Përvojat vetjake të Jeremias (Jeremia 11-19)

A. Jeremia dhe njerëzit e Anathothit (kapitujt 11,12)

11:1-10Zoti e urdhëron Jeremian të kujtojë popullin e besëlidhjes të ligjit që dha në Sinai për mallkimin mbi ata që nuk binden dhe bekimet për ata që binden. Të kujtuarit e pareshtur të Perëndisë në të shkuarën ishin ndeshur me refuzim të vazhdueshëm. Tashmë njerëzit e Judës paraqiten duke bërë një komplot për të prishur besëlidhjen, duke braktisur Perëndinë për perënditë e tjera. 11:11-13 Kur bie gjykimi i Perëndisë, Ai nuk do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe perënditë e panumërta të Judës nuk do t’i shpëtojnë. 11:14-17 Tri herë i thuhet profetit të mos lutet për popullin e tij (7:16; 11:14; 14:11). Njerëzit nuk kanë të drejtë të shkojnë në tempull me oferta sikur të fshihnin fajin e tyre, apo të mënjanonin fatkeqësinë e tyre. I quajtur një herë Ulli i gjelbëruar i bukur nga Zoti, Juda tashmë është caktuar të digjet për shkak të idhujtarisë së saj. 11:18-23Zoti e informon profetin e butë dhe jodyshues se njerëzit e Anathothit kanë kërkuar jetën e tij për ta vrarë. Kur lutet, ai merr sigurinë se kundërshtarët e tij do të ndëshkohen. 12:1-6 Jeremia pyet pse Zoti, që është Vetë i drejtë, i lejon të pabesët t’u shkojë mbarë – si për shembull, njerëzve të Anathothit – dhe e lejon të drejtin, ashtu edhe atë vetë, të vuajë. Perëndia i përgjigjet se Jeremia do të ndeshë hidhërim më të egër sesa ky, përfshirë mashtrimin nga vëllezërit e vet. Nëse e kishte pasur të vështirë të përballonte kushtet krahasimisht më të qeta (fugimi me këmbësorët), çfarë do të bënte në provat e ashpra që po vinin (futja në garë me kuajt)? 12:7-14 Duke përdorur shumë fjalë të përzemërta për të përshkruar Judën, Perëndia shpreh trishtim mbi shkretimin që i ka shkaktuar vetes. Një zog që dallohet shumë sulmohet më shpesh nga të tjerët, prandaj rrjedh referimi për Judën si një shpend grabitqar. Perëndia do të ndëshkojë kombet pagane dhe do ta përtërijë Judën në vend. 12:15-17 Por më vonë johebrenjtë do të përtërihen në vendet e tyre dhe nëse ata kthehen nga idhujt te Perëndia, ata do të ndajnë bekimet e Tij në mes të popullit të Tij. Përndryshe ata do të dëbohen.

