A. Shenja e katërt: Të ushqyerit e të pesë mijëve (6:1-15)
6:1 Shprehja pas këtyre gjërave do të thotë se kishte kaluar një farë kohe që prej ngjarjeve që ndodhën në kapitullin e pestë. Sesa kohë kishte kaluar ne nuk e dimë, por dimë që Jezusi kishte kaluar nga një zonë përreth Jerusalemit deri në Detin e Galilesë. Kur thuhet që Ai kaloi detin, ndoshta është mendimi se Ai kaloi nga bregu veriperëndimor në anën verilindore. Deti i Galilesë njihej si Deti i Tiberiadës, sepse qyteti i Tiberiadës ndodhej në anën e tij perëndimore. Ky qytet, kryeqyteti i provincës së Galilesë, ishte emëruar sipas Perandorit Romak Tiberiusit.
6:2, 3 Një turmë e madhe njerëzish e ndiqte Atë, jo se besonin në Të si Biri i Perëndisë, por për më tepër sepse panë mrekullitë që Ai kishte bërë mbi të lënguarit. Një besim i bazuar në mrekulli nuk është aq i kënaqshëm për Perëndinë sesa një besim i bazuar vetëm në Fjalën e Tij. Fjala e Perëndisë nuk duhet të kërkojë mrekulli për t’u vërtetuar. Gjithçka që Perëndia thotë është e vërtetë. Nuk ka mundësi që të jetë e rreme. Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për çdo njeri. Përkthimi fjalë për fjalë i vargut 3 është “dhe Jezusi u ngjit mbi malin,” por kjo gjë ndoshta do të nënkuptojë gjithë zonën malore (ose kodrinore) përreth Detit.
6:4 Nuk është e qartë përse Gjoni përmendi faktin që Pashka ishte afër. Disa sugjerojnë që Zoti Jezus ishte duke menduar për Pashkën kur dha mesazhin e Tij të mrekullueshëm mbi Bukën e vërtetë të Jetës. Ai nuk kishte shkuar në Jerusalem për Pashkën. Gjoni foli për Pashkën si një festë e Judenjve. Sigurisht që kjo festë ishte vendosur nga Perëndia në DhV. Ai ua kishte dhënë Judenjve dhe në atë kuptim ajo ishte festë e Judenjve. Por shprehja një festë e Judenjve mund të nënkuptojë gjithashtu që Perëndia nuk e njihte më si festë të Tij, sepse Judenjtë e festonin thjesht si një rit fetar pa një interes të vërtetë në zemër. Ajo kishte humbur domethënien e saj dhe nuk ishte më festë e Jehovait.
6:5Jezusi nuk u mërzit kur pa turmën e madhe, duke mos menduar se ata do ta shqetësonin përgjatë kohës që do të kalonte me dishepujt. Mendimi i parë i Tij ishte t’u siguronte diçka për të ngrënë. Dhe kështu iu kthye Filipit dhe e pyeti se ku mund të gjendej bukë për të ushqyer turmën. Kur Jezusi bënte një pyetje nuk kishte si qëllim të shtonte njohurinë e Tij, por për të mësuar të tjerët. Ai e dinte përgjigjen kurse Filipi jo.
6:6 Zoti do t’i mësonte Filipit një mësim shumë të vlefshëm dhe do të provonte besimin e tij. Jezusi vetë e dinte që Ai do të kryente një mrekulli për të ushqyer këtë turmë të madhe njerëzish. Por a e kishte kuptuar Filipi se Ai ishte në gjendje ta bënte këtë gjë? A ishte besimi i Filipit i madh apo i vogël?
6:7 Me sa duket besimi i Filipit nuk arrinte tepër lart. Ai bëri disa përllogaritje të shpejta dhe vendosi që dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin as për pak vetë. Ne nuk e dimë me saktësi se sa bukë mund të blihej me dyqind denarë në ato ditë, por duhet të kishte qenë shumë sepse një denar ishte paga ditore e një punëtori
6:8, 9Andrea ishte vëllai i Simon Pjetrit. Ata jetonin në afërsi të Betsaidës, përgjatë bregut të Detit të Galilesë. Edhe Andrea ishte i sigurt që një turmë e tillë nuk mund të ushqehej. Ai vuri re një djalë të vogël me dy peshq të vegjël dhe me pesë bukë elbi, por e ndjeu se këto do të ishin të padobishme për të shuar urinë e aq shumë njerëzve. Ky djalosh nuk kishte shumë, por ai ishte i gatshëm ta vinte atë në dispozicion të Zotit Jezus. Si rezultat i mirësisë së tij, kjo histori u shënua në secilin prej të katër Ungjijve. Ai nuk bëri shumë, por “ajo që konsiderohet pak është shumë nëse Perëndia është në të,” dhe ai është bërë i famshëm në gjithë botën.
6:10 Duke i ulur njerëzit, Zoti Jezus siguroi rehatinë e tyre. Vini re që Ai zgjodhi një vend ku kishte shumë bar. Ishte e pazakontë të gjeje një vend të tillë në atë zonë, por Zoti u kujdes që turma të hante në një vend të pastër dhe të këndshëm.
Është shënuar që atje ndodheshin pesë mijë burra (Greqisht: “meshkuj”). Kjo do të thotë që atje kishte edhe gra dhe fëmijë të tjerë përveç pesë mijëshes së burrave. Përmendja e numrit pesë mijë është bërë për të treguar çfarë mrekulli e madhe ishte gati për të ndodhur.
6:11 Jezusi mori bukën dhe falënderoi për ta. Nëse Ai e bëri këtë gjë përpara se të merrte pjesë në ushqim apo përpara se t’ua shpërndante të tjerëve, sa më shumë duhet të pushojmë ne për të falënderuar Perëndinë përpara se të hamë. Më pas Ai e shpërndau ushqimin te dishepujt. Ka një mësim të vërtetë për ne këtu. Zoti Jezus nuk e bëri gjithçka Vetë. Ai vlerësoi shërbesën e të tjerëve. Është thënë mirë, “Ju do të bëni atë që ju mund të bëni; unë do të bëj atë që unë mund të bëj; dhe Zoti do të bëjë atë që ne nuk mund të bëjmë.”
Në kohën që Zoti ua shpërndante bukën dishepujve, ajo shumohej në një mënyrë të mrekullueshme. Nuk është shënuar momenti i saktë se kur ndodhi kjo mrekulli, por ne dimë që ato pesë bukë dhe dy peshq u bënë të mjaftueshme në duart e Zotit për të ushqyer këtë turmë të madhe. Dishepujt lëviznin duke shpërndarë bukën dhe peshqit tek ata që rrinin ulur. Nuk kishte pakicë ushqimi sepse thuhet qartë se ata u dhanë atyre peshq aq sa deshën.
