Kërkesa e Palit për Onesimin (Filemonit 1:8-20)

V. 8 Tani Pali hyn në qëllimin kryesor të letrës. Ai po ndërhyn për Onesimin. Por si do ta fillojë temën? Si një apostull, ai mund t’i thoshte Filemonit me të drejtë: “Tani, vëllai im, është detyra jote si një besimtar të falësh dhe të pranosh këtë të arratisur dhe kjo është saktësisht ajo që po të them se duhet të bësh”. Pali mund ta kishte urdhëruar atë ta bënte një gjë të tillë dhe Filemoni, pa dyshim, do të ishte bindur. Por kjo do të kishte qenë një fitore e shtirur.

V. 9 Nëse apostulli nuk do të fitonte zemrën e Filemonit, atëherë Onesimi duhej të kthehej me një pritje të ftohtë. Vetëm bindja që shtyhej nga dashuria do ta bënte statusin e skllavit në shtëpi të pranueshëm. Mbase ndërsa shkroi këtë, Pali mendoi për fjalët e Shpëtimtarit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.” (Gjo. 14:15). Dhe kështu për dashurinë, ai parapëlqeu të lutej sesa të urdhëronte. A do të shtyhej Filemoni nga dashuria për një lajmëtar plak [4] të Krishtit që ishte i burgosur për Zotin Jezus? A do të shtyhej ai nga dy cilësimet – Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur? Ne nuk e dimë me saktësi se sa plak ishte apostulli në atë kohë. Vlerësime të ndryshme e paraqesin rreth pesëdhjetë e tre deri gjashtëdhjetë e tre. Kjo nuk mund të duket moshë e vjetër sot, por ai mbase ishte plakur para kohe, për shkak të atyre që kishte hequr duke i shërbyer Krishtit. Dhe tani ai ishte i burgosur i Jezu Krishtit. Duke përmendur këtë, ai nuk po kërkonte të fitonte simpati, por shpresonte që Filemoni të vlerësonte këta faktorë për të marrë vendimin e tij.

V. 10 Në origjinal në këtë varg Onesimi vjen i fundit: “Të lutem, për birin tim, që më lindi në prangat e mia – Onesimin”. Në kohën kur Filemoni dalloi emrin e skllavit të braktisur, ai ishte plotësisht i paarmatosur. Imagjinoni habinë e tij kur të ketë mësuar që “maskarai” ishte kthyer dhe, edhe më fort për t’u çuditur, ishte kthyer te Krishti përmes Palit, të burgosurit!

Një nga gëzimet e fshehura të jetës së krishterë është të shohësh Perëndinë të veprojë në mënyra të mrekullueshme dhe të çuditshme, duke e zbuluar veten në rrethana që përputhen të cilat nuk mund të shpjegohen nga rastësia apo fati. Së pari, Pali kishte çuar Filemonin te Zoti. Pastaj apostulli më vonë ishte arrestuar dhe ishte çuar në Romë për gjykim. Skllavi i Filemonit ishte larguar dhe ishte nisur për në Romë. Në një farë mënyre kishte takuar Palin dhe ishte kthyer në besim. I zoti dhe skllavi, që të dy, kishin lindur sërish përmes të njëjtit predikues, por në vende krejt të ndryshme dhe në rrethana krejt të ndryshme. Vallë ishte rastësi?

V. 11 Emri Onesim do të thotë i vlefshëm. Por kur ai u largua, Filemoni mbase ishte tunduar ta quante një maskara të pavlerë. Pali thotë, në fakt: “Po, ai ishte i pavlerë më parë, por tani ai është i dobishëm për ty e për mua“. Skllavi që po kthehej te Filemoni ishte një skllav më i mirë sesa kur ishte larguar. Thuhet se në kohën e DhR skllevërit e krishterë kërkoheshin me një çmim më të lartë në tregun e shitjes sesa të tjerët. Duhet të jetë e vërtetë sepse sot punonjësit e krishterë janë më të vlefshëm sesa jobesimtarët.

V. 12 Qëndrimi i DhR ndaj skllavërisë vjen në plan të parë në këtë letër. Ne vëmë re se Pali nuk e dënon apo ndalon skllavërinë. Në fakt, ai e dërgon Onesimin te i zoti. Por abuzimet lidhur me skllavërinë dënohen dhe ndalohen në DhR. Maclaren-i shkruan:

Dhiata e Re . . . ndërhyn drejtpërdrejtë jo me mjete politike apo shoqërore, por hedh parime që prekin thellë këto dhe i ngulit në mendjen e përgjithshme [5].

