Trashëgimia e Palit dhe arritjet e tij personale të braktisura për Krishtin (FIlipianëve 3:4-14)

3:4 Kur Pali mendonte se si mburreshin këta njerëz me arritjet e tyre mishërore me siguri që një nënqeshje shfaqej në fytyrën e tij. Nëse ata mund të mburreshin, sa më shumë mund ta bënte këtë ai! Në dy vargjet e tjera, ai tregon se në çfarë shkalle të dallueshme i zotëronte ai ato arritje natyrore në të cilat njeriu mburret zakonisht. “Ai dukej sikur i përkiste pothuajse çdo lloj aristokracie që ngacmon ëndrat dhe që ndez aspiratat e njeriut!”

Në lidhje me këto dy vargje, Arnot ka thënë: “Pali këtu bën inventarin e jetës së tij. Ai kënaqet të nxjerrë në dritë rrobat e tij të ndyra dhe t’i shfaqë haptas.”

Ju do të vini re që Pali flet për: krenarinë e prejardhjes (v 5a); krenarinë e fesë (v 5b); krenarinë e aktivitetit (v 6a); krenarinë e moralit (v 6b).

3:5 Këtu, atëherë, është lista e përparësive natyrore dhe mishërore të Palit:

I rrethprerë në të tetën ditë – ai ishte një Jude nga lindja, jo një Ismaelit apo një i kthyer në Judaizëm.

Nga kombi i Izraelit – një anëtar i popullit të zgjedhur të Perëndisë.

Nga fisi i Beniaminit – një fis që ishte konsideruar si një drejtues aristokratik (Gjykatësve 5:14) dhe ai fis që i dha Izraelit mbretin e tij të parë.

Një Hebre nga Hebrenj – ai i përkiste asaj vije të kombit që ishte mbajtur fort pas gjuhës, zakoneve dhe përdorimeve origjinale.

Sipas ligjit farise – farisenjtë kishin mbetur relativisht më besnik ndaj Fjalës së Perëndisë, kurse saducenjtë kishin braktisur doktrinën e ringjalljes.

3:6 Sa për zellin, përndjekës i Kishës – Pali sinqerisht kishte menduar se kishte qenë duke bërë vullnetin e Perëndisë kur ishte përpjekur për të zhdukur sektin e të krishterëve. Ai e kishte parë atë si një kërcënim për fenë e vet dhe kishte ndjerë si duhet ta shfaroste plotësisht.

Përsa i përket drejtësisë, që është në ligj, i paqortueshëm – kjo nuk mund të ketë domethënien se Pali kishte zbatuar ligjin në mënyrë të përsosur. Ai rrëfen tek Romakëve 7:9, 10 që nuk ishte kjo domethënia. Ai flet për veten e tij si i paqortueshëm, dhe jo pa mëkat. Ne mund të themi që kur Pali kishte shkelur ndonjë pjesë të ligjit, ai kishte qenë i kujdesshëm për të bërë flijimin e kërkuar. Me fjalë të tjera, ai kishte qenë një njeri besnik në kërkimin e zbatimit të rregullave të Judaizmit pikë për pikë.

Kështu, përsa i përket lindjes, gjenealogjisë, besnikërisë fetare, zellit dhe drejtësisë personale, Sauli i Tarsusit ishte një njeri i shquar.

3:7 Por tani apostulli bën mohimin e famshëm. Këtu ai na jep ne “Faturën e Përfitimit dhe Humbjes” së tij. Në njërën anë, ai rendit pikat e lartpërmendura, gjërat që i kishin qenë fitim. Në anën tjetër, ai shkruan fjalën e vetme Krisht. Ato të gjitha llogariten si hiç kur krahasohen me thesarin që ai kishte gjetur në Krishtin. Ai i konsideron të gjitha ato humbje për shkak të Krishtit. Guy King thotë, “Gjithë fitimi financiar, gjithë fitimi intelektual, gjithë fitimi fizik, gjithë fitimi moral, gjithë fitimi fetar – të gjitha këto nuk janë më fitime kur krahasohen me Fitimin më të Madh.” [14]

Përsa kohë që besonte në këto gjëra ai nuk mund të shpëtohej kurrë. Kur u shpëtua, ato nuk kishin më asnjë kuptim për të, sepse ai kishte parë lavdinë e Zotit dhe lavditë e tjera nuk dukeshin gjë në krahasim me të.