Griffith Thomas na kujton se në këtë histori ne kemi një pikturë të mrekullueshme të:
(a) botës në humbje; (b) dishepujve të pafuqishëm: (c) Shpëtimtarit të përsosur. Kjo mrekulli përfshiu një akt të vërtetë krijimi. Asnjë njeri i thjeshtë nuk mund të marrë pesë bukë dhe dy peshq të vegjël dhe t’i shpërndajë ato në një mënyrë të tillë duke ushqyer aq shumë njerëz sa këta. Është thënë mirë, “Ishte kohë pranvere kur Ai bekoi bukën, ishte kohë e korrjes kur Ai e theu. Dhe është gjithashtu e vërtetë, “Bukët e pabekuara janë bukë të pashumuara.” {{19}}
6:12 Kjo është një prekje e veçantë. Nëse Jezusi do të kishte qenë një njeri i thjeshtë, Ai kurrë nuk do të ishte shqetësuar për të menduar për copat e mbetura. Çdo njeri që mund të ushqejë pesë mijë njerëz nuk shqetësohet për thërrimet e mbetura! Por Jezusi është Perëndi dhe me Perëndinë nuk duhet të ketë hedhje poshtë të dorëgjerësisë së Tij. Ai nuk do që ne të shpërdorojmë gjërat e çmuara që Ai na ka dhënë, dhe Ai kujdeset për të udhëzuar që gjërat e copëzuara që mbetën duhet të mblidheshin me qëllim që asgjë të mos shkonte dëm.
Shumë njerëz përpiqen të shpjegojnë këtë mrekulli. Ata thonë se turma e pa djalin e vogël duke ia dhënë bukën dhe peshqit Jezusit dhe duke mos dashur të ishin egoistë, nxorën drekën e tyre dhe e ndanë me njëri tjetrin. Kështu kishte ushqim për të tërë. Por shpjegime të tilla nuk përputhen me faktet, siç do të shohim në vargjet e tjera.
6:13 Dymbëdhjetë shporta me bukë u mblodhën pasi njerëzit kishin mbaruar së ngrëni. Do të ishte një pamundësi të mblidhej kaq shumë bukë, nëse njerëzit do të kishin ngrënë nga dreka e tyre. Shpjegimet që njerëzit japin janë qesharake. Ka vetëm një përfundim dhe ai është se këtu kishte ndodhur një mrekulli.
6:14 Vetë njerëzit e pohuan se ishte një mrekulli. Ata nuk do të kishin thënë një gjë të tillë nëse do të kishin ngrënë ushqimin e tyre. Në fakt, ata ishin aq të bindur se kjo ishte një mrekulli saqë dëshironin të shpallnin se Jezusi ishte profeti që duhet të vinte në botë. Ata e dinin nga DhV që një profet do të vinte dhe po prisnin që ai t’i çlironte nga Perandoria Romake. Ata prisnin për një monarki tokësore. Por besimi i tyre nuk ishte i vërtetë. Ata nuk dëshironin të pranonin se Jezusi ishte Biri i Perëndisë ose të rrëfenin mëkatet e tyre dhe ta pranonin Atë si Shpëtimtarin.
6:15 Si rezultat i mrekullisë njerëzit donin ta bënin Jezusin mbret. Përsëri, nëse Jezusi ishte thjesht një njeri, pa dyshim që do t’i ishte nënshtruar kërkesës së tyre. Njerëzit mezi presin t’u ofrohet një vend parësor dhe të lartësohen në sy të të tjerëve. Por Jezusi nuk lëkundej nga oferta të tilla të kota dhe krenare. Ai kuptoi se kishte ardhur në botë si një Zëvendës për mëkatarët. Ai nuk do të bënte asgjë që do ta largonte nga ky objektiv. Ai nuk do t’i ngjitej fronit derisa t’i ishte ngjitur altarit të sakrificës. Ai duhet të vuante, të derdhte gjak dhe të vdiste përpara se të lartësohej.
F. B. Meyer shkruan:
Siç ka thënë St. Bernard, Ai gjithmonë ia mbathte kur ata dëshironin ta bënin mbret, dhe shfaqej kur ata dëshironin ta kryqëzonin. Duke pasur këtë gjë të qartë në mendje, le të mos hezitojmë të adoptojmë veprat fisnike të Itait, Giteut: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti im, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur apo për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt” (2 Sam 15:21). Dhe Ai do t’i përgjigjet me patjetër, ashtu siç bëri Davidi me një të arratisur tjetër që erdhi të bashkohej me kauzën e tij: “Bano me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetë time kërkon edhe tënden, por me mua do të jesh i sigurt.” {{20}}
B. Shenja e pestë: Jezusi ecë mbi ujë dhe shpëton dishepujt e Tij (6:16-21)
6:16, 17 Ishte mbrëmje. Jezusi kishte shkuar vetë në mal. Turma pa dyshim që u kthye në shtëpitë e tyre, duke i lënë dishepujt vetëm. Dhe kështu dishepujt vendosën të zbrisnin drejt detit dhe të përgatiteshin për udhëtimin e tyre përmes Detit të Galilesë.
Kur ata shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit, ishte errët. Jezusi nuk ishte me ta. Ku ishte Ai? Ai ishte lart në mal duke u lutur. Ç’pikturë e ndjekësve të Jezusit. Ata janë në detin e stuhishëm të jetës. Është errët. Zoti Jezus nuk shihet gjëkundi. Por kjo nuk do të thotë se Ai nuk është në dijeni të asaj që ndodh. Ai është në qiell duke u lutur për ata që do.
6:18 Deti i Galilesë karakterizohet nga stuhi të papritura dhe të egra. Erërat zbresin nga Lugina e Jordanit me një shpejtësi të madhe. Kur godasin Detin e Galilesë, ato shkaktojnë dallgë shumë të larta. Nuk është e sigurt për barka të vogla të lundrojnë në det në kohëra të tilla.
6:19 Dishepujt kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade. Nga pikëpamja njerëzore ata ishin në një rrezik shumë të madh. Në momentin e duhur ata panë Jezusin duke ecur mbi detdhe duke iu afruar barkës. Këtu kemi një mrekulli tjetër. Biri i Perëndisë ishte duke ecur në ujërat e Detit të Galilesë. Dishepujt kishin frikë sepse nuk e kuptuan plotësisht se kush ishte ky Person i mrekullueshëm.
Vini re sa thjesht është treguar kjo histori. Ne na janë treguar faktet më të mrekullueshme, por Gjoni nuk ka përdorur fjalë të mëdha për të na habitur me madhështinë e asaj që po ndodhte. Ai ka përdorur një kufizim të mrekullueshëm për të treguar të gjitha faktet.
