Fjalët e Agurit (Fjalët e urta 30)

30:1 Gjithçka që dimë për Agurin gjendet në këtë kapitull. Ai e paraqet veten si biri i Jahehut. Fjala mesazhi (orakull NIV) mund të përkthehet gjithashtu “i Masa”-s (RSV). Kjo e njëjtëson Agurin si një pasardhës të Ismaelit (Zanafilla 25:14). Rreshti i dytë mund të lexohet gjithashtu: “Njeriu tha: ‘Unë jam lodhur, o Perëndi, jam lodhur, o Perëndi, dhe jam dërrmuar” (shënimet anësore të ASV). Kjo çon natyrshëm në atë që pason – pamundësinë e të kuptuarit të pafund të së Pafundmes. 30:2 Aguri fillon me një rrëfim të paaftësisë së tij për të pasur mendje. Në pamje të parë kjo është shprehje e një përulësie të vërtetë – një qëndrim i duhur për dikë që kërkon të hulumtojë në veprat dhe rrugët e Perëndisë. 30:3 Ai nuk rrëfen se e ka mësuar diturinë,apo se e ka gjetur Perëndinë me anë të kërkimit njerëzor. Ai pranon se nuk e ka fuqinë në vetvete për të arritur dijen e Shenjtorit. 30:4 Me anë të një serie pyetjesh ai paraqet madhështinë e Perëndisë ndërsa zbulohet në natyrë. Me anë të së parës përshkruan Perëndinë i Cili ka lirinë të përshkojë lartësinë dhe thellësinë e gjithësisë ku asnjë njeri nuk mund të shkojë. Pyetja e dytë tregon kontrollin e Tij mbi fuqinë e madhe të erës. Pyetja e tretë shfaq madhështinë e Tij në mbajtjen e ujërave, qoftë të reve sipër tokës, qoftë në shtretërit e oqeaneve. E katërta tregon caktimin e Tij të kufijve të masave të tokës. Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di? Ideja është kjo: “Kush mund të njohë plotësisht një Qenie të tillë të madhe, kaq të paimagjinueshme, kaq të mistershme, kaq të fuqishme, kaq të gjithëpranishme?”. Përgjigjja është: “Askush nuk mund ta kuptojë Atë plotësisht”. Por ne e dimë se emri i Tij është Zoti (Jehovah ose Jahve) dhe emri i Birit të Tij është Zoti Jezus Krisht. Ky është një tekst që mahnit shumë judenj, të cilëve iu është mësuar se Perëndia nuk ka një Bir. Nga ky varg i DhV besimtarët mund të kuptojnë se Perëndia ka një Bir. 30:5 Aguri tani kthehet nga zbulimi i Perëndisë në natyrë në zbulimin e Tij përmes Fjalës. Ai pohon pagabueshmërinë e Shkrimeve të Shenjta – “çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr“. Pastaj ai flet për sigurinë e tërë atyre që gjejnë strehë te Perëndia i Biblës – “Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai“. 30:6 Mjaftueshmëria absolute e Shkrimeve pohohet në këtë varg. Asnjë njeri nuk duhet të guxojë t’i shtojë mendimet dhe spekulimet e tij asaj që ka shprehur Perëndia. Ky varg dënon kultet që u japin shkrimeve dhe traditave të tyre të njëjtin autoritet si Biblës. 30:7-9 Këto vargje përmbajnë lutjen e vetme në librin e Fjalëve të Urta. Lutja është e shkurtër dhe godet në shenjë. Ajo përmban dy kërkesa, një që ka të bëjë me jetën frymërore dhe tjetra me atë fizike. Së pari, Aguri donte që jeta e tij të ishte e denjë dhe e ndershme. Ai nuk donte që të harxhohej në gjëra të kota. Ai nuk donte të kryesonte mbi pakicën dhe nuk donte të mashtronte të tjerët, apo të mashtrohej prej tyre. Për sa i përket jetës fizike, ai kërkoi të çlirohej nga ekstremet e varfërisë dhe të pasurisë. Ai do të ishte i kënaqur me sigurimin e nevojave të Tij të përditshme. Ai në fakt po thoshte: “Më jep sot bukën time të përditshme”. Ai jep disa arsye për të shmangur dy ekstremet e begatisë dhe të varfërisë. Nëse ai ishte i ngopur, ai mund të bëhej i pavarur nga Zoti dhe ta mohonte Atë,duke mos ndier ndonjë nevojë të madhe për Të. Ai mund të bëhej i guximshëm që të thoshte: “Kush është Zoti?” – pra, kush është Ai që duhet t’i kthej sytë nga Ai për atë që kam nevojë apo dua? Rreziku i varfërisë mund të ishte se mund të vidhte dhe pastaj, për ta mbuluar, do të mohonte me betim atë që kishte bërë. 30:10 Duke u shfaqur si një kalim i menjëhershëm, Aguri paralajmëron kundër shpifjes së shërbëtorit para të zotit. Dënimi do të ishte se mallkimi që shpallte kundër teje do të kalonte, sepse Perëndia është Mbrojtësi i të shtypurit. DhR na paralajmëron kundër gjykimit të shërbëtorëve të Zotit; ata qëndrojnë apo bien për Zotërinë e tyre (Rom. 14:4). 