B. Jeremia dhe brezi i kalbur (kapitulli 13)

13:1-11Juda krahasohet me një brez (rrip i trashë beli) që Jeremia u udhëzua ta çonte në Eufrat dhe ta fshihte. Juda më parë kishte një vend intimiteti me Jehovahun, por ashtu si brezi do të çohej tutje dhe do të “fshihej”. Për shkak të mëkatit të saj, Juda u çua katërqind kilometra larg dhe u “fsheh” afër Eufratit (Babilonisë) në robëri. Kur Jeremia shkoi ta merrte brezin, ai ishte kalburdhe nuk vlente më për asgjë. Për shkuarjen e Jeremias në Eufrat, Skofilldi (Scofield) bën këtë shënim të dobishëm: Disa e kanë vënë në diskutim mundësinë e groposjes nga Jeremia të rripit apo të brezit të tij në Eufrat, duke pasur parasysh largësinë dhe kushtet e luftës. Megjithatë, kishte periudha në shërbesën e Jeremias kur tërë vendi ishte në paqe. Nuk është e pamundur që Jeremia të mund të ketë bërë një vizitë në Babiloni dhe, nëse është kështu, kjo ndodhi mund të ketë ndodhur fare mirë në atë kohë, ndërsa mund ta ketë groposur brezin rrugës dhe mund ta ketë nxjerrë kur është kthyer. Është gjithashtu e mundur të interpretohet fjala në hebraisht si nënkuptim jo për Eufratin, por Uadi Faraun (Wadi Farah), disa kilometra në veri të Jerusalemit. Në këtë rast ai mund ta ketë groposur brezin në çdo kohë para sulmit të fundit babilonas. Për këtë kemi arsye të hamendësojmë se kjo pjesë përshkruan një ngjarje aktuale – jo një vegim të thjeshtë apo një histori imagjinare. Brezi i kalbur i Jeremias shërbeu si një simbol që tregon jetën dhe shërbesën e pakënaqshme të Izraelit [13]. 13:12-14 Tërë njerëzit do të mbushen me verë – jo verë në kuptimin e fjalëpërfjalshëm siç mendojnë ata, por me zemërimin e Shumë të Lartit Perëndi dhe do të shtypen si shishe. Harrisoni komenton: Jeremia thekson se ashtu siç alkooli prek gjykimin dhe dëmton lëvizshmërinë, po kështu në krizat e ardhshme njerëzit do të sillen si të dehur, duke mos qenë të aftë të dallojnë mikun nga armiku, apo të mbrojnë veten [14]. 13:15-23 Pendimi është i domosdoshëm, përndryshe mërgimi do të jetë i pashmangshëm. Nëse populli nuk përlëvdon Perëndinë, ata do të marrin terrin dhe hijen e vdekjes. Mbreti dhe mbretëresha nënë do të hiqen nga froni dhe qytetet e jugut do të rrethohen. Babilonasit do ta bëjnë vendin të shkretë – gjithçka për shkak të paudhësisë së Judës. Juda dhe mëkatet e saj janë të pandashme. 13:24-27 Fjalët e përdorura për të përshkruar apostazinë e Judës – shkeljet e kurorës, hingëllimat, shthurjen e kurvërisë, gjërat e neveritshme – të gjitha kanë një ngjyrim imoral. Harrisoni shpjegon ilustrimin: Ashtu si tërë besimtarët formalë në tërë kohët, njerëzit nuk besonin që fatkeqësi të tilla mund t’i zinin. Megjithatë, Jeremia e vë me forcë fajin mbi shpatullat e tyre dhe u premton atyre çnderimin e turpshëm publik të shoqëruar me prostituta… Ironia e tërë kësaj është se do të kryhet nga njerëzit që vetë Juda i ka gjykuar një herë. Për shkak të përmbushjeve të dëshirave të saj të vogla në veprat e pafrytshme të errësirës, Juda do të nxirret hapur në dritë, nga Ai që më parë ishte martuar me të me një dashuri besëlidhjeje, si prostitutë e korruptuar [15].

C. Ndërmjetësimi i Jeremias për thatësirën (kapitujt 14,15)

14:1-6 Mesazhet në kapitujt 14-39 janë dhënë para rënies së Jerusalemit. Juda është pushtuar nga thatësira dhe zia e ashpër. Domethënia e thatësirës në këtë kohë ishte shumë e madhe. Kjo ishte një ndër shenjat e parashikuara në Besëlidhjen e Palestinës (LiP. 28:23,24) dhe ishte përmbushur tashmë në pjesën e mbretërisë së Ashabit (1 i Mbreterve 17:1 e në vazhdim). Ndërsa kjo shenjë po shoqërohej, edhe pse pas një ndërhyrjeje të gjatë, nga robëria asire e mbretërisë veriore duhej të ishte pranuar nga Juda si paralajmërimi më solemn [16]. 14:7-16 Profeti, duke rrëfyer për popullin, kërkon qetësi, por Zoti thotë se nuk do të ketë; për më tepër populli do të shkatërrohet me shpatën, me urinë dhe murtajën. Profetët e rremë premtonin siguri, por ata gënjenin dhe do të zhduken bashkë me popullin të cilit i kanë profetizuar. Jeremia u urdhërua të vajtojë shkatërrimin e frikshëm të Judës në qytet dhe vend. 14:17-22 Ai vazhdon t’i lutet Perëndisë për popullin, duke na kujtuar për ndërmjetësimet e Abrahamit (Zanafilla 18:23-33), të Moisiut (Eks. 32:11-13) dhe të Samuelit (1 Sam. 7:5-9). Ai pranon paudhësinë e tyre dhe premton se ata do të derdhin lot për Perëndinë e vetëm që mund të sjellë shiun dhe shira të bollshme. 15:1-4 Ndërmjetësimi për popullin është i kotë; ata janë caktuar për vdekje, për shpatë, për të qenë të uritur, për robëri. Edhe ndërmjetësuesit e parë, si Moisiu dhe Samueli, nuk mund ta parandalojnë gjykimin. Manasi ishte shkaku; ai kishte nxitur forma të mëdha idhujtarie në Jerusalem, përfshirë adhurimin e Molekut (shikoni 2 i Mbreterve 21:1-16). 15:5-9 Gjendja e mjerueshme e Jerusalemit është fryti i dështimit për t’iu përgjigjur ndreqjeve të Zotit. Një grua me një familje ideale nuk do të jetojë për të gëzuar fëmijët e saj. 15:10-18 Jeremia urrehet nga njerëzit e tij pa shkak, por Perëndia premton se atij do t’i merret haku kur kundërshtarët e tij do të kthehen tek ai për ndihmë. Juda nuk do të mund ta thyejë hekurin nga veriu (kaldeasit). Në vend të kësaj kjo e fundit do të marrë thesaret e saj. Profeti çuditet me përndjekjen dhe vuajtjen e tij, sidomos kur ka qenë aq besnik ndaj Zotit. Megjithatë, ai gjen forcën e tij në fjalën e Perëndisë, gëzimi dhe gazi i zemrës së tij. 15:19-20 Përgjigjja e Perëndisë është se profeti ka fituar mendime të gabuara rreth Tij dhe u ka lënë vend këtyre mendimeve të padenja herë pas here. Ato duhet të pastrohen, ashtu siç heq ndotjen që s’ka vlerë nga metali i çmuar. Kundërshtarët e Tij duhet të kthehen tek ai, por ai nuk duhet të kthehet tek ata. Kempëll Morgani (G. Campbell Morgan) komenton: Le ta pastrojë zemrën nga një ndotje e tillë dhe t’ia përkushtojë veten vetëm arit të së vërtetës rreth Perëndisë. Kështu, dhe vetëm kështu, do të jetë i përshtatshëm për të qenë si goja e Perëndisë në shpalljen e mesazheve të Tij [17]. Perëndia do ta bëjë profetin një mur të fortë prej bronzi, që shtypësit e tij nuk mund ta përmbysin. Ai do të çlirojë dhe do të shpengojë shërbëtorin e Tij.

