Fjalë të urta të Salomonit mbi diturinë dhe marrëzinë (Fjalët e Urta 1:8-9:18)

A. Qortimet e diturisë (1:8-33)

1:8 Shtatë kapitujt e parë i drejtohen kryesisht njeriut që cilësohet “biri im“; kjo shprehje gjendet rreth 15 herë. Në këta kapituj, ne dëgjojmë rrahjet e zemrës së një prindi që dëshiron gjërat më të mira në jetën e birit të vet. Duke ua vënë veshin këshillave prindërore, një i ri do të shmangë kurthet e marra të jetës dhe do të rrisë mençurinë në çështjet praktike dhe të përditshme. Sa shumë i detyrohemi ndikimit të mirë të prindërve dhe sidomos nënave të mira! Henri Boshi (Henry Bosch) na kujton: Shumë burra të mëdhenj të së shkuarës janë bekuar së tepërmi për shkak të asaj që kanë mësuar në gjunjët e nënave të tyre. Shikoni Moisiun, Samuelin dhe Timoteun. Kujdesi i nënave dhe ndikimi i mirë përjetuar nga këta udhëheqës frymërorë dha fryt në jetët e tyre. Mendoni gjithashtu për Shën Augustin, Xhon Njutonin (John Newton) dhe vëllezërit e zellshëm Uezllej (Wesley). Emrat e tyre mbase nuk do të shkruheshin në faqet e historisë nëse nuk do të kishin qenë gratë e perëndishme që i rritën në shtëpitë ku ligji i dashurisë dhe dëshmia e krishterë ishin drejtimi dhe frymëzimi i tyre i përditshëm [3]. 1:9 Kur ndiqen këshillat prindërore, ato bëhen një kurorë nurikokë dhe një stolisje në qafë, që është një mënyrë poetike për të thënë se bindja i sjell nder dhe bukuri morale jetës së një biri të ditur. 1:10 Zakonisht kur një i ri shkatërron jetën e tij, kjo gjë përligjet duke thënë se “është shoqëruar me njerëzit e gabuar”. Ky proces përshkruhet në vargjet 10-19 me ngjyrime të gjalla. Së pari, flamuri paralajmërues po valëvitet. Jeta është plot joshje ndaj së keqes. Ne duhet të kemi guximin dhe forcën e karakterit të themi “Jo!” një mijë herë në javë. 1:11 Këtu banda e rrugaçëve në qoshe të rrugës fton mikun tonë të ri të marrë pjesë në një plaçkitje të armatosur. Nëse është e nevojshme, ata do ta “vrasin” viktimën. Miku ynë mund të joshet se me këto veprime mund ta pranojnë atë si pjesëtar të bandës. Thonë: “Eja me ne”. Dhe ai mund të tërhiqet nga gëzimi i diçkaje shumë të guximshme. 1:12-14 Mbase ai është mërzitur nga një jetë e mbyllur dhe kërkon të bëjë diçka “jashtë rutinës së tij”. Ja ku është! Krimi i përsosur! Vdekje e menjëhershme dhe e dhunshme, pastaj një dhënie e menjëhershme e provave të rreme. Dhe shtysa më e madhe, sigurisht, është se ata do të bëhen të pasur brenda një nate. Do të kenë mjaft plaçkë, sa për të mbushur shtëpitë me tërë bashkëfajtorët. Kështu fjala është: “Shko me ta dhe do të bësh pasuri. Të gjitha ndajini në mënyrë të barabartë me njëri-tjetrin. Nuk ke çfarë humb”. 1:15,16 Por një zë i ditur thotë “Biri im mos e bëj. Qëndro sa më larg të mundesh prej tyre. Mos u përziej me planet e tyre për pasuri të menjëhershme. Ti nuk mund të fitosh”. “Ajo që duhet të kuptosh është që ata djem bëjnë vazhdimisht jetën e krimit dhe janë të shpejtë për të bërë të keqen. Ata i kryejnë vrasjet menjëherë njëra pas tjetrës”. 1:17,18 Një zog ka aq zgjuarsi sa të shmangë ndonjë rrjetë apo kurth që mund të shihet qartë. Por këta njerëz bëjnë lak kundër vetë jetës së tyre, pastaj bien menjëherë në të. 1:19 Ka një moral për këtë histori. Ata që përpiqen të pasurohen menjëherë paguajnë për lakminë e tyre me vetë jetët e tyre. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. Kjo pjesë e veçantë merret me përpjekjen për t’u pasuruar me dhunë. Por zbatimi është më i gjerë. Këtu përfshihet çdo skemë për t’u bërë i pasur menjëherë, qoftë lojërat e fatit, bingot apo spekulimet në tregun e parave. Pastaj dëgjojmë dy zëra që u bërtasin njerëzve ndërsa ata kalojnë. Njëri është zëri i Diturisë, tjetri është zëri i gruas së huaj. Dituria, edhe pse e paraqitur këtu si një grua, simbolizon Zotin Jezus Krisht [4]. Gruaja e huaj është një figurë e tundimit të mëkatit dhe e botës së paperëndishme. Në vargjet 20-23 Dituria u lutet atyre që marrëzisht mendojnë se mund të shkojnë me të. 1:20 Vini re se Dituria del para dhe bërtet në vende strategjike, në mënyrë që gjithsecili të mund të dëgjojë mesazhin e saj. Zëri i saj dëgjohet nëpër sheshet e qytetit. 1:21 Tani ajo është herë nëpër kryqëzime dhe herë në hyrje të portave të qytetit. Dhe me po të njëjtën mënyrë Zoti ynë thërret racën njerëzore sa herë që ata kalojnë: Atje ku kryqëzohen rrugët e mbushura me jetë, atje ku thërret zëri i racës dhe klanit, përmbi zhurmën e përpjekjeve egoiste, ne dëgjojmë zërin Tënd, o Bir i Njeriut! – Frank Mason North 1:22 Dituria u bërtet njerëzve të thjeshtë, tallësve dhe budallenjve. Njerëzit e thjeshtë janë naivë, njerëz që u bën përshtypje gjithçka, që janë të hapur ndaj çdo lloj ndikimi, si ndaj së mirës ashtu edhe ndaj së keqes; këtu paqëndrueshmëria e tyre duket se po i çon në drejtimin e gabuar. Tallësit janë ata që i shohin këshillat e ditura me përbuzje; asgjë nuk është e shenjtë apo serioze për ta. Budallenjtë janë ata që e refuzojnë mësimin pa menduar; ata janë mendjemëdhenj dhe moskokëçarës në paditurinë e tyre. 1:23 Ky varg mund të kuptohet në dy mënyra. Së pari, mund të nënkuptojë: Meqë nuk dëgjoni ftesën time, tani ejani në vete dhe dëgjoni qortimin tim; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time në fjalë gjykimi dhe do t’ju thonë çfarë ju pret. Sipas këtij interpretimi, vargjet 24-27 janë fjalë që përshkruajnë fatin e tyre. Domethënia e dytë e mundshme është kjo: Ejani në vete dhe pendohuni kur t’ju qortoj. Nëse bëni një gjë të tillë, atëherë unë do të derdh mbi ju Frymën time në bekime dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia të diturisë. Fjala “Frymën” këtu mbase do të thotë “mendimet” apo “mendjen”. Ndërsa është e vërtetë që Krishti derdh Frymën e Shenjtë në ata që i përgjigjen thirrjes së Tij, kjo e vërtetë nuk qe shpallur kaq qartë në DhV sa ç’është shpallur në DhR. 1:24 Një ndër tragjeditë më të mëdha të jetës është refuzimi i plotë i lutjeve të mëdha të Diturisë. Ajo thirri [në mënyrën figurative] si Krishti thirri nga maja e malit të Ullinjve [duke e shikuar Jeruzalemin]: “Unë do të dëshiroja . . . , por ti joཁ. 1:25 Dituria pikëllohet për njerëzit që hedhin tutje të gjitha këshillat e saj dhe që nuk do të kenë të bëjnë me kritikat e saj ndërtuese. Ajo që e bën aq të paarsyeshëm refuzimin kryeneç është se urdhërimet e Perëndisë janë për të mirën e njeriut, jo për atë të Perëndisë. Kjo ilustrohet në një histori që e ka thënë Bernhauzi (D. G. Barnhouse). Një fëmijë i vogël i lëvizshëm kaloi shufrat e hekurit të kafazit të luanëve në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit, të cilat ishin rreth tre metra larg spektatorëve. Kur gjyshi i bërtiti që të dilte jashtë, fëmija u kthye nga ai me moskokëçarje. Një luan që ndodhej pranë e mbërtheu, e tërhoqi në kafaz dhe e vrau. Sipas Bernhauzit mësimi është ky: Perëndia na ka dhënë urdhërime dhe parime që janë për të mirën tonë; Perëndia nuk na jep kurrë një urdhërim ngaqë Ai është arbitrar, apo ngaqë nuk do që ne të kënaqemi. Perëndia thotë: “Ti nuk do të kesh perëndi të tjera para meje”, jo ngaqë Ai është xheloz për pozitën dhe të drejtat e Tij, por ngaqë Ai e di se nëse ne vëmë diçka, gjithçka, midis nesh dhe Tij, kjo do të na lëndojë. Nëse ne kuptojmë parimin pas këtij fakti, ne gjithashtu mund të kuptojmë pse na ndëshkon Perëndia. “Perëndia ndreq atë që do” (Heb. 12:6). Ai nuk do që ne të shkojmë drejt luanit, sepse ekziston luani, djalli, duke u përpjekur se kë mund të përpijë [5]. 1:26 Nëse njeriu këmbëngul në refuzimin e tij për të dëgjuar, ai refuzim në mënyrë të pashmangshme do të jetë shkatërrim dhe rrënim. Atëherë do të jetë radha e Diturisë të qeshë. “Edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani“. A mos do të thotë kjo se Zoti do të qeshë kur shkatërrimi do të bjerë mbi të pabesët, ashtu siç hidhet ideja këtu dhe te Psalmi 2, vargu 4? Nëse mendoni se e qeshura përmban ndonjë gjurmë mizorie, ligësie apo hakmarrjeje, atëherë përgjigjja është qartësisht “Jo!”. Për më tepër ne duhet të mendojmë për këtë të qeshur nga ana figurative. Në gjuhën idiomatike, ajo shpreh se sa qesharake dhe tallëse është për një njeri të thjeshtë të sfidojë Sovranin e Gjithëpushtetshëm, ashtu si një harrje të sfidonte një furrnaltë. Gjithashtu mund të shprehet edhe ky mendim: Një njeri mund të qeshë me urdhërimet e Diturisë, apo të sillet me to sikur të mos ekzistonin; por ai njeri po korr të korrat e marrëzisë së tij, urdhërimet ende mbeten të palëvizura dhe për përqeshësin ato duken se qeshin të fundit – e qeshura e drejtësisë poetike. 1:27 Dita e shpagimit do të vijë me siguri. Gjykimi që njerëzit i druhen do të zbresë mbi ta si një furtunë. Fatkeqësia do të ulërijë si një tornado. Fatkeqësia, ankthi, tronditja dhe dëshpërimi do t’i zërë. 1:28 Atëherë njerëzit do të thërrasin Diturinë më kot. Ata do ta kërkojnë me çdo ngulm, por nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Ata do të kuptojnë shumë vonë se drita e refuzuar është dritë e mohuar. Ata nuk do të shohin; tani nuk mund të shohin. Fryma e Perëndisë nuk do të hahet gjithnjë me njeriun (Zanafilla 6:3). Kjo është ajo që e bën të ngutshme thirrjen e Ungjillit: Mos u vono! Mos u vono! Ndërsa zëri i Jezusit të thërret, mos u vono! Nëse në mëkat po pret gjatë,Mateu 21:9 nuk do të gjesh një derë që do të të hapet, dhe e bërtitura jote do të jetë tepër vonë. Mos u vono! – Autor anonim, shekulli i 19-të 1:29 Dënimi i këtyre përqeshësve është se ata kanë urryer mësimet e Diturisë dhe nuk kanë pranuar me kokëfortësi të nderojnë Jehovahun. Mbase ata janë zgërdheshur se ungjilli ishte i drejtë për gratë dhe fëmijët, por jo për ta. “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë” (Rom. 1:22). Urrejtja e diturisë gjithashtu trajtohet te Gjoni 3:19-21. 1:30 Ata nuk kishin vend në jetët e tyre për këshillën e mirë të gjetur në Fjalën e Perëndisë dhe qeshnin kur Shkrimi dënonte fjalët dhe veprat e tyre të paperëndishme. Ata nuk kishin frikë nga Perëndia apo nga qortimi i Tij. 1:31 Tani ata duhet të paguajnë çmimin e madh të shthurjes së tyre dhe do të ngopen me frytin e keq të skemave të tyre. Është vetë gabimi i tyre, jo i Diturisë. Ata thjesht nuk deshën të dëgjonin. 1:32 “Sepse turma që nuk dëgjon bie në egoizmin e saj, të pamendët shkatërrohen në moskokëçarjen e tyre” (Moffatt). Çdo njeri është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij në jetë, por ai nuk është i lirë të zgjedhë pasojat e zgjedhjeve të tij. Perëndia ka vendosur disa parime morale në botë. Këto parime tregojnë pasojat e çdo zgjedhjeje. Nuk mund të veçojmë atë që Perëndia ka bashkuar. 1:33 Nga anën e mirë, ai që i vë veshin Diturisë do të jetojë në siguri dhe i çliruar nga çdo frikë. Ata që janë dishepuj të Diturisë shijojnë jetën e mirë, duke iu shpëtuar vuajtjeve, brengave dhe turpit që ndjekin këmba-këmbës hapat e të shthururit dhe të të ligut.