6:20 Më pas Jezusi foli fjalë të mrekullueshme ngushëllimi. “Jam unë, mos druani.” Nëse Ai do të ishte vetëm një njeri, ata duhet të kishin frikë. Por Ai është Krijuesi i madh dhe Mbështetësi i gjithë universit. Më Një të tillë pranë, nuk ka arsye për frikë. Ai që krijoi Detin e Galilesë, mund të bënte që ujërat e tij të qetësoheshin dhe t’i nxirrte dishepujt e Tij të frikësuar shëndoshë e mirë në breg. Fjalët “Jam unë” janë fjalë për fjalë “UNË JAM.” Deri tani kjo është hera e dytë në Ungjillin e Gjonit kur Jezusi përdor këtë emër të Jehovait për të paraqitur Vetveten.
6:21 Kur kuptuan se ishte Zoti Jezus, ata e mirëpritën në barkën e tyre.Menjëherë u gjetën në vendin e mbërritjes. Këtu është thënë një mrekulli tjetër, por nuk është shpjeguar. Atyre nuk u duhej të vozisnin më. Zoti Jezus i nxori ata në tokë të thatë menjëherë. Çfarë Personi i mrekullueshëm që është !
C. Njerëzit kërkojnë një shenjë (6:22-34)
6:22 Kjo është një ditë pas asaj kur u ushqyen pesë mijë veta. Turma e njerëzve ishte ende në zonën verilindore të Detit të Galilesë. Ata i kishin parë dishepujt kur hipën në barkë një natë më parë dhe e dinin që Jezusi nuk kishte shkuar me ta. Në atë kohë vetëm një barkë kishte qenë e mundshme dhe dishepujt e patën marrë atë.
6:23 Ditën tjetër, barka të tjera kishin ardhur nga Tiberiada, afër vendit ku Zoti Jezus kishte ushqyer turmën. Por Zoti nuk mund të ishte nisur me një prej këtyre barkave, pasi ato sapo kishin mbërritur. Por siç është shkruar në vargjet e mëposhtme, turma duhet të kishte mbërritur në Kapernaum me këto barka të vogla.
6:24 Njerëzit e kishin vëzhguar Jezusin me shumë kujdes. Ata e dinin që Ai ishte ngjitur në mal për t’u lutur. Ata e dinin që Ai nuk kishte hipur në barkë me dishepujt për të kaluar liqenin. E përsëri ditën tjetër, Ai nuk gjendej. Ata vendosën të kalonin detin për në Kapernaum, ku kishte të ngjarë të ishin dishepujt. Ata nuk mund ta kuptonin si kishte mbërritur atje Jezusi, por vendosën të shkonin dhe ta kërkonin.
6:25, 26 Kur mbërritën në Kapernaum, e gjetën Jezusin aty. Ata nuk mund ta mbanin të fshehur kureshtjen e tyre dhe e pyetën Jezusin se kur kishte mbërritur.
Jezusi iu përgjigj pyetjes së tyre në mënyrë indirekte. Ai e dinte se ata nuk e kërkonin për atë se Kush Ai ishte, por për ushqimin që u kishte dhënë. Ata e kishin parë Atë duke kryer një mrekulli ditën e mëparshme. Kjo gjë duhet t’i kishte bindur ata se Ai ishte Krijuesi dhe Mesia. Por interesi i tyre ishte vetëm për ushqimin. Ata kishin ngrënë ngabukët e mrekullueshme dhe uria e tyre ishte shuar.
6:27 Kështu Jezusi së pari i këshilloi ata të mospunonin për ushqimin që prishej. Zoti nuk nënkuptoi se ata nuk duhet të punonin për të siguruar bukën e përditshme, por Ai tha se kjo gjë nuk duhet të ishte gjëja kryesore në jetën e tyre. Plotësimi i orekseve fizike nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Njeriu nuk është i përbërë vetëm nga trupi, por edhe nga fryma dhe shpirti. Ne duhet të punojmë përushqimin që mbetet për jetë të përjetshme. Njeriu nuk duhet të jetojë sikur trupi i tij të ishte gjithçka. Ai nuk duhet t’i kushtojë gjithë forcat dhe talentet e tij për të ushqyer trupin e tij i cili së shpejti do të jetë ushqim për krimbat. Për më tepër, ai duhet të jetë i sigurt që shpirti i tij ushqehet përditë me Fjalën e Perëndisë. “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.” Ne duhet të punojmë pa pushim për të kërkuar një njohuri më të mirë rreth Fjalës së Perëndisë.
Kur Zoti Jezus tha që Perëndia Ati vuri vulën e Tij mbi Të, Ai nënkuptoi se Perëndia e kishte dërguar dhe e kishte miratuar. Kur ne vulosim diçka, do të thotë se ne premtojmë që është e vërtetë. Perëndia e vulosi Birin e Njeriut në kuptimin që Ai e vërtetoi se Jezusi fliste të vërtetën.
6:28 Njerëzit tani e pyetën Zotin se çfarë duhet të bënin për të kryer veprat e Perëndisë. Njeriu gjithmonë përpiqet për të fituar rrugën e tij për në qiell. Atij i pëlqen të ndiejë që ka diçka që ai mund të bëjë për të fituar shpëtimin. Nëse ai në një farë mënyre mund të kontribojë për të shpëtuar shpirtin e tij, atëherë ai ka gjetur një sferë ku mund të mburret dhe kjo gjë i sjell atij një kënaqësi të madhe.
6:29 Jezusi e pa hipokrizinë e tyre. Ata pretendonin se dëshironin të punonin për Perëndinë dhe përsëri nuk donin të kishin të bënin me Birin e Perëndisë. Jezusi i tha atyre se gjëja e parë që duhet të bënin ishte të pranonin Atë që Perëndia kishte dërguar. Kështu është edhe sot. Shumë njerëz kërkojnë të fitojnë udhën e tyre për në qiell duke bërë vepra të mira. Por përpara se të bëjnë ndonjë vepër të mirë, ata duhet të besojnë në Zotin Jezus Krisht. Veprat e mira nuk e paraprijnë shpëtimin; ato e pasojnë atë. E vetmja vepër e mirë që një mëkatar mund të bëjë është që të rrëfejë mëkatet e tij dhe ta pranojë Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar.
6:30 Ky varg ishte një provë e mëtejshme mbi ligësinë e zemrave të njerëzve. Një ditë më parë ata kishin parë Zotin Jezus duke ushqyer pesë mijë njerëz me pesë bukë dhe dy peshq. Dhe pikërisht një ditë më pas, ata erdhën tek Ai dhe i kërkuan ndonjë shenjë që do të provonte se Ai ishte Biri i Perëndisë. Si shumica e jobesimtarëve, ata dëshironin të shikonin në fillim dhe më pas të besonin. “Që ne ta shohim dhe ta besojmë.” Por kjo nuk është renditja e Perëndisë. Perëndia i thotë mëkatarit, “Nëse beson do të shohësh.” Besimi duhet të jetë gjithmonë i pari.