D. Shërbesa vetmitare e Jeremias (16:1-18)

16:1-9 Jeremia urdhërohet që të mos martohet për shkak të shkatërrimit të ardhshëm. Ai është i vetmi burrë në Bibël të cilit i është ndaluar të martohet. Zia dhe banketi janë gjithashtu të ndaluara, sepse vdekja është aq e përhapur dhe sepse fatkeqësia është vepra e Zotit. Duke iu referuar vargut 7, ishte zakoni që kushërinjtë dhe miqtë të mblidheshin në shtëpinë e dikujt që kishte vdekur, thyhej buka së bashku ndërsa rrëfeheshin me hollësi cilësitë e admirueshme të të ndjerit dhe pihej një gojë verë. Në këtë mënyrë ata ngushëllonin të afërmit e të ndjerit. Kelli tregon se si kjo traditë e lashtë judaike u shndërrua nga Zoti ynë: Kjo praktikë e thyerjes së bukës në lidhje me vdekjen duket se është origjina e asaj që Zoti Jezus përkushtoi në përkujtimoren e madhe të kujtesës së Tij. “Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t’i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t’u jepet për të pirë gota e ngushëllimit”. Tani ne kemi Darkën e Zotit, në të dyja anët e saj. Ishte një zakon i njohur midis judenjve, por Zoti i dha një domethënie unike asaj dhe vuri një të vërtetë të re mbi të. Kjo lidhej me Pashkën, sepse, ashtu siç e dimë, kjo ishte koha e caktimit të saj. Kishte një arsye të veçantë për vendosjen e saj në atë kohë dhe jo më pas, sepse ishte shenja e ndryshimit të madh nga festa e madhe qendrore dhe themelore e Izraelit. Një festë e re dhe e ndryshme qe fillimi për të krishterët [18]. 16:10-18 Nëse pyetej për arsyen e tërë fatkeqësisë së madhe që kishte parashikuar Perëndia, Jeremia duhet t’i kujtonte për mosbindjen dhe idhujtarinë e etërve të tyre dhe të vetë atyre. Perëndia do të kthejë popullin një ditë nga robëria, por në fillim peshkatarët dhe gjuetarët (babilonasit) do t’i kërkojnë dhe do t’i çojnë në robëri, ku Perëndia do t’i ndëshkojë për paudhësinë dhe mëkatin e tyre.