30:11Kategoria e njerëzve e përshkruar këtu ngjan shumë me kategorinë e sotme të njerëzve dhe me atë që do të ekzistojë ditët e fundit (2 Tim. 3:1-7). Vini re cilësitë e mëposhtme: Mosmirënjohës ndaj prindërve. Ata mallkojnë atin dhe nuk tregojnë mirënjohje ndaj nënës së tyre, duke shkelur Urdhërimin e Pestë. Armiqësia e të rinjve ndaj prindërve të tyre është një ndër karakteristikat më kryesore të shoqërisë sonë të rënë. 30:12Shpallja e vetes e drejtë. Këta njerëz janë të përbuzur dhe të papastër, megjithatë nuk e kanë ndjenjën e turpit. Nga ana e jashtme ata shfaqen si varre të bardha, por brenda janë plot me kocka njerëzish të vdekur. 30:13Krenaria dhe arroganca. Ata i ngjajnë rabinit Simeon Ben Jochai që tha: “Nëse ka dy njerëz të drejtë në botë, unë dhe biri im janë ata të dy. Nëse është vetëm një, jam unë ai”. 30:14Shtypësit e egër. Në lakminë e tyre të pashtershme për pasuri ata rrjepin, çajnë dhe gëlltitin të varfrit me anë të orëve të zgjatura të punës, rrogave të ulta, kushteve të mjerueshme të punës dhe formave të tjera të padrejtësisë shoqërore. 30:15,16 Lakmia e shtypësve në vargun e mëparshëm çon në shembujt e tjerë të dëshirave që nuk plotësohen kurrë. 1. Shushunja apo gjakpirësi (shënimet anësore të ASV) paraqitet sikur të kishte dy bija që kanë një aftësi të pafund për të thithur gjak. Që të dyja thonë “Më jep”. 2. Sheoli nuk thotë kurrë “Jam me pushime”. Vdekja nuk shkon kurrë me pushime dhe varri asnjëherë nuk lë pa mirëpritur viktimat e tij. 3. Barku shterp nuk kërkon ta pranojë kurrë shterpësinë e tij, por shpreson vazhdimisht të sjellë një fëmijë në jetë. 4. Toka që nuk ngopet me ujë, pavarësisht se sa shi bie. Ajo gjithmonë thith më tepër. 5. Zjarri që nuk thotë kurrë: “Mjaft!”. Ai përpin aq lëndë djegëse sa mund t’i hedhë një njeri. Shprehja “Ka tri gjëra…, madje katër…” është një formulë e fjalëpërfjalshme e përdorur për të formuar një ndjenjë pike kulmore. Granti tregon se katër është numri i plotësisë së tokës apo gjithësisë (ashtu si katër cepat e tokës) apo i krijesës në dallim me Krijuesin [43]. 30:17 Kjo fjalë e urtë duket se është e veçuar nga pjesa tjetër, edhe pse është e ngjashme me vargun 11. Ai mëson se një bir që tallet me babanë dhe nuk i bindet nënës do të pësojë një vdekje të dhunshme dhe do t’i mohohet një varrosje e denjë. Për mendjen judaike ishte një tragjedi dhe një fatkeqësi e madhe për një kufomë të ngelej pa varrosur. Fati i birit kokëfortë është që kockat e tij të shqyhen nga korbat. 30:18,19 Aguri rendit katër gjëra që nuk i merrte vesh. Ndërsa i studiojmë ato, kemi një dyshim të mjegullt se ka një analogji frymërore brenda sipërfaqes. Por cila është ajo analogji dhe cili është filli i zakonshëm që i lidh të bashku? Shumë komentarë hedhin idenë se këto katër gjëra nuk lënë gjurmë pas. Kjo duket se miratohet nga mënyra se si gruaja që shkel kurorën në vargun 20 është e aftë të fshehë fajin e saj. Kidneri thotë se emëruesi i përbashkët është “mjeshtëria e lehtë, me anë të agjentit të përshtatshëm, të elementeve të vështira për t’u marrë vesh si ajri, shkëmbi, deti – dhe gruaja e re” [44]. 1. Gjurma e shqiponjës në ajër. Këtu përballemi me mrekullinë e fluturimit. Hijeshia dhe shpejtësia e shqiponjës janë proverbiale. 2. Gjurma e gjarprit mbi shkëmb. Habia këtu është lëvizja e një zvarraniku pa përdorur këmbët, krahët apo flatrat. 3. Gjurma e anijes në mes të detit. Është e mundur që “anija” këtu të mund të jetë një emër poetik për peshkun (shikoni gjithashtu Psa. 104:26) dhe që Aguri po mrekullohet me finesën lundruese të jetës detare. 