B. Udhët e diturisë (kap. 2)

Në kapitullin 2 Salomoni nxit birin e tij të ecë në udhët e diturisë. Katër vargjet e para japin kushtet për pranimin e njohjes së Perëndisë; një njeri duhet të jetë i vendosur dhe i sinqertë duke e ndjekur atë me gjithë zemër. Pjesa tjetër e kapitullit premton se dituria dhe gjykimi do të jepen. 22 vargjet i përgjigjen 22 shkronjave të alfabetit hebraik. 2:1 Së pari, biri nxitet të marrë për zemër mësimin e të atit dhe t’i quajë thesar urdhërimet e tij. Fjalët e urta kishin si qëllim të ishin si thesari “im” apo të mësoheshin përmendësh. 2:2 Duhet të ketë një vesh të hapur dhe një zemër apo mendje të hapur. Biri duhet të jetë një dëgjues i vëmendshëm, jo një folës i menjëhershëm. Atij nuk i thuhet të flasë me të tërë për problemet e tij, si në rastin e këshillimit modern; por më tepër ai duhet të dëgjojë këshillat e ditura të të tjerëve. 2:3,4 Nëse ai me të vërtetë do të bëjë një punë të mirë, le të kërkojë me ngulm gjykimin dhe të bëjë një thirrje për mirëkuptim. Serioziteti i qëllimit është i një rëndësie kryesore. Ai është një ligj i jetës: do të marrësh atë që kërkon. Ajo që kemi nevojë është po ajo shtytje që njerëzit kanë kur kërkojnë argjendin apo thesare të fshehura. Gjëja më e dhimbshme është se zakonisht njerëzit tregojnë më tepër zell në vënien e mirëqenies materiale, sesa për pasurinë frymërore. 2:5 Por ai që kërkon në mënyrë të pashmangshme, gjen. Ata që mezi presin të vendosin një marrëdhënie të drejtë me Zotin dhe të njohin me të vërtetë Perëndinë nuk zhgënjehen kurrë. Kjo është arsyeja pse një ndër etërit e kishës së hershme ka thënë se njeriu që kërkon Perëndinë e ka gjetur tashmë Atë. Krishti ua zbulon Atin të gjithëve atyre që besojnë në Të. Të njohësh Krishtin do të thotë të njohësh Perëndinë. 2:6 Pasi jemi shpëtuar përmes besimit në Krishtin, atëherë ne jemi në pozicionin për të mësuar diturinë hyjnore nga Zoti. Ai na mëson se si të mendojmë drejt, si të bëjmë vlerësime, si të dallojmë të vërtetën nga gabimi dhe si të zhvillojmë mendimin hyjnor. 2:7 Ai siguron rezerva të mëdha për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme dhe një mburojë të veçantë mbrojtjeje për ata që ecin ndershmëri 2:8 për të mbrojtur shtigjet e atyre që bëjnë një jetë të pastër dhe morale. Shenjtorët e tij i shpëtojnë dhimbjes dhe hidhërimit që lë mëkati në provat e tij. “Miqtë e zgjedhur të Perëndisë vijnë dhe shkojnë shëndoshë e mirë” (Knox). 2:9 Ky varg është parallel me vargun 5. Të dy fillojnë me “Atëherë” dhe rendit dobitë e ndjekjes serioze të njohjes së Perëndisë. Ai që dëshiron me vendosmëri të njohë dhe të bëjë vullnetin e Perëndisë mëson se si të sillet me drejtësi, si të veprojë me ndershmëri, si të sillet me sinqeritet – me pak fjalë, si të zgjedhë udhën e drejtë dhe tërë rrugët e së mirës. 2:10 Arsyeja pse ndodh kjo është se dituria merr kontrollin e mendjes apo zemrës së dikujt dhe njohja e asaj që është e drejtë bëhet e këndshme, më tepër se e përbuzur. Për besimtarin e vërtetë urdhrat e Perëndisë nuk janë të mërzitshme. Zgjedha e Krishtit është e ëmbël dhe barra e Tij e lehtë. 2:11 Të menduarit, apo aftësia për të marrë vendime të ditura, e ruan një njeri nga shumë “gabime të këqija”. Gjykimi i shëndoshë na çliron nga përfshirja me njerëzit e ligj. Asnjë prej nesh nuk kupton sa mbrohemi përditë nga rreziqet frymërore, morale dhe fizike. I krishteri gëzon një jetë të siguruar mirë, duke i shpëtuar prishjes që është në botë përmes lakmisë. 2:12 Ne shpëtohemi nga shoqërimi me njerëzit e ligj (v. 12-15) dhe nga afrimi i grave mendjelehta (v. 16-19). Së pari, ne shpëtohemi nga bota e njerëzve të paperëndishëm që i keqparaqisin faktet dhe shtrembërojnë të vërtetën. E folura e tyre është krejt e pabesueshme. 2:13-15 Këta njerëz lënë rrugët e ndriçuara të ndershmërisë për t’u zhytur në luginat e errëta të krimit dhe të pandershmërisë. Ata gjejnë kënaqësi të egër duke bërë të keqen dhe duke ndier kënaqësi në mënyrën se si mëkati i tyre kthen çdo gjë së mbrapthi. Ata ndjekin rrugët e shtrembra dhe sjellja e tyre është tinëzare dhe dredha-dredha. 2:16 Dituria të ruan jo vetëm nga shoqëria e njerëzve si këta, por gjithashtu nga kthetrat e gruas që ka shkelur kurorën. Ne mund ta nënkuptojmë këtë si një prostitutë në kuptimin e plotë të fjalës, ose mund ta shohim atë si një figurë të fesë së rreme apo të botës së paperëndishme. Metoda e saj është miklimi: “Ti nuk je edhe aq i vlerësuar në shtëpi sa duhet. Ti je kaq i pashëm, kaq i talentuar. Ti ke shumë për të dhënë. Ti ke nevojë për dashuri, mirëkuptim e përkrahës dhe unë jam ajo që dua të t’i jap”. 2:17 Ajo nuk është besnike ndaj shokut të rinisë së saj, pra, bashkëshortit të saj. Ajo ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë, pra, lidhjen martesore që ka bërë para Perëndisë. Ose “marrëveshja e lidhur me Perëndinë” mund t’i referohet Dhjetë Urdhërimeve dhe në mënyrë të veçantë urdhërimit të shtatë, që ndalon tradhtinë bashkëshortore. 2:18 Fjalia e parë e vargut 18 mund të përkthehet: “Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes” ose “ajo fundoset deri në vdekje, që është shtëpia e saj” (shënimet anësore të versionit RV). Fjalia e dytë paralele e vargut duket se mbështet përkthimin e versionit NKJV. Duke i bashkuar, ideja është se shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe për këtë ata që futen në të po shkojnë drejt varrit. Shtigjet e saj të çojnë drejt të vdekurve dhe për këtë ata që e ndjekin atë do të jenë së shpejti në botën e frymëve të vdekura. Meqë gjithsecili do të vdesë një ditë, vdekja këtu duhet të jetë më tepër sesa fati i zakonshëm i tërë të vdekurve; duhet të nënkuptojë vdekje morale, që çon në vdekje të përjetshme. 2:19 Kur një njeri zihet në lak nga ajo, është gati e pamundur të shpëtojë. Vargut duket sikur përjashton çdo shpresë kthimi pas. Por shumë pohime në Bibël duhet të kuptohen si rregulla të përgjithshme, ndaj të cilave mund të ketë ndonjë përjashtim të pakët. Kjo është çështja këtu. Kur një njeri është futur në të fshehtat e saj, është tejet e vështirë të kthehesh në rrugën e drejtë. 2:20 Lidhni vargun 20 me 11. Dituria të ruan jo vetëm nga njerëzit e ligj dhe gratë e huaja, por, nga ana pozitive, nxit shoqërimin me ata që janë të denjë dhe të drejtë. 2:21,22 Sipas Ligjit të Moisiut, njerëzit e drejtësisë – njerëzit e drejtë dhe të ndershëm – u shpërblyen me një vend të sigurt në tokën e Kanaanit. Kur kthehemi në DhR, këto bekime materiale në vendet tokësore u lënë vendin bekimeve frymërore në vendet qiellore. Por fakti mbetet se drejtësia dhe ndershmëria shpërblehen në këtë jetë, po ashtu edhe në atë që do të vijë. Është njësoj e vërtetë se të pabesët do të shfarosen nga toka e bekimit. Nuk ka trashëgimi të përjetshme për shkelësit.