3:8 Duke ardhur tek Krishti për shpëtim, Pali kishte mohuar të gjitha gjërat dhe i kishte llogaritur ato të pavlera kur i kishte krahasuar me vlerën e lartë të njohjes së Jezus Krishtit, Zotit të tij. Vlera e njohjes është një mënyrë Hebraike për të shprehur “njohja e përsosur” ose “vlera e pashoqe e të njohurit.”

Prejardhja, kombësia, kultura, prestigji, edukimi, feja, arritjet personale – të gjitha këto apostulli i braktisi si arsye për mburrje. Në të vërtetë, ai i llogariti ato si pleh me qëllim që të mund të fitonte Krishtin.

Megjithëse në këtë varg është përdorur koha e tashme, Pali sheh mbrapa në kohën e kthimit të tij. Për të fituar Krishtin, atij i ishte dashur t’i kthente shpinën gjërave për të cilat kishte mësuar gjithmonë t’i çmonte më tepër. Nëse ai duhej të kishte Krishtin si fitim, i duhej t’i thoshte “lamtumirë” fesë së të ëmës, trashëgimisë së të atit dhe arritjeve të tija personale.

Dhe kështu bëri! Ai shkëputi njëherë e përgjithmonë lidhjet me Judaizmin si një shpresë për shpëtim. Duke bërë këtë, atij iu hoq e drejta e trashëgimisë nga të afërmit e tij, iu hoq e drejta e zotërimit të shoqërisë së mëparshme dhe u persekutua nga bashkëqytetarët e tij. Fjalë për fjalë, ai vuajti humbjen e të gjitha këtyre gjërave kur u bë një i krishterë.

Ngaqë në vargun tetë është përdorur koha e tashme duket sikur Pali ishte akoma duke kërkuar të fitonte Krishtin. Në të vërtetë ai e kishte fituar Krishtin kur e pranoi Atë si Zot dhe Shpëtimtar. Por koha e tashme tregon që është ende qëndrimi i tij – ai ende i llogarit të gjitha si pleh kur i krahason me vlerën e njohjes së Zotit Jezus. Dëshira e madhe e zemrës së tij është: “Që Krishti të jetë fitimi im.” Jo ar, ose argjend, ose reputacion fetar, por Krisht.

3:9 Dhe që të gjendem në Të. Këtu përsëri duket sikur Pali ishte duke u përpjekur që të gjendej në Krisht. E vërteta është që ai është duke vështruar mbrapa në vendimin e madh me të cilin u përballua përpara se të shpëtohej. A dëshironte ai të braktiste përpjekjet e tij për fitimin e shpëtimit dhe thjesht të besonte në Krisht? Ai e kishte bërë zgjedhjen e tij. Ai kishte braktisur të gjitha gjërat për t’i gjetur në Krishtin. Në momentin që ai besoi në Zotin Jezus, ai qëndronte në një pozicion të ri përpara Perëndisë. Ai nuk shihej më si një fëmijë i Adamit mëkatar, por tani ai shihej në Krishtin, duke gëzuar gjithë favoret që gëzonte Zoti Jezus Krisht përpara Perëndisë At.

