3), kishte fytyrën e luanit kthyer palmës dhe fytyrën e njeriut kthyer drejt një palme tjetër. Palmat janë simbole të fitores dhe të drejtësisë në Shkrim. Altari, që duhej të bëhej prej druri, quhet nga udhërrëfyesi i Ezekielit: “tryeza që rri para Zotit“. Tempulli duhej të kishte dy porta me dy kanate, gjithashtu gdhendur në to kerubinë dhe palma. Fasada e atriumit do të mbulohej me një strehore prej druri. Nuk përmendet veli, arka apo kryeprifti. Veli u nda më dysh në Kalvar. Simbolizmi i arkës është përmbushur në Krishtin. Dhe Ai është atje si Kryeprifti i Madh. 14. Dhomat e priftërinjve (42:1-14) Priftërinjtë do të kenë dhoma që ndodhen si në veri, ashtu edhe në jug të tempullit. Këto zona do të jenë atje ku priftërinjtë do të hanë gjërat shumë të shenjta dhe në të cilat do të mbajnë rrobat e tyre të shenjta për shërbesë. 15. Përmasat e oborrit të jashtëm (42:15-20) Përmasat e oborrit të jashtëm duhej të ishin pesëqind kubitë në çdo anë. Dallimi midis vendit të shenjtë nga ai profan te vargu 20 është ndryshimi midis asaj që e quajnë i shenjtë dhe i botës. Është ndryshimi midis adhurimit dhe çështjeve të zakonta të jetës së përditshme.

B. Adhurimi i Mijëvjeçarit (kapitujt 43, 44)

43:1-5 Më parë në librin e Ezekielit (11:23) pamë renë e lavdisë duke u larguar nga tempulli në Jerusalem. Por lavdia e Perëndisë së Izraelit do të kthehet në Personin e Zotit Jezus kur të vijë për të mbretëruar. 43:6-9 Ai do të banojë përjetë në mes të popullit të Tij; nuk do të praktikojnë më kurvërimet (idhujtarinë) dhe veprimet e neveritshme nën hijen e tempullit. 43:10-12 Kur shtëpia e Izraelit do të ketë turp për të gjitha ato që ka bërë, ajo do të shikojë modelin, format dhe vendosjen e tempullit të ri. Kur të pendohen, Perëndia do t’u japë atyre shpresë të re (edhe ne duhet të reagojmë në të njëjtën mënyrë kur dikush pendohet). Populli duhej informuar se gjithë territori që është rreth majës së malit, mbi të cilin do të ndërtohej tempulli, duhej të ishte shumë i shenjtë. Një pamje e vërtetë e lavdisë së Zotit na bën të turpërohemi për paudhësitë tona (v. 10): Është vështrimi që shkriu Pjetrin, është ajo fytyrë që pa Stefani, është ajo zemër që qau me Marinë, që mund të na largojë nga idhujt. Anonim 43:13-17 Më pas jepen përmasat e altarit, në pamje të parë si një platformë e shtruar. Vatra e altarit është sipërfaqja e altarit ku ndizet zjarri. Nga vatra e altarit ngrihen katër brirë. Një element i pazakontë i këtij altari është fakti se ky ishte i mbuluar në tempujt e mëparshëm. Ky do të jetë aq i lartë, saqë do të duhet një rrugë drejt majës së malit. 43:18-27 Më pas jepet riti që duhet ndjekur në përkushtimin e altarit me anë të gjakut. Për këtë do të duhen shtatë ditë dhe rëndësia e tij në adhurimin publik të Izraelit mund të shihet në disa tekste të DhV: Eksodi 29:37; Levitiku 8:11,15,19,33; 1 i Mbreterve 8:62-65 dhe 2 i Kronikave 7:4-10. Pas tërë këtyre riteve, nga dita e tetë e tutje, fillonin holokaustet e rregullta. Kapitulli mbyllet me një shënim zemërdhënës: Perëndia jo vetëm do të pranonte ofertat e popullit, por “Unë do t’ju pëlqej – thotë Zoti, Zoti. Vini re se priftërinjtë atë ditë do të jenë bijtë e Tsadokut (v. 19), një nder që mbase rrjedh nga besnikëria e patundur e Tsadokut ndaj Davidit dhe Salomonit. 