Thirrje për një ecje qiellore, siç është ilustruar me shembullin e apostullit (FIlipianëve 3:15-21)

3:15 Pra të gjithë ne që jemi të përsosur duhet të ndajmë me Palin dëshirën për të vuajtur dhe vdekur për Krishtin dhe për të nënshtruar çdo përpjekje në kërkesën për t’i ngjarë sa më shumë Zotit Jezus. Kjo është pamja e përsosur e besimit të krishterë. Disa mund ta quajnë atë ekstreme, radikale ose fanatike. Por apostulli thotë që ata që janë të rritur do të kuptojnë që kjo është e vetmja përgjigje e arsyeshme, logjike e me mend ndaj Atij që dha gjakun e jetës së Tij për ta në Kalvar.

Në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë. Pali kupton që jo të gjithë do të jenë dakord me të në miratimin e një filozofie e tillë të rrezikshme. Por ai shpreh besimin që nëse një person dëshiron me të vërtetë të dijë të vërtetën e çështjes, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë. Arsyeja që ne sot kemi një Krishterim të shkujdesur dhe të vetkënaqur, është që ne nuk duam të dimë të vërtetën; ne nuk duam t’i bindemi kërkesave të Krishterimit ideal. Perëndia dëshiron t’ua tregojë të vërtetën atyre që dëshirojnë ta ndjekin atë.

3:16 Më pas apostulli shton që, ndërkohë, ne duhet të jetojmë në çfarëdo drite që Zoti na ka dhënë. Nuk duhet që e të rrimë e të vrasim kohë derisa të arrijmë në një njohuri të plotë të asaj që kërkohet nga ne si të krishterë. Ndërkohë që ne presim që Zoti të na zbulojë të gjitha ndërlikimet e kryqit, ne duhet t’i bindemi çdo lloj pike të së vërtetës që kemi marrë.

3:17 Tani Pali i kthehet thirrjes, së pari duke inkurajuar Filipianët për të qenë ndjekës, ose imitues të tij. Është një nderim ndaj jetës së tij shembullore që ai mund të shkruante këto fjalë. Ne shpesh dëgjojmë shprehjen “Bëj siç them unë, por mos bëj siç bëj unë.” Por nuk është kështu me apostullin. Ai mund të paraqesë jetën e tij si një model i një devotshmërie të sinqertë ndaj Krishtit dhe çështjes së Tij.

Lehman Strauss komenton:

Pali e konsideroi veten si marrës i mëshirës së Perëndisë që ai të mund të ishte një “shembull”; kështu e gjithë jeta e tij, menjëherë pas kthimit të tij, ishte përkushtuar për t’u paraqitur të tjerëve një portretizim të asaj që një i krishterë duhet të jetë. Perëndia e shpëtoi Palin me qëllim që ai nëpërmjet shembullit të kthimit të tij t’u tregonte të tjerëve që atë çfarë Jezus Krishti bëri për të mund ta bëjë për të tjerët. A nuk ishte ky objektivi i veçantë që Zoti kishte kur shfaqi mëshirën e Tij ndaj jush e ndaj meje? Unë besoj që Ai na shpëtoi ne për të qenë një shembull për gjithë besimtarët e ardhshëm. A jemi duke shërbyer ne si shembuj të atyre që janë shpëtuar me anë të hirit të Tij? Le të jetë kështu! [19]

Dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shembullit që keni në ne. Kjo i referohet kujtdo që jetoi të njëjtën jetë si Pali. Nuk do të thotë t’i vërejmë ata në mënyrë jo aprovuese, si në vargun tjetër, por t’i vështrojmë ata për të ndjekur hapat e tyre.

3:18 Ashtu si vargu 17 përshkruan ata që duhet t’i ndjekin besimtarët e tjerë, kjo pjesë tregon ata që nuk duhet t’i ndjekim. Apostulli nuk i identifikon këta njerëz në mënyrë të veçantë. Ai nuk thotë nëse ata ishin mësues të rremë të Judaizmit përmendur në vargun 2, ose mësues të krishterë të vet shpallur që e kthenin lirinë në shthurje dhe e përdornin hirin si një pretekst për mëkatin.

Pali i kishte paralajmëruar njëherë të shenjtët për njerëz të tillë më parë dhe këtë e bën përsëri duke qarë. Po përse lotë në mes të një denoncimi të tillë të ashpër? Për shkak të dëmit që këta njerëz i kishin sjellë Kishës së Perëndisë. Për shkak të jetëve që kishin shkatërruar. Për shkak të fyerjeve që kishin sjellë në emër të Krishtit. Për shkak se ata po errësonin kuptimin e vërtetë të kryqit. Po, por gjithashtu edhe sepse dashuria e vërtetë qan edhe kur denoncon armiqtë e kryqit të Krishtit, ashtu siç qau Zoti Jezus mbi qytetin vrasës të Jeruzalemit.

3:19 Këta njerëz ishin paracaktuar për humbje të përjetshme. Kjo nuk do të thotë shfarosje, por gjykimi i Perëndisë në liqenin e zjarrit përgjithmonë.