6:31 Duke iu kthyer DhV, Judenjtë i kujtuan Zotit mrekullinë e manës në shkretëtirë {{21}}. Ata duket sikur po thoshin se Jezusi nuk kishte bërë kurrë një mrekulli aq të madhe sa ajo. Ata i cituan Psalmin 78:24, 25 ku thuhet, “Ai u dha të hanë bukë nga qielli.” Ata nënkuptuan se Moisiu bëri të zbriste bukë nga qielli; Zoti nuk ishte aq i madh sa Moisiu, sepse Ai vetëm sa kishte shumëfishuar bukën që ekzistonte!
6:32 Përgjigjja e Zotit përmban të paktën dy mendime. Para së gjithash, nuk ishte Moisiu që u dha mana, por Perëndia. Për më tepër, mana nuk ishte buka e vërtetë frymërore nga qielli. Mana ishte një ushqim në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, i dhënë për trupin fizik, por nuk kishte vlerë përtej kësaj jete. Zoti Jezus ishte duke folur këtu për bukën e vërtetë ideale që Perëndia e jep nga qielli. Ajo është buka për shpirtin dhe jo për trupin. Fjalët Ati im janë një shpallje e hyjnisë nga ana e Krishtit.
6:33 Zoti Jezus e zbuloi vetveten si buka e Perëndisëqë zbret nga qielli dhe që jep jetë. Ai po tregonte se sa më lart ishte buka e Perëndisë në krahasim me manën në shkretëtirë. Mana nuk kishte jetë në vetvete, por siguronte vetëm jetë fizike. Ajo nuk ishte për të gjithë botën, por vetëm për Izraelin. Buka e vërtetë zbret nga qielli dhe i jep jetë njerëzve – jo vetëm një kombi, por gjithë botës.
6:34 Judenjtë akoma nuk kuptonin që Zoti Jezus po fliste për Veten si buka e vërtetë, dhe kështu i kërkuan bukë. Ata ende ishin duke menduar në terma të bukës së përditshme. Fatkeqësisht në zemrat e tyre nuk kishte besim të vërtetë.
D. Jezusi, Buka e Jetës (6:35-65)
6:35 Tani Jezusi shpall të vërtetën thjesht dhe qartë. Ai është buka e jetës. Ata që vijnë te Ai gjejnë mjaftueshëm në Të për të kënaqur urinë e tyre frymërore përgjithmonë. Ata që besojnë në Të gjejnë shuarje për etjen e tyre. Vini re fjalët Unë jam në këtë varg dhe kuptoni që Zoti po barazonte veten me Jehovah. Do të ishte marrëzi për një mëkatar të shpallte fjalët e vargut 35. Asnjë njeri nuk mund të shuajë urinë dhe etjen e tij dhe aq më pak të shuajë urinë dhe etjen frymërore të një bote të tërë!
6:36 Në vargun 30, mosbesuesit Judenj i kërkuan Zotit një mrekulli me qëllim që të shihnin dhe të besonin. Këtu Jezusi tha se Ai tashmë u kishte thënë atyre se kishin parë Atë – shenjën më të madhe që mund të ekzistonte – dhe përsëri ata nuk besuan. Nëse Biri i Perëndisë qëndronte para tyre dhe ata nuk e njohën, atëherë çfarëdo shenjë që të bënte Ai nuk do të mund t’i bindte.
6:37 Zoti nuk u dekurajua nga mosbesimi i Judenjve. Ai e dinte që të gjitha planet dhe qëllimet e Atit do të plotësoheshin. Edhe Judenjtë me të cilët Ai po fliste, nuk do ta pranonin, Ai e dinte që ata që ishin zgjedhur nga Perëndia do të vinin te Ai. Ashtu si Pink shkruan, “Realizimi i pathyeshmërisë së këshillave të përjetshme të Perëndisë jep një qetësi, një kurajo dhe një këmbëngulje që nuk mund ta japë asgjë tjetër.”
Ky varg është shumë i rëndësishëm sepse thotë me pak fjalë dy nga mësimet më të rëndësishme të Biblës. I pari është që Perëndia i ka dhënë Krishtit njerëz të caktuar dhe të gjithë ata që Ai i ka dhënë do të shpëtohen. I dyti është mësimi i përgjegjësisë së vet njeriut. Që të shpëtohet një njeri duhet të vijë te Zoti Jezus dhe ta pranojë Atë me besim. Perëndia zgjedh disa njerëz për të qenë të shpëtuar, por Bibla nuk mëson kurrë që Ai zgjedh disa për të qenë të dënuar. Nëse dikush shpëtohet, kjo është për shkakun e hirit falas të Perëndisë. Por nëse dikush humbet përgjithmonë, kjo është për shkak të gabimit të tij. Të gjithë njerëzit janë të dënuar për shkak të mëkatshmërisë dhe ligësisë së tyre. Nëse të gjithë njerëzit do të shkonin në ferr, ata do të merrnin atë që meritonin. Në hir, Perëndia përkulet dhe shpëton individë nga masa e madhe e njerëzimit. A ka Ai të drejtë për të bërë një gjë të tillë? Sigurisht që po. Perëndia mund të bëjë ç’të dojë dhe asnjë njeri nuk mund t’ia mohojë të drejtën. Ne e dimë që Perëndia nuk do të bëjë kurrë diçka që është e gabuar apo e padrejtë.
Por ashtu si Bibla mëson që Perëndia ka zgjedhur disa për shpëtim, ajo mëson se njeriu është përgjegjës për ta pranuar ungjillin. Perëndia bën një ofertë universale – që nëse një njeri beson në Zotin Jezus Krisht do të shpëtohet. Perëndia nuk i shpëton njerëzit kundër vullnetit të tyre. Një person duhet të vijë te Ai me pendim dhe besim. Atëherë Perëndia do ta shpëtojë. Asnjë që vjen te Perëndia me anë të Krishtit nuk do të hidhet jashtë.
Mendja njerëzore nuk mund t’i pajtojë këto dy mësime. Megjithatë, ne duhet t’i besojmë edhe pse nuk i kuptojmë. Ato janë mësime Biblike dhe këtu janë shpallur qartë.