C. Shpërblimet e diturisë (3:1-10)

3:1 Ashtu si tërë prindërit e mirë, Dituria dëshiron më të mirën për bijtë e saj. Ajo e di se kjo mund të vijë përmes bindjes ndaj mësimeve të saj, që është një mënyrë tjetër për të thënë bindje ndaj Shkrimit të Shenjtë. Kështu ajo këtu lutet me birin e saj për të kujtuar me mendje dhe për t’u bindur me zemër. 3:2 Në përgjithësi, ata që u nënshtrohen prindërve jetojnë më gjatë dhe më mirë. Ata që hedhin poshtë disiplinën prindërore ndjellin sëmundje, aksidente, tragjedi dhe vdekje të parakohshme. Ky varg i përgjigjet urdhërimit të pestë (Eks. 20:12), që u premton ditë të gjata atyre që nderojnë prindërit e tyre. Xhej Adamsi (Jay Adams) ka shkruar: Bibla mëson se një paqe në mendje që çon në një jetë më të gjatë dhe më të lumtur vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë. Një ndërgjegje fajtore është një ngarkesë trupprishëse. Një ndërgjegje e mirë është një faktor domethënës që çon në një shëndet të gjatë dhe fizik. Dhe kështu, në një farë mase, mirëqenia trupore e dikujt varet nga mirëqenia e tij e shpirtit. Një lidhje e ngushtë psikosomatike midis sjelljes së dikujt para Perëndisë dhe gjendjes së tij fizike është një parim fizik i caktuar [6]. 3:3,4 Mirësia dhe e vërteta duhet të shihen në sjelljen e jashtme (lidhi rreth qafës) dhe duhet të vlejë e njëjta gjë edhe për jetën e brendshme (shkruaji mbi tabelën e zemrës sate). Kjo është rruga për të gjetur hir dhe arsye (apo sukses, shënimet anësore të versionit AV) në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. Ajo që nënkuptohet këtu është se jeta e kënaqshme është ajo që jetohet në qendër të vullnetit të Perëndisë. Por kjo shtron pyetjen: “Si mund ta njoh vullnetin e Perëndisë në jetën time?”. Një përgjigje klasike jepet në dy vargjet e mëposhtme. 3:5 E para, duhet të ketë një dorëzim të plotë të vetvetes – frymë, shpirt dhe trup – në Zotin. Ne duhet t’i besojmë Atij jo vetëm për shpëtimin e shpirtrave tanë, por gjithashtu dhe për drejtimin e jetëve tona. Duhet të jetë një përfshirje pa rezerva. E dyta, duhet të ketë një mosbesim të shëndetshëm në vetvete, një pranim që ne nuk e dimë se çfarë është më e mira për ne, që nuk jemi të aftë të drejtojmë vetveten. Jeremia e shprehu këtë shumë qartë: “O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij” (Jer. 10:23). 3:6 Së fundi, duhet të ketë një pranim të Zotërisë së Krishtit: “Pranoje në të gjitha rrugët e tua“. Çdo fushë e jetëve tona duhet të jetë nën kontrollin e Tij. Ne nuk duhet të kryejmë vullnetin tonë, po duhet të kemi vetëm një dëshirë të pastër për të njohur vullnetin e Tij dhe për ta bërë atë. Nëse plotësohen këto kushte, premtimi është se Perëndia do të drejtojë shtigjet tona. Ai mund ta bëjë këtë me anë të Biblës, me anë të këshillave të të krishterëve të perëndishëm, me anë të ndryshimit të mrekullueshëm të rrethanave, me anë të paqes së brendshme të Frymës, apo me anë të ndërthurjes së këtyre gjërave. Por nëse presim, Ai do ta bëjë aq të qartë drejtimin, saqë ta kundërshtosh do të thotë mosbindje e plotë. 3:7,8 Kokëfortësia na pengon shumë në jetën tonë duke na verbër për sa i përket drejtimit hyjnor që Zoti ka për ne. Kur ne kemi frikë nga Zoti dhe heqim dorë nga e keqja, do të thotë “të vihet gjithçka në lëvizje”. Ajo sjell shërim për trupin dhe freskim (fjalëpërfjalë pije apo freskim) për kockat. Këtu përsëri vihemi ballë për ballë me lidhjen e ngushtë midis gjendjes morale dhe frymërore të njeriut dhe shëndetit të tij fizik. Është vlerësuar se frika, brenga, zilia, zemërimi, urrejtja, faji dhe shqetësime të tjera emocionale llogariten si më shumë se 60% të sëmundjeve tona. Duke i shtuar dhe sëmundjet e tmerrshme të shkaktuara nga alkooli (ceroza e mëlçisë), duhani (emfizema, kanceri, sëmundjet e zemrës), imoraliteti (sëmundjet gjenitale, SIDA). Atëherë ne kuptojmë se shprehja “ai do të drejtojë shtigjet e tua” fjalë për fjalë më fort do të thotë se “ai do t’i bëjë shtigjet e tua të sheshta” apo “të drejta”, por drejtimi përfshihet me siguri në premtim. Salomoni, me anë të frymëzimit hyjnor, që në kohën e tij kishte njohuri në fushën e shkencës së mjekësisë. 3:9 Një mënyrë me të cilën mund të nderojmë zotërinë e Krishtit është me përdorimin e pasurisë sonë. Gjithçka që kemi i përkasin Atij. Ne jemi kujdestarë, përgjegjës për drejtimin e saj. Është privilegji ynë të zgjedhim një standard modest për të jetuar, të kemi si qëllim në radhë të parë të punojmë për Perëndinë dhe t’i besojmë Perëndisë për të ardhmen. Ashtu si David Livingstoni, ne duhet të jemi të vendosur të mos kemi besim në gjithçka që zotërojmë, duke përjashtuar ato që kemi në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë. 3:10 Judeut bujar në DhV i ishin premtuar hambarët që derdhen dhe voza të tejbollshme me musht. Edhe pse bekimet tona mund të jenë të një natyre frymërore, mbetet përsëri e vërtetë se ne nuk mund të mos i presim nga Zoti.

D. Dituria si çmim (3:11-20)

3:11,12 Ne mund ta pranojmë gjithashtu Zotin duke iu nënshtruar disiplinës së Tij. Shumë shpesh priremi të mendojmë për disiplinën si një ndëshkim, por ajo përfshin gjithçka që bën pjesë në mësimin e një fëmije, për shembull, nxënien, paralajmërimin, nxitjen, këshillën, qortimin dhe ndëshkimin. Çdo gjë që Perëndia lejon të vijë në jetët tona është me një qëllim. Ne nuk duhet ta përçmojmë apo ta urrejmë. As nuk duhet të sprapsemi apo të heqim dorë. Por më tepër duhet të interesohemi që të arrihet qëllimi i Perëndisë me anë të disiplinës dhe kështu të korrim dobinë më të madhe të saj. Qëllimi përfundimtar i Perëndisë në disiplinat e jetëve tona është që ne të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së Tij. Disiplina është një provë dashurie, jo zemërimi. Qortimi është një provë birësimi (shikoni Heb. 12:6-8). Mendim: Një kopshtar krasit hardhitë dhe jo gjembat. 3:13 Njeriu i lum është ai që ka gjetur diturinë dhe sidomos kur kujtojmë se Dituria këtu është një paraqitje e mbuluar e Vetë Krishtit. Le të vëmë Krishtin në vargjet që vijojnë dhe të shohim se çfarë ndodh. 3:14 Dobia e njohjes së Zotit Jezus tejkalon çdo fitim që një njeri mund të nxjerrë nga argjendi e ari. Ai jep atë që paraja nuk mund ta blejë kurrë. Thesari Yt i pashtershëm, burimi Yt i gëzimit të vërtetë. Ç’më intereson duartrokitja e botës, apo shkëlqimi i diamantëve të saj? Më e çmueshme një buzëqeshje e Jotja më tepër se çdo gjë tjetër që bota mund ta quajë të çmuar. Nuk dua asgjë nga ato që mund të japë njeriu, sepse këtu kam Jezusin. Po, po, I dashuri është i imi! A mund të jetë dikush më i pasur? Sepse gjithçka që Ai është dhe gjithçka që ka, gjithçka, gjithçka më përket mua. – Autor anonim 3:15 Ai është i çmuar se perlat apo ndonjë gur tjetër i çmuar, më tepër për të qenë i dëshirueshëm sesa një çmim tokësor. 3:16 Më njërën anë Ai ofron jetë të gjatë, në fakt, jetë të përjetshme. Më tjetrën, pasuri dhe lavdi frymërore. 3:17 Tërë rrugët e Tij janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e Tij mbretëron paqja. “Atje ku Ai drejton, udhëtimi është i kënaqshëm, atje ku Ai tregon udhën, mbretëron paqja” (Knox) 3:18 Për ata që e kapin Atë, Ai është si një dru, fryti i së cilës është jeta e gjallë. Ata që qëndrojnë afër me Të janë të lum. 3:19,20 Këto dy vargje përshkruajnë diturinë e Perëndisë në krijim, në gjykim dhe në parashikim. Në krijim Ai krijoi tokën dhe bëri të qëndrueshëm qiejt. Me zgjuarsinë Ai hapi burimet e thellësisë së madhe në kohën e Përmbytjes. Me anë të parashikimit të Tij, Ai i ngriti ujërat nga oqeanet në re, pastaj i shpërndau përsëri si shi përmbi tokë. Dhe cili është agjenti krijues i Perëndisë që i ka bërë të gjitha këto? Është Krishti, Dituria e Perëndisë (Gjon. 1:3; Kol. 1:16; Heb. 1:2).

E. Praktikimi i diturisë (3:21-35)

3:21 Privilegji i të mësuarit nga Dituria që krijoi dhe mban gjithësinë është shumë i madh. Ne nuk duhet të hedhim prapa krahëve diturinë dhe të menduarit. 3:22-24 Ato sigurojnë gjallëri të brendshme (jetë për shpirtin tënd) dhe bukuri të jashtme (zbukurim në qafën tënde). Ato na pajisin që të ecim të sigurt në rrugën tonë, larg çdo rreziku pengimi apo shkarjeje. Ato garantojnë një gjumë të mirë gjatë natës, pa faj ndërgjegjeje dhe pa frikë në mendje. 3:25 Ato e ruajnë një njeri nga llahtaria e papritur që zë të pabesët. Ata që kanë zili begatinë e jashtme të të pabesit nuk kuptojnë dot rreziqet që fshihen prapa kësaj lloj jete – siç janë rrëmbimet me dhunë, vjedhjet, hakmarrja, larja e hesapeve, shantazhet, grabitja dhe vrasja. 3:26 Zoti ruan ata që ecin në udhët e Tij. Ai nuk do të lejojë që këmba jonë të kapet në ndonjë kurth. Ne jemi të vetëdijshëm për ndërhyrjen dhe shpëtimin e mrekullueshëm të Perëndisë në jetët tona. Por këto janë vetëm maja e ajsbergut. Një ditë ne do të kuptojmë më plotësisht të tëra rastet kur kemi qenë ruajtur. 3:27 Vini re urdhëroret negative në vargjet 27-31: Mos i refuzo . . . mos thuaj . . . mos bëj padi . . . mos u grind . . . mos ki zili . . . mos zgjidh . . . ཁ. Së pari, kurrë mos i refuzo të mirën atij që i takon kur mund ta bësh një gjë të tillë. Kjo mund t’u referohet rrogave që u detyrohesh, borxhit që ke, veglave që ke marrë hua. Por në një kuptim më të gjerë mund të nënkuptojë: “Kurrë mos i refuzo një gjë të mirë dikujt që e ka të drejtën e saj”. Urdhri këtu mund të paraqitet si paralajmërim për të drejtin kundër të qenit i zënë me marrëdhënien e vet me Perëndisë, aq sa të lërë pas dore përgjegjësinë e Tij ndaj të tjerëve (shikoni Jak. 4:17) 3:28 Mos i thuaj të afërmit tënd të shkojë dhe të kthehet nesër kur mund t’ia bësh atë të mirë sot. Cili është i afërmi im? Gjithkush që ka nevojë për ndihmën time. Çfarë ka nevojë i afërmi im? Ai ka nevojë të dëgjojë lajmin e mirë të shpëtimit. Nëse Fryma e Shenjtë vë një barrë në zemrën time për t’i dëshmuar dikujt, unë duhet ta bëj atë sot. Kurrë nuk duhet të kundërshtoj shtysën e Frymës. 3:29 Dashuria për të afërmit tanë do të na ndalojë të kurdisim ndonjë të keqe kundër tij ndërsa ai banon me besim dhe pa dyshuar në shtëpinë pranë. Kjo përjashton çdo hakmarrje me mjete sarkastike dhe mizore, që pason shumë shpesh zënkat e komshinjve. 3:30 Këtu paralajmërohemi kundër nisjes së një lufte me një njeri kur ai nuk ka bërë asgjë për ta nxitur një gjë të tillë. Ka tashmë shumë mosmarrëveshje në botë dhe nuk është e nevojshme të nxisësh të tjera. 3:31,32 Njeriu i dhunshëm mund të duket se për çastin ka sukses. Por ne duhet të mos kemi zili begatinë e tij apo të ndjekim rrugët e tij. Zoti urren, nuk ka qejf, përçmon dhe ka neveri njeriun e çoroditur, por e çon të drejtin në besimin e Tij të brendshëm (shikoni Gjon. 14:23). 3:33 Ndëshkimi apo besimi i Perëndisë, mallkimi apo bekimi i Tij – kjo është zgjedhja! Një re e errët qëndron pezull në shtëpinë e të pabesit. Shkëlqimi i nderit të Perëndisë ndriçon mbi banesën e të drejtëve. 3:34 Përsëri zgjedhja është midis talljes së Perëndisë dhe hirit të Tij. Ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. Rëndësia e kësaj zgjedhjeje shihet në atë që vargu citohet dy herë në DhR (Jak. 4:6; 1 Pjetrit 5:5). 3:35 Së fundi zgjedhja është midis nderit dhe turpit. Njerëzit e urtë trashëgojnë lavdinë, ata që nuk kanë mend bëhen të njohur duke rënë në turp.