Në të njëjtën mënyrë ai kishte hequr dorë nga rrobat e pista të drejtësisë së tij, që ai kishte kërkuar të fitonte duke zbatuar ligjin dhe kishte zgjedhur drejtësinë e Perëndisë e cila vendoset në çdonjëri që pranon Shpëtimtarin. Drejtësia këtu quhet si një veshje apo mbulesë. Njeriu ka nevojë për drejtësi me qëllim që të qëndrojë përpara Perëndisë në favor. Por njeriu nuk mund ta prodhojë këtë drejtësi. Dhe kështu, në hir, Perëndia u jep drejtësinë e Tij atyre që pranojnë Birin e Tij si Zot dhe Shpëtimtar. “Ai (Perëndia) bëri të jetë mëkat për ne Atë (Krishtin) që nuk njihte mëkat që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të” (2 Kor. 5:21).

Përsëri ne do të donim të theksonim që vargjet 8 dhe 9 nuk sugjerojnë që Pali ende nuk e kishte marrë drejtësinë e Perëndisë. Në të kundërt, kjo u bë zotërimi i tij kur ai u rilind në rrugën për në Damask. Por koha e tashme thjesht tregon që rezultatet e asaj ngjarjeje të rëndësishme vazhdojnë deri në të tashmen dhe Pali ende e konsideronte Krishtin si më të denjin e të gjitha gjërave nga të cilat ai kishte hequr dorë.

3:10 Ndërkohë që lexojmë këtë varg, ne vijmë tek emocioni më suprem i jetës së apostullit. F. B. Meyer e quan atë: “Kërkimi i Shpirtit për Krishtin personal.”

Trajtimi më i zakonshëm i këtij paragrafi është bërja e tij “shpirtërore.” Me këtë nënkuptohet që mundimet, vdekja dhe ringjallja nuk duhen marrë në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë. Por më tepër ato janë përdorur për të përshkruar disa përjetime të caktuara shpirtërore, si p.sh. vuajtje mendore, vdekja e egoizmit dhe të jetuarit e një jete të ringjallur. Megjithatë, ne do të na pëlqente të sugjeronim që paragrafi duhet marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pali është duke thënë që ai dëshiron të jetojë ashtu si Krishti jetoi. A vuajti Jezusi? Edhe Pali dëshiron të vuajë. A vdiq Jezusi? Atëherë edhe Pali dëshiron të vdesë si një martir në shërbesën për Krishtin. A u ringjall Jezusi prej së vdekurish? Atëherë edhe Pali dëshiron të bëjë të njëjtën gjë. Ai kuptoi që shërbëtori nuk është më i lartë se i zoti. Kështu ai dëshironte ta ndiqte Krishtin në vuajtjet e Tij, në vdekjen dhe në ringjalljen. Ai nuk thotë që të gjithë duhet të kenë këtë pikëpamje, por për të nuk mund të kishte rrugë tjetër.

Që të njoh Atë. Të njoh Atë do të thotë të fitosh njohje të përditshme praktike me Të në një mënyrë kaq intime që apostulli vetë të bëhej gjithnjë e më shumë si Krishti. Ai dëshiron që jeta e Krishtit të shumëzohet në të.

Dhe fuqinë e ringjalljes së Tij. Fuqia që ngriti Zotin prej së vdekurish është shënuar në Shkrimet si shfaqja më e madhe e fuqisë që ka parë universi (Efesianeve 1:19, 20). Duket sikur gjithë frymërat e ferrit ishin përcaktuar për ta mbajtur trupin e Tij në varr. Fuqia madhështore e Perëndisë mposhti ushtrinë e ferrit duke e ngritur Zotin Jezus prej së vdekurish të tretën ditë. E njëjta fuqi është vënë në dispozicion të të gjithë besimtarëve (Efesianeve 1:19), për t’i përvetësuar me anë të besimit. Pali është duke shpallur ambicjen e tij për të përjetuar këtë fuqi në jetën dhe dëshminë e tij.

Dhe pjesëmarrjen në mundimet e Tij. Duhet forcë hyjnore për të vuajtur për Krishtin. Prandaj fuqia e ringjalljes së Tij është vendosur përpara pjesëmarrjes në vuajtjet e Tij.

