Dënimi i njëanshmërisë (Jakobi 2:1-13)

Gjysma e parë e kapitullit të dytë dënon praktikën e të shfaqurit të respektit ndaj njerëzve. Favorizimi është plotësisht i huaj për shembullin e Zotit ose për mësimet e Dhiatës së Re. Në krishterim nuk ka vend për snobizëm [me krenari të shmangesh dikë] apo diskriminim.

2:1 Para së gjithash, praktika është e ndaluar në mënyrë të dukshme. Vëreni që qortimi i drejtohet besimtarëve: ne jemi të siguruar për këtë gjë nga përshëndetja “Vëllezërit e mi“. Besimin e Zotit tonë Jezus Krisht i referohet besimit të krishterë. Nuk është çështje e besimit të Tij ose e besnikërisë së Tij, por e grumbullimit doktrinal të së vërtetës që Ai na ka dhënë. Duke vendosur të gjitha këto mendime së bashku, ne zbulojmë që Jakobi është duke thënë: “Vëllezërit e mi, në praktikën tuaj të besimit të krishterë, mos tregoni preferenca.“. Snobizmi dhe dallimet klasore janë plotësisht të papajtueshme me krishterimin e vërtetë. Servilizmi ndaj madhështisë njerëzore nuk ka vend në praninë e Zotit të Lavdisë. Përbuzja për të tjerët për shkak të lindjes, racës, seksit, apo varfërisë është mohim praktik i besimit. Ky urdhërim nuk bie në kundërshtim me pjesët e tjera të Dhiatës së Re ku besimtarëve u është mësuar të kenë respekt të përshtatshëm për qeveritarët, mësuesit, pleqtë dhe prindërit. Ekzistojnë disa marrëdhënie hyjnore të urdhëruara që duhet të njihen (Rom. 13:7). Në këtë pjesë është një çështje e shfaqjes së respektit lajkatar për njerëzit për shkak të veshjeve të tyre të shtrenjta apo të dallimeve të tjera artificiale.

2:2-4 Kjo është provuar nga shembulli i gjallë që Jakobi jep në vargjet 2-4. Guy King-u e ka titulluar në mënyrë të zgjuar këtë pjesë “Shoqëruesi dritëshkurtër”. Skena është asambleja [4] lokale e të krishterëve. Një zotëri i shquar, me veshje elegante dhe me një unazë të kushtueshme prej ari, sapo mbërriti. Shoqëruesi përkulet dhe kruhet, pastaj shoqëron vizitorin e shquar te një karrige e dukshme, e spikatur përpara. Sapo shoqëruesi kthehet te dera, ai gjen një vizitor tjetër që ka mbërritur. Kësaj here është një i varfër me një veshje modeste (Shprehja rroba të fëlliqura nuk do të thotë detyrimisht që rrobat e njeriut duhet të laheshin. Ai është veshur keq duke pasur parasysh rrethanat e tij modeste në jetë). Kësaj here shoqëruesi përpiqet të shpëtojë asamblenë nga sikleti duke i propozuar vizitorit të qëndrojë në fund të dhomës, ose në një dysheme, ose përpara stolit të tij. Duket e pabesueshme që ndokush mund të veprojë në këtë mënyrë. Ne do të dëshironim të mendonim që shembulli është zmadhuar, por kur shohim brenda zemrës sonë, ne e kuptojmë që shpesh ne i bëjmë këto dallime artificiale klasore përreth nesh, dhe kështu bëhemi gjykatës me mendime të këqija.

Me sa duket shembulli më i përshtatshëm në kishat e sotme është diskriminimi i treguar përballë njerëzve të kombësive dhe ngjyrave të ndryshme. Besimtarët me ngjyrë kanë qenë të veçuar në shumë raste ose të paktën e kanë ndjerë veten të paftuar. Judenjtë që kanë besuar jo gjithmonë janë pranuar përzemërsisht. Të krishterët e Lindjes kanë shijuar diskriminim në shkallë të ndryshme. Është pohuar që ka shumë probleme shoqërore në të gjitha vendet për shkak të marrëdhënieve raciale. Por të krishterët duhet të jenë të ndershëm kundrejt parimeve hyjnore. Detyrimi i Tij është t’i japë të vërtetës shprehje praktike që të gjithë besimtarët janë një në Krishtin Jezus.