F. Dituria si thesari i familjes (4:1-9)

4:1 Në nëntë vargjet e para, Salomoni rrëfen me hollësi mësimin e shëndoshë që i ati i kishte përcjellë atij dhe i nxit bijtë e tij të mos kurseheshin për të fituar mençurinë e vërtetë. Libri i Fjalëve të Urta është i mbushur plot me nxitjet më serioze ndaj të riut për të dëgjuar mësimet nga një atë i mençur. 4:2 Ajo shërben për të ruajtur miqësinë me njerëzit e perëndishëm dhe të moshuar. Ju mund të mësoni shumë prej tyre dhe mund të përfitoni nga përvojat e tyre shumëvjeçare. Doktrina e tyre është e mirë dhe nuk duhet përçmuar. 4:3 Këtu Salomoni i referohet kohës kur ishte fëmijë tek ati i tij dhe i dashur në sytë e nënës vet. Faktikisht ai nuk ishte bir i vetëm, por mbase shprehja “i dashur në sytë e nënës sime” do të thotë “i dashur për nënën” (Knox). 4:4 Ati i Salomonit, Davidi, e kishte mësuar birin e tij të ruante këshillat e tij të shëndosha dhe të jetonte një jetë që ia vlente. Një përmbledhje e mësimit të Davidit jepet te vargjet 4b-9. 4:5,6 Shqetësimi i tij më i madh për birin e tij ishte të fitonte dituri dhe gjykim – që me të vërtetë do të thotë të jetosh për Zotin. Çfarëdo lloj gjëje tjetër që do të bënte Salomoni, ai nuk duhej ta harronte këtë, sepse vetëm jeta që jetohet për Perëndinë ka vlerë me të vërtetë. 4:7 Hapi i parë për të fituar diturinë është të kesh shtysa apo vendosmëri. Ne në jetë marrim atë që kërkojmë. Ne duhet të fitojmë diturinë me çdo kusht dhe, duke e bërë këtë, do të fitojmë diturinë dhe dallimin. Kjo do të thotë, midis të tjerash, që ne do të mësojmë të zgjedhim midis së keqes dhe së mirës, së mirës dhe më së mirës, shpirtërores dhe frymërores, së përkohshmes dhe së përjetshmes. 4:8 Nëse i japim Diturisë vendin e parë në përparësitë tona, ajo do të na lartësojë së tepërmi. Nëse ne e përvetësojmë me dashuri, ajo do të na japë vendin e lavdisë. 4:9 “Ajo do të të stolisë me magjepsje dhe do të të kurorëzojë me lavdi” (Moffatt). Dituria u jep një bukuri morale fëmijëve të saj. Dalloni, për shembull, refuzimin e një jetë të braktisur në harxhim të kotë kohe dhe imoralitet.

G. Dituria dhe dy shtigjet (4:10-27)

4:10 Pasi ka mbaruar së cituari këshillën e atit të tij, Salomoni tani rimerr thirrjen e tij ndaj birit të tij. Është një rregull i përgjithshëm, edhe pse jo pa përjashtime, se një jetë e pastër çon në një jetë të gjatë. Mendoni se si duhani, alkooli, droga dhe mëkati seksual janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me sëmundje dhe me vdekjen. 4:11,12 Një atë mund të kënaqet kur i ka mësuar birit të tij rrugën e diturisë dhe ka qenë një shembull i mirë për të. Megjithatë, mësimi duhet të shoqërohet me shembull. Veprimet e një ati flasin më tepër se fjalët e tij. Një bir që ecën në shtigjet e ndershmërisë do të ecë pa hasur pengesa dhe do të vrapojë pa u rrëzuar. Versioni sirian shkruan: “Ndërsa ecën hap pas hapi, unë do të të hap rrugën para teje”. Kjo na mëson dy parime të rëndësishme: I pari, Perëndia na udhëheq hap pas hapi, më tepër sesa na zbulon tërë planin menjëherë. I dyti, Perëndia i udhëheq njerëzit kur ata ecin para për Të. Një anije duhet të jetë në lëvizje para se kapiteni i saj ta drejtojë atë. Po kështu dhe me një biçikletë; ju mund t’i jepni asaj vetëm kur është në lëvizje. E njëjta gjë vlen edhe për ne: Perëndia na drejton kur ne ecim për Të. 4:13 Ne duhet të rrokim mirë mësime të mira dhe të mos i lëmë që të shkojnë kot. Ne duhet të ruajmë diturinë sikur po ruajmë jetën tonë – sepse është jeta jonë, sidomos kur mendojmë për Diturinë e Mishëruar në personin e Zotit Jezus. 4:14 Vargjet 14-19 paralajmërojnë kundër shoqërive të këqija dhe bëjnë dallimin midis shtegut të errësirës dhe atij të dritës. Këto nxitje kundër mosshoqërimit me njerëzit e padrejtë nuk e ndalojnë dëshmimin tonë ndaj tyre, por ndalojnë çdo pjesëmarrje në planet e tyre. 4:15 Në këto urdhra të shkurtër dhe të ndarë nga njëri-tjetri këtu kemi një ton paralajmërues gjithë ngut. Evito një jetë në mëkat. Mos kalo nëpër të për të parë. Largohu në anën tjetër. Vazhdo. Mund të duket interesante, intriguese dhe rrëqethëse, por më pas do të të shkatërrojë. 4:16,17 Ithtarët e mëkatit nuk mund të flenë të qetë po të mos kenë bërë ndonjë marrëveshje të zymtë. Ata nuk i zë gjumi po të jetë se nuk kanë joshur dikë për ta rrënuar dhe shkatërruar. Dieta e tyre është buka e paudhësisë dhe vera e dhunës. Ose mund të themi se paudhësia e tyre është ushqimi dhe pija e tyre. Këto vargje japin një figurë drastike të natyrës mëkatare të njeriut. Meqë natyra e tij është mëkati, të mëkatuarit është për të si ushqimi dhe pija për trupin. Kjo pjesë nuk vlen vetëm për kriminelët (Shikoni Jer. 17:9). 4:18,19 Por jeta e një njeriu të drejtë nuk është kështu. Ajo është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të arrijë shkëlqimi i mesditës. Me fjalë të tjera, shtegu i të drejtëve rritet gjithnjë e më mirë dhe shkëlqen në çdo kohë. Rruga e të pabesëve të çon drejt e në errësirë të thellë, duke mos e ditur se ku po pengohen. 4:20 Salomoni vazhdon t’i lutet birit të tij që t’i kushtojë kujdes të madh mësimeve të tij në dituri. Në një varg si ky ne duhet të dëgjojmë zërin e Zotit që na flet. 4:21 Është për të mirën tonë që ne të mos largojmë nga sytë tanë mësimet e Diturisë, por më tepër duhet t’i bëjmë thesare të zemrës sonë. 4:22 Fjalët e Diturisë janë jetëdhënëse dhe krijuese. Ashtu siç ka thënë Jezusi: “Fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë” (Gjon. 6:63). Dhe ato janë shërim për të gjithë trupin, sepse e çlirojnë një njeri nga mëkatet dhe shqetësimet që i shkaktojnë shumë sëmundje. 4:23 Vargjet 23-27 janë kundërpërgjigjja e DhV për Romakëve 12:1. Ato na lusin t’ia paraqesim këto pjesë të qenies sonë Perëndisë – zemër, gojë, buzë, sy dhe këmbë. Perëndia fillon me njeriun e brendshëm, pastaj vepron nga ana e jashtme. Zemra është e para. Ajo flet për jetën e brendshme, mendjen, mendimet, shtysat dhe dëshirat. Mendja është burimi nga dalin veprimet. Nëse burimi është i pastër, uji që del do të jetë i pastër. Njeriu është çfarë që mendon. Kështu ky varg thekson rëndësinë e një pastërtie në jetë. 4:24,25 E folura me hile do të thotë jondershmëri dhe e folur dinake. Buzët e çoroditura i referohen bashkëbisedimit që nuk është i drejtë dhe i hapur. Sytë dhe qepallat synojnë drejt para hedhin idenë e një ecjeje me një qëllim të vetëm, një ecje që nuk kthehet drejt mëkatit apo ndaj diçkaje pa vlerë. Në një kohë kur shtypi dhe televizioni na bombardojnë me reklamat, caktuar për të rritur orekset tona kafshërore, ne duhet të mësojmë t’i mbajmë sytë tanë nga Jezusi (Heb. 12:2). 4:26,27 Nëse do të jemi të kujdesshëm për të sheshuar shtegun e shenjtërisë, të gjitha rrugët tona do të jenë të ndrequra mirë dhe të sigurta. Përgjatë rrugës, në të djathtë dhe në të majtë, ka rrugë anësore dhe secila prej tyre çon në vende shumë të shkelura të mëkatit. “Le të jemi besnikë ndaj Jezusit, edhe nëse na thërrasin një mijë zëra nga bota”. Kur tundoheni për të shkuar në një vend të dyshimtë, i bëni pyetjen vetes: “A do të më pëlqente të gjendesha këtu kur të kthehet Jezusi?’. Tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.