4. Gjurma e burrit me një vajzë. Shpjegimi më i thjeshtë i kësaj shprehjeje i referohet instinktit të të shkuarit rrotull një gruaje. Disa, megjithatë, e shohin këtë në një pikëvështrim më të ngushtë dhe ia zbatojnë këtë joshjes së një virgjëreshe. 30:20 Një habi e pestë, në pamje të parë e paraqitur në një mënyrë të mirë, është rruga se si gruaja që ka shkelur kurorën mund të kënaqë epshin e saj, pastaj të fshijë gojën dhe të hiqet se është plotësisht e pafajshme. 30:21-23 Tani renditen katër gjëra të padurueshme; ato janë gjërat që e turbullojnë tokën. 1. Një shërbëtor kur bëhet mbret. Ai bëhet arrogant dhe i padurueshëm, i dehur nga pozicioni i tij i ri. 2. Një budalla që ka bukë me bollëk. Begatia e tij bën që të jetë i pacipë më tepër se më parë. 3. Një grua të urryer që më në fund ia del të gjejë burrë. Personaliteti i saj i lig mund ta kishte lënë beqare, por për fat ajo gjen burrë. Pastaj ajo bëhet e pushtetshme dhe arrogante, duke tallur ata që janë të pamartuar. 4. Një shërbëtore që i zë vendin zonjës. Ajo nuk di se si të sillet me delikatesë dhe hir, por është e ashpër, e vrazhdë dhe vulgare. 30:24 Tani Aguri kthehet te katër kafshë të vogla,që janë të urta, pavarësisht nga raporti i përmasave të tyre. 30:25 1. Mizat e dheut janë krijesa të vogla dhe në dukje pa forcë, megjithatë ato e përfshijnë në punë veten e tyre gjatë muajve të verës. Shumë prej milingonave të zakonshme nuk sigurojnë ushqim për dimër, sepse, sipas Librit të Botës [një enciklopedi me 22 vëllime], “Milingonat mblidhen bashkë dhe e kalojnë dimrin duke fjetur brenda foleve të tyre”. Milingona punëtore është një përjashtim, sepse mbledh ushqim në stinët e ngrohta dhe të thata për përdorim të mëvonshëm gjatë kohëve të ftohta. Theksi në këtë tekst, megjithatë, është në veprimtarinë punuese të milingonave që përgatisin ushqimin e tyre. 30:26 2. Lepujt janë popull i dobët nga ana natyrore, megjithatë ata kanë diturinë që të gjejnë mbrojtje në shkëmbinj (lepujt, gjithashtu të njohur si “hiraks”, nuk duhet të ngatërrohen me lepujt e zakonshëm, që janë luftëtarë të mirë). Shkëmbinjtë e plasaritur janë mbrojtja më e mirë. Zbatimi frymëror gjendet tek himni: “Shkëmbi i kohërave, hapu ti”. 30:27 3. Karkalecat, që nuk kanë drejtues të dukshëm, por rregulli sipas të cilit shkojnë mbarë është për t’u lavdëruar. 30:28 4. Hardhuca apo hardhja (NASB) është e vogël, megjithatë ia del mbanë të futet në pallatet e mbretërve. Futja e saj në vende të pazakonta dhe të rëndësishme zakonisht dyfishohet nga të krishterët sot. Perëndia nuk e lë Veten pa dëshmitarë, madje edhe në oborret e mbretërive. 30:29-31 Seria përfundimtare ka të bëjë me katër shembuj lëvizjeje mahnitëse, madhështore apo e hirshme. 1. Luani, mbreti i kafshëve, është madhështor dhe askush nuk mund t’i dalë përpara kur ecën. 2. Ka një pasiguri të madhe rreth shembullit të dytë. Mund të jetë këndesi i krekosur (NIV), kali i luftës (shënimet anësore të JND) apo langoi. Të tërë këta i përshtaten përshkrimit të dinjitetit më të lartë, por mbase langoi i hirshëmështë zgjedhja më e mirë. 3. Cjapi është një figurë e drejtimit fisnik ndërsa ecën me hapa të mëdha në krye të kopesë. 4. Ka gjithashtu disa dyshime rreth shembullit të katërt, nëse duhet të lexohet “një mbret, kundër të cilit nuk mund të ngresh krye” (KJV), “një mbret që marshon para popullit të tij” (RSV), apo “mbreti kur është me ushtrinë e tij” (NKJV). Sido që të jetë, çështja është e qartë se mbreti marshon me dinjitet mbretëror. 30:32,33 Kapitulli mbyllet me dy vargje që duken çuditërisht të palidhura me atë që është thënë më parë. Uilliamsi (Williams) i parafrazon këto vargje në këtë mënyrë: Nëse njeriu i dobët në marrëzinë e tij e ka ngritur veten kundër Perëndisë, apo ka pasur mendime të këqija kundër Tij, le ta dëgjojë zërin e diturisë dhe të vërë duart në gojën e tij; sepse, përndryshe, do të ketë pasoja, ashtu siç është e sigurt se ka pasoja kur rrihet qumështi, kur përdridhet hunda, apo kur shtrydhet mëria [45].