Në jetën e Zotit, vuajtjet i paraprinë lavdisë. Kështu duhet të jetë në jetën e Palit. Ai duhet të ndajë vuajtjet e Krishtit. Ai kishte kuptuar që nuk mund të kishte asgjë të një vlere shlyese në vuajtjet e tij ashtu siç kishte në vuajtjet e Krishtit, por ai e dinte gjithashtu që do të ishte diçka kontradiktore që ai të jetonte në luks dhe me lehtësi në botën ku Zoti i tij u hodh poshtë dhe u kryqëzua. Jowett komenton: “Ai nuk ishte i kënaqur të ndante triumfin e Malit të Ullinjve; ai dëshironte të ndiente diçka nga dhembja dhe ftohtësia dhe vetmia e Gjetsemanit.” [15]

Duke u bërë vetë i ngjashëm me Të në vdekjen e Tij.

Siç është përmendur më parë, zakonisht kjo shpjegohet me domethënien që Pali dëshironte të jetonte jetën e kryqëzuar, të ishte i vdekur praktikisht për mëkatin, veten dhe botën. Por ne besojmë që një interpretim i tillë e zhvesh paragrafin nga forca e tij goditëse. Nënkupton këtë gjë, por edhe më shumë. Pali ishte në mënyrë të zjarrtë një ndjekës i devotshëm i Atij që vdiq në kryqin e Kalvarit. Jo vetëm kaq, ai ishte i pranishëm kur vdiq martiri i parë i Kishës së krishtere; në fakt ai ishte bashkëfajtor në vrasjen e tij! Ne besojmë që Pali dëshironte ta derdhte jetën e tij në të njëjtën mënyrë. Ndoshta ai do të ndihej i turpëruar kur ta takonte Stefanin në qiell nëse do të shkonte atje me anë të një rruge më të rehatshme sesa martirizimi. Jowett është në një mendje:

Shumë të krishterë janë të kënaqur me shpenzimin në të cilin nuk ka “derdhje gjaku.” Ata japin atë që mund ta falin kollaj. Dhuratat e tyre janë gjëra të tepërta dhe dorëzimi i tyre nuk kërkon me domosdoshmëri derdhje gjaku. Ata marrin pjesë në sakrifikime për aq kohë sa nuk përfshihet jeta e tyre; kur kërkohet me të vërtetë jeta e tyre ata nuk gjenden. Ata janë të dalluar në çdo hyrje triumfuese dhe me dëshirë shpenzojnë pak para në zbukurimet plot ngjyrë – në parulla e degë palme; por kur “Amen’të” dhe “Haleluja’t” shndërrohen në murmuritje kërcënuese dhe kërcënime, dhe kur Kalvari vjen para tyre, ata zhduken në izolime të sigurta.

Por këtu është një Apostull i cili me gëzim merr mbi vete këtë kërkesë supreme dhe kritike. Ai është pothuajse i paduruar në rrjedhjen pikë-pikë të energjisë së gjakut të tij në shërbesën e mbretërisë! Ai mezi pret nëse ka nevojë që ta zbrazë atë! [16]

Në të njëjtën mënyrë ka shkruar Hudson Taylor:

Për ne ekziston një “ka nevojë” për të dhënë vetveten për jetën e botës. … Dhënia e fryteve përfshin mbajtjen e kryqit. “Nëse një kokërr gruri nuk bie në tokë dhe nuk vdes, ajo nuk mund të japë fryt.” Ne dimë se si Zoti Jezus u bë i frytshëm – jo vetëm duke mbajtur kryqin e Tij, por duke vdekur në të. A kemi ne shumë përbashkësi me Të në këtë gjë? Nuk ka dy Krishtër – një Krisht i shkujdesur për të krishterë të shkujdesur dhe një Krisht i përvuajtur dhe i munduar për besimtarë që janë një përjashtim. Është vetëm një Krisht. A dëshirojmë ne të jetojmë në Të dhe kështu të japim fryte? [17]