E. Zemra e fortë e Jeremias (16:19-17:18)

16:19-21 Profeti parashikon ditën kur kombet do të kthehen nga idhujt te Perëndia. Në vargun 21 Zoti shpreh vendosmërinë e Tij të madhe për t’i bërë të njohur Judës fuqinë e Tij përmes ndëshkimit të Tij. 17:1-11 Idhujtaria e Judës, e shkruar fort, do të bëjë që ta çojë atë në robëri. Mali i Perëndisë është Jerusalemi… Të besosh te njeriu sjell mallkim; të besosh te Zoti sjell bekim. Perëndia njeh zemrën e gënjyer të njeriut dhe do të ndëshkojë njeriun që fiton pasuri në mënyrë të padrejtësi thëllëza [19] që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë” dhe më pas shikon zogjtë tek largohen. Vargu 9 është një vlerësim jopopullor (por megjithatë shumë i vërtetë) i zemrës natyrore të njeriut. R. K. Harrisoni komenton mbi atë që është përkthyer “tejet e ligë” në përkthimin e versionit KJ dhe “tejet e sëmurë” nga të tjerë: Natyra e parilindur njerëzore është në një gjendje të dëshpërueshme pa hirin hyjnor, përshkruar nga termi tejet e sëmurë në vargun 9 (versioni RS tejet e prishur, versioni NEB tejet e sëmurë). Krahasoni 15:18 dhe 30:12, ku shfaqet domethënia “në mënyrë të pashërueshme”. Çdo brez ka nevojë për rilindje të shpirtit nga Fryma dhe hiri i Perëndisë (krahasoni Gjonin 3:5 e në vazhdim; Titin 3:5) [20]. Për ata që mund të mendojnë se kjo është shumë e egër si padi ndaj zemrës së tyre, ne citojmë një shtjellim të zgjeruar, por të nevojshëm, nga Methju Henri: Këtu flitet për ligësinë e zemrave tona, që ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e saj dhe nuk dyshojmë se ndodhet atje; madje, është një gabim i përgjithshëm midis bijve të njerëzve që mendojnë për veten, të paktën për zemrat e tyre, se janë shumë më të mirë nga sa janë në të vërtetë. Zemra, ndërgjegjja e njeriut, në gjendjen e saj të prishur e të rënë, gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër. Ajo është dinake dhe e rreme; ajo priret të zëvendësojë (kështu është domethënia e vërtetë e fjalës); nga kjo fjalë rrodhi edhe emri i Jakobit, një zëvendësues. Ajo e quan të keqen të mirë dhe të mirën të keqe, vë ngjyra të rremë mbi gjërat dhe kërkon paqe tek ata të cilëve nuk u përket paqja. Kur njerëzit thonë në zemrat e tyre (pra, i shtyjnë zemrat e tyre për t’iu pëshpëritur) se nuk ka Perëndi, apo se Ai nuk shikon, apo se Ai nuk do të kërkojë llogari, apo se ata do të kenë paqe edhe pse vazhdojnë në gjërat e tyre: në ide të tilla dhe mijëra të tjera zemra gënjehet lehtë. Ajo mashtron njerëzit për rrënimin e tyre; dhe kjo do të jetë faji i rëndë i saj, se janë mashtrues të vetes, shkatërrues të vetes. Prandaj zemra është tejet e ligë; ajo është vdekjeprurëse, e dëshpëruar. Në të vërtetë çështja është për të ardhur keq dhe e mjerueshme dhe pa qetësi nëse ndërgjegjja që duhet të ndreqë gabimet e aftësive të tjera është vetë nëna e mashtrimit dhe udhëheqësja në zhgënjim. Çfarë do të bëhet me një njeri nëse në të, që duhet të jetë pishtari i Zotit, ka një dritë të rreme, nëse zëvendësi i Perëndisë në shpirt, që është caktuar të mbështesë interesat e tij, i tradhton ato? I tillë është mashtrimi i zemrës që ne mund të themi me të vërtetë: Kush mund ta njohë atë? Kush mund ta përshkruajë se sa e keqe është zemra? [21]. 17:12-18 Jeremia gëzohet se vendi i sigurisë së Judës është froni i lavdisë së shkëlqyer të Perëndisë. Më pas ai flet për marrëzinë e besimit në dikë tjetër dhe i lutet shpresës së Izraelit, për hir të popullit, për shërim dhe çlirim. Populli e pyet se ku është gjykimi që kishte premtuar Perëndia. Jeremia e kujton Zotin se ai nuk ishte përpjekur të arratisej si bari i Perëndisë, as nuk kishte dëshiruar ditën e kobshme të shkatërrimit të Jerusalemit; ai vetëm kishte folur fjalët e Zotit. Ai i kërkon Perëndisë të hakmerret për të duke ndëshkuar ata që ishin tallur me fjalën e Perëndisë.