44:1-3 Porta që shikonte nga lindja e oborrit të jashtëm duhej të mbyllesh përherë, sepse kur Zoti do të kthehej në tempull, nuk do të largohej kurrë prej tij. Vetëm princimund të ulejhajat dhe të hante atje ushqimin e flisë. Disa mendojnë se princi është Vetë Mesia, të tjerë se ai është një pasardhës i Davidit që do të shërbejë si një mëkëmbës i mbretit nën Krishtin, Mbretin. Megjithatë, F. W. Granti tregon se ai nuk mund të jetë Mesia, sepse ai ka bij (46:16) dhe ai paraqet një ofertë për mëkatin për veten e tij (45:22) [39]. 44:4-9 Kur Zoti e çoi Ezekielin përpara tempullit, profeti u trondit nga lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit. Vargu 4 mund të krijojë një dëshirë të zjarrtë për takimet e adhurimit, ku lavdia e Zotit shfaqet aq shumë, saqë adhuruesit bien përmbys para Tij. Zoti e udhëzoi atë t’i kushtonte vëmendje të madhe statuteve të reja për tempullin, hyrjen dhe daljet e tij (v. 5) dhe për ta paralajmëruar popullin se përdorimi i të huajit në shërbimin e tempullit duhej të reshtte (v. 6-9). 44:10-16 Që tani e tutje, shërbimi i ulët do t’u caktohej levitëve që kishin rënë në idhujtari. Vetëm bijtë e Tsadokut mund të shërbenin si priftërinj, duke iu afruar dhe shërbyer Perëndisë. Bijtë e Tsadokut ishin besnikë në kohët e problemeve nën udhëheqjen e Davidin (2 Sam. 15:24; 1 i Mbreterve 1:32, etj.; 2:26, 27, 35). Levitët duheshin pezulluar nga shërbesa priftërore për shkak të mallkimit në familjen e Elit apo për shkak të pabesisë gjatë epokës së mbretërve. Mësojmë nga e tëra kjo se mëkati ka zakonisht rrjedhoja të hidhura dhe se besnikëria do të shpërblehet. 44:17-19 Priftërinjve u kërkohej të vishnin rroba prej liri, jo leshi. Shprehja: “rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre” (v. 19b) i referohet një riti shenjtërimi vetëm për shërbimin në shenjtërore dhe jo për detyrat normale të priftërinjve (Eks. 29:37; 30:29; Lev. 6:18,27; Hag. 2:10-12). 44:20-22 Këtu jepen rregulla rreth qethjes rrëzë kokës, rreth verës dhe rreth martesave të përshtatshme për priftërinjtë. 44:23,24 Bijtë e Tsadokut do të shërbejnë gjithashtu si mësues dhe gjyqtarë, duke bërë që populli i Perëndisë të dallojë atë që është e shenjtë dhe e pastër, nga njëra anë, profane dhe e papastër, nga ana tjetër. 44:25-27 Kontakti i tyre i nevojshëm me një të vdekur kërkonte disa rite pastrimi. 44:28-31 Ata do të mbaheshin nga gjërat përkushtuar Zotit. Zoti kërkon të jetë trashëgimia e tyre dhe ata nuk do të kenë asgjë në tokë. Kjo është e vërtetë edhe për shërbëtorët e Perëndisë sot; Ai do që ne të gjejmë kënaqësinë e plotë në Të dhe kështu të jemi të lirë t’i shërbejmë pa pengesa prej gjërave botërore. Ashtu si Pali, mund të mësojmë të jemi të kënaqur në çdo gjendje (Filip. 4:11), por duhet ta mësojmë këtë gjë, sepse nuk vjen natyrshëm tek askush. Një njeri i thyer mund të thotë: “Mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje… Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi” (Psalmi 73:25, 26).