H. Marrëzia e imoralitetit (Kap. 5)

5:1,2 Salomoni dëshiron fort të paralajmërojë birin e tij kundër njërit prej mëkateve më ngacmuese të rinisë. Ata që ia vënë veshin këshillave të shëndosha dhe mësojnë nga përvoja e të tjerëve zhvillojnë arsyetim të vërtetë. Ngaqë e folura e tyre është e pastër dhe e vërtetë, kjo i mbron ata nga përzierja në telashe. Asgjë tjetër veç Fjalës së Perëndisë nuk është një mbrojtës i përshtatshëm ndaj tërheqjes dhe zhgënjimit që vepron pa ndalur në kohën tonë. Prandaj, Pali e nxit Timoteun të ngjitet pas Fjalës kur të vërshojë apostazia (2 Tim. 3:13-17). 5:3 Pjesa tjetër e kapitullit 5 merret me atë që quhet “zanati më i vjetër” – prostitucioni. Gruaja që shkel kurorën është një prostitutë, një që e jep veten për qëllime të ulta. Ajo mund të mendohet edhe si një simbol i mëkatit, i botës së ligë, i fesë së rreme, i idhujtarisë apo i çdo tundimi tjetër joshës që hasin bijtë e njerëzve. Buzët e saj nxjerrin mjaltë – e ëmbël, e butë dhe e shtirur. Ajo është një folëse joshëse, e zhdërvjellët dhe dinake. 5:4 Në fillim ajo duket e këndshme dhe e dëshirueshme, por në fund ajo është e hidhur si pelini – mëkati është tërheqës në fillim, por i shëmtuar më pas. Çmimi për të shkuar me të është tepër i lartë – ndërgjegjja fajtore, brejtja e ndërgjegjes, skandali, sëmundjet gjenitale, martesa e prishur, shtëpia e prishur, shqetësimet mendore dhe një mori sëmundjesh të tjera. 5:5,6 Ajo i çon viktimat e saj drejt një rruge me një kalim: drejt vdekjes dhe Sheolit. Ajo nuk mendon fare për jetën e mirë. Karakteri i saj është i gabuar e dredharak dhe ajo nuk e kupton se sa poshtë ka rënë. “Rruga e perëndishme nuk është për të, dredha dhe shkarja janë gjurmët e saj” (Moffatt). 5:7 Ndërsa merr parasysh gjithçka që është në rrezik, Salomoni i shtron një paralajmërim solemn bijve të tij: të dëgjojnë atë dhe mos largohen nga ajo që do të thotë. 5:8 Një mbrojtje e madhe është të qëndrosh larg nga tundimi, sa më tepër të jetë e mundur. Nuk ka kuptim t’i kërkojmë Perëndisë që të na çlirojë nëse ngulim këmbë të luajmë me objekte apo vende që lidhen me mëkatin. Në disa raste është e domosdoshme të largohemi me të katra. Jozefi e bëri një gjë të tillë dhe, edhe pse humbi tunikën, ruajti pastërtinë e tij dhe fitoi një kurorë. Që t’i bindemi vargut 8 mbase mund të na duhet të fillojmë një punë të re, të zhvendosemi në një vend tjetër, apo të marrim ndonjë hap tjetër të tillë të vendosur. 5:9,10 Ata që shkojnë në shtëpi publike çojnë dëm burrërinë e tyre dhe ia japin vitet e tyre të arta tundueses që nuk ka mëshirë. Përveç kësaj, qytetarët “e respektueshëm” që kanë lidhje dashurie të fshehta imorale – qoftë në kuptimin e plotë të fjalës, qoftë me anë të pornografisë, filmave dhe kasetave “me pullë të kuqe” – zakonisht bëhen viktima të shantazhit. Nëse ata nuk paguajnë “ryshfete”, kërcënohen për shpallje publike të lajmit. 5:11 Fundi i një jete të tillë është rënkimi i stërzgjatur, ndërsa trupi zihet nga gonorreja, sifilizi, verbëria, sëmundja e dobësimit të vazhdueshëm të shtyllës kurrizore dhe e rrënjëve të nervave, SIDA dhe shqetësimet emocionale. 5:12,13 Është gjithashtu edhe trishtimi i keqardhjes dhe i brejtjes së ndërgjegjes. Prishja e tepërt qorton veten ngaqë nuk u është bindur prindërve të tij, atyre që e mësonin në Shkollën e së Dielës, miqve të tij të krishterë. Ai mund të kishte shmangur oqeane mjerimi, por u tregua shumë kokëderr për t’u paralajmëruar. 5:14 Dhe ka mundësi për të pësuar një fatkeqësi faqe të gjithëve. Kjo duket se është ideja e këtij vargu, edhe pse mund të përfshijë idenë e të qenit i ndëshkuar për veprat e tij të këqija. 5:15,16 Në një gjuhë të figurshme, Salomoni e këshillon birin e tij të plotësojë tërë kënaqësitë e tij seksuale me bashkëshorten e vet në një jetë dashurie të pastër martesore. Nëse ndjekim KJV-në, ky varg përshkruan bekimet e një marrëdhënieje besnike martesore duke u shtrirë te familja dhe miqtë. NKJV e ndryshon vargun në një pyetje: “A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?“. Ky është një përshkrim piktoresk i shpërdorimit të fuqive riprodhuese që duhen për të shkuar me një prostitutë. Knoksi (Knox) e përkthen kështu këtë varg: “Le të kesh pasardhës, ashtu si ujërat që rrjedhin nga burimi yt si rrëke uji nëpër rrugë.”. Gruaja këtu është burimi dhe ujërat janë fëmijët, duke dalë nga shtëpia dhe që luajnë të lumtur nëpër rrugë. 5:17 Marrëdhënia e vërtetë martesore është ekskluzive dhe fëmijët shijojnë sigurinë e “të qenit pjesëtar të asaj familjeje”. Kështu ky varg është një paralajmërim kundër tragjedisë së fëmijëve të paligjshëm apo të atyre me atësi të dyshimtë, të atyre që janë lindur si rezultat i marrëdhënies seksuale imorale. 5:18 Burimi këtu përsëri i referohet gruas. Le të gjejë gëzimin dhe shoqërimin e tij te nusja e rinisë së tij. Duke “lënë të tjerat” një burrë gjen, ashtu siç e ka thënë Majkëll Grifitsi (Michael Griffiths), atë që “nuk ka fund të pasurisë që rrjedh nga marrëdhënia ekskluzive dhe ngrohtësia e mikpritjes që del nga shtëpia e tij për të bekuar të tjerët” [7]. 5:19,20 Burri le ta ruajë intimitetin e bashkimit martesor për gruan e tij, duke e trajtuar atë si gruan e dashur dhe gazelën hirplotë. Sisët e saj le të jenë pjesa e kënaqësisë së tij dhe le të jetë vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ka për të. Pse të biesh në dashuri me magjepsjen e rreme të një gruaje që ka shkelur kurorën? Ose pse të rrokësh gjirin në krahët e saj? 5:21,22 Edhe pse asnjë sy njerëzor nuk mund ta ndjekë atë në shtëpinë publike, në dhomën e motelit apo në takimin e fshehtë, Perëndia i shikon të gjitha që ndodhin. “Mëkati i fshehur në tokë është skandal i hapur në qiell”. Njeriu nuk mund të mëkatojë dhe të hiqet sikur s’ka bërë gjë. Pasojat që sjell mëkati janë të pashmangshme. Xhej Adamsi (Jay Adams) këshillon: Zakonet mëkatare janë të vështira për t’u lënë, por nëse nuk lihen, ato do ta verbojnë njeriun edhe më keq. Ai mbërthehet nga këta litarë të mëkatit të vet. Ai shikon se spiralet e mëkatit në një cikël të pjerrët e tërheqin për poshtë. Ai është i rrokur dhe i lidhur nga litarët e pazgjidhshëm të mëkatit. Me kalimin e kohës ai bëhet skllav i mëkatit [8]. 5:23 Elikoti (Ellicott) e quan këtë varg skenën përfundimtare të jetës së shfrenuar. Ai nuk ushtron vetëkontroll. Tani si rezultat i kësaj gjen vdekjen. “Për shkak të mungesës së arsyes ai vdes; marrëzia e tij e plotë e shkatërron atë” (Moffatt). Poeti Shelli (Shelley) është një ilustrim i kësaj pjese. Në mendjemadhësinë e tij ai talli idenë e martesës monogame, sikur të ishte çështje e martesës me dikë dhe e përçmimit të njëmijtave [d.m.th. që një mijë vajza të tjera do të trishtohen shumë për shkakun e martesës së tij me vetëm një vajzë]. Rezultati i krahasimit të tij, sipas Grifitsit (Griffiths), ishte braktisja (ndarja), vetëvrasja, fëmijët e paligjshëm dhe xhelozia. Samsoni (G. Sampson) pyeti “A ka pasur ndonjëherë në jetën e ndonjë poeti kaq shumë prova shkatërruese sa la pas ky engjëll i bukur por i pafrytshëm?”

