Thirrje për unitet në shembullin e përulesisë dhe sakrificës së Krishtit (Filipianëve 2:1-16)

Megjithëse Kisha në Filipi ishte shembullore për shumë gjëra dhe Pali kishte rast t’i lavdëronte të shenjtët ngrohtësisht, përsëri ekzistonte një formë grindjeje brenda Kishës. Ekzistonte një ndryshim opinionesh midis dy grave, Evodisë dhe Sintikës (4:2). Është e nevojshme që kjo gjë të kihet parasysh sepse në kapitullin 2 apostulli merret drejtpërsëdrejti me shkakun dhe kurimin e grindjeve midis besimtarëve.

2:1 Fjala në qoftë se në këtë varg nuk është një “në qoftë se” që shpreh dyshim por që shpreh një argumentim. Vargu rendit katër arsye kryesore të cilat duhet t’i mbajnë besimtarët së bashku në harmoni dhe bashkëpunim. Apostulli thotë në fakt: “Përderisa ekziston një inkurajim kaq i madh në Krishtin, përderisa dashuria e Tij ka një aftësi kaq të madhe bindëse, përderisa Fryma e Shenjtë na bashkon ne të gjithëve në një pjesëmarrje të mrekullueshëm dhe përderisa ekziston një mallëngjim dhe dhembshuri e tillë e butë në Krishterim, ne të gjithë duhet të jemi në gjendje të jetojmë në një harmoni të gëzuar me njëri tjetrin.”

F. B. Meyer i përshkruan kështu këto katër motive:

1. Aftësia bindëse e Krishtit.

2. Kujdesi i butë që jep dashuria.

3. Pjesëmarrja e Frymës.

4. Njerëzishmëri dhe mëshirë. [9]

Është e qartë që apostulli është duke bërë një thirrje për unitet të bazuar në devotshmërinë e përbashkët ndaj Krishtit dhe zotërimin e përbashkët të Frymës. Me gjithçka që ekziston në Krishtin, anëtarët e Trupit të Tij duhet të kenë unitet qëllimi, dashurie, marrëveshjeje dhe simpatie.

2:2 Nëse këto argumente të parathëna kanë ndonjë ndikim mbi Filipianët, atëherë Pali u lutet atyre, mbi bazat e këtyre argumenteve, që ata ta bëjnë të plotë gëzimin e tij. Deri në këtë kohë filipianët i kishin dhënë Palit shumë gëzim. Ai nuk e mohon këtë gjë për asnjë çast, por tani u kërkon atyre që ta mbushin kupën e gëzimit të tij me mbushëlli. Ata mund ta bënin këtë duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri dhe një unanimitet dhe një mendje të vetme.

A do të thotë kjo që të gjithë të krishterët duhet të mendojnë dhe të veprojnë njësoj? Fjala e Perëndisë nuk jep në asnjë vend një sugjerim të tillë. Ndërkohë që ne me patjetër duhet të jemi në një mendje përsa i përket themeleve të besimit të krishterë, është e dukshme që në shumë çështje të vogla do të ketë mjaft ndryshime opinionesh. Uniformiteti dhe uniteti nuk janë e njëjta gjë. Është e mundshme që ky i fundit të jetë pa të parin. Megjithëse ne nuk mund të jemi në një mendje përsa i përket gjërave të vogla, ne mund t’i nënshtrojmë opinionet tona, aty ku nuk përfshihet ndonjë princip kryesor, për të mirën e të tjerëve.

Të kesh të njëjtin mendim do të thotë të kesh mendjen e Krishtit, t’i shohësh gjërat ashtu siç do t’i shihte Ai dhe të përgjigjesh ashtu siç do të përgjigjej Ai. Të kesh të njëjtën dashuri do të thotë të tregosh të njëjtën dashuri për të tjerët ashtu si Zoti tregoi ndaj nesh, një dashuri që nuk llogarit çmimin. Të jesh në një unanimitet do të thotë të punosh së bashku në harmoni drejt një synimi të përbashkët. Së fundi, të jesh në një mendje do të thotë të veprosh në një mënyrë aq të bashkuar sa të tregosh që mendja e Krishtit drejton veprimtarinë tonë.

