Paralajmërim kundër mësuesve të rremë (Filipianëve 3:1-3)

3:1 Së fundi o vëllezërit e mi, nuk do të thotë që Pali është duke mbyllur letrën e tij. Kuptimi është “përsa i përket gjërave që mbeten ….” E njëjta fjalë është përdorur përsëri në 4:8.

Ai u bën thirrje atyre të gëzojnë në Zotin. I krishteri gjithmonë mund të gjejë gëzim të vërtetë në Zotin, pavarësisht nga rrethanat. “Burimi i gjithë këngës së tij është lart në qiell.” Askush nuk mund t’i heqë gëzimin atij përveçse duke e shkëputur atë nga dora e Shpëtimtarit, gjë që është e pamundur. Lumturia e zakonshme ndikohet nga dhimbja, hidhërimi, sëmundja, varfëria dhe tragjedia. Por gëzimi i krishterë ngrihet lart mbi gjithë tallazet e jetës. Prova e kësaj gjendet në faktin që Pali e jep thirrjen e tij nga burgu. Sigurisht që ne mund të marrim këshillë nga një burrë si ai!

Ai nuk e sheh si të bezdisshme përsëritjen që u bën filipianëve sepse e di që është për të mirën e tyre. Por si e përsërit vetveten ai? A i referohet kjo vargjeve të mëparshme ku ai u bën thirrje atyre të gëzojnë në Zotin? Apo nënkupton vargjet e tjera ku ai i paralajmëron ata të ruhen nga Judaistët? Ne besojmë që kjo e fundit është marrë në konsideratë. Tre herë në vargun e dytë ai përdor fjalën ruhuni. Përsëritja e kësaj nuk është e rëndë për të, por për ta është një siguri e vërtetë.

3:2 Ata duhet të ruhen nga qentë, … nga punëtorët e këqinj dhe nga të prerët. Të treja shprehjet ndoshta i referohen të njëjtit grup njerëzish – mësuesve të rremë të cilët kërkonin t’i vendosnin të krishterët nën ligjet e Judaizmit dhe mësonin që drejtësia mund të fitohet nëpërmjet zbatimit të ligjit dhe riteve.

Para së gjithash ata ishin qen. Në Bibël qentë janë kafshë të papastra. Termi ishte përdorur nga Judenjtë për të përshkruar Johebrenjtë! Në vendet e lindjes, qentë ishin krijesa pa shtëpi, që vraponin egërsisht në rrugë dhe që gjenin ushqim ku të mundeshin. Këtu Pali e përdor këtë fjalë për ata mësues Judenj që kërkonin të korruptonin Kishën. Në të vërtetë ata ishin ata që jetonin jashtë duke u përpjekur të dilnin tek ritet dhe ceremonitë. Ata ishin “duke mbledhur thërrimet ndërkohë që mund të ishin të ulur në gosti.”

Së dyti ata ishin punëtorë të këqinj. Duke shpallur se ishin besimtarë të vërtetë, ata fitonin pranim në bashkësitë e krishtere me qëllim që të përhapnin mësimet e tyre të rreme. Përfundimet e punës së tyre mund të ishin vetëm të këqija.

Më pas Pali i quan ata të prerë. Ky është një term sarkazme i përdorur për të përshkruar qëndrimin e tyre ndaj rrethprerjes. Pa dyshim që ata ngulnin këmbë që një person duhej të rrethpritej që të shpëtohej. Por gjithçka që ata donin të thoshin me këtë ishte akti fizik i rrethprerjes. Ata nuk ishin aspak të interesuar në kuptimin frymëror të këtij veprimi. Rrethprerja flet për vdekje të mishit. Ajo do të thotë që kërkesat e natyrës mishërore nuk duhen plotësuar. Ndërkohë që ata ngulnin këmbë në aktin fizik të rrethprerjes, ata ia lëshonin frerin mishit. Në zemrat e tyre ata nuk pranonin që mishi kishte vdekur atje në kryq. Pali thotë që ata ishin thjesht prerës të mishit, që nuk bënin dallimin midis ceremonisë dhe asaj çfarë ajo nënkuptonte.

3:3 Në kontrast me këto, Pali thotë që ne (besimtarët e vërtetë) jemi rrethprerja – jo ata që kanë lindur si Judenj ose që janë vetëm fizikisht të rrethprerë, por ata që kuptojnë se mishi nuk vlen asgjë, që njeriu vetë nuk mund të bëjë asgjë për të fituar miratimin e Perëndisë. Më pas Pali jep tre karakteristika të atyre që janë me të vërtetë të rrethprerë:

1. Ata i shërbejnë Perëndisë në (ose nëpërmjet) Frymë. Kjo do të thotë që adhurimi i tyre është frymëror, jo një ceremoni e thjeshtë. Në adhurim të vërtetë, personi hyn në prezencën e Perëndisë nëpërmjet besimit dhe derdh dashurinë e tij, lavdërimin dhe nderimin. Adhurimi jofrymëror, në anën tjetër, merret me ndërtesat e bukura dhe mobilimet kishtare, me ceremoni të stërholluara, me veshje të mëndafshta priftërish dhe me çfarëdo gjëje që tërheq emocione.

2. Anëtarët e rrethprerjes së vërtetë mburren në Krishtin Jezus. Vetëm Ai është fusha ku ata mund të mburren. Ata nuk e mburrin vetveten me arritje personale, me një biografi të kulturuar apo me besnikëri ndaj ditëve të shenjta.

3. Ata nuk besojnë në mish. Ata nuk mendojnë që mund të shpëtohen me anë të përpjekjeve mishërore ose duke u mbajtur në forcat e tyre pas shpëtimit. Ata nuk presin asnjë të mirë prej natyrës që vjen nga Adami dhe nuk zhgënjehen kur nuk gjejnë asgjë në të!


[previous][next]