2:5,6 Preferenca (anësia) është plotësisht e papajtueshme me besimin e krishterë. Jakobi e tregon këtë në vargjet 5-13. Ai jep katër arsye të forta përse është qesharake për një besimtar të favorizojë të pasurin dhe të shikojë me përçmim të varfrin.

Përpara së gjithash, do të thotë që ne çnderojmë një njeri të cilin Perëndia e nderon. Perëndia ka zgjedhur njerëzit e varfër të kësaj bote, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan. Të varfrit janë të zgjedhurit e Perëndisë, elita e Perëndisë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe të dashurit e Perëndisë. Vazhdimisht ne gjejmë në Shkrim që janë njerëzit e varfër, dhe jo të pasurit, të cilët mblidhen rreth flamurit të Krishtit. Vetë Zoti ynë tha: “Ungjilli po u predikohet të varfërve” (Mt. 11:5). Ishin njerëzit e zakonshëm ata që e dëgjuan Atë me gëzim, dhe jo të pasurit dhe aristokratët (Mar. 12:37). Nuk janë fisnikët ata që janë të thirrur, por të marrët, të dobëtit, të rëndomtët, të përçmuarit dhe ata që nuk janë asgjë (1 e Korintasve 1:26-29). Të pasurit janë zakonisht të varfër në besim, sepse ata besojnë në pasuritë e tyre në vend të Zotit. Nga ana tjetër, të varfrit janë zgjedhur nga Perëndia që të jenë të pasur në besim. Një studim i qytetarëve të mbretërisë së Tij, do të zbulonte që shumë prej tyre kanë qenë të varfër. Në mbretëri ata do të zënë pozita pasurie dhe lavdie. Sa gjë e marrë, dhe më pas, sa e rrezikshme është të sillemi me përbuzje me ata që një ditë do të jenë lartësuar në mbretërinë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.

Një arsye e dytë përse është marrëzi të tregojmë respekt ndaj të pasurit është që në mënyrë karakteristike ata kanë shtypur njerëzit e Perëndisë. I pasuri që është përmendur më përpara në këtë kapitull ishte pa dyshim një besimtar. Kjo nuk do të thotë që të pasurit që janë përmendur në vargun 6 janë gjithashtu besimtarë. Ajo çfarë Jakobi po thotë është thjesht kjo: “Përse t’u tregojmë preferenca njerëzve vetëm sepse janë të pasur? Nëse ti po e bën, ti po nderon ata që të parët të kanë hequr nëpër gjykata.” Kalvini e sqaroi argumentin në mënyrë të përmbledhur kur ai tha: “Përse të nderosh torturuesit e tu?”.

2:7 Një arsye e tretë përse është qesharake të bëjmë preferenca kundrejt të pasurit është se ata si rregull përdorin një të folur të keqe ose të vrazhdë duke përfshirë edhe emrin e Krishtit. Ky është emri i lavdishëm që u thirr mbi besimtarët – të krishterët, ose ndjekësit e Krishtit. Të ankohesh kundrejt Zotit nuk është një mëkat që bëjnë të pasurit, sidoqoftë është e vërtetë që ata që përndjekin besimtarët e varfër shpesh e shoqërojnë këtë përndjekje me të folurën më të turpshme kundrejt Shpëtimtarit. Si rrjedhim përse besimtarët duhet të tregojnë preferenca të veçanta kundrejt kujtdo, thjesht sepse ai është i pasur? Veçoritë që shoqërojnë të pasurit zakonisht nuk e nderojnë Zotin Jezus. Shprehja emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju mund të përkthehet gjithashtu “ky emër i lavdishëm që është thirrur mbi ju”. Disa e kuptojnë këtë referim për pagëzimin e krishterë. Besimtarët janë të pagëzuar në emrin e Zotit Jezus. Ky është emri që i pasuri blasfemon zakonisht.