2:3 Asgjë çfarëdo qoftë nuk duhet bërë për rivalitet apo mendjemadhësi, meqë këta janë dy nga armiqtë më të mëdhenj midis njerëzve të Perëndisë. Rivaliteti është dëshira për të qenë numri një, duke mos menduar se cili është çmimi. Mendjemadhësia flet për krenari apo për vet-shfaqje. Kudo që gjeni njerëz që u intereson të mbledhin rreth vetes së tyre njerëz ose që kërkojnë të sigurojnë interesat e tyre, do të gjeni farat e grindjes dhe luftës. Ilaçi i kësaj gjendet në pjesën e fundit të vargut. Por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se veten. Kjo nuk do të thotë që ne duhet t’i konsiderojmë kriminelët si njerëz që kanë karakter moral më të mirë se tonin, por që ne duhet të jetojmë për të tjerët pa egoizëm, duke vënë interesat e tyre mbi tonat. Është e thjeshtë të lexosh një thirrje të tillë në Fjalën e Perëndisë, por është një gjë krejt ndryshe të vlerësosh atë çfarë ajo thotë me të vërtetë dhe më pas ta vësh atë në praktikë. Të çmosh tjetrin më shumë se vetveten është diçka plotësisht e huaj për mendjen njerëzore dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë me forcën tonë. Është vetëm kur ne banohemi dhe fuqizohemi nga Fryma e Shenjtë që kjo gjë mund të praktikohet.

2:4 Kura e shqetësimeve midis njerëzve të Perëndisë është të jesh më i merakosur me interesin e tjetrit sesa me gjërat e jetës sonë. Në të vërtetë fjala të tjerët formon çelësin e këtij kapitulli. Është pikërisht kur ne japim jetët tona në një shërbesë të devotshme për të tjerët që ne ngrihemi mbi përpjekjet egoiste të njerëzve.

Të tjerët Zot, po, të tjerët,

Le të jetë kjo motua ime;

Më ndihmo të jetoj për të tjerët,

Që të mund të jetoj si Ti.

-Charles D. Meigs

2:5 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin. Pali tani do të shfaqë para syve të Filipianëve shembullin e Zotit Jezus. Çfarë lloj qëndrimi pati Ai? Çfarë e karakterizonte sjelljen e tij përpara të tjerëve? Guy King e ka përshkruar ndjenjën e Zotit Jezus si kjo: (1) Ndjenjë jo egoiste; (2) Ndjenjë sakrifikuese; (3) Ndjenjë shërbese. Zoti Jezus papushim mendonte për të tjerët. [10]

Ai nuk pati lotë për trishtimet e Tij,

Por pika-djerse gjaku për mua.

-Charles H. Gabrel

2:6 Kur ne lexojmë që Jezus Krishti ishte në trajtë Perëndie, ne mësojmë që Ai ekzistonte nga përjetësia si Perëndi. Kjo nuk do të thotë që Ai thjesht i ngjante Perëndisë, por që Ai në të vërtetë është Perëndi në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Përsëri Ai nuk e konsideroi atë si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë. Këtu është tepër e rëndësishme të bëjmë dallimin midis barazisë personale dhe pozicionale me Perëndinë. Përsa i përket Personit të Tij, Krishti gjithmonë ishte, është dhe do të jetë i barabartë me Perëndinë. Do të ishte e pamundur për Të të hiqte dorë nga kjo gjë. Por barazia pozicionale është ndryshe. Nga gjithë përjetësia Krishti ishte pozicionalisht i barabartë me Atin e Tij, duke gëzuar lavditë e qiellit. Por Ai nuk e konsideroi këtë pozicion si diçka ku Ai duhet të mbahej me patjetër. Kur një botë e humbur njerëzimi kishte nevojë për shpengim, Ai ishte i gatshëm për të lënë barazinë e Tij pozicionale me Perëndinë – rehatitë dhe lavditë e qiellit. Ai nuk i konsideroi ato si diçka ku Ai duhej t’i kapte përgjithmonë dhe në çdo rrethanë.