C. Administrimi i Mijëvjeçarit (kapitujt 45, 46)

45:1 Në qendër të vendit të Izraelit, një pjesë e tij do të vihej mënjanë për Zotin si një pjesë e shenjtë. Ajo do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë dhe e gjerë dhjetë mijë. 45:2-5 Vendi do të ndahej në dy rripa. Pjesa e sipërme do të kishte shenjtëroren dhe do të ishte gjithashtu për priftërinjtë. Pjesa e poshtme do të ishte për levitët. 45:6 Në pjesën fundore të sipërfaqes do të ishte edhe një rrip i tretë, një vend i zakonshëm, që do të përfshinte qytetin e Jerusalemit. 45:7,8 Tërë vendilindje dhe perëndim të kësaj sipërfaqeje, po ashtu edhe kufijtë e vendit, do t’i përkisnin princit. 45:9-12 Princat e Izraelit duhej të zbatonin drejtësinë në marrëveshjet e tyre (v. 9), duke përdorur kandarë dhe masa të sakta. 45:13-17 Në këto vargje tërë popullit i kërkohet t’i ofrojë një farë përqindjeje të të korrave të veta princit Izraelit që të kujdeset për furnizimin për holokaustet dhe për të gjitha solemnitetet. 45:18-20 Ditën e parë muajit të parë shenjtërorja duhej të pastrohej dhe ditën e shtatë të të njëjtit muaj populli duhej të pastrohej nga mëkatet e kryera nga mosdija dhe naivi duhet të bënte po ashtu. 45:21-25 Pashka duhej të kremtohej ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë dhe Festa e Kasolleve ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, në muajin e shtatë. Këtu nuk përmendet Festa e Rrëshajëve, Festa e Borive apo Dita e Shlyerjes. Në dritën e tërë këtyre riteve dhe ditëve të shenjta sa mirënjohës duhet të jemi për veprën zëvendësuese të kryer një herë e përgjithmonë nga Krishti në vendin tonë! Flijimet e Mijëvjeçarit Tek Ezekieli 43:20, 26; 45:15, 17 disa nga ofertat që do të paraqiten gjatë Mijëvjeçarit thuhet shprehimisht se do të jenë me qëllim që të bëjnë shlyerjen. Si mund të përputhet kjo me Hebrenjve 10:12: “Ai, përkundrazi, pasi dha përgjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë”. Apo Hebrenjve 10:18: “Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin”? Ashtu siç përdoret në DhV, fjala “shlyerje” (fjalë për fjalë mbulim) nuk do të thotë asnjëherë heqje e mëkateve. Hebrenjve 10:4 na kujton se “…është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet”. Për më tepër flijimet ishin një kujtesë e përvitshme e mëkateve (Hebrenjve 10:3). Atëherë, çfarë donte të thoshte shlyerje? Donte të thoshte se flijimet prodhonin një pastrim të jashtëm dhe ceremonial. Ato jepnin një pastrim ritual te njerëzit, duke i bërë të aftë të afroheshin si adhurues në përbashkësi me Perëndinë. Flijimet bënin edhe shlyerje për gjërat jofrymërore, siç ishte altari (Eks. 29:37), ku nuk mund të mendohet për shlyerje të mëkateve. Me këtë nënkuptohej se altari ishte i pastruar nga ana ceremoniale dhe ishte i përshtatshëm për shërbimin e Perëndisë. Kur lexojmë për faljen e mëkatit pa dashje në lidhje me shlyerjen (Lev. 4:20), mund të nënkuptohet vetëm heqja e ndotjes ceremoniale, në mënyrë që ai njeri të mund të afrohej në adhurim. Në kohën e sotme fjala shlyerje ka fituar një domethënie më të gjerë dhe të thellë. Për shembull, përdoret për të përshkruar tërë veprën flijuese të Krishtit me anë të së cilës mëkatet tona janë vënë