Revolucioni me forcë nuk është mënyra biblike për të ndrequr të këqijat shoqërore. Shkaku i çnjerëzimit të njeriut mbështetet në natyrën e tij të rënë. Ungjilli sulmon shkakun bazë dhe ofron një krijim të ri në Krishtin Jezus.

Është e pranueshme se për një skllav që ka një pronar të mirë do të ishte më mirë të rrinte i tillë sesa i lirë. Kjo është e vërtetë, për shembull, për besimtarët që janë shërbëtorë të Zotit Jezus. Ata që janë skllevërit e Tij shijojnë formën më të vërtetë të lirisë. Duke e dërguar prapa Onesimin te Filemoni, Pali nuk po i bënte ndonjë padrejtësi atij. Si i zoti po ashtu edhe skllavi ishte besimtarë. Filemoni do të ishte i detyruar të sillej me Onesimin me mirësi. Onesimi duhej t’i shërbente me besnikëri të krishterë. Dashuria e thellë që apostulli kishte për Onesimin shprehet në fjalët ta dërgova . . . zemrën time. Pali ndiente sikur po humbiste një pjesë të vetes së vet.

Ne duhet të vëmë re se parimi i rëndësishëm i kthimit është vënë në plan të parë. Tani që Onesimi ishte shpëtuar, a ishte e nevojshme për të të kthehej te i zoti i tij i mëparshëm? Përgjigjja është përfundimisht: “Po”. Shpëtimi heq ndëshkimin dhe fuqinë e mëkatit, por nuk fshin borxhet. I krishteri i ri pritet të zgjidhë të gjitha llogaritë e papaguara dhe të rregullojë të këqijat, me aq sa është e mundur. Onesimi ishte i detyruar të kthehej në shërbim të të zotit dhe të shpaguante çdo para që mund t’i kishte vjedhur.

V. 13 Parapëlqimi vetjak i apostullit do të ishte që të mbante me vete Onesimin në Romë. Kishte shumë gjëra që skllavi i kthyer mund të bënte për Palin ndërsa ai ishte i burgosur në emër të ungjillit. Dhe kjo do të ishte një mundësi për Filemonin t’i shërbente apostullit – duke i siguruar një ndihmës. Por nëse bënte këtë do të tregonte mangësi pa ia bërë të ditur Filemonit apo pa marrë leje nga ai.

V. 14 Pali nuk do të detyronte të bëhej diçka e mirë nga i zoti i skllavit duke e mbajtur Onesimin me vete në Romë. Ai nuk do të bënte asgjë në lidhje me Onesimin pa mendjen e Filemonit. Mirësia do ta humbiste bukurinë nëse do të bëhej nga detyrimi dhe jo nga gatishmëria e lirë dhe e dashur.

V. 15 Të jesh i aftë të shohësh përtej rrethanave të vështira të çastit dhe të shohësh Perëndinë që bën të gjitha gjërat për të mirën e atyre që e duan Atë, është një shenjë e një pjekurie frymërore (Rom. 8:28). Kur Onesimi u largua, mbase Filemoni ndiente hidhësi dhe, në një farë kuptimi, një humbje financiare. A do ta shikonte ai skllavin përsëri? Tani Pali nxjerr në dritë ylberin pas reve të errëta. Onesimi ishte i humbur për familjen në Kolos për pak kohë që ta kishin atë përgjithmonë. Ky duhet të jetë ngushëllimi për të krishterët që humbasin të afërmit dhe miqtë me anë të vdekjes. Ndarjet janë për pak kohë; bashkimi i ri do të jetë i përjetshëm.