Kështu Ai deshi të vinte në këtë botë dhe të duronte luftën e mëkatarëve kundër Tij. Perëndia Atë nuk ishte pështyrë kurrë, nuk ishte rrahur kurrë dhe nuk ishte kryqëzuar kurrë. Në këtë kuptim, Ati ishte më i madh sesa Biri – jo më i madh përsa i përket Personit të Tij, por për më tepër përsa i përket pozicionit të Tij dhe mënyrës në të cilën Ai jetoi. Jezusi e shprehu këtë mendim tek Gjoni 14:28: “Po të më donit do të gëzoheshit sepse unë thashë, ‘Po shkoj tek Ati,’ sepse Ati është më i madh se unë.” Me fjalë të tjera, dishepujt duhet të gëzoheshin se po mësonin që Ai po shkonte në shtëpi në qiell. Kur ishte në tokë, Ai u trajtua shumë keq dhe u hodh poshtë. Ai pati qenë në rrethana më të ulta sesa Ati i Tij. Në këtë kuptim, Ati i Tij ishte më i madh. Por kur Ai u kthye në qiell, Ai do të ishte barabar me Atin në rrethanat e Tij ashtu si dhe në Personin e Tij.

Gifford shpjegon:

Kështu pra nuk është natyra apo thelbi … por mënyra e ekzistencës që është përshkruar në këtë pjesë të dytë të fjalisë [“nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë”]; dhe një mënyrë e ekzistencës mund të ndryshohet në një tjetër, edhe pse natyra thelbësore është e pandryshueshme. Le të konsiderojmë ilustrimin e vetë Palit, 2 Kor. 8:9, “I cili duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së Tij.” Në çdo rast ekziston një ndryshim i mënyrës së ekzistencës, por jo e natyrës. Kur një njeri i varfër bëhet i pasur, mënyra e ekzistencës së tij ndryshon, por jo natyra e tij si njeri. Kështu është me Birin e Perëndisë; nga mënyra e pasur dhe e lavdishme e ekzistencës e cila ishte shfaqja e përshtatshme dhe e mjaftueshme e natyrës së Tij hyjnore, Ai për hirin tonë zbriti, përsa i përket jetës së Tij njerëzore, në mënyrën më të ulët dhe më të varfër të ekzistencës të cilën Ai e mori përsipër së bashku me natyrën e njeriut. [11]

2:7 Por e zbrazi veten e Tij. Menjëherë ngrihet pyetja, “Nga çfarë e zbrazi veten Zoti Jezus?”

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet pasur një kujdes i madh. Përpjekjet njerëzore për të përkufizuar këtë zbrazje shpesh kanë përfunduar në zhveshjen e Krishtit nga atributet e Tij hyjnore. Disa thonë, p.sh., që kur Zoti Jezus ishte në tokë, Ai nuk kishte më gjithë dijen apo gjithë fuqinë. Ai nuk ishte më në të gjitha vendet në të njëjtën kohë. Ata thonë që Ai me vullnet i la mënjanë këto atribute të Hyjnisë kur erdhi në botë si një Njeri. Madje disa thonë që Ai ishte i nënshtruar përkufizimeve të gjithë njerëzve, që Ai u bë i prirur për gabime dhe që pranoi opinionet e zakonshme dhe mitet e asaj kohe!

Këtë ne e mohojmë forcërisht. Zoti Jezus nuk la mënjanë asnjë nga atributet e Perëndisë kur Ai erdhi në tokë.

Ai ende ishte i gjithëdijshëm.

Ai ende ishte i kudo pranishëm (i pranishëm në të gjitha vendet në të njëjtën kohë).

Ai ende ishte i plotfuqishëm.

Ajo çfarë Ai bëri ishte që Ai e zbrazi Vetveten nga barazia pozicionale që Ai kishte me Perëndinë, dhe fshehu lavdinë e Hyjnisë në një trup mishi njerëzor. Lavdia ishte e gjitha aty, megjithëse e fshehur. Ajo shkëlqente në raste të ndryshme si p.sh. në Malin e Shndërrimit. Nuk pati asnjë çast në jetën e Tij në tokë në të cilin Ai nuk zotëroi të gjitha atributet e Perëndisë.

Ai hodhi në anë veshjen e Tij hyjnore,

Dhe fshehu Plotësinë e Hyjnisë së Tij në një vel argjile,

Dhe nën atë veshje shfaqi dashurinë e mrekullueshme,

Duke restauruar atë çfarë Ai nuk mori kurrë me vete.

Siç është përmendur më parë, duhet patur një kujdes i veçantë në shpjegimin e fjalëve “Ai e zbrazi vetveten.” Mënyra më e saktë është që të lejojmë shprehjet pasuese për të siguruar një shpjegim. Ai e zbrazi vetveten duke marrë trajtë shërbëtori e duke u bërë i ngjashëm me njerëzit. Me fjalë të tjera, Ai e zbrazi vetveten duke marrë mbi vete diçka që nuk e kishte patur kurrë më parë – natyrën njerëzore. Ai nuk hoqi hyjnishmërinë e Tij, por vetëm vendin e Tij në qiell, dhe këtë përkohësisht.