2:8 Argumenti i katërt i Jakobit është se të tregosh respekt ndaj të pasurit shkel ligjinDuaje të afërmin tënd si vetveten”. Ky ligj është quajtur ligji mbretëror sepse i përket Mbretit dhe sepse është mbreti i të gjitha ligjeve. Ndoshta shoqëruesi e përligji veprimin e tij kundrejt të pasurit duke thënë që ai ishte duke u përpjekur ta donte të afërmin e tij si vetvetja. Por kjo nuk do të mund ta përligjte veprimin e tij kundrejt të varfrit. Nëse ne me të vërtetë i duam të afërmit tanë porsi vetveten, ne duhet të sillemi me ta në të njëjtën mënyrë me të cilën do të donim që të tjerët të silleshin me ne. Sigurisht ne nuk do të donim që të tjerët të na përçmonin thjesht sepse jemi të varfër. Aq më tepër ne nuk duhet të tregojmë përbuzje ndaj të tjerëve për këtë qëllim.

Nga të gjitha mësimet e Biblës ky është sigurisht një nga mësimet më revolucionare – Duaje të afërmin tënd si vetveten. Mendo se çfarë do të thotë! Do të thotë që ne duhet të kujdesemi për të tjerët ashtu siç kujdesemi për vetveten. Ne duhet të jemi të gatshëm të ndajmë zotërimet tona materiale me ata që nuk janë të privilegjuar si ne. Dhe mbi të gjitha, ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë në mënyrë që të shohim që ata kanë mundësinë të njohin Shpëtimtarin tonë të bekuar. Vendimet tona shpesh janë të bazuara në atë se si veprimet tona ndikojnë vetveten. Ne jemi egocentrikë. Ne kujdesemi për të pasurin për shkak të shpresës së shpërblimit, qoftë nga ana shoqërore ashtu edhe materiale. Ne i lëmë pas dore të varfrit për shkak të përfitimit të vogël që ata na japin. Ligji mbretëror e ndalon një përdorim të tillë egoist të të tjerëve. Ai na mëson që të duam të afërmin tonë si vetveten. Dhe nëse ne pyesim: “Kush është i afërmi im?” ne mësojmë nga historia e samaritanit të mirë (Llu. 10: 29-37) që i afërmi ynë është çdo njeri që ka një nevojë dhe ne duhet ta ndihmojmë ta përballojë.

2:9 Të tregosh preferenca është një shkelje e ligjit mbretëror. Është një mëkat dhe shkelje. Mëkat është çdo lloj mungese e bindjes ndaj vullnetit të Tij, një dështim në plotësimin standardeve të Tij. Shkelja është thyerja e një ligji të njohur. Disa veprime janë mëkatare sepse ato janë të gabuara në themel dhe të trashëguara, por ata kthehen në shkelje kur një ligj i veçantë i ndalon. Preferenca është mëkat sepse është e gabuar në vetvete. Gjithashtu është edhe shkelje sepse ekziston një ligj kundrejt saj.

2:10 Të thyesh një pjesë të ligjit është të jesh fajtor në të gjitha pikat. Ligji është si një zinxhir me dhjetë hallka. Po theve një hallkë ke thyer një zinxhir. Perëndia nuk na lejon që të zbatojmë ligjet që na pëlqejnë dhe të thyejmë të tjerat.

2:11 I njëjti Perëndi i cili ndalon shkeljen e kurorës gjithashtu ndalon vrasjen. Një njeri mund të mos jetë fajtor për shkeljen e kurorës e megjithatë ai mund të kryejë një vrasje. A është ai një shkelës i ligjit? Sigurisht që është! Fryma e ligjit është që ne duhet ta duam të afërmin tonë si vetveten. Shkelja e kurorës dhe vrasja është një shkelje e ligjit. Dhe gjithashtu është dhe snobizmi dhe diskriminimi. Nëse ne kryejmë ndonjë prej këtyre mëkateve, ne dështojmë të bëjmë atë që ligji urdhëron.