mënjanë dhe jemi pajtuar me Perëndinë. Por asnjëherë nuk ka këtë kuptim në Bibël (Te Rom. 5:11, versioni KJ, fjala shlyerje duhet të jetë pajtim [40], ashtu si te versioni NKJ dhe versione të tjera). Flijimet në historinë e Izraelit ishin hije të flijimit të përsosur dhe të plotë të Krishtit. Flijimet në Mijëvjeçar do të përkujtojnë veprën e Tij në Kalvar. Ato do të jenë përkujtimore për Izraelin, ashtu siç është për ne Darka e Zotit. Pjesët tek Hebrenjve nuk përjashtojnë ndonjë ceremoni flijimesh në të ardhmen. Por ato këmbëngulin se asnjë flijim i ardhshëm nuk mund të zgjidhë në mënyrë të frytshme çështjen e mëkateve, ashtu siç nuk e kanë bërë as në të shkuarën. 46:1-8 Vargjet 1-8 tregojnë se si princi duhet të rrijë në portën që shikon nga lindjaoborrit të brendshëm për të adhuruar kur të sjellë ofertat e tij për Festën e së Shtunës [Shabatit] dhe të hënës së re (v. 6). Ai nuk mund të futet në oborrin e brendshëm. Populli duhet të qëndrojë pas princit dhe të adhurojë ndërsa priftërinjtë ofrojnë flijimin. As princi, as populli nuk mund të futeshin në oborrin e brendshëm. Gjatë Mijëvjeçarit, Izraeli do të shohë Krishtin në ofertat, diçka që kombi si i tërë nuk e ka bërë në të shkuarën. 46:9, 10 Populli duhej të largohej nga oborri i jashtëm nga porta e kundërt me atë që hyri. Ata duhej të ndiqnin lëvizjet e princit. 46:11-18 Te vargjet 11 e 12 përshkruhen ofertat vullnetare të princit; te vargjet 13-15 flijimet e përditshme. Ligjet që kishin të bënin me pasurinë e princit e parandalonin atë t’i humbiste përgjithmonë apo t’i shtonte padrejtësisht. 46:19-24 Kuzhinat sigurohen për priftërinjtë dhe popullin.

D. Vendi i Mijëvjeçarit (kapitujt 47, 48)

1. Shërimi i ujërave (47:1-12) Ezekieli pa në një vegim një lumë që dilte nga dera e tempullit, kalonte altarin, përmes murit në jug të portës që shikon nga lindja, dhe zbret drejt Detit të Vdekur. Ujërat e detit do të shëndoshen dhe peshku do të jetë i bollshëm në të. Jetsi (Yates) shkruan: Uji i jetës është një figurë e rëndësishme në Dhiatën e Vjetër. Zonat e shkretëtirës kanë nevojë për ujë që të mund të ketë jetë. Kjo rrëke që shikon Ezekieli të dalë nga Tempulli e hap rrugën e saj drejt zonave djerrë të Arabahut. Si një rrëke e thellë kalon në shtratin e vet për të sjellë jetë, shëndet dhe fryte të bollshme kudo ku shkon. Ky është ilaçi i vetëm që duhet. Jezusi e përdori këtë figurë si bazën e predikimit të tij ndaj gruas te pusi (krahasoni gjithashtu Psa. 1:3; 46:4; Joeli 3:18; Zak. 14:8; Gjoni 4:7-15; 7:38; Zbulesa 22:1,2) [41]. Kjo rrëke (që do të jetë një lumë i mirëfilltë gjeografik) është një figurë tërheqëse e bekimit, të shpërndarë, edhe pse jo i plotë (v. 11), që do të dalë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Perëndia do të banojë në tempull dhe, për këtë, një lumë bekimi, gjithnjë në rritje, do të shkojë në vende të tjera. Sot Perëndia banon në trupat tanë (1 Kor. 6:19) dhe një lumë bekimi duhet të rrjedhë te të tjerët rreth nesh (Gjoni 7:37, 38). “Nëse një njeri është i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe jeta e tij prek jetët e tjera, ndodh diçka për Perëndinë”. Çfarë sfide për ne të plotësojmë kushtet që do të prodhojnë një bekim! Lumi do të sjellë jetë sa herë që rrjedh, një figurë e gjallë e shërbesës jetëdhënëse të Frymës së Shenjtë. 