Nëse Ai do të kishte qenë një njeri i thjeshtë, ky nuk do të ishte një veprim zbrazjeje. Ne nuk e zbrazim vetveten duke qenë të lindur në botë. Por që Perëndia të bëhet Njeri – kjo do të thotë zbrazje e Vetvetes. Në të vërtetë vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë.

Duke marrë trajtë shërbëtori. Mishërimi dhe jeta e Shpëtimtarit mund të përmblidhen me fjalët e dashura të Gjonit 13:4, “Jezusi… hoqi rrobat e Tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.” Peshqiri apo përparsja është simboli i shërbesës. Përdorej nga skllevërit. Dhe u përdor nga Zoti i bekuar Jezus sepse Ai nuk erdhi “që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Mat. 20:28). Por le të ndalemi për një moment për të bërë një përmbledhje të gjithë këtij vargu mendimesh në këtë paragraf. Kishte grindje midis të shenjtëve në Filipi. Pali u bën thirrje atyre për të patur ndjenjën e Krishtit. Shkurt, pra, argumenti është që nëse të krishterët do të dëshirojnë për të patur vendin më të ulët, për t’u shërbyer të tjerëve dhe të sakrifikojnë me jetën e tyre, nuk do të ketë grindje. Njerëzit që dëshirojnë të vdesin për të tjerët në përgjithësi nuk grinden me ta.

Krishti gjithmonë ka ekzistuar, por erdhi në botë i ngjashëm me njerëzit, që do të thotë “si një Njeri i vërtetë.” Natyra njerëzore e Zotit është po aq e vërtetë sa vetë Hyjnishmëria e Tij. Ai është Perëndi i vërtetë dhe Njeri i vërtetë. Por sa e mistershme është kjo! Asnjë mendje e krijuar nuk do të jetë në gjendje ta kuptojë këtë gjë.

2:8 Çdo pjesë e këtij paragrafi përshkruan thellësinë që sa vjen e rritet të përulësisë së Birit të dashur të Perëndisë. Ai jo vetëm që e la me dëshirë lavdinë e qiellit! Ai e zbrazi vetveten! Mori trajtën e një shërbëtori! U bë Njeri! Por tani ne lexojë që Ai e përuli vetveten! Nuk kishte thellësi në të cilën Ai nuk do ta ulte Vetveten për të shpëtuar shpirtrat tanë fajtorë. Bekuar qoftë emri i Tij përgjithmonë!

Ai e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje. Kjo është tepër e mrekullueshme për sytë tanë! Ai u bind megjithëse kjo i kushtoi Atij jetën. I bindur deri në vdekje do të thotë që Ai u bind deri në fund. Në të vërtetë Ai ishte Tregtari që shkoi dhe shiti gjithë sa kishte për të blerë margaritarin e shtrenjtë (Mat. 13:46).

Deri në vdekje të kryqit. Vdekja me kryqëzim ishte forma më e turpshme e ekzekutimit. Mund të krahasohet me trekëmbëshat, karrigen elektrike ose dhomat me gas – që janë për vrasësit. Dhe kryqëzimi ishte forma e vdekjes e rezervuar për më të Mirin e qiellit kur Ai erdhi në këtë botë. Atij nuk iu dha një vdekje e natyrshme në një krevat. Vdekja e Tij nuk duhet të ishte një vdekje e rastit. Ai duhet të vdiste vdekjen e turpshme të kryqit.

2:9 Tani vjen një ndryshim i menjëhershëm. Vargjet e mëparshme shpjeguan atë që bëri Zoti Jezus. Ai zgjodhi rrugën e vetmohimit. Ai nuk kërkoi një emër për vetveten. Ai e përuli vetveten.

Por tani ne kthehemi për të marrë në konsideratë atë që ka bërë Perëndia. Nëse Shpëtimtari përuli veten e Tij, Perëndia gjithashtu e lartësoi Atë. Nëse Ai nuk kërkoi një emër për veten e Tij, Perëndia i dha Atij një emër që është përmbi çdo emër. Nëse Ai u gjunjëzua për t’i shërbyer të tjerëve, Perëndia ka deklaruar që çdo gju do të përkulet përpara Tij.