Së fundi, C. A. Coates thotë:

Njohja e Krishtit në lavdi ishte dëshira supreme e zemrës së Palit dhe kjo dëshirë nuk mund të ekzistojë kurrë pa prodhuar një dëshirë të madhe të vazhdueshme për ta arritur Atë në vendin ku Ai është. Si rrjedhojë zemra që digjet nga zjarri për të qenë pas Tij instiktivisht kthehet në rrugën me anë të së cilës Ai arriti atje në lavdi, dhe ndershmërisht kërkon ta arrijë Atë në atë vend me anë të së njëjtës rrugë në të cilën Ai shkeli. Zemra pyet, “Si arriti Ai në atë lavdi? A ishte nëpërmjet ringjalljes? Dhe a nuk i paraprinë me një domosdoshmëri vuajtjet dhe vdekja asaj ringjalljeje?” Atëherë zemra thotë, “Asgjë s’do të më kënaqte mua aq shumë sesa të shkoj në lavdinë e ringjalljes tek Ai nëpërmjet rrugës që e çoi Atë atje.” Është fryma e martirizimit. Pali dëshironte ta shkelte si një martir rrugën e vuajtjeve dhe vdekjes, që ai të mund të arrinte ringjalljen dhe lavdinë nëpërmjet së njëjtës rrugë që ndoqi Ai që fitoi zemrën e tij. [18]

3:11 Këtu ne ballafaqohemi përsëri me një problem të interpretimit. A duhet ta marrim këtë fjalë në kuptimin e drejtpërdrejtë apo duhet të marrim anën shpirtërore të tij? Janë ofruar shpjegime të ndryshme, më kryesoret e të cilave janë:

1. Pali nuk ishte i sigurt nëse ai do të ringjallej prej së vdekurish apo jo, kështu që ai po sforconte çdo muskul të tij për të siguruar pjesëmarrjen e tij në ringjallje. Një pikëpamje e tillë është e pamundur! Pali gjithmonë mësoi që ringjallja është me anë të hirit dhe jo me anë të veprave. Plus kësaj ai shprehu besimin përfundimtar që ai do të kishte pjesë në ringjallje (2 Kor. 5:1-8).

2. Pali nuk ishte duke folur aspak për një ringjallje fizike, por ishte duke iu referuar dëshirës së tij për të jetuar jetën e ringjallur që këtu në tokë. Ndoshta shumica e komentuesve mbajnë këtë pikëpamje.

3. Pali ishte duke folur përreth ringjalljes fizike, por ai nuk ishte duke shprehur ndonjë dyshim përreth pjesëmarrjes së tij në të. Për më tepër ai ishte duke thënë që ai nuk ishte i shqetësuar në lidhje me vuajtjet që mund të shtriheshin para tij në rrugën drejt ringjalljes. Ai dëshironte të kalonte prova të ashpra dhe persekutime, nëse kjo ishte ajo çfarë gjendej midis kohës ekzistuese dhe ringjalljes. Shprehja “që në ndonjë mënyrë” nuk shprehin domosdoshmërisht dyshim (shiko Veprat e Apostujve 27:12; Rom. 1:10; 11:14), por një dëshirë të zjarrtë ose shpresë që nuk e llogarit çmimin.

Ne jemi dakord me interpretimin e tretë. Apostulli dëshironte t’i përshtatej Krishtit. Meqenëse Krishti kishte vuajtur, vdekur dhe ishte ringjallur prej së vdekurish, Pali nuk donte diçka më të mirë se kjo për veten e tij. Kemi frikë që dëshira jonë për rehati, luks dhe lehtësi shpesh na bën ne të heqim mprehtësinë e disa prej këtyre vargjeve Biblike. Kur interpretojmë një varg, a nuk do të ishte më e sigurt ta merrnim atë në atë vlerë që ka – fjalë për fjalë – përveçse kur ky interpretim është i pamundur në dritën e gjithë Biblës?