6:38 Në vargun 37, Zoti Jezus tha që çdo gjë e planit të Perëndisë në lidhje me shpëtimin e atyre që i janë dhënë Atij, do të plotësohet. Përderisa ky ishte vullneti i Perëndisë, Zoti Vetë personalisht do të kujdesej që ai të kryhej, pasi misioni i Tij ishte të bënte vullnetin e Perëndisë. “Unë kam zbritur nga qielli,” tha Jezusi, duke shpallur qartë që Ai nuk e filloi jetën e Tij në hanin e Betlehemit. Për më tepër, Ai ekzistonte nga përjetësia me Perëndinë Atë në qiell. Duke ardhur në botë, Ai ishte Biri i bindur i Perëndisë. Ai me vullnet zuri vendin e një shërbëtori me qëllim që të plotësonte vullnetin e Atit të Tij. Kjo nuk do të thotë se Ai vetë nuk kishte vullnet, por që vullneti i Tij ishte në përputhje të plotë me vullnetin e Perëndisë.
6:39 Vullneti i Atit ishte që secili që i ishte dhënë Krishtit të shpëtohej dhe të ruhej deri në ringjalljen e të drejtit, kur ata do të ngrihen dhe do të merren në shtëpi në qiell. Fjalët asnjë dhe ata i referohet besimtarëve. Këtu Ai nuk ishte duke menduar për besimtarët veç e veç, por për të gjithë trupin e të krishterëve që do të shpëtoheshin nëpër shekuj. Zoti Jezus kishte përgjegjësi të shikonte që asnjë nga anëtarët e trupit të mos humbiste, por që i gjithë trupi të ringjallej ditën e fundit.
Për sa i përket të krishterëve, dita e fundit i referohet ditës kur Zoti Jezus do të vijë në ajër, kur të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët, kur besimtarët që janë duke jetuar të shndërrohen dhe kur të gjithë do të merren për të takuar Zotin në ajër, për të qenë gjithmonë me Të. Për Judenjtë, ajo ishte ardhja e lavdishme e Mesias.
6:40 Zoti tani vazhdoi të shpjegonte se si një person bëhet një anëtar i familjes së të shpenguarve. Vullneti i Perëndisë është që kushdo që sheh Birin dhe beson në Të, të ketë jetë të përjetshme. Të shohëshBirin këtu nuk do të thotë ta shohësh Atë me sytë fizikë, por me sytë e besimit. Një njeri duhet të shohë ose të kuptojë që Jezus Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Më pas ai duhet të besojë në Të. Kjo do të thotë se me anë të një veprimi të vendosur besimi ai duhet ta pranojë Zotin Jezus si Shpëtimtarin e tij personal. Të gjithë ata që bëjnë këtë marrin jetë të përjetshme si një zotërim i tanishëm dhe marrin gjithashtu sigurinë se një ditë do të ringjallen.
6:41 Njerëzit nuk ishin të përgatitur për ta pranuar Zotin Jezus, dhe këtë e treguan me murmuritjet e tyre kundër Tij. Ai kishte shpallur se ishte buka që zbriti nga qielli. Ata kuptuan që kjo thënie kishte një rëndësi të madhe. Të zbresësh nga qielli, nuk do të thotë të jesh vetëm një njeri i thjeshtë ose një profet i madh. Dhe kështu ata murmuritën për Të, sepse nuk donin t’i besonin fjalët e Tij.
6:42 Ata pranonin që Jezusi ishte i biri i Jozefit. Sigurisht që ata gabonin këtu. Jezusi kishte lindur nga e Virgjëra Mari. Jozefi nuk ishte babai i Tij. Për më tepër, Zoti ynë ishte ngjizur nga Fryma e Shenjtë. Dështimi i tyre në të besuarit e një lindjeje të virgjër i drejtoi ata në errësirën dhe mosbesimin e tyre. Ata që refuzojnë ta pranojnë Zotin Jezus si Birin e Perëndisë që erdhi në këtë botë nëpërmjet barkut të një virgjëreshe, janë të prirur të mohojnë të vërtetat e mëdha në lidhje me Personin dhe veprën e Krishtit.
6:43 Megjithëse ata nuk po flisnin direkt me Të, Ai e dinte se çfarë po thoshin, dhe kështu u tha të mos murmurisnin mes tyre. Vargjet e mëposhtme shpjegojnë përse murmuritjet e tyre ishin të padobishme. Sa më shumë që Judenjtë e kundërshtonin dëshminë e Zotit Jezus, aq më të vështira bëheshin mësimet e Tij për ta. “Drita e hedhur poshtë është dritë e mohuar.” Sa më shumë që e përbuznin ungjillin, aq më e vështirë ishte që ta pranonin atë. Nëse Zoti u kishte thënë gjëra të thjeshta dhe ata nuk besonin, me gjërat e vështira që do të thoshte më tej Ai, ata do të mbeteshin plotësisht injorantë.
6:44 Njeriu në vetvete është i pashpresë. Ai as që ka fuqinë për të ardhur te Jezusi vetë. Nëse Ati nuk fillon më parë punën në zemrën dhe jetën e tij, ai kurrë nuk do të kuptojë fajin e tij të madh dhe nevojën për një Shpëtimtar. Shumë njerëz e kanë të vështirë këtë varg. Ata supozojnë se një njeri mund të ketë dëshirë për t’u shpëtuar dhe përsëri e ka të pamundur. Nuk është kështu. Por vargu mëson fuqishëm që Perëndia është i pari që vepron në jetët tona duke dashur që të na fitojë për Veten e Tij. Ne kemi zgjedhjen tonë për ta pranuar Zotin Jezus ose për ta hedhur poshtë Atë. Por ne kurrë nuk do të kishim dëshirë në zemrën tonë nëse Perëndia nuk do t’i kishte folur zemrave tona. Përsëri Zoti shtoi premtimin se Ai do ta ringjallë çdo besimtar të vërtetë në ditën e fundit. Siç e kemi parë më përpara, kjo i referohet ardhjes së Krishtit për të shenjtët e Tij, kur të vdekurit do të ringjallen dhe të gjallët do të shndërrohen. Është një ringjallje vetëm e besimtarëve.
6:45 Pasi ka thënë me terma të fuqishme që asnjë njeri nuk mund të vijë te Ai nëse Perëndia nuk e ka tërhequr, Zoti vazhdon duke shpjeguar se si Ati i tërheq njerëzit. Së pari, Ai citon nga Isaia 54:13, “Të gjithë do të jenë të mësuar.” Nuk është se Perëndia thjesht sa i zgjedh individët. Ai flet me zemrat e tyre me anë të mësimit të Fjalës së Tij të çmuar.
Atëherë përfshihet vullneti i njeriut. Ata që i përgjigjen mësimit të Fjalës së Perëndisë dhe mësojnë nga Ati, janë ata që vijnë te Krishti. Këtu përsëri ne shohim të vërtetat e mëdha mbi sovranitetin e Perëndisë dhe vullnetit të njeriut, vendosur krah për krah në Bibël. Ato na tregojnë se shpëtimi ka si anën hyjnore ashtu edhe anën njerëzore.