Dhe cili është mësimi që del nga e gjithë kjo për filipianët dhe për ne? Mësimi është ky që rruga për lart duhet të jetë poshtë. Ne nuk duhet të lartësojmë vetveten, por të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit, që Perëndia të mund të na lartësojë në kohën e duhur.

Perëndia e lartësoi Krishtin duke e ngritur prej së vdekurish dhe duke hapur qiejt për ta marrë përsëri në të djathtë të Tij. Jo vetëm kaq – Perëndia i dha atij një emër që është përmbi çdo emër.

Mendimet e studiuesve janë të ndryshme përsa i përket idesë se cili është ky emër. Disa thonë që është emri Jezus, emër i cili përmban emrin e Jehovait. Në Isaia 45:22, 23, është deklaruar që çdo gju do të përkulet para emrit Jehovah (Perëndisë).

Të tjerët besojnë që emri që është përmbi çdo emër është thjesht një mënyrë figurative për të shprehur vendin më të lartë në univers, një pozicion superioriteti dhe dominimi. Të dyja shpjegimet janë të pranueshme.

2:10 Perëndia ishte aq i kënaqur me veprën shpenguese të Krishtit saqë Ai vendosi që çdo gju do t’i përkulet Atij – i krijesave qiellore, tokësore dhe nëntokësore. Kjo nuk do të thotë që të gjitha krijesat do të shpëtohen. Ata që nuk dëshirojnë të përkulin gjurin e tyre tani para Tij, një ditë do të jenë të shtrënguar për ta bërë këtë. Ata që nuk do të jenë pajtuar me Të në ditën e hirit të Tij do të jenë nënshtruar ditën e gjykimit të Tij.

2:11 Në një hir të pashoq, Zoti udhëtoi nga lavdia në Betlehem, në Gjetsemani dhe në Kalvar. Perëndia, si shpërblim, do ta nderojë Atë me një nderim universal dhe me njohjen e Tij si Zot i gjithë universit. Ata që kanë mohuar deklaratat e Tij një ditë do të pranojnë që kanë luajtur pjesën e budallait, që kanë gabuar shumë dhe që Jezusi i Nazaretit është me të vërtetë Zoti i lavdisë.

Përpara se të largohemi nga ky paragraf i mrekullueshëm që përshkruan Personin dhe Veprën e Zotit Jezus, ne duhet të përsëritim që kjo gjë ishte paraqitur në lidhje me një problem të vogël në Kishën e Filipisë. Pali nuk ishte nisur të shkruante një traktat mbi Zotin. Për më tepër ai thjesht kërkonte të korrigjonte egoizmin dhe anësinë mes shenjtorëve. Kura e gjendjes së tyre ishte ndjenja e Krishtit. Pali sjell Zotin në çdo lloj situate. “Madje edhe kur merret me çështjet më delikate, më shqetësuese dhe më të pakëndshme,” shkruan Erdman “ai është në gjendje ta shpallë të vërtetën në një bukuri të tillë goditëse si të shfaqte një gur të çmuar të ngulur në një plis toke.” [12]

2:12 Pasi ka dhënë shembullin e Krishtit në një shkëlqim të tillë, apostulli tani është gati të nisë thirrjen e bazuar në të.

Filipianët gjithmonë i ishin bindur Palit kur ai kishte qenë i pranishëm aty. Edhe më shumë tani që ishte larg tyre, ata duhet të punonin për shpëtimin e tyre me frikë e me dridhje.

Përsëri ne vijmë në një pjesë të Shkrimeve rreth së cilës ka patur shumë ngatërrime. Në fillim, ne duhet ta kemi të qartë që Pali nuk është duke mësuar që shpëtimi mund të fitohet me anë të veprave. Nëpër gjithë shkrimet e tij, ai papushim thekson që shpëtimi nuk është me anë të veprave, por nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht. Çfarë do të thotë ky varg?

1. Mund të nënkuptojë që ne duhet të punojmë për shpëtimin që Perëndia ka vendosur brenda nesh. Perëndia na ka dhënë neve jetën e përjetshme si një dhuratë falas. Ne duhet ta jetojmë atë me jetë të një shenjtërie praktike.