I. Marrëzia e dorëzanisë, dembelizmit dhe mashtrimit (6:1-19)

6:1 Pesë vargjet e para janë një paralajmërim kundër bërjes garant, pra, ta bësh veten të besueshëm për borxhin e dikujt tjetër në rast se personi tjetër nuk do të ketë mundësi për të paguar. Mendo sikur i afërmi yt të dojë të blejë një makinë me këste, por nuk ka shumë para për të paguar këstet. Kompania huadhënëse kërkon firmën e dikujt që të mund të paguajë në rast se huamarrësi dështon. Fqinji vjen te ti dhe të kërkon që ti të firmosësh kontratën në vend të tij. Kjo do të thotë se ti do të paguash nëse ai nuk do të mundet. I afërmi në këtë varg është komshiu yt. I huaji është kompania huadhënëse së cilës ti i jep garancinë. 6:2 Je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate. Me fjalë të tjera, nëse ke bërë një premtim të nxituar, ke rënë në kurth. Ishte një gabim i madh. 6:3 Tani gjëja më e mirë për të bërë është të shpengohesh nga marrëveshja. Përpiqu ta bindesh të afërmin tënd që të heqë firmën tënde nga kontrata te e cila re në kurth duke e firmosur. 6:4,5 Çështja është aq e rëndësishme saqë ti nuk duhet të pushosh derisa të çlirohesh nga ky detyrim. Ti duhet të çlirohesh si gazela nga dora e gjahtarit, apo si zogu nga dora e atij që kap zogjtë. Por pse Bibla paralajmëron kundër dorëzanisë kaq ashpër? A nuk është mirë të bësh një gjë të tillë për një mik apo komshi? Duket se është një e mirë, por nuk është aspak. 1. Ti mund ta ndihmosh atë të blejë diçka që nuk është në vullnetin e Perëndisë që ta ketë. 2. Ti mund ta shtysh atë të bëhet një harxhues i parave apo një kumarxhi. 3. Nëse ai dështon dhe ti duhet të paguash për diçka që nuk është e jotja, miqësia do të mbarojë dhe do të fillojë hidhërimi. Do të ishte më mirë të jepeshin paratë nëse ka një nevojë të drejtë. Në çdo rast, nuk duhet të bëhesh garant për të. 6:6,7 Vargjet 6-11 janë një protestë kundër dembelizmit. Milingona është një mësim i tërthortë për ne ndërsa ajo lëviz para e prapa, vazhdon të ecë dhe ndonjëherë mban pesha të rënda. Ato kryejnë shumë punë pa ndihmën e një shefi, mbikëqyrësi apo kryetari. Kur ne shikojmë një mizëri milingonash, ato duken se lëvizin në mënyrë të çrregullt në çdo drejtim, por veprimtaria e tyre është plot qëllim dhe e drejtuar, edhe pse nuk duket të kenë ndonjë që t’i urdhërojë. 6:8 Kjo krijesë e vogël punon me zell dhe pa u lodhur në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. Theksi nuk vihet këtu në sigurimin e së ardhmen, por në punën e rëndë në të tashmen. Kjo pjesë nuk duhet të përdoret për të mësuar se të krishterët duhet të sigurohen për një ditë më të keqe. Neve na është ndaluar të mbledhim thesare këtu mbi tokë (Mt. 6:19). Është e vërtetë që milingonat sigurojnë gjëra për të ardhmen dhe është gjithashtu e vërtetë se të krishterët duhet të sigurojnë gjëra për të ardhmen e tyre. Por ndryshimi është se e ardhmja e një milingone është në këtë botë, ndërsa ajo e besimtarit është në qiell. Të krishterët e zgjuar, prandaj, i mbledhin për në qiell thesaret e tyre, jo për në tokë. 6:9 Përtaci duket se ka një aftësi të pafund për të fjetur. Filozofia e tij është: “Është mirë të çohesh në mëngjes, por është më mirë të rrish shtrirë në krevat”. Ai duket se nuk arrin kurrë ta dëgjojë zilen e orës. 6:10,11 Kur më në fund zgjohet, thotë: “Le të dremis edhe pak, të fle edhe pak, një dremitje e shkurtër, një pushim pak i shkurtër”. Të tjerët në shtëpi mund të presin, por dita e varfërisë jo. Kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur. 6:12 Vargjet 12-15 janë përshkrimi klasik i një njeriu të lig. Ai është një batakçi i lig, i cili nën buzëqeshjen dinake fsheh një zemër hileqare. Ai rend sa andej-këndej me fjalë të rreme në buzët e tij. 6:13,14 Ai përdor çdo lloj veprimi sugjestiv dhe lëvizje të fshehta tërheqëse për të përfshirë në bashkëpunimin e tij, apo që t’ua heqë vëmendjen viktimave të tij. Ai luan syrin, flet me këmbët dhe bën shenja me gishta. Zemra e tij është e mbushur me ligësi dhe kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje. 6:15 “Njerëz të tillë do të zihen nga shkatërrimi i tyre pas pak, papritur, në një çast do të shkatërrohen pa rrugëdalje” (Knox). Nëse shikoni mirë, mbase mund të gjeni ndonjë ilustrim të kësaj në gazetat e sotme. 6:16 Gjërat që e karakterizojnë këtë njeri të lig (v. 12-15) urrehen nga Perëndia (v. 16-19), sidomos mbjellja e grindjes (krahasoni v. 14 e 19). Formula ཁgjashtë gjëra, madje shtatë . . . ཁ mund të nënkuptojë se lista është e veçantë, por jo e plotë. Ose mund të tregojë se e shtata është më e keqja nga të tëra [9]. 6:17 Sytë krenarë. Krenaria është pluhuri që hyjnizon vetveten. Shërbëtori i një perandori ka thënë: Nuk mund ta mohoj se im zot ishte i kotë. Ai duhej të ishte figura qendrore në çdo gjë. Nëse ai shkonte në një pagëzim fëmije, ai donte të ishte foshnja. Nëse shkonte në një dasmë, ai donte të ishte dhëndri. Nëse shkonte në një funeral, donte të ishte kufoma [10]. Gjuha gënjeshtare. Gjuha u krijua për të përlëvduar Zotin. Të gënjesh do të thotë të keqpërdorësh funksionin e saj për diçka që është e turpshme. A është e drejtë ndonjëherë që një besimtar të gënjejë? Përgjigjja është se Perëndia nuk mund të gënjejë kurrë dhe Ai nuk ia jep këtë ‘privilegj’ askujt tjetër. Duart që derdhin gjak të pafajshëm. Çdo jetë njerëzore ka një vlerë të pafundme para Perëndisë. Ai e vërtetoi këtë duke paguar një çmim të pafund në Kalvar për shpengimin tonë. Vendimi i ndëshkimit me vdekje (Zanafilla 9:6) pasqyron qëndrimin e Perëndisë ndaj vrasjes. 6:18 Zemra që kurdis plane të këqija. Kjo, sigurisht, i referohet mendjes që gjithmonë kurdis diçka të ligë. Zoti Jezus rendit disa nga këto plane të liga te Marku 7:21,22. Këmbët që turren shpejt drejt së keqes. Perëndia urren jo vetëm mendjen që kurdis plane të liga, por edhe këmbët që mezi presin ta kryejnë një gjë të tillë. 6:19 Dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra. Këtu bëhet fjalë për një çështje dëshmie publike në një gjyq. Vargun 17b kishte të bënte më tepër me një çështje në një bashkëbisedim të përditshëm. Ai që shtie grindje midis vëllezërve. Gjëja e dukshme këtu është se Perëndia e rendit atë që shkakton ndasi midis vëllezërve me vrasësit, gënjeshtarët dhe dëshmitarët e rremë! Sa prej shtatë mëkateve të renditura më sipër mund t’i gjeni në gjyqin dhe kryqëzimin e Zotit tonë?