Perëndia i tyre është barku. Gjithë aktivitetet e tyre, madje edhe ajo që ata e quajnë shërbesë fetare, ishin drejtuar drejt blerjes së ushqimit (ndoshta edhe pijes) për plotësimin e orekseve të trupave të tyre. F. B. Meyer i përshkruan këta njerëz me një fjali therrëse: “Në jetët e tyre nuk ekziston ndonjë kishë. Gjithçka është kuzhinë.”

Lavdia e tyre është në turp të tyre. Ata mburreshin me gjërat prej të cilave duhet të kishin turp – lakuriqësia dhe sjellja e tyre imorale.

Ata ishin të zënë me gjërat tokësore. Për ta, gjërat e rëndësishme në jetë ishin ushqimi, veshja, nderi, rehatia dhe kënaqësia. Problemet e përjetshme dhe gjërat qiellore nuk shqetësonin zhytjen e tyre në llumin e kësaj bote. Ata vazhdonin sikur do të jetonin në këtë tokë përgjithmonë.

3:20 Apostulli tani vë në kontrast qëndrimin e besimtarëve të vërtetë që e kanë mendjen tek gjërat qiellore.

Në kohën kur kjo Letër u shkrua, Filipia ishte një koloni e Romës (Veprat e Apostujve 16:12). Filipianët ishin qytetarë të Romës, duke gëzuar mbrojtjen dhe privilegjet e saj. Por ata ishin gjithashtu qytetarë të qeverisjes lokale. Duke patur parasysh këtë sfond, apostulli u kujton besimtarëve që qytetaria e tyre është në qiell. Moffat e përkthen kështu këtë gjë: “Por ne jemi një koloni e qiellit.”

Kjo nuk do të thotë që të Krishterët nuk janë gjithashtu edhe qytetarë të shteteve tokësore. Shkrimet e tjera mësojnë qartë që ne duhet t’i nënshtrohemi qeverive sepse ato janë caktuar nga Perëndia (Rom. 13:1-7). Në të vërtetë, besimtarët duhet të jenë të bindur ndaj qeverisë në të gjitha çështjet që nuk janë të ndaluara nga Zoti. Filipianët kishin një lidhje me magjistraturat lokale si dhe me Perandorinë në Romë. Kështu besimtarët kishin përgjegjësi ndaj qeverive tokësore, por besnikëria e tyre kryesore është ndaj Zotit në qiell.

Ne jo vetëm që jemi qytetarë të qiellit, por mezi presim Shpëtimtarin tonë nga qielli! Mezi presim për është një gjuhë e fortë (në origjinal) për të përshkruar pritjen e sinqertë për diçka që besohej se ishte e pashmangshme. Fjalë për fjalë ka kuptimin të zgjasësh përpara kokën dhe qafën si në një pritje ankthi për të dëgjuar apo për të parë diçka.

3:21 Kur Zoti Jezus vjen nga qielli, Ai do t’i ndryshojë trupat tanë. Në vetvete të trupit njerëzor nuk ka asgjë të keqe. E keqja shtrihet në përdorimet e gabuara në të cilat vendoset trupi.

Por është një trup i përulur. Ai është subjekt i rrudhave, plagëve, moshës, vuajtjeve, sëmundjes dhe vdekjes. Ai na kufizon dhe na pengon!

Zoti do ta transformojë atë në një trup lavdie. Shtrirjen e plotë të kuptimit të kësaj ne nuk e dimë. Ai nuk do të jetë më subjekt i shkatërrimit apo vdekjes, i kufizimit në kohë apo i pengesave natyrore. Do të jetë një trup i vërtetë, përsosmërisht i përshtatur ndaj kushteve të qiellit. Do të jetë si trupi i ringjallur i Zotit Jezus.

Kjo nuk do të thotë që ne të gjithë do të kemi të njëjtën pamje fizike! Jezusi njihej qartë pas ringjalljes së Tij, dhe pa dyshim çdo individ do të ketë identitetin e tij fizik në përjetësi.

Gjithashtu kjo pjesë nuk mëson që ne do të jemi si Zoti Jezus përsa i përket atributeve të Perëndisë. Ne kurrë nuk do të kemi gjithë-njohurinë apo gjithëfuqinë; dhe as do të jemi në të gjitha vendet në të njëjtën kohë.

Por ne do të jemi moralisht si Zoti Jezus. Ne do të jemi përgjithmonë të lirë nga mëkati. Kjo pjesë nuk është e mjaftueshme për të kënaqur kuriozitetin tonë, por është e mjaftueshme për të ngushëlluar dhe për të stimuluar shpresë.

Sipas fuqisë së Tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat. Transformimi i trupave tanë do të bëhet nga e njëjta fuqi hyjnore të cilën Zoti më vonë do ta përdorë për të nënshtruar çdo gjë ndaj vetes së Tij. Ai është “në gjendje të shpëtojë” (Heb. 7:25). Ai është “në gjendje të ndihmojë” (Heb. 2:18). Ai është “në gjendje të mbajë” (Juda 24). Tani në këtë varg ne mësojmë që Ai është në gjendje të nënshtrojë. “Ky është … Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; Ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje” (Ps. 48:14).