2. Kufijtë e vendit (47:13-23) 47:13-20 Më pas jepen kufijtë e ardhshëm dhe ndarjet e vendit. Këtu përshkruhen kufijtë. Përmendja prej Ezekielit e lumit Jordan si kufi i vendit (v. 18) nuk mund të jetë e gabuar; ai e dinte me siguri se vendi do të shtrihej në lindje deri tek Eufrati (Zanafilla 15:18). Këtu mund t’i referohet një pushtimi paraprak të vetë Palestinës. Ose mund të tregojë se Jordani përbënte vetëm një pjesë të kufijve lindorë, ndërsa pjesa tjetër arrinte deri në verilindje, deri në Eufrat. Shpjegimi i dytë është më pak i njohur, por meqë përshkrimi i Ezekielit është shumë i hollësishëm dhe nuk e përmend fare Eufratin, meriton të shikohet. 47:21-23 Brenda çdo pjese të fiseve vendi do të ndahej me short, në bazë të fiseve të Izraelit, por të huajt nuk do të përjashtoheshin nga trashëgimia. 3. Ndarja e vendit (kapitulli 48) 48:1-7 Duket sikur vendi do të ndahej në rripa horizontalë, nga Mesdheu deri në kufijtë lindorë të vendit. Rripi më verior do të ishte për Danin (v. 1). Më pas, poshtë tij, për Asherin (v. 2), për Neftalin (v. 3), për Manasin (v. 4), për Efraimin (v. 5), për Rubenin (v. 6) dhe për Judën (v. 7). 48:8-22 Në jugJudës do të ishte pjesa e caktuar tashmë për princin duke përfshirë shenjtëroren dhe qytetin e Jerusalemit. “Kjo pjesë e shenjtë” do të ishte një zonë e gjerë katrore që përfundonte në pjesën veriore të Detit të Vdekur. Ajo do të ndahej në tre rripa horizontalë, pjesa më veriore i përkiste priftërinjve, duke e pasur tempullin mijëvjeçar në mes. Rripi i mesit do të ishte për levitët dhe rripi jugor për njerëzit e zakonshëm, me Jerusalemin në qendër të tij. Territoret që ngelën në lindje e perëndim të katrorit do t’i përkisnin princit. 48:23-27 Më pas jugu i pjesës së shenjtë do të ishte pjesë për fiset e Beniaminit (v. 23), Simeonit (v. 24), Isakarit (v. 25), Zabulonit (v. 26) dhe Gadit (v. 27). 48:28-35 Qyteti i Jerusalemit të Ri do të kishte dymbëdhjetë porta, tri në çdo anë, një për secilin nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Emri i tij do të jetë: Jehovah Shammah, Zoti është atje. Ky emër na kujton atë që ka qenë gjithmonë në zemrën e Perëndisë: Ai i do krijesat e Tij aq shumë, saqë gjithmonë ka planifikuar t’i ketë afër Vetes. Ai madje kërkon duke pyetur: “Ku je?”, duke bërë thirrje për pendesë dhe besim. Si Bir i Perëndisë Ai zbriti në tokë për të vdekur për ne. Dëshira e Tij do të përmbushet: njeriu do të jetë afër zemrës së Tij. Ne mund të përfshihemi dhe të marrim pjesë në kërkimin e Tij për të humburit edhe tani ndërsa jetojmë afër zemrës së Tij këtu në tokë. Kjo është dëshira e Perëndisë për ne. E mbyllim komentimin tonë mbi Ezekielin me një përmbledhje nga studiuesi hebre i krishterë i DhV, Çarls Feinberg: Kjo profeci e pakrahasueshme fillon me një vegim të lavdisë së Perëndisë dhe mbyllet me një përshkrim të lavdisë së Zotit në qytetin e përlëvduar të Jerusalemit. Ezekieli e mbyll, ashtu si Gjoni te Zbulesa, me Perëndinë që banon me njeriun në shenjtëri dhe lavdi. Përtej kësaj nuk ka qëllim më të madh të historisë dhe marrëveshje të Perëndisë me njeriun [42].