Kur Jezusi tha, “është shkruar në profetët,” sigurisht që Ai donte të thoshte në librat e profetëve. Ai nënkuptonte Isaian në veçanti, por mendimi i shprehur këtu gjendet në të gjithë profetët. Është me anë të mësimeve të Fjalës së Perëndisë dhe Frymës së Perëndisë që njerëzit tërhiqen te Perëndia.
6:46 Fakti që njerëzit mësohen nga Perëndia nuk do të thotë se ata e kanë parë Atë. I vetmi që e ka parë Atin është Ai që erdhi nga Perëndia, i quajtur Zoti Jezus.
Të gjithë ata që mësohen nga Perëndia janë mësuar mbi Zotin Jezus Krisht sepse mësimet e Perëndisë kanë Krishtin në vetvete si Subjektin më të madh të tyre.
6:47 Vargu 47 është një nga thëniet më të qarta dhe më të shkurtra të Fjalë së Perëndisë në lidhje me udhën e shpëtimit. Zoti Jezus tha në fjalët e Tij, fjalë që nuk mund të keqkuptohen kollaj – që kushdo që beson në Të, ka jetë të përjetshme. Vini re që Ai i dha këto fjalë të shoqëruara me thënien “Në të vërtetë, në të vërtetë.” Ky është një nga shumë vargjet e Biblës që mëson se shpëtimi nuk është me anë të veprave të mira, as me anë të zbatimit të ligjit, as me anë të anëtarësimit në një kishë, as duke iu bindur Rregullit të Artë [bëj me të tjerët ashtu siç ti dëshiron që të tjerët të bëjnë me ty], por thjesht duke besuar në Zotin Jezus Krisht.
6:48, 49 Tani Zoti Jezus thotë se Ai është buka e jetës për të cilën kishte folur. Buka e jetës do të thotë buka që u jep jetë atyre që e hanë atë. Judenjtë më parë kishin ngritur çështjen e manës në shkretëtirë dhe e nxitën Zotin për të prodhuar një ushqim po aq të mrekullueshëm. Këtu Jezusi i kujtoi ata se etërit e tyre kishin ngrënë manën e shkretëtirës dhe kishin vdekur. Me fjalë të tjera, mana ishte vetëm për këtë jetë. Ajo nuk kishte fuqi për t’u dhënë jetë të përjetshme atyre që e hanin. Nëpërmjet shprehjes, “etërit tuaj,” Zoti e largoi Veten e Tij nga njerëzimi i rënë dhe tregoi Hyjnishmërinë e Tij unike.
6:50 Në kontrast me manën, Zoti Jezus e quajti Veten buka që zbret nga qielli. Nëse dikush hante këtë bukë, ai nuk do të vdiste. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të vdiste fizikisht, por që do të kishte jetë të përjetshme në qiell. Edhe po të vdiste fizikisht, trupi i tij do të ringjallej ditën e fundit dhe ai do ta kalonte përjetësinë me Zotin.
Në këtë varg dhe në ata pasues, Zoti Jezus foli vazhdimisht për njerëzit që e hanin Atë. Çfarë donte të thoshte me anë të kësaj? A donte të thoshte Ai se njerëzit duhet ta hanë Atë në mënyrë fizike? Pa dyshim që kjo ide është e pamundur dhe e neveritshme. Megjithatë, disa mendojnë [si Kisha Katolike], që Jezusi mësoi se ne duhet ta hamë Atë në Darkën e Zotit; që në një mënyrë të mrekullueshme buka dhe vera shndërrohen në trupin dhe gjakun e Krishtit dhe që të shpëtohet, njeriu duhet të marrë pjesë në këto elemente. Por kjo nuk është ajo që Jezusi tha. Nga konteksti duket qartë që të hash Atë do të thotë të besosh në Të. Kur ne besojmë në Zotin Jezus si Shpëtimtari ynë, ne e përvetësojmë Atë me anë të besimit. Ne bëhemi pjesëtarë të përfitimeve të Personit dhe të veprës së Tij. Augustine ka thënë, “Beso dhe ke ngrënë.”
6:51 Jezusi është buka e gjallë. Ai jo vetëm që jeton në Vetvete, por jep jetë. Ata që hanë këtë bukë … do të jetojnë përjetë. Por si mund të ndodhë një gjë e tillë? Si mund t’i japë Zoti jetë të përjetshme një mëkatari? Përgjigjja gjendet në pjesën e fundit të vargut: “Buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.” Këtu Zoti po tregonte për vdekjen e Tij në kryq. Ai do të jepte jetën e Tij si një shpërblesë për lirimin e mëkatarëve. Trupi i Tij do të thyhej dhe gjaku i Tij do të derdhej si një sakrificë për mëkatet. Ai do të vdiste si një Zëvendësues. Ai do të paguante dënimin që kërkonin mëkatet tona. Dhe përse do ta bënte këtë gjë? Ai e bëri për jetën e botës. Ai nuk do të vdiste vetëm për Judenjtë apo vetëm për të zgjedhurit. Por vdekja e Tij kishte një vlerë të mjaftueshme për të gjithë botën. Kjo sigurisht që nuk do të thotë se e gjithë bota do të shpëtohet, por që vepra e Zotit Jezus në Kalvar është e mjaftueshme për të shpëtuar të gjithë botën, nëse të gjithë njerëzit do të vinin te Jezusi.
6:52 Judenjtë ende ishin duke menduar në kuptim të drejtpërdrejtë për bukën dhe mishin. Mendimet e tyre nuk ishin në gjendje të ngriheshin mbi gjërat e kësaj jete. Ata nuk kuptuan se Zoti Jezus ishte duke përdorur gjëra fizike për të mësuar të vërteta frymërore. Dhe kështu pyesnin njëri tjetrin se si ky Njeri do të jepte mishin e Tij për t’u ngrënë nga të tjerët. Një parashutë hapet vetëm pasi ti je hedhur nga avioni. Besimi paraprin shikimin dhe përgatit shpirtin tënd për të kuptuar, zemrën tënde për të besuar dhe vullnetin tënd për bindje. Të gjitha pyetjet tuaja që përmbajnë një “Si,” gjejnë përgjigje duke iu dorëzuar autoritetit të Krishtit, ashtu siç bëri Pali kur thirri, “Zot, çfarë do ti që unë të bëj?”
