Përshëndetje (Filemonit 1:1-3)

V. 1Pali paraqet veten si një i burgosur në vend që ta paraqesë si një apostull. Ai mund të kishte përdorur autoritetin e vet, por parapëlqen të paraqitet duke u nisur nga ajo që mund të duket një vend i ulët, disavantazhi. Megjithatë, apostulli e praron këtë vend të ulët me lavdinë e qiellit. Ai është i burgosuri i Jezu Krishtit. As për një çast ai nuk e ul veten të quhet i burgosur i Romës! Ai shikon përtej perandorit, te Mbreti i mbretërve. Timoteu ishte me të, ashtu siç shkruan, dhe kështu ai lidh dishepullin e tij besnik me të, megjithëse letra është pa dyshim e Palit.

Adresimi kryesor është Filemoni. Emri i tij do të thotë “i dashur” dhe, në dukje, ai ishte siç kishte emrin, sepse Pali e përshkruan si të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë.

V. 2 Meqë Apfi është një emër femëror, shumë studiues hamendësojnë se ajo ishte gruaja e Filemonit. Fakti që letra pjesërisht i dërgohet asaj na kujton se Krishterimi ngre lart pozitën e femrave në shoqëri [2]. Më vonë do të shohim se si ngre lart edhe skllevërit. Imagjinata e shenjtë e ka njëjtësuar Arkipin në mënyrë të pandryshueshme si birin e Filemonit. Ne nuk mund të jemi të sigurt, por dimë se ishte përfshirë shumë në luftën frymërore. Pali e nderon atë si bashkëluftëtar. Ne mund ta imagjinojmë atë si një dishepull të përkushtuar të Zotit Jezus, i ndezur nga një pasion i shenjtë. Te Kolosianëve, Pali e veçoi duke i tërhequr vëmendjen: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin, që ta plotësosh” (Kol. 4:17).

Nëse Filemoni, Apfi dhe Arkipi na japin një figurë të familjes së krishterë të DhR, shprehja kishës që mblidhet në shtëpinë tënde flet për një pamje të kishësDhR. Duket qartë nga kjo se shtëpia e Filemonit ishte një vend takimi për një asamble besimtarësh. Atje ata mblidheshin për adhurim, lutje dhe studim biblik. Që aty ata dolën për të dëshmuar për Krishtin në një botë që kurrë nuk do të mirëpriste mesazhin e tyre, por as do ta harronte ama. Ndërsa ata takoheshin së bashku në shtëpinë e Filemonit, të krishterët ishin të tërë një trup i vetëm në Krishtin Jezus. Të pasur e të varfër, meshkuj e femra, pronarë dhe skllevër – të gjithë ishin si gjymtyrë të bashkuar të familjes së Perëndisë. Kur ktheheshin në punët e përditshme të botës, rishfaqeshin ndarjet e tyre shoqërore. Por në Darkën e Zotit, për shembull, ata ishin të gjithë në nivelin e përbashkët, si priftërinj të shenjtë. Filemoni nuk kishte asnjë përparësi ndaj Onesimit.

V. 3 Përshëndetja karakteristike e Palit duket se përfshiu më të mirën për ata që donte. Hiri përfshin të gjithë nderin e pamerituar të cilin Perëndia ua tregon popullit të Tij. Paqja këtu është qetësia dhe ekuilibri frymëror që bën të qëndrueshme jetët e atyre që mësohen nga hiri i Tij. Të dyja bekimet vijnë prej Perëndisë sonë, Atit dhe Zotit Jezu Krisht. Kjo është plot me domethënie. Do të thotë se Zoti Jezus është i barabartë me Perëndinë Atë në dhënien e hirit dhe paqes. Do të ishte blasfemi t’i japësh Krishtit këtë nder të tillë nëse Ai nuk do të ishte plotësisht Perëndi dhe i vërtetë.