Përpara se të largohemi nga ky varg, ne duhet të vëmë re që Pali është duke folur për ringjalljen prej së vdekurish. Nuk është ringjallja e të gjithë të vdekurve. Për më tepër përshkruan një ringjallje në të cilën disa do të ringjallen kurse të tjerët do të mbeten në varr. Ne dimë nga 1 Thes 4:13-18 dhe 1 Kor 15:51-57 që besimtarët do të ngrihen në ardhjen e Krishtit (disa në Rrëmbimin e Kishës dhe disa në fundin e Mjerimit të madh), por pjesa tjetër e të vdekurve nuk do të ngrihen deri pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit mbi tokë (shih Zbulesa 20:5).

3:12 Apostulli nuk e mori parasysh që ai ishte i përsosur. I përsosur nuk i referohet ringjalljes së vargut të mëparshëm, por gjithë subjektit të përshtatshmërisë ndaj Krishtit. Ai nuk mendonte që ishte e mundur të arrihej një gjendje e pamëkatshme ose të arrijë në një gjendje në jetë ku nuk mund të arrihej më progres. Ai kishte kuptuar që “kënaqësia është varri i progresit.”

Prandaj ai kërkonte me ngulm që qëllimi për të cilin Zoti Jezus e kishte shpëtuar atë të përmbushej në të. Apostulli ishte kapur nga Jezus Krishti në rrugën për në Damask. Cili ishte qëllimi i këtij takimi momental? Ishte që Pali që prej atij momenti e më pas të ishte një shenjtor shembull, që Perëndia të mund të tregonte nëpërmjet tij se ç’mund të bëjë Krishti në një jetë njerëzore. Ai ende nuk ishte përputhur me Krishtin në mënyrë të përsosur. Procesi vazhdonte ende dhe Pali ishte i bindur që kjo punë e hirit të Perëndisë të mund të vazhdonte e të thellohej.

3:13 Ky burrë që ishte mësuar të ishte i kënaqur me çdo gjë materiale që kishte (4:11) kurrë nuk mund të kënaqej me arritjet e tij frymërore. Ai nuk mendonte se vetë e kishte “arritur,” siç mund të themi ne sot. Çfarë bënte ai atëherë?

Por bëj këtë. Ai ishte një njeri me një qëllim të vetëm. Në këtë ai i ngjante Davidit, që tha, “Një gjë i kërkova Zotit.”

Duke harruar ato që kam lënë pas, mund të nënkuptojë jo vetëm mëkatet e tij dhe dështimet, por gjithashtu privilegjet e tij natyrore, arritjet dhe sukseset që ai kishte përshkruar më parë në këtë kapitull, madje edhe triumfet e tij shpirtërore.

Dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara: të quajtura, privilegjet dhe përgjegjësitë e jetës së krishtere, qoftë adhurimi, shërbesa ose zhvillimi personal i karakterit të krishterë.

3:14 Duke e parë veten e tij si një vrapues në garë, Pali e përshkruan veten si dikush që mundohej me çdo përpjekje drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.

Synimi është vija e finishit në fund të garës. Çmimi është shpërblimi që i jepet fituesit. Këtu synimi duhet të jetë fundi i garës së jetës, dhe ndoshta më në veçanti Gjyqi i Krishtit. Çmimi duhet të jetë kurora e jetës që Pali diku tjetër e përshkruan si çmimi i atyre që kanë vrapuar mirë (2 Tim. 4:8).

Thirrja e lartme e Perëndisë në Krishtin Jezus përfshin të gjitha qëllimet që Perëndia kishte ndërmend në shpëtimin tonë. Ajo përfshin shpëtim, ngjashmëri me Krishtin, trashëgimtarë me Të, një shtëpi në qiell dhe bekime të tjera të panumërta frymërore.