SHËNIME
[4] (1:4-28a) Këto katër fytyra janë lidhur tradicionalisht me katër portretet e Zotit tonë tek ungjijtë: Mateu – luani (Krishti si Mbret); Marku – demi (Krishti si shërbëtor); Luka – njeriu (Krishti si njeriu i përsosur); Gjoni – shqiponja (Krishti si Biri i Perëndisë); shikoni vëllimin e DhRKBB, te Hyrja e Ungjijve, f. 13. [5] (1:4-28a) Versioni NKJ, pasuar nga teksti masoretik, shkruajnë: “Kur erdha“. Shënimi New Scofield mbi këtë problem të tekstit shkruan: “Pa dyshim që nuk erdhi Ezekieli për të shkatërruar qytetin e Jerusalemit për mëkatet e tij, por Vetë Zoti. Në bazë të kërkesave të kontekstit, leximi i gjashtë dorëshkrimeve, versioni i Theodotionit dhe ai i Vulgatës, përkthimi më i mirë është ‘kur Ai erdhi për të shkatërruar qytetin‘. Një përkthim i mundshëm dhe mbase më i parapëlqyeri do të ishte nëse do të lexohej shkronja e fundit e fjalës në diskutim si një shkurtim i mirënjohur i termit “Zot”, duke na dhënë kështu: ‘kur Zoti erdhi për të shkatërruar qytetin'”. The New Scofield Bible, New King James Version, f. 995. [6] (1:28b-2:7) Versioni NRS e parafrazon “bir i njeriut” si “vdekatar” për të shmangur fjalët “me prirje mashkullore” bir dhe njeri; kjo errëson lidhjen me përdorimin e Danielit dhe të Zotit tonë. [7] (1:28b-2:7) Taylor, Ezekiel, f. 60. [8] (1:28b-2:7) Taylor, Ezekiel, f. 60. [9] (3:12-15) Kyle M. Yates, Preaching from the Prophets, f. 181. [10] (9:4) Charles Lee Feinberg, The Prophecy of Ezekiel: The Glory of the Lord, f. 56. [11] (9:4) Charles Lee Feinberg, The Prophecy of Ezekiel: The Glory of the Lord, f. 56. [12] (11:16-21) Yates, Prophets, f. 182. [13] (11:22-25) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 579. [14] (13:1-3) Denis Lane, The Cloud and the Silver Lining, f. 53-62. [15] (13:8-16) A. B. Davidson, The Book of the Prophet Ezekiel, f. 88. [16] (13:8-16) Zoti ynë i quan farisenjtë me një emër të ngjashëm (por më të keq!): “varre të zbardhura (me gëlqere)” (Mt. 23:27). [17] (16:44-52) Feinberg, Ezekiel, f. 91. [18] (17:22-24) Carl F. Keil, “Ezekiel”, te Biblical Commentary on the Old Testament, XXI:244, 245. [19] (21:25-27) Matthew Henry, “Ezekiel”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, IV:878,879. [20] (22:23,24) Taylor, Ezekiel, f. 168,169. [21] (22:25-31) Taylor, Ezekiel, f. 169. Ky version i lashtë grek ndonjëherë ruan shkrimet origjinale hebraike në krahasim me ato në tekstin tradicional hebraik (Masoretik). Shënimet fundore të vargjeve 24 e 25 te versioni NKJ janë dy shembuj, po ashtu edhe shkrimet nga versione të tjera të lashta. [22] (23:5-10) Ekzistonte edhe një qendër rivale e adhurimit të rremë. Gruaja samaritane duket se mbron “dallimin e tyre denominacional” të Zotit tonë te Gjoni 4:20. [23] (26:3-11) Nebukadnetsari e merr këtë titull sepse kishte detyruar mbretër të tjerë t’i nënshtroheshin sundimit të tij. [24] (26:3-11) Feinberg, Ezekiel, f. 149. [25] (26:12-14) Cituar