6:53 Edhe një herë Jezusi, duke i ditur të gjitha këto gjëra, kuptoi saktësisht se çfarë po mendonin ata. Dhe kështu i paralajmëroi solemnisht që nëse nuk hanin nga mishi i Tij dhe nëse nuk pininnga gjaku i Tij, nuk do të kishin jetënë vetvete. Kjo nuk mund t’i referohet bukës dhe verës që përdoren në Darkën e Zotit. Kur Zoti themeloi Darkën e Tij, natën në të cilën u tradhtua, trupi i tij nuk ishte thyer ende dhe gjaku i tij nuk ishte derdhur akoma. Dishepujt morën pjesë në atë darkë, por ata nuk hëngrën trupin dhe nuk pinë gjakun e Tij. Zoti Jezus ishte thjesht duke thënë se nëse ne nuk e përvetësojmë me anë të besimit vlerën e vdekjes së Tij për ne në Kalvar, ne nuk mund të shpëtohemi kurrë. Ne duhet të besojmë në Të, ta pranojmë dhe ta bëjmë Atë të vërtetë tonin.
6:54 Duke e krahasuar këtë varg e vargun 47, mund të tregohet përfundimisht që të hash mishin e Tij dhe të pish gjakun e Tij do të thotë të besosh në Të. Në vargun 47 ne lexojë që “Kush beson në Mua ka jetë të përjetshme.” Në vargun 54, ne mësojmë që kushdo që ha nga mishi i Tij dhe pi nga gjaku i Tij ka jetë të përjetshme. Tani gjërat e barabarta me të njëjtën gjë, janë të barabarta ndërmjet tyre. Të hash mishin e Tij dhe të pish gjakun e Tij do të thotë të besosh në Të. Të gjithë ata që besojnë në Të do të ringjallen në ditën e fundit. Kjo sigurisht që i referohet trupave të atyre që kanë vdekur duke besuar në Zotin Jezus.
6:55 Mishi i Zotit Jezus është me të vërtetë ushqim, dhe gjaku i Tij është me të vërtetë pije. {{22}} Kjo është në kontrast me ushqimin dhe pijen e kësaj bote që ka vetëm një vlerë të përkohshme. Vlera e vdekjes së Zotit Jezus nuk mbaron kurrë. Ata që marrin pjesë në Të me anë të besimit marrin një jetë që vazhdon përgjithmonë.
6:56 Midis Atij dhe atyre që besojnë në Të ekziston një lidhje e ngushtë. Kushdo që hamishin e Tij dhe pi nga gjaku i Tij mbetet në Të dhe Ai banon në atë person. Asgjë nuk mund të jetë më e ngushtë dhe më intime se kjo. Kur ne hamë ushqim të zakonshëm, ne e marrim atë në gjithë qenien tonë; dhe ai bëhet pjesë e jona. Kur ne e pranojmë Zotin Jezus si Shpengimtarin tonë, Ai vjen për të jetuar në jetët tona dhe ne, gjithashtu mbetemi vazhdimisht në Të.
6:57 Tani Zoti jep një ilustrim tjetër të lidhjes së ngushtë që ekziston midis Tij dhe popullit të Tij. Ilustrimi ishte lidhja e Tij me Perëndinë At. Ati i gjallëdërgoi Jezusin në botë. (Fjala Ati i gjallë do të thotë Ati që është burimi i jetës). Si një Njeri këtu në botë, Jezusi jetoi për shkak të Atit, që do të thotë për arsye të Atit. Jeta e Tij u jetua mbi një lidhje të ngushtë dhe harmonike me Perëndinë At. Perëndia ishte qendra dhe perimetri i jetës së Tij. Qëllimi i Tij ishte që të ishte vazhdimisht i lidhur me Perëndinë At. Ai ishte këtu si një Njeri në botë, dhe bota nuk e kuptoi që Ai ishte Perëndia i shfaqur në mish. Megjithëse Ai u keqkuptua nga bota, përsëri Ai dhe Ati ishin një. Ata jetuan në një marrëdhënie të ngushtë. Pikërisht kështu është edhe me besimtarët në Zotin Jezus. Ata janë këtu në botë, të keqkuptuar nga bota, të urryer dhe shpesh të persekutuar. Por për shkak se ata e kanë vendosur besimin e tyre në Zotin Jezus, ata jetojnë për shkak të Tij. Jetët e tyre janë të lidhura ngushtë me jetën e Tij dhe kjo jetë zgjat përgjithmonë.
6:58 Ky varg duket se përmbledh gjithçka që Zoti ka thënë në vargjet e mëparshme. Ai është buka që zbriti nga qielli. Ai është më i lartë se mana që etërit hëngrën në shkretëtirë. Ajo bukë kishte vetëm një vlerë të përkohshme. Ajo ishte vetëm për këtë jetë. Por Krishti është Buka e Perëndisë që u jep jetë të përjetshme të gjithë atyre që ushqehen në Të.
6:59 Turma e kishte ndjekur Jezusin dhe dishepujt e Tij për në Kapernaum nga bregu verilindor i Detit të Galilesë. Në dukje turma e kishte gjetur Jezusin në sinagogë {{23}} dhe ishte pikërisht aty ku Ai dha mesazhin mbi Bukën e Jetës.
6:60 Deri në këtë kohë, Zotit Jezus kishte shumë më tepër dishepuj sesa të dymbëdhjetët e parë. Kushdo që e ndiqte dhe shpallte se pranonte mësimet e Tij njihej si një dishepull. Megjithatë, jo të gjithë ata që njiheshin si dishepujt e Tij ishin besimtarë të vërtetë. Tani shumë prej tyre që shpallnin se ishin dishepuj të Tij thanë, “Kjo e folur është e rëndë.” Kjo do të thoshte se mësimet e Tij ishin ofenduese. Nuk ishte aq e vështirë që ata të kuptonin një gjë të tillë, sesa të pranonin këtë gjë që dukej e papëlqyeshme. Kur thanë, “Kush mund ta kuptojë” (fjalë për fjalë “dëgjojë”), ata nënkuptuan, “Kush mund të qëndrojë dhe të dëgjojë një doktrinë të tillë ofenduese?”
6:61 Këtu përsëri ne gjejmë një provë që vërteton se Jezusi kishte njohuri të plotë. Jezusi dinte saktësisht çfarë po thoshin dishepujt. Ai e dinte se ata po ankoheshin për shpalljen e Tij se Ai kishte zbritur nga qielli dhe ata nuk e pëlqyen kur Ai tha se njerëzit duhet të hanin mishin e Tij dhe të pinin gjakun e Tij për të patur jetë të përjetshme. Dhe kështu i pyeti ata, “Kjo ju skandalizon?”
6:62 Ata u skandalizuan sepse Ai tha se kishte zbritur nga qielli. Tani i pyet se çfarë do të mendonin nëse do ta shikonin Atë duke u ngjitur përsëri në qiell, gjë që do të ndodhte pas ringjalljes së Tij. Ata u skandalizuan gjithashtu se Ai tha që njerëzit duhet të hanë mishin e Tij. Çdo të mendonin ata kur ta shihnin që trupi i mishit do të ngjitej atje ku ishte më parë? Si do të mund ta hanin njerëzit mishin e Tij dhe të pinin gjakun e Tij kur Ai do të ishte kthyer përsëri në qiell te Ati i Tij?