V. 16 Filemoni jo vetëm që po e pranonte Onesimin në shtëpi – por po e pranonte në kushte më të mira sesa kur e kishte njohur më parë. Nuk do të ishte më marrëdhënia e zakonshme pronar-skllav. Onesimi ishte tani shumë më tepër se skllav; ai ishte një vëlla i dashur në Zotin. Tani e tutje faktori “frikë” do të zëvendësohej nga faktori “dashuri”. Pali kishte shijuar tashmë përbashkësinë e tij si një vëlla i dashur. Por tani ai nuk do ta kishte më atë në Romë. Humbja e apostullit do të ishte fitimi i Filemonit. Tani ai do ta njihte Onesimin si vëlla sipas mishit, ashtu dhe në Zotin. Skllavi i mëparshëm do ta përligjte besimin e Palit si në mish, që do të thotë, me anë të shërbimit të tij të përkushtuar nga ana fizike, dhe në Zotin, që do të thotë, me anë të përbashkësisë së tij si besimtar.

V. 17 Kërkesa e apostullit është e bujshme si në guximin ashtu edhe në ëmbëlsinë e saj. Ai i kërkon Filemonit ta priste Onesimin si të pranonte apostullin vetë. Ai thotë: “Në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë.”. Fjalët sjellin ndërmend thëniet e Shpëtimtarit: “Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.” (Mt. 10:40) dhe: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” (Mt. 25:40). Ato gjithashtu na kujtojnë se Perëndia na ka pranuar në Personin e Birit të Tij, që ne jemi afër dhe të dashur për Perëndinë ashtu si Krishti.

Nëse Filemoni e konsideronte Palin shok, si dikë me të cilin kishte përbashkësi, atëherë apostulli i kërkon të pranojë Onesimin mbi të njëjtën bazë. Kjo nuk do të thotë se Onesimi do të trajtohej si një mysafir i përhershëm në familje pa të drejtën për të punuar. Ai akoma do të ishte një shërbyes në shtëpi, por që i përkiste Krishtit dhe ishte një vëlla në besim.

V. 18 Apostulli nuk thotë se Onesimi kishte vjedhur diçka nga Filemoni, por ky varg hedh idenë e një mundësie të tillë. Sigurisht që vjedhja ishte një ndër mëkatet më të shpeshta të skllevërve. Pali kërkon të pranojë me dëshirë përgjegjësinë për çdo humbje që mund të kishte pësuar Filemoni. Ai pranon se duhej bërë shpagimi. Kthimi i Onesimit nuk fshinte borxhet e tij njerëzore. Kështu Pali i thotë Filemonit t’ia ngarkonte atij.

Ne nuk mund ta lexojmë këtë pa kujtuar borxhin e madh që kemi pasur si mëkatarë dhe se si i gjithë ky borxh ra në kurriz të Zotit Jezus në Kalvar. Ai pagoi plotësisht borxhin kur vdiq si Zëvendësuesi ynë. Ne gjithashtu kujtojmë këtu shërbesën e Krishtit si Avokatin tonë. Kur Satani, paditësi i vëllezërve, na padit për të këqijat që bëjmë, Zoti ynë i bekuar thotë: “M’i ngarko Mua”. Në këtë libër ilustrohet doktrina e pajtimit. Onesimi ishte larguar nga Filemoni për ndonjë të keqe që kishte bërë. Përmes shërbesës së Palit (kemi çdo arsye për të besuar) largësia dhe “armiqësia” u hoqën. Skllavi u pajtua me të zotin. Po kështu edhe ne ishin larguar nga Perëndia për shkak të mëkatit tonë. Por përmes vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, shkaku i armiqësisë është hequr dhe besimtarët janë pajtuar me Perëndinë.

V. 19 Zakonisht Palit ia shkruanin të tjetër letrat, ndërsa ai vetë shkruante rreshtat e fundit me dorën e tij. Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse e ka shkruar tërë këtë letër me dorën e tij, por në këtë pikë, të paktën, ai merr penën dhe, në shkarravinat e tij familjare, u zotua vetë të paguante çdo borxh që vinte nga Onesimi. Ai do ta bënte këtë pavarësisht nga fakti që Filemoni i detyrohej një borxh të madh. Pali e kishte çuar atë te Zoti. Ai i detyrohej apostullit jetën e tij frymërore, për sa i përket mjetit njerëzor. Por Pali nuk i vë asnjë borxh.

V. 20 Duke iu drejtuar Filemoni si vëlla, Pali plak i kërkoi vetëm një të mirë në Zotin, një përtëritje në Krishtin. Ai po lutej që Onesimi të pranohej me hir, që të falej dhe të merrte vendin e shërbimit në shtëpinë e tij – jo tani si një skllav, por si një vëlla në familjen e Perëndisë.