J. Marrëzia e shkeljes së besnikërisë bashkëshortore dhe e kurvërisë (6:20-7:27)

6:20 Tema e tradhtisë bashkëshortore apo e pabesisë shtjellohet këtu përsëri. Shpeshtësia e përsëritjes nuk është e rastësishme. Fjalët e vargut 20 janë një lloj formule e përdorur për të ndërfutur mësimin e rëndësishëm. 6:21 Disa zbatues pikë për pikë të ligjit në kohën e Jezusit mendonin se i bindeshin këtij vargu duke veshur filateri, d.m.th. kuti të vogla lëkure që përmbanin pjesë nga Shkrimi. Gjatë lutjes këta judenj i vishnin një nga krahët (afër zemrës) dhe një te koka (afër qafës). Disa judenj ende e përdorin këtë zakon. Por ajo që me të vërtetë nënkupton ky varg është se ne duhet ta bëjmë Fjalën e Perëndisë pjesë të jetëve tona që ajo të na shoqërojë dhe të na drejtojë kudo që shkojmë. Nuk është thjesht një çështje nderimi të Shkrimit nga ana e jashtme, por bindja e tyre që del nga zemra. 6:22 Bindja ndaj Fjalës së Perëndisë sjell: drejtim – Kur do të ecësh, do të të udhëheqin. mbrojtje – Kur të pushosh, do të të ruajnë. mësim – Kur të zgjohesh, do të flasin me ty. 6:23 Ky varg zgjeron të mëparshmin: urdhërimi është një llambë – për drejtim. mësimi është një dritë – për mbrojtje. ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës – për mësim. 6:24,25 Një shërbesë e veçantë e Fjalës është të shpëtojë njerëzit nga gruaja e keqe me gjuhë plot fjalë të rrjedhshme dhe me lajka. Askush nuk duhet të rrëmbehet nga bukuria e saj natyrore apo nga vezullimi joshës i qerpikëve të saj. 6:26 Interpretimi i këtij vargu ndryshon sipas përkthimeve të ndryshme. Ideja te versioni NKJV dhe te NASB është ajo e një njeriu që varfërohet (katandiset për një copë bukë) nga prostituta dhe mund të humbasë shpirtin e vyer nga gruaja që shkel kurorën. Të dyja ngasjet janë të kushtueshme. Versioni RSV thotë: “Sepse një prostitutë mund të punojë për një copë bukë, por shkelësja e kurorës gjurmon jetën e çmuar të një burri”. Këtu bëhet dallim midis një prostitute, që mund të paguhet, dhe një shkelëse kurore që nuk kënaqet, derisa të kontrollojë plotësisht burrin. 6:27,28 Të kesh marrëdhënie të paligjshme me gruan e një tjetri është si të mbash zjarr në gji. Nuk mund ta mbash atë po u djegur. Është njëlloj sikur të ecësh mbi qymyr të ndezur; nuk mund të ecësh pa djegur këmbët. Grifitsi (Griffiths) paralajmëron: Është plotësisht marrëzi për tërë ata që kryejnë tradhti bashkëshortore, sepse rezultati do të jetë vetëshkatërrim, plagë dhe çnderim, fatkeqësi dhe një zemërim të paqetësuar nga pala që ka pësuar [11]. 6:29 Është e sigurt se nëse një njeri shkon te gruaja e një tjetri, ai do të kapet dhe do të ndëshkohet. Ka një parim në gjithësinë morale sipas të cilit një mëkat i tillë del zakonisht në dritë. Madje, nëse me anë të ndonjë fati të rastësishëm, mëkati i tij nuk zbulohet në këtë jetë, do të llogaritet në atë jetë. 6:30,31 Këto vargje mund të kuptohen në një prej dy mënyrave të mëposhtme. Sipas KJV-së dhe NKJV-së, njerëzit kanë një farë simpatie për atë që vjedh për të shuar urinë e vet dhe të familjes së vet, por edhe në këtë rast, ai duhet t’i kthejë gjërat e vjedhura, edhe nëse do të thotë të humbë çdo gjë që ka. RSV, duke e përkthyer vargun 30 si një pyetje, nënkupton se njerëzit e përçmojnë një vjedhës, edhe nëse ai vjedh për të shuar urinë dhe duhet të kthejë plotësisht atë që ka marrë. Në raste të tjera, çështja është se një vjedhës mund ta kthejë atë që ka marrë për krimin e tij, ndërsa shkelësi i kurorës nuk mund ta fshijë kurrë dëmin që ka kryer. 6:32 Por ai që kryen një shkelje kurore është i pamend, sepse ai shkatërron veten nga ana shoqërore, frymërore e morale, dhe mbase edhe fizikisht (LiP. 22:22). 6:33 Për një çast pasioni, ai do të gjejë plagë dhe përçmim, mbase nga burri i tërbuar. Ai gjithashtu turpërohet dhe përçmohet, gjëra që do ta ndjekin gjatë tërë jetës (Lavdi Perëndisë, megjithatë, ekziston falja në Zotin nëse njeriu pendohet, rrëfen dhe braktis mëkatin). 6:34 Këtu shohim tërbimin e burrit xheloz që kthehet papritur dhe gjen të shoqen në krahët e një tjetri. Kur ai fillon të hakmerret, ai nuk do të pajtohet me ndonjë lutje apo justifikim. 6:35 Asgjë që mund të paguajë fyesi nuk do ta qetësojë burrin; asnjë ryshfet nuk do të jetë kënaqësi e mjaftueshme për shkeljen e martesës. 7:1 Kapitulli 7 vazhdon të paralajmërojë të rinjtë kundër shkatërrimit të jetëve të tyre me anë të imoralitetit. Ata duhet t’i ruajnë këto urdhërime të frymëzuara si më të çmuara se pasurisë tokësore dhe materiale. 7:2 Bindja ndaj Fjalës së Perëndisë është shtegu i jetës me mbushulli. Prandaj duhet të ruhet si bebja e syve. Duke pasur parasysh këtë shprehje Enciklopedia Ndërkombëtare Standarde e Biblës (International Standard Bible Encyclopedia) thotë: Kokërdhoku i syrit apo sfera e syrit, me pupilën në qendër, quhet “bebja” nga forma e saj e rrumbullakët. Vlera e saj e madhe dhe mbrojtja e kujdesshme nga mbyllja e vetvetishme e kapakut të syrit kur haset rreziku i mundshëm përbën emblemën e asaj që mbrohet në mënyrën më të çmueshme dhe xheloze [12]. 7:3 Në gjuhë poetike ky varg thotë që të lëmë Fjalën e Perëndisë të kontrollojë gjithçka që bëjmë (lidhi ndër gishta) dhe të bëhet një çështje bindjeje të padiskutueshme (shkruaji mbi tabelën e zemrës sate). 7:4 Ne duhet ta trajtojmë Diturinë me nderin dhe respektin e duhur si një motër dhe ta quajmë gjykimin një ndër shokët më të mirë. Dituria në këtë pjesë vihet në dallim me gruan e keqe, që duhet shmangur me kujdes. 7:5 Ata që ndjekin Diturinë dhe mësimet e saj ruhen nga gruaja e tjetrit dhe nga lakmia e gruas së huaj që përdor fjalë lajkatare. Dy fjalë të ndryshme përdoren këtu për të përshkruar këtë grua të keqe. E tjetrit do të thotë imorale, d.m.th. ajo nuk është besnike ndaj burrit të saj. Lajkatare do të thotë e huaj dhe aventuriere. 7:6 Vargjet 6-23 japin një përshkrim të qartë të një prostitute që mashtron një djalë. Duke parë nga dritarja e shtëpisë, autori e pa përmes parmakëve prej hekuri këtë tragjedi. 7:7 Ai pa midis budallenjve një djalë të ri që s’kishte gjykim. Ndoshta ai djalë vjen nga një familje e respektuar, por në këtë kohë ai po dilte për qejf. Ndoshta ai nuk ishte një mëkatar i madh i papenduar, por vetëm një djalë i thjeshtë pa përvojë nga një fshat. 7:8 Tani ai hyn rastësisht në një lagje të keqe. Ai del matanë rrugës afër vendit të saj duke ecur ngadalë, duke shikuar rreth e qark si një njeri pa punë. Por ky është problemi kryesor. Nëse do të ishte i zënë me një punë të vlefshme, ai nuk do të ishte nën atë rrezik. Nëse këmbët e tij do të ishin mbathur me gatishmërinë e ungjillit të paqes (Ef. 6:15), ai nuk do të kishte kohë për të humbur kot! Ka një mbrojtje të vërtetë nga mëkati në një jetë të dhënë Perëndisë. Nga ana tjetër, ashtu siç thotë Isak Uatsi (Isaac Watts): “Satani ende gjen disa djallëzi për duart e plogështa”. 7:9 Ai vinte vërdallë tërë muzgun – nga perëndimi i diellit në muzg deri në errësirën e mesnatës – “Ka patjetër një kuptim simbolik” – shkruan Barnsi – “në figurën e gjysmerrësirës. Nata po bie mbi jetën e të riut si hijet e thella”. Ai është si një flutur nate që fluturon drejt flakës. Çasti i tmerrshëm i rrezikut afrohet kur tundimi për mëkat dhe mundësia për të mëkatuar përputhen. Ne duhet të lutemi vazhdimisht që këto të dyja të mos vijnë kurrë në jetët tona. 7:10 Prostituta tani del përpara, e veshur për të vrarë në stilet më të fundit hollivudiane, e lyer, e pudrosur dhe e parfumosur. Brenda magjepsjes së saj të jashtme qëndron një zemër sensuale [epshore], e fshehtë dhe dinake. 7:11,12 Kjo nuk është një zonjë hirplotë dhe e thjeshtë! Ajo është e parespektueshme, turbulluese dhe agresive. Ajo nuk është një shtëpiake! Ajo duhet t’u ngrejë pritë rrugëve klientëve të saj. Ajo është e gjithëpranishme. Herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe. Mëkati është i tillë; është i thjeshtë për t’u gjendur. Ungjilli duhet të jetë i lehtë për t’u gjetur, por fatkeqësisht ne dështojmë ta bëjmë të mundur një gjë të tillë. 7:13 Hapi i parë në teknikën e saj është trajtimi i befasishëm. Ajo rrëshqet drejt tij, i hedh krahët dhe e puth. Uau! Ai këputet nga kjo shfaqje e mrekullueshme dashurie. Ai nuk e di se është epsh dhe jo dashuri. 7:14 Pastaj vjen sjellja e shtirë fetare. Ajo thotë: “Duhet të bëja flijimet e falënderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia“. Ai kujton nënën e tij dhe Biblën mbi tryezën e dhomës së ndenjjes, pastaj thotë me vete: “Kjo grua duhet të ketë çdo gjë në rregull. Ajo është fetare. Nuk ka pse të mos shkoj mirë me dikë që ka bërë flijimet e falënderimit dhe ka plotësuar zotimet e veta”. Laku është forcuar! Ka një joshje në flijimet e falënderimit. Ata që i ofronin ato duhej t’i hanin po atë ditë ose ditën e nesërme (Lev. 7:15), kështu që ajo kishte ushqime të mira që mund t’ia jepte atij. Ajo beson se të paktën një rrugë drejt zemrës së njeriut është përmes stomakut të tij. 7:15 Pastaj ajo hiqet sikur ai është njeriu që ajo po kërkonte. Çfarë gënjeshtre! Ajo do të merrte të parin burrë që do të takonte. Por ai ngazëllente duke menduar se ishte i rëndësishëm; dikush që po e vlerësonte, dikush që po kujdesej me të vërtetë për të. 7:16,17 Ajo hedh më shumë se një aludim propozimit duke përshkruar shtratin e saj: “E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti; e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë“. Çdo gjë këtu është vënë për të ndjellë natyrën e tij sensuale [mishore]. Edhe ndjenja e tij e të nuhaturit duhet të rroket nga parfumet ekzotike. 7:18 Tani hiqet maska. Ajo e fton atë hapur për të shkuar në shtrat me të. Me fjalë të zgjedhura me kujdes ajo bën që ky propozim të tingëllojë shumë këndshëm. 7:19,20 Ajo e çarmatos atë duke i shpjeguar se burri i shtëpisë nuk është në shtëpi dhe nuk do të ndodhet atje për një kohë të gjatë, sepse ka shkuar në një udhëtim të gjatë. Ai pritej të qëndronte larg për një kohë të zgjatur, sepse kishte marrë me vete një sasi të mirë paresh me vete. Ai nuk do të kthehej në shtëpi derisa hëna të bëhej e plotë (v. 20b NASB). Errësira e përshkruar në vargun 9 tregon se hëna nuk do të ishte e plotë për një farë kohe. 7:21 Sa më tepër flet, aq më tepër bie qëndresa e tij. Me pak më tepër joshje ajo e tërhoqi atë. 7:22 Ai mori një vendim të atypëratyshëm për ta ndjekur atë në shtëpinë e saj. Ndërsa ai ecën me të, kemi të bëjmë me patosin e një kau që shkon drejtpërdrejt në thertore. Teksti hebraik i rreshtit të fundit është shumë i zymtë, ashtu siç do të shikohet nga një shumicë përkthimesh: “si një i lidhur në dënimin e budallait” (KJV, NKJV). “ose si në pranga në dënimin e budallait” (ASV). “ose si dreri në çark” (RSV). “si një qen mikluar në turi” (Muffatt). “ose si një qengj i shkathët” (Knox). “si në pranga një budalla në ndëshkimin e tij” (Berkeley). Por kuptimi i përgjithshëm është qartësisht se viktima po shkon, pa u kthyer prapa, drejt prangave dhe ndëshkimit. 7:23 Shprehja “derisa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë” mund të nënkuptojë: 1. Metodën me anë të së cilës vritej kau në vargun e mëparshëm, domethënë, një thikë shpon të brendshmet e tij. 2. Ndezja e pasioneve të burrit. 3. Pasojat e imoralitetit te trupi i njeriut. I riu shkon te prostituta ashtu siç fluturon zogu drejt rrjetës, duke mos kuptuar fare se çfarë e pret (për shembull, sëmundjet gjenitale apo SIDA). 7:24,25 Pa u çuditur aspak shkrimtari lutet që bijtë e tij t’i vënë veshin! Ata duhet ta ruajnë zemrën e tyre kundër çdo dëshire për t’u shoqëruar me këtë lloj gruaje. Ata duhet të ruajnë këmbët e tyre për të mos shkuar nëpër shtigjet e saj. 7:26,27 Lista e viktimave të saj është e gjatë. Ajo ka shkatërruar apo vrarë një ushtri të tërë. Çdokush që futet në shtëpinë e saj ka nisur rrugën për në Sheol. Po zbret drejt e në thellësitë e vdekjes.