DHJETË URDHËRIMET

Tani ne duhet të ndalemi në diskutimin tonë për të marrë parasysh një problem themelor që arrin në këtë pikë të argumentit të Jakobit. Problemi është ky: “A janë të krishterët nën ligj apo jo?”. Natyrisht duket sikur Jakobi ka imponuar te besimtarët të dhjetë urdhërimet. Në mënyrë të veçantë ai i referohet urdhërimit të gjashtë dhe të shtatë të cilat ndalojmë vrasjen dhe shkeljen e kurorës. Gjithashtu ai përmbledh pesë urdhërimet e fundit në fjalët: “Ti duhet ta duash të afërmin si vetveten”. Sidoqoftë të vendosësh besimtarin nën ligj, si një rregull i jetës, hedh poshtë pjesët e tjera të Dhiatës së Re, si Romakët 6:14 – “Ju nuk jeni nën ligj, por nën hir”; Romakët 7:6 – ” Ne jemi zgjidhur nga ligji”; Romakët 7:4 – “Ju jeni gjithashtu të vdekur për ligjin me anë të trupit të Krishtit” (shih gjithashtu Gal. 2:19; 3:13,24,25; I Tim. 1:8,9; Heb. 7:19.) Fakti që të krishterët nuk janë nën Dhjetë Urdhërimet shpallet qartë tek 2 Korintasve 3:7-11.

Atëherë përse Jakobi u paraqet besimtarëve çështjen e ligjit në këtë Epokë të Hirit? Para së gjithash, të krishterët nuk janë nën ligj si një rregull i jetës. Krishti, dhe jo ligji, është modeli i besimtarit. Aty ku është ligji, aty është edhe dënimi. Dënimi për shkeljen e ligjit është vdekja. Krishti vdiq për të paguar dënimin e ligjit të thyer. Ata që janë në Krishtin si rrjedhim janë të shpëtuar nga ligji dhe dënimi i tij. Por disa parime të ligjit janë me vlerë të vazhdueshme. Këto këshilla morale i drejtohen të gjithë njerëzve të të gjithë kohërave. Idhujtaria, shkelja e kurorës, vrasja dhe vjedhja janë në themel të gabuara. Ato janë të gabuara si për besimtarët ashtu edhe për jobesimtarët. Veç kësaj, nëntë nga dhjetë urdhërimet janë të përsëritura te letrat [e Dhiatës së Re]. Urdhërimi i vetëm që nuk është përsëritur është në lidhje me Shabatin ose ditën e shtatë të javës, sepse ai urdhërim është ceremonial dhe jo moral. Për një jude nuk ishte në themel një gabim të punonte ditën e shtatë. Ishte e gabuar vetëm sepse Perëndia e vuri atë ditë mënjanë.

Përfundimisht, duhet përmendur që të nëntë urdhërimet që janë përsëritur te letrat nuk janë dhënë si ligj por si mësim në drejtësi për popullin e Perëndisë. Me fjalë të tjera, Perëndia nuk u thotë të krishterëve: “Nëse ju vidhni, ju jeni të dënuar me vdekje.”, ose “Nëse ju kryeni një veprim imoral, ju do të humbisni shpëtimin.”, Më tepër Ai thotë: “Unë ju kam shpëtuar me anë të hirit Tim. Tani unë dëshiroj që ju të jetoni një jetë të shenjtë plot me dashuri për Mua. Nëse ju do të dëshironi të dini se çfarë pres nga ju, ju do ta gjeni nëpërmjet Dhiatës së Re. Aty do të gjeni nëntë nga dhjetë urdhërimet e përsëritura. Por ju do të gjeni gjithashtu mësimet e Zotit Jezus që në të vërtetë kërkojnë një standard më të lartë të sjelljes sesa ligji e kërkon.”. Kështu Jakobi në të vërtetë nuk po i vendos besimtarët nën ligjin dhe dënimin e tij. Ai nuk është duke thënë: “Nëse ti tregon respekt ndaj njerëzve, ti je duke thyer ligjin, dhe në këtë mënyrë ti je i dënuar me vdekje.”.