2. Shpëtim këtu mund të nënkuptojë zgjidhjen e problemit të tyre në Filipi. Ata ishin molepsur me grindje dhe zënie. Apostulli u kishte dhënë atyre ilaçin. Tani ata duhet ta ushtronin këtë ilaç duke patur ndjenjën e Krishtit. Kështu ata do të mund të punonin për shpëtimin e tyre, ose për zgjidhjen e problemit të tyre.

Shpëtimi i përmendur këtu nuk është shpëtimi i shpirtit, por çlirim nga grackat që mund ta pengojnë të krishterin nga bërja e vullnetit të Perëndisë. Në një mënyrë të ngjashme, Vine e përshkruan atë si e gjithë eksperienca e tanishme e çlirimit nga e keqja.

Shpëtimi ka shumë kuptime të ndryshme në DhR. Ne tashmë kemi vënë re që në 1:19 do të thotë çlirim nga burgu. Në 1:28 i referohet shpëtimit të ardhshëm të trupave tanë nga prezenca e mëkatit. Domethënia në çdo rast të veçantë duhet të përcaktohet të paktën nga konteksti. Ne besojmë që në këtë paragraf fjala shpëtim do të thotë zgjidhja e problemit që shqetësonte filipianët, pra, grindjet e tyre.

2:13 Tani Pali u kujton atyre që është e mundur për ta të punojnë për shpëtimin e tyre sepse është Perëndia ai që vepron në ta vullnetin dhe veprimtarinë sipas pëlqimit të Tij. Kjo do të thotë që është Perëndia që vendos në ne dëshirën për të bërë vullnetin e Tij. Më pas Ai vepron në ne fuqinë për të përmbushur këtë dëshirë.

Këtu ne kemi përsëri shkrirjen e mrekullueshme të hyjnores dhe njerëzores. Në një farë kuptimi, ne jemi thirrur për të punuar për shpëtimin tonë. Në një mënyrë tjetër, është vetëm Perëndia që mund të na mundësojë ne për ta bërë këtë gjë. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë dhe Perëndia do të bëjë të tijën. (Megjithatë kjo nuk është e vlefshme për faljen e mëkateve tona apo për lindjen e re. Shpengimi është komplet vepër e Perëndisë. Ne thjesht besojmë dhe hyjmë brenda.)

2:14 Kur kryejmë vullnetin e Tij të mirë duhet ta bëjmë pa ankime apo kundërshtime: “Jo disi por në mënyrë triumfuese.” Ankimet dhe kundërshtimet zakonisht çojnë në shkelje më të rënda.

2:15 Duke hequr dorë nga ankimet dhe kundërshtimet, ne mund të jemi të paqortueshëm dhe të pastër (të sinqertë dhe të padjallëzuar). Të jesh i paqortueshëm do të thotë që asnjë akuzë nuk mund të ngrihet kundër teje (shiko Danielin 6:4). Një person i paqortueshëm mund të mëkatojë, por ai kërkon të falur, rrëfen dhe ndreq kur i jepet mundësia. Të jesh i pastër do të thotë të jesh i sinqertë ose pa mashtrim.

Bijtë e Perëndisë duhet të jenë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur. Nëpërmjet jetëve pa njolla, bijtë e Perëndisë do të spikatin gjithmonë e më qartë kundër errësirës së kësaj bote.

Kjo e bën Palin t’i mendojë ata si pishtarë në errësirë. Sa më e errët nata aq më shumë shkëlqen drita. Të krishterët janë pishtarë ose pishtarë-mbajtës. Ata nuk mund të krijojnë dritë, por mund të reflektojnë lavdinë e Zotit kështu që të tjerët të mund të shohin Jezusin në ta.

2:16 Duke e mbajtur lart fjalën e jetës. Si dritë ne shkëlqejmë, por kjo nuk na shfajëson për të mos dëshmuar me zërat tanë. Duhet të jetë një dëshmi e dyfishtë e jetës dhe e buzëve.

Nëse Filipianët i përmbushin këto detyra, apostulli di që do të ketë me se të mburret në ditën e Krishtit. Ai ndjen një përgjegjësi, jo vetëm që të shohë shpirtrat të shpëtuar, por gjithashtu që të paraqesë çdo njeri të përsosur në Krishtin (Kol. 1:28).

Dita e Krishtit i referohet kohës së kthimit të Tij dhe gjykimit të shërbesës së besimtarëve (1:6,10). Nëse filipianët janë besnikë në punën e tyre për Zotin, atë ditë do të shfaqet që shërbesa e Palit nuk ka qenë e kotë.