K. Mishërimi i diturisë (kap. 8)

8:1 Kapitulli 8 është një kontrast i thellë me kapitullin 7. Atje shkelësja e kurorës thërriste bijtë e njerëzve. Këtu dituria i fton ata për ta ndjekur dhe jep arsye të forta për këtë. Një pjesë paralele në DhR është Gjoni 7:37, ku Krishti i thërret njerëzit që të shkojnë tek Ai dhe të pinë. 8:2,3 Këto vargje tregojnë ku gjendet Dituria. Lista e vendeve tregon se ajo gjendet menjëherë nga njerëzit në udhëtimet e tyre të përditshme. 8:4,5 Ajo ua drejton thirrjen e saj tërë llojeve të njerëzve, të ngriturve dhe të ulurve. Ajo thërret njerëzit e thjeshtë dhe njerëzit pa mend. Ajo është “drejtimi i duhur i çdo njeriu” – thotë Kidneri. 8:6-9 Karakteri i mësimit të Diturisë përshkruhet më poshtë. Ajo flet për gjëra të rëndësishme…, gjëra të drejta…, flet të vërtetën dhe fjalë të drejta. Nga buzët e saj nuk del asnjë e keqe, e shtrembër apo e çoroditur. Gjithkush që ka një farë mase dallimi dhe kuptimi do të vërtetojë se janë të drejta dhe jo të shtrembëta. 8:10,11 Vlera e mësimit të Diturisë është e pakrahasueshme. Ajo duhet të dëshirohet përtej argjendit, arit të zgjedhur dhe margaritarëve, apo përtej çdo gjëje tjetër që njerëzit mund ta quajnë të çmueshme. 8:12,13 Dituria jeton në të njëjtën shtëpi me maturinë. Ato shkojnë bashkë, në mënyrë të tillë që, nëse ke Diturinë, do të kesh edhe maturinë. Dituria jep dijen në meditim për drejtimin në çështjet e jetës. Ka gjëra me të cilat Dituria nuk shkon. Ato janë kundërshtimet morale dhe ajo i përçmon ato, pra, çdo formë të së keqes: qoftë kryelartësinë, arrogancën, sjelljen e keqe apo të folurit me gënjeshtra. 8:14-21 Disa nga shpërblimet apo përfitimet e Diturisë janë: Mendimi i mirë (v. 14a) Gjykimi i shëndoshë (v. 14b) Zgjuarsia (v. 14c) Forca morale për të bërë atë që është e drejtë dhe që i bën ballë së keqes (v. 14d) Aftësia e udhëheqësisë (v. 15a, 16a) Aftësia për të gjykuar (15b, 16b) Dashuria dhe shoqërimi (shikoni Gjonin 14:21, v. 17a) Liri hyrjeje të menjëhershme për ata që e kërkojnë me kujdes (v. 17b) Pasuria që zgjat shoqëruar me lavdi dhe drejtësi (v. 18) Karakteri që është më i mirë se ari apo argjendi i zgjedhur (v. 19) Drejtim në shtigjet e drejtësisë dhe paanshmërisë, duke sjellë pasuri me mbushulli (v. 20,21). Tashmë kemi përmendur se këto pjesë që shtjellojnë Diturinë mund t’i përshtaten plotësisht Zotit Jezus, meqë DhR i drejtohet Atij si Dituria (Mt. 11:19; Lluk. 11:49; 1 Kor. 1:,24,30; Kol. 2:3). Në asnjë vend tjetër zbatimi s’është më i qartë dhe më i bukur sesa në vargjet e mëposhtme. Kisha e Krishterë e ka parë vazhdimisht këtë paragraf si referim të Zotit Jezus Krisht. Çfarë, pra, mësojmë rreth Krishtit në “këtë pjesë fisnike të elokuencës së shenjtëruar?”. 8:22 Brezi i tij i përjetshëm: “Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij“. Ne nuk duhet ta kuptojmë fjalën “më zotëroi” sikur të nënkuptojë se Krishti ka pasur një fillim. Perëndia nuk ka ekzistuar pa cilësinë apo atributin e diturisë dhe kurrë nuk ka ekzistuar pa Personin e Birit të Tij. Kuptimi këtu është i njëjti si te Gjoni 1:1: ཁNë fillim . . . Fjala ishte pranë Perëndisëཁ. 8:23 Caktimi i Tij nga përjetësia. “U vendosa do të thotë u vajosa, apo u caktova. Shumë kohë para se krijimi të vinte në ekzistencë, Ai u caktua për të qenë Mesia i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës. 8:24-26 Paraekzistenca e Tij. Fjalët “më prodhuan” nuk duhet të merren sikur nënkuptojnë se Ai është krijuar dhe ka një fillim. Ato janë një gjuhë poetike që përshkruajnë ekzistencën e përjetshme të Birit dhe personalitetin e Tij duke qenë i ndarë nga Perëndia Atë. Plisat e para i referohen fillimeve të botës. 8:27-29 Prania e Tij në krijim. Ai ishte atje kur qiejt u shtrinë përtej tokës dhe detit, kur retë u formuan dhe kur burimet dhe gurrat filluan të rridhnin. Ai ishte atje kur u vendosën caqet e oqeaneve, kur ujërat u urdhëruan të mos kalonin përtej kufijve. Ai ishte atje kur u caktuan themelet e dheut, duke përfshirë strukturën e brendshme që mban koren e jashtme të tokës. 8:30a Veprimtaria e tij në krijim. Këtu mësojmë se Zoti Jezus ishte Agjenti veprues në krijim. Versioni NKJV e përkthen saktë pjesën e parë të vargut 30: “Unë isha pranë tij si një arkitekt…”. Kjo përputhet, sigurisht, me Gjonin 1:3, Kolosianëve 1:16 dhe Hebrenjve 1:2. 8:30b Pozita e Tij e dashurisë dhe e kënaqësisëpara Perëndisë. Dashuria e përjetshme dhe e pafund e Atit për Birin e Tij shton çudinë se Ai do ta dërgonte Birin e Tij të vdiste për mëkatarët. 8:30c Gëzimi i Tij vetjak para Perëndisë. Mrekullitë e hirit të Zotit tonë Jezus Krisht – që Ai do të linte atë skenë të gëzimit të pastër dhe të përsosur për të ardhur në këtë xhungël turpi, brenge dhe vuajtjeje. 8:31 Kënaqja e Tij në pjesën e banueshme të botës. Është e mrekullueshme se si në gjithësinë e gjerë Ai interesohej në mënyrë të veçantë për këtë planet sa një pikë. Ëndja e Tij me bijtë e njerëzve. Çudia e fundit është se Ai do ta vendoste dashurinë e Tij mbi racën kryengritëse të njerëzve. Uilliam Kauperi (William Cowper) na ka lënë këtë himn të mrekullueshëm mbështetur në vargjet 22-31: Para se Perëndia të ndërtonte malet, apo të ngrinte kodrat pjellore; Para se të mbushte burimet që ushqejnë përrenjtë vërshues; Në Ty, nga përjetësia i mrekullueshmi UNË JAM gjej kënaqësi të paprishur, dhe Dituri në Emrin Tënd. Kur si një tendë për të banuar, Ai shpalosi qiejt lart, dhe mbështolli fryrjen e përmbytjes së madhe të oqeanit, Ai punon me pesha dhe masë; dhe Ti ishe me Të atëherë: Ti je kënaqësia e Atit, dhe e Jotja, bijtë e njerëzve. Dhe si mund të gjeje Ti gëzim në krijesa si ne, të cilët, kur të panë, të shpërfillën dhe Ty të gozhduan në një pemë? Çfarë çudie e pafund? Çfarë misteri hyjnor? Zëri që flet në bubullima thotë: “Mëkatar, unë yti jam!” 8:32-36 Paragrafi përfundimtar vendos çështjet e përjetshme të përfshira si përgjigje e njeriut ndaj thirrjes së Diturisë. Ajo shpall një bekim mbi ata që dëgjojnë mësimin e saj, duke ecur në rrugët e saj. Ajo u premton lumturi atyre që presin çdo ditë te portat e saj, që rrinë besnikërisht të zgjuar te portat e saj. Ajo u jep jetë dhe përkrahje hyjnore atyre që e gjejnë, por humbje dhe vdekje atyre që nuk e gjejnë. Ia përshtatni këto dy vargjet e fundit Krishtit. Cilido që e gjen Atë merr jetë të përjetshme dhe ka përkrahjen e plotë të Perëndisë (shikoni Gjonin 8:51; 17:3; Efesianeve 1:6; 1 Gjon. 5:12). Por ata që nuk e gjejnë dëmtojnë vetveten dhe ata që e urrejnë Atë duan vdekjen (kr. Gjonin 3:36b).

L. Ftesa nga dituria dhe marrëzia (9:1-18)

9:1 Këtu Dituria shihet duke ndërtuar shtëpinë e saj dhe duke përgatitur një festë të madhe për ata që i përgjigjen ftesës së saj. Festa është një figurë e përshtatshme e gëzimit, përbashkësisë dhe kënaqësisë që ajo siguron për mysafirët e saj. Interpretime të ndryshme janë dhënë për shtatë shtyllat. Disa komentues i referohen Isaias 11:2, shtatë dhuntitë e Frymës së Shenjtë që qëndroi mbi Mesinë, por vetëm gjashtë janë renditur. Një interpretim tjetër gjendet te Jakobi 3:17, ku dituria nga lart përshkruhet si 1. e pastër, 2. pajtuese, 3. e butë, 4. e bindur, 5. plot mëshirë dhe fryte të mira, 6. e paanshme dhe 7. jo hipokrite. 9:2,3 Mishi dhe vera shtrohen me tepri. Tryeza është shtruar me bollëk. Zonja e shtëpisë dërgon shërbëtoret e saj për të çuar ftesa në vendet më të larta të qytetit. Detyra e shërbëtorëve duhet të na kujtojë Atë që ka ardhur për të bërë të njohur Diturinë e Perëndisë, që është Zoti Jezus, për ta ndarë këtë Dituri me të tjerët, duke i ftuar ata të vijnë, të gjejnë dhe ta shijojnë vetë. 9:4-6 Këtu jepen fjalët e ftesës. Ajo i drejtohet njerëzve të thjeshtë, pra, njerëzve impresionues [të ndikueshëm, që ndikohen lehtë] që priren të përhumben dhe për këtë kanë nevojë për ndihmë dhe drejtim. Nuk i drejtohet të diturve, sepse ata janë tashmë brenda pallatit. Menyja përfshin ushqimet e mira dhe verën më të shijshme, të përzier me vetë Diturinë. Ata që vijnë priten të kenë lënë budallallëkun dhe tregojnë se një ndryshim moral ka ndodhur në jetët e tyre. 9:7-9 Vazhdimësia [tematike] këtu duket se prishet, por mbase këto vargje shpjegojnë qoftë pse ftesa nuk u dërgohet tallësve, apo qoftë pse miqtë e Diturisë mund t’i braktisin ata. Nëse do të korrigjosh tallësin, do të marrësh vetëm keqtrajtim e fyerje nga kjo. Nëse do të qortosh të pabesin, ai do të të kthehet dhe do të të shajë. Mënyra si një njeri i merr qortimet është një tregues i karakterit të tij. Një tallës të urren, ndërsa një i urtë do të të falënderojë. Si do të reagosh nëse prindërit, mësuesi, punëdhënësi apo një mik të korrigjon? Në vend që ta kthejë kritikën, një i urtë e vendos në zemër dhe bëhet më i urtë. Një njeri i drejtë përfiton duke e rritur sasinë e diturisë së tij të dobishme. 9:10 Përsëri na bëhet e ditur se pika fillestare e tërë diturisë së vërtetë është në frikën e Zotit. “Të njohësh Zotin është e tërë njohja” (Moffatt). Ngaqë e njeh të Shenjtin, një besimtar i vërtetë mund të shohë më tepër në gjunjët e tij, sesa të tjerët në majat e tyre të gishtave. Të Shenjtit (shumës) mund të jetë shumësi i madhështisë, shkëlqimit dhe të kuptuarit [aftësisë për të kuptuar], ose mund të bëhet Elohim (nënkuptohet), një fjalë në shumës për Perëndinë. 9:11 Dituria bën që të shumohen ditët dhe të shtohen vite jete. Ajo jo vetëm siguron një jetë të gjatë, por edhe një jetesë të mirë dhe frytdhënëse, dhe pastaj – përtej kësaj – jetën që nuk mbaron kurrë. 9:12 Është për përparësinë më të mirë të njeriut që të jetë i urtë; kjo është për përfitimin e tij më shumë se për të tjerët. Nga ana tjetër, në rast se zgjedh të jetë tallës, ai do të vuajë dënimin e zgjedhjes së tij, edhe pse të tjerët mund të përfshihen në këtë, sigurisht. Në një afat kohe të gjatë, ai është vetëm ose fituesi ose humbësi. 9:13 Ata që nuk e pranojnë festën e Diturisë janë të parët për marrëzinë. Vini re dallimin e dukshëm midis ofertës elegante të Diturisë (v. 1-6) dhe propozimit që të vret sytë të Marrëzisë (v. 13-18). Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, kokëboshe dhe e pacipë. 9:14-16 Ajo rri ulur jashtë te porta apo në vendet e larta të qytetit, jo si një zonjë hirplotë, por si një e përdalë e pacipë. Ajo ka dalë për të joshur njerëzit që tërhiqen lehtë, miqtë budallenj që nuk kanë mend. 9:17 Motoja e saj është: “Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme“. Në thelb ajo nënkupton se marrëdhëniet e paligjshme janë tërheqëse, sepse janë të ndaluara dhe ngaqë ekziston intriga e së fshehtës pas tyre. Kur natyra e rënë njerëzore ndalohet për të bërë diçka, ai ndalim ndez dëshirën për ta bërë më tepër këtë gjë (shikoni Rom. 7:7,8). E përdala nxit këtë instinkt të shthurur te burri. Ajo fton për një vizitë atë që mashtrohet lehtë dhe “të dobëtit”. 9:18 Por ajo nuk u thotë atyre anën tjetër të medaljes. Të ndjekësh çastin e kënaqësisë dhe të pasionit do të thotë të kesh pjesën që mbetet të jetës në brejtje të ndërgjegjes dhe përjetësinë në thellësinë e Sheolit. Edhe bota ndonjëherë e pranon të vërtetën e këtij vargu. Një këngë e njohur popullore franceze e dy shekujve më parë, duke folur për idenë e botës rreth “dashurisë”, thotë: Kënaqësia e dashurisë zgjat vetëm për një natë; Zhgënjimi i thellë i dashurisë zgjat për tërë jetën [13].