F. Predikimi i së shtunës nga Jeremia (17:19-27)

Këtu mbretërit e Judës, tërë Juda dhe të gjithë banorët e Jerusalemit paralajmërohen të shenjtërojnë ditën e shtunë. Atyre u premtohen udhëheqës të ardhshëm të dinastisë së Davidit dhe vazhdimësia e adhurimit në tempull nëse binden dhe paralajmërohen se do të ndëshkohen nëse nuk pranojnë të binden (shkatërrimi i Jerusalemit). Irving L. Jenseni shpjegon pse zbatimi i së shtunës ishte shumë i rëndësishëm për Izraelin: Prova e vërtetë e lidhjes së zemrës me Perëndinë është bindja ndaj Fjalës së Tij. Një ndër ligjet për Izraelin ishte shenjtërimi i ditës së shtunë duke mos punuar atë ditë (17:21,22). Trysnia e vazhdueshme e materializmit mbi jetët e të gjithëve, përfshirë edhe popullin e Perëndisë, e bëri të vështirë zbatimin e këtij urdhri dhe, për këtë arsye, ky urdhër, si pjesë e dhjetë urdhërimeve, ishte një provë e vërtetë e përparësisë së përkohshmërisë apo përjetësisë në zemër. A ishte zbatimi i ligjit për ditën e shtunë aq vendimtar për Judën? Veprimi simbolik i Jeremias dhe fjalët e qarta që duhet të thoshte japin një përgjigje pohuese [22]. Parime të ngjashme vlejnë për Ditën e Zotit për të krishterët. Edhe ajo është për freskim frymëror dhe fizik, përkujtim të Shpenguesit dhe të shpengimit tonë, adhurim ndaj Zotit dhe përkujtim të fitores me anë të ringjalljes ditën e parë të javës.

G. Jeremia në shtëpinë e poçarit (kapitulli 18)

18:1-12 Zoti është poçari; Juda (këtu quajtur Izrael) është poçi. Dëmtimi i poçit nuk ishte faji i Perëndisë, por i Izraelit. Argjila është në duart e Perëndisë për ta bërë atë ashtu si dëshiron Ai – për gjykim apo për bekim. Perëndia kërcënon shkatërrimin nëse njerëzit nuk pendohen, por përgjigjja e tyre është se ata do të ecin duke ndjekur mendimet e tyre. 18:13-17Zoti padit sjelljen e tyre si të pakrahasueshme dhe të panatyrshme. Me anë të idhujtarisë së tyre ata ftojnë shkatërrimin që do t’i çudisë ata që shikojnë vendinshkatërrim. Versioni RS mbase na jep një kuptim të vargut 14: “A do të zhduket vallë bora e Libanit nga shkëmbinjtë e Sirionit? Ose a do të thahen vallë ujërat e rrjedhshme të ftohta të një mali?”. Mund të varemi nga këto gjëra në natyrë, por Perëndia nuk mund të varet nga populli i Tij! “Edhe pse bora nuk e braktis Libanin, Izraeli e ka harruar burimin e ujit të gjallë nga i cili rrjedh uji i jetës” [23]. 18:18 Duke dëgjuar këtë, njerëzit e Jerusalemit kurdisin komplote kundër Jeremias, shprehin besimin e vazhdueshëm te priftërinjtë dhe të profetët e tyre dhe komplotojnë që ta godasin me përgojim. 18:19-23 Jeremia shpreh keqardhje se kurrë nuk i kërkoi Perëndisë t’i kursente. Një lutje e tillë nuk është e përshtatshme për besimtarët në epokën e hirit.

H. Jeremia dhe poçi prej balte (kapitulli 19)

19:1-9 Jeremias i thuhet të marrë një poç balte nga pirgu i qytetit dhe t’u thotë atje mbretit të Judës dhe banorëve të Jerusalemit se Perëndia do ta copëtojë Judën për shkak të flijimeve të saj idhujtare dhe të njerëzve. Lugina e birit të Hinomit do të bëhet Lugina e Masakrës. Në rrethimin e Jerusalemit do të praktikohet kanibalizmi. 19:10-15 Me thyerjen e poçit profeti paraqet shkretimin dhe shkatërrimin që do të shkaktohet nga babilonasit. Varrezat do të jenë të zbrazura dhe shtëpitë ku është praktikuar idhujtaria do të jenë të papastra. Jeremia kthehet në oborrin e tempullit dhe përsërit faktin se gjykimi është bërë gati të bjerë, sepse populli nuk pranoi të dëgjonte fjalët e Perëndisë dhe të pendohej.