6:63 Këta njerëz ishin duke menduar për mishin e vërtetë të Krishtit, por këtu Ai u tha atyre që jeta e përjetshme nuk fitohej duke ngrënë mish, por me anë të veprës së Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Mishi nuk mund të japë jetë; vetëm Fryma mund ta bëjë këtë. Ata i morën fjalët e Tij drejtpërdrejt dhe nuk kuptuan se ato kishin një domethënie frymërore. Dhe këtu Zoti Jezus shpjegoi që fjalët që Ai foli ishin frymë dhe jetë; kur thëniet e Tij rreth të ngrënit të mishit të Tij dhe të pirit të gjakut të Tij kuptoheshin në mënyrë frymërore, pra që do të thoshin besim në Të, atëherë ata që e pranonin këtë mesazh merrnin jetën e përjetshme.
6:64 Madje edhe kur i tha këto gjëra, Zoti kuptoi që disa prej dëgjuesve të Tij nuk e kuptuan pasi ata nuk donin të besonin. Vështirësia nuk gjendej në paaftësinë e tyre, por në mosdashjen e tyre. Jezusi e dinte që në fillim që disa prej atyre që rrëfenin se ishin ndjekës të Tij nuk do të besonin në Të dhe që një nga dishepujt do ta tradhëtonte. Sigurisht, Jezusi i dinte të gjitha këto që nga përjetësia, por këtu do të thotë ndoshta që Ai ishte i vetëdijshëm për këtë gjë që në fillim të shërbesës së Tij këtu në tokë.
6:65 Tani Ai shpjegoi se ishte për shkak të mosbesimit të tyre që Ai u pati thënë më parë që askush nuk mund të vinte te Ai nëse nuk ishte tërhequr nga Ati. Fjalë të tilla janë një sulm ndaj krenarisë së njeriut i cili mendon se mund ta fitojë apo meritojë shpëtimin e tij. Zoti Jezus i tha njerëzve që edhe fuqia për të shkuar te Ai mund të merret vetëm prej Perëndisë At.
E. Reagime të ndryshme ndaj Fjalës së Shpëtimtarit (6:66-71)
6:66 Këto thënie të Zotit Jezus provuan të ishin shumë të papëlqyeshme për shumë që e kishin ndjekur Atë, por që tani e lanë dhe nuk dëshironin të shoqëroheshin më shumë me Të. Këta dishepuj nuk kishin qenë kurrë besimtarë të vërtetë. Ata e ndiqnin Zotin për arsye të ndryshme, por jo nga dashuria e vërtetë për Të ose nga vlerësimi për atë çfarë Ai ishte.
6:67 Në këtë moment Jezusi u kthye nga të dymbëdhjetët dhe i pyeti nëse edhe ata dëshironin të largoheshin prej Tij.
6:68 Përgjigjja e Pjetrit ia vlen të vihet re. Ai tha në fakt, “Zot si mund të të lëmë ty? Ti mëson doktrinën që të çon në jetë të përjetshme. Nëse të lëmë ty, nuk ka asnjë tjetër te i cili mund të shkojmë. Të të lësh ty do të thotë të vulosësh me dorën tënde ferrin.”
6:69 Duke folur për të dymbëdhjetët, Pjetri tha se ata kishin besuardhe e kishin njohur se Zoti Jezus ishte Mesia, Biri i Perëndisë së gjallë. {{24}} Vini re përsëri renditjen e fjalëve: besuam dhe njohëm. Para së gjithash, ata e kishin vendosur besimin e tyre në Zotin Jezus Krisht, dhe më pas e kishin njohur se Ai ishte me të vërtetë Ai që rrëfente se ishte.
6:70 Në vargjet 68, 69, Pjetri kishte përdorur fjalën “ne” si të ishte duke folur në emër të të gjithë dishepujve. Këtu në vargun 70, Zoti Jezus e korrigjoi. Ai nuk duhet të ishte aq i sigurt që të dymbëdhjetët ishin besimtarë të vërtetë. Është e vërtetë që Zoti i kishte zgjedhur vetë tëdymbëdhjetë dishepujt, por njëri prej tyre ishte një djall. Ishte një në shoqërinë e tyre që nuk kishte të njëjtat ide me Pjetrin për Zotin Jezus Krisht.
6:71 Zoti Jezus e dinte se Judë Iskarioti do ta tradhëtonte. Ai e dinte se Juda nuk e kishte pranuar kurrë Atë si Zot dhe si Shpëtimtar. Këtu ne shohim përsëri gjithëdijen e Zotit. Gjithashtu ne kemi një provë të faktit që Pjetri nuk ishte i pagabueshëm kur foli për dishepujt!
Në diskutimin e bukës së jetës, Zoti ynë filloi me një mësim tepër të thjeshtë. Por ndërkohë që përparonte, duket qartë që Judenjtë filluan të kundërshtonin fjalët e Tij. Sa më tepër që mbyllnin mendjet dhe zemrat e tyre ndaj së vërtetës, aq më të vështira bëheshin mësimet e Tij për ta. Më së fundi Ai foli për ngrënien e mishit të Tij dhe pirjen e gjakut të Tij. Kjo ishte shumë! Ata thanë, “Kjo e folur është e rëndë; kush mund ta kuptojë” dhe hoqën dorë nga të ndjekurit e Tij. Kundërshtimi i së vërtetës rezulton në verbëri juridike. Ngaqë nuk dëshironin të shihnin, mbërritën në vendin ku nuk mund të shihnin.
[[19]] (6:11) W. H. Griffith Thomas, The Apostle John: His Life and Writings, f. 173, 74.[[19]] [[20]] (6:15) Frederick Brotherton Meyer, Tried By Fire, f. 152.[[20]] [[21]] (6:31) Mana ishte një ushqim i vogël, i rrumbullakët e i bardhë që Perëndia siguroi në mënyrë të mrekullueshme për Izraelin në shkretëtirë. Ata duhet ta mblidhnin manën nga toka çdo mëngjes përgjatë gjashtë ditëve të para të javës.[[21]] [[22]] (6:55) NU shkruan “ushqimi i vërtetë dhe pija e vërtetë.”[[22]] [[23]] (6:59) Një sinagogë është vendi i takimit lokal të Judenjve fetarë, por nuk është e njëjtë me tempullin në Jeruzalem ku bëhen vetëm flijime kafshësh.[[23]] [[24]] (6:69) Teksti kritik (NU) shkruan “Ti je i Shenjti i Perëndisë.”[[24]]