nga W. M. Thomson te The Land and the Book, f. 155 e në vazhdim. [26] (26:15-21) Peter Stoner, Science Speaks, f. 76. [27] (28:11-19) Feinberg, Ezekiel, f. 161,162. [28] (30:13-19) Ky është një qytet i mirënjohur kufitar, në të cilin u çua Jeremia pas vrasjes së qeveritarit Gedaliah (Jer. 43:7; krahasoni 44:1). [29] (34:1-6) Yates, Preaching, f. 183. [30] (34:11-16) D. L. Moody, Notes from my Bible, f. 90. [31] (34:11-16) Një “peshkop” protestant liberal i qytetit të Uashingtonit më 1950 e blasfemoi Perëndinë e DhV si një “tiran”. [32] (34:11-16) Taylor, Ezekiel, f. 220, 221. [33] (34:17-24) David Baron, The Shepherd of Israel, f. 8,9. [34] (36:24-29a) Keil, “Ezekiel”, f. 110. [35] (37:1-8) Yates, Preaching, f. 184. [36] (38:1-16) Përkthimi i versionit KJ, që e përkthen fjalën hebraike Rosh si një mbiemër që do të thotë “shef” dhe duke ndryshuar termin “princ”, bazohet në Vulgatën latine dhe në Targumin dhe nuk është i përpiktë. Për t’u habitur ky përkthim u mbajt në versionin NI, mbase nga frika se mos njerëzit do të shikonin Rusinë në fjalën Rosh. Megjithatë, përdorimi i termit Rosh si emër i përveçëm nuk e shtron çështjen se cilës zonë i përket ky term. Mund t’i referohet Rusisë, por edhe jo. Pjesa më e madhe e historianëve dhe e gjeografëve e identifikojnë Meshekun dhe Tubalin si zona në atë vend që sot është Turqia qendrore. [37] (39:1-6) S. Maxwell Coder, “That Bow and Arrow War”, Moody Monthly, prill 1974, f. 37. [38] (40:Hyrje) Paul Lee Tan, The Interpretation of Prophecy, f. 161. [39] (44:1-3) F. W. Grant, “Ezekiel”, te The Numerical Bible, IV:273. [40] (Ese) Më 1611 shlyerje donte të thoshte “pajtim”. Ky ishte përkthimi i saktë në atë kohë, por gjuha angleze ka ndryshuar shumë që nga 1600-a. [41] (47:1-12) Yates, Preaching, f. 184. [42] (48:28-35) Feinberg, Ezekiel, f. 239.
BIBLIOGRAFI
Alexander, Ralph, Ezekiel. Everyman’s Bible Commentary. Çikago:Moody Press, 1976. Davidson, A. B. The Book of the Prophet Ezekiel. The Cambridge Bible for Schools and Colleges. Cambridge: The University Press, 1900. Feinberg, Charles Lee. The Prophecy of Ezekiel. The Glory of the Lord. Çikago: Moody Press, 1969. Grant, F. W. “Ezekiel“, te Numerical Bible, vëll. 4, Neptune, Nju Jork: Loizeaux Bros., 1977. Henry, Matthew. “Ezekiel“, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, vëll. IV, McLean, VA: MacDonald Publishing Company, nuk dihet data. Keil, C. F. “Ezekiel”, te Biblical Commentary on the Old Testament, vëll. 22,23, ribotim, Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971. Mills, Montague S. Ezekiel: An Overview. Dallas: 3E Ministries, nuk dihet data. Tatford, Frederick A. Dead Bones Live: An Exposition of the Prophecy of Ezekiel. Eastbourne, East Sussex: Prophetic Witness Publishing House, 1977. Taylor, John B. Ezekiel: An Introduction and Commentary. The Tyndale Old Testament Commentaries. Downers Grove, Illinois: InterVarsity Press, 1969.