2:12 Ajo çfarë Jakobi po thotë është: “Si besimtarë, ju nuk jeni më nën ligjin e skllavërisë, por ju jeni nën ligjin e lirisë – lirinë për të bërë atë çfarë është e drejtë. Ligji i Moisiut kërkon nga ju që të doni të afërmin tuaj por nuk ju jep fuqinë, dhe ju dënon nëse dështoni. Nën hir, juve ju është dhënë fuqia të doni të afërmin tuaj dhe të shpërbleheni kur ju e zbatoni. Ju nuk e bëni me qëllim që të shpëtoheni sepse ju jeni të shpëtuar. Ju nuk e bëni për shkak të frikës së dënimit, por për shkak të dashurisë për Të i cili vdiq për ju dhe u ringjall përsëri. Kur ti qëndron përpara gjyqit të Krishtit, do të marrësh një shpërblim ose do të pësosh një humbje sipas këtij standardi. Kjo nuk ka të bëjë me shpëtimin por me shpërblimin.”. Shprehja “Prandaj të flisni e të veproni” u referohet fjalëve dhe veprave. Rrëfimi me gojë dhe jeta praktike duhet të bien dakort. Në të folur dhe në vepra, besimtarët duhet ta shmangin njëanshmërinë. Shkelje të tilla të ligjit të lirisë do të gjykohen në gjyqin e Krishtit.

2:13 Vargu 13 duhet të kuptohet nën dritën e kontekstit. Këtu nuk bëhet fjalë për dënimin e përjetshëm; ai dënim u pagua njëherë e përgjithmonë në kryqin e Kalvarit. Këtu bëhet fjalë për marrëdhënien e Perëndisë me ne si bij në këtë botë. Nëse ne nuk tregojmë mëshirë për të tjerët, ne nuk po ecim në bashkësi me Perëndinë dhe mund të presim të vuajmë rrjedhojat e kushtit të shkelur.

Mëshira triumfon mbi gjykimin mund të nënkuptojë që Perëndia dëshiron të tregojë më shumë mëshirë ndaj nesh sesa disiplinë (Mikea 7:18); gjykimi është “vepra e Tij e çuditshme”. Mbase, kjo do të thotë që ne mund të gëzohemi përballë gjykimit nëse ne u kemi treguar të tjerëve mëshirë, por nëse nuk kemi treguar mëshirë ndaj atyre që ne i gjykojmë në mënyrë të drejtë, ne nuk do të na tregohet mëshirë. Ose, mbase kjo do të thotë që “mëshira triumfon mbi gjykimin” në kuptimin që mëshira është gjithmonë më e mirë se gjykimi. Duket që ideja kryesore është që nëse ne u tregojmë të tjerëve mëshirë, gjykimi që mund të binte mbi ne do të zëvendësohet me mëshirë.

Atëherë, le të vëmë veten në provë në këtë subjekt të rëndësishëm të njëanshmërisë. A u tregojmë atyre të kombit tonë më shumë mirësi sesa atyre të kombeve të tjera? A sillemi më mirë me të rinjtë sesa me të moshuarit? A flasim më tepër me ata që kanë një pamje të bukur sesa me ata që janë të zakonshëm? A kemi më shumë dëshirë të bëhemi miq me njerëz të spikatur sesa me ata që janë pak a shumë të panjohur? A i shmangim njerëzit me dobësitë fizike dhe kërkojmë shoqërinë e atyre që janë të fortë dhe të shëndoshë? A përkrahim të pasurit ndaj të varfrit?

A u “kthejmë krahët” “të huajve,” që flasin gjuhën tonë me një theks të ndryshëm? Ndërsa ne u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të kujtojmë se mënyra me anë të së cilës ne sillemi me besimtarin më antipatik është mënyra se si ne sillemi me Shpëtimtarin (Mt. 25:40).


[previous][next]